Vlerat e muajit Sha’ban nën prizmin e sunetit

Autor: Mr.Taxhedin Bislimi

Muaji Sha’ban është muaji i tetë sipas kalendarit të hënës, muaj ky i cili i paraprinë muajit të agjërimit, dhe Kur’anit që është muaji i Ramazanit. Muaji i Sha’banit është muaji i begative madhështore, që i nxitë myslimanët që të shfrytëzojnë nga rasti për të përfituar shpërblime të mëdha si dhuratë nga Allahu xh.sh. për veprimet e mira dhe produktive gjatë këtij muaji.

Muaji Sha’ban për dallim nga muajt tjerë, karakterizohet me dy ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme jo vetëm historike, por që kanë të bëjnë edhe me edukimin shumë dimensional si ai, shpirtërorë, shoqërorë, human dhe ai vëllazërorë i besimtarëve islam, e që janë:
– Nata e katërmbëdhjetë e muajit Sha’ban që njihet si nata e Beratit, dhe
– Ndërrimi i Kibles së myslimanëve prej mesxhidi Aksas (jerusalimit) në drejtim të mesxhidi Haramit – Bejtullahit.

I dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). e madhëronte këtë muaj me shtimin e adhurimeve dhe veprimeve të mira, si agjërimi  dhe format tjera të adhurimeve qofshin trupore apo edhe ekonomike-materiale. Këto veprime të Pejgamberit a.s. ligjësuan forma të adhurimit, përmes së cilave besimtarët islam që pasuan dhe trasuan rrugën e tij, shtuan veprat e mira, sinqeritetin dhe devotshmërinë që janë shpresa më e mirë për besimtarin islam. Për këtë Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë: “kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë[1]

Përmes këtyre adhurimeve (ibadeteve) të shtuara gjatë këtij muaji, siç është agjërimi, përmes së cilit njeriu shkëputët nga të mirat, dëfrimet dhe kënaqësitë materiale të kësaj jete, ngritët në shkallën më të lartë të pastërtisë dhe çiltërisë së tij, afrohet te Krijuesi i tij, dhe shtonë dashurinë ndaj Allahut xh.sh..

Andaj, muaji i Sha’banit në zemrat e besimtarëve islam, që janë të mishëruar me dashurinë ndaj Allahut xh.sh. dhe të dërguarit të Tij, sjell një ndjenjë të posaçme, të pa përshkruar në fjalë, sepse. këtë muaj Allahu xh.sh, i falë ata që kërkojnë falje, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirë dhe i begaton ata që kërkojnë begatitë e Tij.

Agjërimi i Pejgamberit a.s. gjatë muajit Sha’ban
Ashtu si transmetohet në transmetimet e shumta nga shokët e Pejgamberit (sahabët) mësojmë se nga tradita e pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme) ishte se ai agjëronte aq shumë saqë thuhej se ai asnjëherë nuk e ndërprite agjërimin. Pastaj e ndërprite agjërimin për ditë të shumta derisa thuhej; ai nuk agjëron. Më së shumti që agjëronte Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). ishte në muajin Sha’ban, ai e agjëronte shumicën e muajit Sha’ban. Në disa transmetime thuhet se i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). këtë muaj e agjëronte tërësisht, porse në transmetimet tjera thuhet se Pejgambei a.s. nuk ka agjëruar asnjë muaj të plotë përveç muajit Ramazan.

I dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). këtë muaj e shoqëronte me shtim të ibadetit e veçanërisht me agjërim gjatë ditës dhe me namaz nafile gjatë natës. Në një hadith të transmetuar Umi Seleme nga Aisha r.a. e cila ka thënë: “Pejgamberin a.s. nuk e kam parë që ka agjëruar ndonjë muaj të plotë, përveç Ramazanit, e as nuk e kam parë Pejgamberin a.s. se ka agjëruar ndonjë muaj më shumë, se sa në muajin Sha’ban “[2]

Për urtësinë e agjërimit të pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). në muajin Sha’ban dijetarët islam dhanë mendime të shumtë, mirëpo në një transmetim nga Ibni ebi Lejla thuhet se i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). këtë e bënte për të madhëruar muajin e Ramazanit. Këtë transmetim e përforcon edhe një transmetim tjetër që është i regjistruar te imam Termidhiu nga Enesi r.a. shërbëtori i Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). i cili ka thënë: Është pyetur i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme).: Cili agjërim është më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit ? Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). tha: “(Agjëimi) muaji Sha’ban për shkak të madhërimit të Ramazanit” [3]. E kjo bëhej me qëllim që besimtarët islam të presin muajin e agjërimit me gjoks të hapur dhe të pastër.

Në koleksionin e Nisaiut dhe të Ebu Davudit e gjejmë të regjistruar hadithin e transmetuar nga Usame b. Zejdi ku thuhet: i thash: O i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme)., nuk të kam parë që ke agjëruar ndonjë muaj prej muajve sa agjëron në muajin Sha’ban.. Ai tha: “Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, mes muajin Rexhep dhe Ramazan, ky muaj (Sha’bani) është muaji që ngritën punët tona te Allahu i madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm”[4].

Edhe pse transmetimet që flasin për agjërimin e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). në muajin Sha’ban disa prej tyre thonë se i dërguari agjëronte tërë muajin Sha’ban, realiteti është se ai agjëronte shumicën e tij, e mos agjërimin e tërësishëm të këtij muaji e bëri për shkak të frikës se mos të tjerët do ta kuptonin se agjërimi në këtë muaj është detyrimor-farz. Në shpjegimin e këtyre haditheve imam Termidhiu bartë shpjegimin e dijetarit Ibni Mubarek i cili thotë; nuk ka përplasje mes haditheve, porse gjuha arabe mundëson që të përdoret shprehja tërë muajin nëse është agjëruar shumica e tij.

Ngritja e veprave tona
Në mesin e muajit Sha’ban, respektivisht në natën e katërmbëdhjetë gjendet nata e Beratit. Kjo natë është nata që Allahu xh.sh. i hapë dyert e qiejve  dhe e zbret mëshirën e tij përmes engjëjve, duke i pranuar lutjet dhe pendimet e robërve të tij. Kjo natë pra është nata që ngritën punët e besimtarëve Islam te Allahu xh.sh., ashtu si e theksoi hadithi i sipërpërmendur. I dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). në një hadith të transmetuar nga Enes b. Maliki thotë: “Secili besimtarë në qiell ka nga dy dyer, për njërën derë i zbret furnizimi i tij, kurse për derën tjetër hynë – ngritën fjalët dhe veprat e tij”.

Në disa hadithe të transmetuara nga Pejgamberi a.s. vërejmë se përmenden disa kohë në të cilat ngritën veprat tona te Allahu xh.sh.. Sigurisht se theksimi i më shumë se një kohe në të cilën ngritën veprat tona nuk ka të bëjë me kundërshtime mes haditheve, sepse secila koha që përmendet për ngritjen e veprave tona ka edhe urtësinë e vet.

Ngritja e menjëhershme e veprave tona
Në një hadith të transmetuar nga Abdullah b. Saibi r.a. tregohet se i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). kishte falur katër rekate namaz nafile menjëherë pas namazit-farzit të drekës dhe tha: “Në këtë kohë (orë-moment) hapen dyert e qiellit, dhe unë dëshiroj që në këtë kohë të ngritën punët e mia të mira” [5]

Ngritja e veprave natën dhe ditën
Transmetohet nga ebu Musa r.a. i cili ka thënë: na ka mësuar neve i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). pesë fjalë (mësime) dhe tha: “Vërtetë Allahu xh.sh. nuk flenë dhe nuk ka nevojë për të fjetur, Ai e zbret drejtësinë dhe e ngritë atë[6], Te Allahu ngritën veprat e natës para (se të fillohet me punët e ditës) veprave të ditës, dhe veprat e ditës para veprave të natës, Mbulesa e Allahut xh.sh. është drita, e nëse e shpalosë shkëlqesia- lartësia e tij (fytyra e tij) do ti kishte djegur krijesat e tij gjithkund kur arrin drita e tij”

 Ngritja e veprimeve javore
Transmetohet nga ebu Hurejra r.a. i cili ka thënë: i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). ka thënë: Veprat ngritën te Allahu xh.sh. ditën e enjte dhe të hënën, dhe Allahu i lartëmadhërishëm falë çdo njeri i cili nuk i ka përshkruar shok Allahut (nuk ka bërë shirk) me përjashtim të atyre që mes tij dhe vëllait të tij ka zënkë – ngatërresë, e Allahu xh.sh. thotë: “ Lëni këta dy ashtu si janë derisa të pajtohen” [7].

Kurse në koleksionin e Imam Termidhiu në një hadith të transmetuar po ashtu nga ebu Hurejra r.a. i cili ka thënë. I dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). ka thënë: ”Veprat ngritën te Allahu ditën e hënë dhe enjten, e unë dëshiroj që kur të ngritën veprat e mia të jem agjërueshëm” [8].

Ngritja vjetore e veprave
Transmetohet nga Usame b. Zejdi ku thuhet: i thash: O i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme)., nuk të kam parë që ke agjëruar ndonjë muaj prej muajve sa agjëron në muajin Sha’ban.. Ai tha: “Ky muaj është muaji që njerëzit janë në gaflet në të, mes muajin Rexhep dhe Ramazan, ky muaj (Sha’bani) është muaji që ngritën punët tona te Allahu i madhërishëm, andaj unë dëshiroj që kur të ngritën punët e mia të jem agjërueshëm” [9].

Dijetari i famshëm el Men-navi në sqarimin e këtyre haditheve thotë se, veprat ngritën te Allahu xh.sh. natën e gjysmës së muajit Sha’ban, pra natën e katërmbëdhjetë të muajit Sa’ban dhe natën e kadrit, natën e njëzet e shtatë të muajit Ramazan.  Ngritja e veprave për çdo të hënë dhe të enjte është ngritje e përgjithshme javore, kurse ngritja e veprave natën e katërmbëdhjetë të muajit Shaban dhe natën e kadrit, është ngritje e detajizuar vjetore. Urtësia e ngritjes së veprave të njerëzve te Allahu xh.sh. është nxjerrja në shesh e nderit dhe vlerës punëtorit të këtyre veprave.

Ngritja e veprave në natën e Beratit
Në natën e katërmbëdhjetë të muajit Sha’ban, që njihet si nata e Beratit, hapen dyert e qiejve dhe pranohen lutjet e atyre që luten dhe zbret magfireti – amnistia e Allahut xh.sh., melekët zbresin në tokë me rahmetin e Allahut xh.sh.. Këtë natë Allahu xh.sh. bënë amnistinë – faljen e madhe për robërit e tij duke i larguar nga zjarri i xhehenemit, pastaj Allahu xh.sh. lëshon shikimin e Tij (mëshirën e Tij) mbi robërit, duke i falur ata që kërkojnë falje, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirën dhe i shlyen të këqijat e atyre që bëjnë pendim – teuvbe.

Në një transmetim nga Aisheja r.a., bashkëshortja e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). thuhet se ajo ka thënë: Një natë u ngrit i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). nga shtrati për tu falur, dhe gjatë namazit qëndroi aq gjatë në sexhde, saqë mendove se ka vdekur. Kur vërejta qëndrimin e gjatë në sexhde, pa lëvizur, u ngrita, e kapi për gishtin e dorës dhe ai lëvizi, e unë e dëgjova duke thënë në sexhde: “O Zot, kërkoj mbrojtje me faljen Tënde prej dënimit Tënd, kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde ndaj hidhërimit Tënd, Kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti, nuk di si të lavdërojë, Ti përveç se ashtu si Ti e ke lavdëruar veten Tënde”.  Pasi e ngriti kokën nga sexhdeja dhe përfundoi nga namazi tha: “Oj Aishe, ose Oj Kuqaloshe , a mendove se shkova te tjetra? I thash (thotë Aisheja): Jo pasha Allahun o i dërguari i Allahut, nuk mendova ashtu, por mendova se ke vdekur për shkak të sexhdes suaj të gjatë. Atëherë Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). tha: A e din se çfarë nate është kjo ? Aisheja r.a. i tha: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë. Pejgamberi a.s. tha: “Kjo është nata e gjysmës së muajit Sha’ban, vërtetë këtë natë Allahu i lartëmadhërishëm paraqitet para robërve të Tij, i falë ata që kërkojnë falje prej Tij, i mëshiron ata që kërkojnë mëshirë, kurse ziliqarët i len të tillë si janë, të armiqësuarit ngelin po ashtu të pa falur dhe të pa mëshiruar”[10]

Në një transmetim nga Abdullah b. Arri thuhet se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). ka thënë: “Allahu xh.sh. natën e gjysmës së muajit Sha’ban paraqitet para të gjitha krijesave të Tij dhe i falë robërit e Tij, me përjashtim të dy kategorive që janë, hipokriti që bënë përçarje dhe vrasësi i njeriut (me pa të drejtë) [11].

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Aisheja r.a. thhet se i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme). ka thënë: “Më erdhi Xhibrili a.s. dhe më tha: Kjo është nata e gjysmës së muajit Sha’ban, Allahu këtë natë liron nga zjarri i xhehenemit sa numri i qimeve të deleve të fisit beni Kelb[12], këtë natë Allahu nuk e mëshiron vetëm atë që ka bë shirk (që i ka përshkruar Allahut shok), atë që bënë përçarje mes myslimanëve,  atë në nuk i viziton të afërmit e tij (ka shkëputur shkëputur familjare), atë që nuk nderon –respekton prindërit, atë që rrobet i lëshon për toke kur ecën, alkooloçarët që përdorin alkoolin,  dhe atë që ka mbytur njeri”[13]

Sipas parimeve të përgjithshme islame, për tu arritur lumturia dhe kënaqësia në këtë botë, si dhe shpëtimi në jetën e botës tjetër, besimtari islam ka për detyrë që jetën e tij ta ndërtojë dhe menaxhojë mbi dy parime kryesore që janë:
1 – Parimi i mirësisë dhe lidhjes së tij me Krijuesin e tij që e ka krijuar,
2 – Parimin e mirësisë dhe lidhjes së tij familjare dhe ndërnjerëzore në mënyrë që sjelljet e tyre të jenë mbi parimin e vëllazërisë, dashurisë, dhe respektit. Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë  në kontekst të kësaj duke folur për sahabët thotë: “ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes”[14]

Sahabët mirë i kishin kuptuar këto dy principe themelore islame, si dashurinë horizontale ashtu edhe atë vertikale, andaj ishin të bindur se dashuria ndaj të tjerëve, respekti, ndihma dhe humanizmi, mbi të gjitha është edhe pjesë e imanit- besimit të njeriut. Këtë ua kishte mësuar i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi vesl-leme) ku kishte thënë: Asnjëri nga ju nuk është besimtarë derisa t’ia dojë vëllait të tij atë që e dëshiron për veti.

Andaj, nëse me vëmendje përqendrohemi në të këto hadithe të përmendura, e veçanërisht në hadithin e fundit vërejmë se përmenden sëmundjet të pa dukshme, që motivojnë jo vetëm dekoncentrimin shpirtërorë të besimtarit islam siç janë, urrejtja, zilia,  shpirtngushtësia, por edhe shkaktojnë çrregullime familjare dhe shoqërore siç janë hipokrizia dhe përçarja mes njerëzve, alkooli, ndërprerja e lidhjeve familjare, mos respektimi i shoqërisë, krimi etj. Andaj, muaji i Sha’banit është një mundësi e mirë që besimtari islam përmes urdhrave dhe këshillave që na i bëri i dërguari i Allahut për respekt të këtij muaji, të përmirësohet dhe të shërohet nga këto anomali që dëmtojnë individin dhe shoqërinë e para së gjithash edhe besimin e njeriut. Kështu i kishin kuptuar sahabët dhe selefi i ndershëm porositë pejgamberike. Në një transmetim nga Enes b. Maliku tregohet se si myslimanët e pritnin muajin Sha’ban dhe thotë: Kur prezantonte muaji Sha’banit, myslimanët e rritnin gatishmërinë e punëve të mira, lexonin Kur’an, shpërndanin lëmosha dhe sadekate duke u solidarizuar me të varfëritë dhe nevojtarët, me qëllim që edhe ata të ndihmohen  për pritjen e muajit të Ramazanit. Ata e kuptuan se ngritja e punëve të tyre te Allahu xh.sh. në natën e katërmbëdhjetë të Muajit Sha’ban, duke e përcjellë me agjërim dhe ibadete të shtuara, është përfundimi i veprim vjetor, kurse fillimin e muajt të Ramazanit e konsideronin si fillimi i vitit të ri shkollor, me një e lan të mirë, të përgatitur, të pastër dhe të bashkuar. Kështu fillonte viti i tyre dhe kështu mbaronte.

Sa i përket agjërimit të muajit Sha’ban si agjërim nafile dijetarët kanë tërhequr paralele analitike mes namazit dhe agjërimit, duke thënë, ashtu si i paraprinë namazeve farze namazi sunet, ashtu edhe agjërimit farz i paraprinë agjërimi sunet. Në realitet sunetet na përkujtojnë në farzet, ose i kompletojnë ata në rast të ndonjë mangësie të pa qëllimtë dhe konsiderohet mbrojtëse të farzit.

Agjërimi i këtyre ditëve, për ata të cilët eventualisht kanë pa agjëruar ndonjë ditë Ramazanit me arsyetim juridike islame, preferohet që për agjërimin e tyre të bëhet nijet agjërim Kazas. Këto ditë mund të ngjërohen edhe agjërim të premtuar (nedhr) që dispozita e tyre është vaxhib, e nëse nuk është i ngarkuar me këto lloje të agjërimit, atëherë agjëron edhe agjërim nafile.

Referencat
[1] Suretu el Kehf :46
[2] Imam Buhariu:1833
[3] Termidhiu
[4] Nisaiu dhe ebu Davudi
[5] Termidhiu dhe Ahmedi
[6] Në një transmetim tjetër thuhet drejtësi është begati e Allahut, e nëse njerëzit e keqëpërdorin, atëherë Ai e ngritë begatinë e Tij.
[7] Imam Muslimi dhe Termidhiu
[8] Termidhiu
[9] Nisaiu dhe ebu Davudi
[10] Imam Bejhekiu
[11] Imam Ahmedi
[12] Dijetarët thonë se në hadith përmendet fisi Beni Kelb, për arsye se ky fis ishte i njohur me ruajtjen e bagëtisë dhe kishte bagëti më shumë se sa të gjithë fiset tjera.
[13] Imam Bejhekiu
[14] Suretu el Hashr :09

Shkrime të ngjashme