Veprat vlerësohen sipas qëllimit

Autor: Jusuf ZIMERI

Transmetohet nga Omer b. Hatabi r.a. i cili ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “Vërtet veprat shpërblehen sipas qëllimit, dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas qëllimit, andaj ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij, emigrimi i tij është për Allahun dhe të dërguarin e Tij, e kush ka bërë emigrim për ndonjë interes të kësaj bote ose për ndonjë femër që ta martojë, hixhreti i tij është për atë që ka emigruar”[1].

Shkaku i thënies së hadithit
Shkaku i thënies së këtij hadithi nga Pejgamberi s.a.v.s. siç na e sqaron imam Taberaniu në veprën e tij, duke u mbështetur në një transmetim nga ibni Mes’udit i cili ka thënë: në mesin tonë ishte një burrë i cili ishte i fejuar me një femër që e kishte emrin Umu Kajs. Me që burri kishte shprehur dëshirën që të martohej me te, ajo kishte refuzuar martesën me të po qe se nuk e plotëson kushtin e përcaktuar nga ajo. Kushti i përcaktuar për martesë ishte emigrimi i tij nga Meka e bekuar në Medinen e ndrithsme. Në këtë rast burri kishte pranuar emigrimin për në Medine dhe më pas ishin martuar, e ne e thirrnim Muhaxhiri i Umi Kajsit thotë Ibni Mes’udi. Këto përfolje nga njeriu në njeri shkuan deri te veshi i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. i cili për të eliminuar dhe pastruar të gjitha dilemat dhe pëshpëritjet e njerëzve, si dhe për të definuar dhe sqaruar çështjen e tha hadithin e lartë përmendur.

Vlerësimi i hadithit nga dijetarët islam.
Hadithi në fjalë, përveç se është i fuqishëm në autenticitetin e tij, ai është edhe fundament i islamit mbi të cilin ngritën dhe ndërtohen shumë dispozita praktike nga jurisprudenca islame. Në vlerësimin e hadithit, nga kënd vështrimi dhe aspekti i gjithë përfshirjes dhe universalitetit të normave islame që përfitohen nga kuptimi i këtij hadithi, dijetarët islam e vlerësuan si gjysma e islamit. Imam Neveviju thotë: ky hadith konsiderohet një nga hadithet më madhështore të islamit. Ebu Davudi thotë: “Ky hadith është gjysma e islamit, sepse islami vlerëson edhe formën e jashtme që është praktika-puna, si dhe  formën e brendshme që është qëllimi”. Imam Shafiu dhe Ahmedi kanë thënë: “Në këtë hadith përfshihet një e treta e diturisë së përgjithshme”.  Kurse imam Bejhekiju dhe disa të tjerë kanë thënë; “Njeriu përfiton përmes zemrës së tij, gjuhës së tij, dhe gjymtyrëve tjera, e nijeti është njëra prej këtyre tre gjërave”. Imam Shafiu në një shqyrtim tjetër të këtij hadithi thotë, se ky hadith përdoret si argument në shtatëdhjetë kapituj të fikhut. Andaj, kjo është edhe urtësia që dijetarët islam në shumicën e veprave të tyre, kur kanë filluar punimet, i kanë filluar me këtë hadith, që sinjalizon dhe dëshmon për hulumtuesit e diturisë se njeriu para së gjithash, nëse dëshiron që puna e tij të radhitet në mesin e adhurimeve, si dhe nëse dëshiron të ketë sukses dhe dobi nga puna e tij dhe të jetë e bereqetshme, jo vetëm për të, por edhe për mbarë shoqërinë dhe vendin e tij, patjetër të pastrojë qëllimin e tij. Pra duke u bazuar në tërë këtë, dijetarët islam nga ky hadith përfituan një rregull apo disiplinë shkencore që është “Vlerësimi i çështjeve sipas qëllimit është një e treta e diturisë”.

Çka kuptohet nga hadithi.
Nga specifikat e islamit është se jurisprudenca islame në veten e saj ngërthen, shtjellon dhe sqaron jo vetëm dispozitat që kanë të bëjnë vetëm me çështjet fetare, por edhe dispozita juridike që kanë të bëjnë edhe me çështjet jetësore të kësaj bote. Nga kjo nënkuptohet se islami është sistem shpirtëror që rregullon çështjet e brendshme shpirtërore të njeriut si dhe sistem juridik që rregullon çështjet fizike nga jeta e përditshme përmes sistemit ligjor të përcaktuar nga Ligjdhënësi suprem.

Çështjet e sistemit shpirtërorë që në terminologjinë e jurisprudencës islame njihen me nocionin “hakun dijanij”(e drejtë fetare) nuk përfshihen nën kompetencat e sistemit të gjykimit në jetën e përditshme, andaj edhe shpërblimi edhe dënimi nuk mund të shqiptohen nga gjykatësi porse drejtpërsëdrejti nga Allahu xh.sh. sepse përgjegjësia e njeriut për zbatimin apo mos zbatimin e këtij sistemi është vetëm para Allahut xh.sh. Kurse çështjet që kanë të bëjnë me sistemin juridik që rregullon çështjet fizike nga jeta e përditshme, janë nën kompetencat e sistemit juridik gjyqësor, që nënkupton se për këto çështje vendos gjykata islame e mbështetur në burimet dhe parimet fundamentale islame duke ndjekur me vëmendje procedurën e kërkuar për të arritur deri te vendimi.

Nga kjo ndarje e veprimeve, nënkuptojmë se dispozitat fetare ngritën mbi qëllimin, ngjarjen dhe realitetin, kurse dispozitat juridike gjyqësore ngritën mbi realitetin e dëshmuar dhe provave fizike që duken, e jo sipas qëllimit. Këtë më së miri do ta demonstrojmë përmes një shembulli. Nëse një njeri e ka shkurorëzuar bashkëshorten e tij gabimisht duke mos pasur për qëllim shkurorëzimin, gjykatësi duke u bazuar në provat fizike sjell vendim për shkurorëzim, kurse në aspektin e brendshëm islam myftiu jep fetvan se në këtë rast nuk kemi shkurorëzim.

Realiteti i nijetit dhe qëllimi i tij.
Nijeti është vendim dhe çështje e brendshme shpirtërore dhe zemërore që në mënyrë të përsosur jo vetëm që reflekton brendësinë e njeriut në botën e jashtme, por e nxitë njeriun që veprimtaria e tij të jetë në harmoni të plotë me dirigjimin e brendshëm. Mirëpo, me qenë se nijeti është çështje interne dhe sekrete për njerëzit tjerë, ne jemi të obliguar të gjykojmë sipas asaj që shohim, e ajo që është sekrete dhe e pa njohur për ne, nuk është e tillë edhe për Allahun xh.sh., andaj Ai shpërblen dhe sanksionon veprën sipas qëllimit. Në këtë drejtim, nëse dikush tenton apo mendon se ka mashtruar njerëzit duke u arsyetuar me qëllimin e mirë, dhe lirohet nga përgjegjësia e veprës në këtë botë, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se është liruar edhe nga përgjegjësia e veprës para Allahut xh.sh. në jetën e botës tjetër.

Dijetarët islam kanë theksuar se përmes nijetit besimtari islam synon të arrijë dy gjëra të rëndësishme që janë:

01. Të bëjë dallimin mes adhurimeve dhe traditës dhe njëkohësisht dallimin prej adhurimit nga adhurimi tjetër. Kjo nënkupton se njeriu i cili falë namazin, ka për qëllim adhurimin ndaj Allahut xh.sh. e jo për shkak të traditës, dhe në anën tjetër përmes nijetit përcakton llojin e adhurimit që është duke e bërë, shembull namazin e drekës apo iqindisë.

2. Përmes nijetit bëhet specifikimi se vepra kryhet vetëm për Allahun xh.sh. e për askënd tjetër, andaj dijetarët islam kur biseduan për nijetin kishin për qëllim këtë kategori të qëllimit.

Kur jemi te përcaktimi i nijetit-qëllimit për çështjet e adhurimit,  juristët islam që përfaqësojnë shkollën juridike hanefite, këtë çështje e shtjelluan në tri forma që janë:

a. Nëse besimtari mendon të kryej ndonjë obligim që zbatimi i atij obligimi është më ngushtë se sa koha e kryerjes së tij, apo koha e obligimit është më e gjërë se veprimi që në terminologjinë e sulit njihet me termin “vaxhibul muvesa”, që nënkupton se brenda asaj kohe mund të kryhen shumë veprime të tilla, atëherë përcaktimi i nijetit është detyrimor, si psh falja e namazit të drekës, sepse falja e drekës merr vetëm një pjesë të kohës për faljen e këtij namazi dhe koha tjetër jep mundësi që brenda kësaj kohe të kryhen edhe namaze tjera, andaj përcaktimi i nijetit është i domosdoshëm.

b. Obligime që kryerja e tyre zgjatë sa koha dhe brenda asaj kohe nuk mund të kryhet ndonjë obligim tjetër i atij lloji “vaxhibul mudajek” si psh agjërimi si ibadet zgjatë sa vet koha e agjërimit dhe brenda kësaj kohe nuk ka mundësi të agjërohet ndonjë lloj tjetër i agjërimit, andaj dijetarët kanë thënë se përcaktimi i nijetit nuk është kusht i vlefshmërisë, sepse ditën e ramazanit edhe nëse bëhet nijet agjërimi për nafile, ai konsiderohet agjërim farz.

c. Nëse koha e adhurimit është e dyanshme që nënkupton se i përket llojit të parë kur ibadeti është më i ngushtë se koha e në anën tjetër i përngjet llojit të dytë kur ibadeti është aq sa koha. Shembulli i tillë është Haxhi, ngase gjatë haxhit ka kohë që të bëhen më shumë se një haxh, porse në anën tjetër nuk mund të bëhen më shumë se një haxh në një vit, andaj në këtë lloj ibadeti përcaktohet sipas nijetit të kryerësit.

Ajo që duhet theksuar në përmbyllje të kësaj teme është shkaku i arritjes së shpërblimit në jetën e botës tjetër është nijeti, sepse sipas nijetit vepra e lejuar shndërrohet në ibadet.


[1] , Hadithi është Mutefikun alejhi.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *