Shkruan: Jusuf ZIMERI

Argumentet për lejimin e Mevludit

(Ky tekst është shkëputur nga vepra “MEVLUDI, sunet i mirë apo bidat, botuar më 2012 në Shkup)

Dijetarët islamë të cilët u morën me studimin e çështjes së Mevludit në historinë e islamit janë të shumët, e në mesin e tyre ka edhe shumë vepra që janë shkruar në këtë lëmi. S’do mend se studimet e tyre për përcaktimin e dispozitës së manifestimit të lindjes Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, mevludit, u mbështetën në argumentet autentike burimore islame, andaj përfundimet e tyre ishin se manifestimi i lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nuk është çështje që e dëmton parimin islam, por përkun-drazi është çështje që ndihmon zhvillimin e jetës islame dhe afron njerëzit drejt dashurisë së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e veçanërisht gjeneratën e re.

Para se të lëshohemi në argumentet ku dijetarët islamë mbështeten mendimet e tyre, për të mos formuar huti te lexuesi, patjetër duhet të theksojmë se në mesin e këtyre dijetarëve që lejuan manife-stimin e Mevludit, ka të tillë që nuk pranojnë teorinë se Mevludi është Bidat, por këtë e shohin si një sunnet të mirë (rrugë të mirë), kurse disa prej tyre, janë të mendimit se Mevludi vërtetë është një bidat, por është nga bidatet e mira. Në aspektin gjuhësorë (linguistik) mevludin nuk mund ta quajmë ndryshe, por në aspektin terminologjik të sheriatit islam është veprim i mirë që duhet vepruar, ngase nuk ka asnjë argument të prerë që ndalon këtë veprim. Andaj në esencë të gjithë pajtohen për ligjësimin e mevludit, porse si duket këta kanë dallime mes veti vetëm në mënyrën e manifestimit të lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, e këtë do ta vërejmë më poshtë gjatë argumentimit. Argumentet ku këta dijetarë mbështesin mendimin e tyre për lejimin e mevludit janë nga Kur’ani, Sunneti, Ixhmai, Kijasi dhe nga disa argumente sekundare apo të dorës së dytë. Në vazhdim do të sjellim argumentet e tyre.

Argumentet nga Kur’ani Fisnik

Dijetarët Islamë shpalosjen dhe demonstrimin e gëzimit dhe haresë për lindjen e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, jo vetëm që e mbështesin në agrume-ntet autentike islame, por këtë çështje e paraqitën edhe si çështje të kërkuar dhe imperativ Kur’nor, duke u mbështetur në ajetin kur’anor ku All-llahu Xhel-le xhelaluhu thotë:

قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِمَّا يَجْمَعُونَ

 “Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”[1].

Nga ky ajet qartë vërehet se All-llahu xh.sh na urdhëroi që t’i gëzohemi begative dhe mëshirës së Tij, sepse përmes gëzimit ekspozohen simptomat e falënderimit ndaj All-llahut Xhel-le xhelaluhu. Përderisa porosia pejgamberike është që, besimtari islam edhe në rastet kur merr pjesë në ndonjë gëzim të vëllait të tij, të shpalosë shenjat e gëzimit, edhe nëse në vete ka shqetësime, dhe anasjelltas kur të marrë pjesë në ndonjë pikëllim të vëllait të tij, duhet ti paraqes shenjat e dëshpërimit, edhe nëse ai vetë është i gëzuar, atëherë do të ishte më me përparësi që shenjat e gëzimit të shpalosen dhe demonstrohet në çështjet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me të.

Meqë ajeti Kur’anor, në mënyrë imperativi na urdhëron të gëzohemi për begatitë dhe mëshirën e All-llahut Xhel-le xhelaluhu, dhe në anën tjetër nuk ka dilemë mes dijetarëve islamë se, i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, është begatia dhe mëshira më e madhe jo vetëm për muslimanët por për mbarë njerëzimin dhe, jo vetëm kaq, por është mëshirë për të gjitha botët, botën njerëzore, botën e xhinëve, botën bimore, botën shtazore etj, pra për të gjitha krijesat. Tërë kjo vërtetohet me ajetin Kur’anor ku All-llahu Xhel-le xhelaluhu thotë:

وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلاَّ رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ

E Ne nuk të dërguam ty, (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”[2]

Këtë e përforcon edhe komentuesit më i njohur i Kur’anit, zotëriu jonë Abdullah b. Abasi[3] Radiall-llahu anhuma i cili në shpjegimin e ajetit thotë: “Mirësia e All-llahut Xhel-le xhelaluhu është dituria, kurse mëshira e Tij është i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme,,”. Në shpjegimit e këtij ajeti mbështetet edhe komentu-esi i njohur i Kur’anit Imam Alusi[4] i cili në tefsirin e tij lejon manifestimin e lindjes së Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Nga kjo përfitohet fakti se gëzimi për të Dërguarin e All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme është çështje e kërkuar në çdo kohë, për çdo begati dhe për çdo mirësi, por ky gëzim shtohet çdo ditë të hënë, çdo vit në muajin Rebiul Evvel, për shkak të rastit që shënon koha. Dijetari i famshëm Imam Muhamed Muteveli Sha’raviu, i nxitur nga kuptimi i këtij ajeti thotë: është fakt se njerëzit janë gëzuar për lindjen e Pejgamberit në këtë botë, pastaj janë gëzuar edhe krijesat e ngurta për lindjen e tij, u gëzuan edhe bimët, u gëzuan edhe kafshët për lindjen e tij, u gëzuan edhe xhinët për lindjen e tij, atëherë, pse po na e ndaloni që edhe ne të gëzohemi për lindjen e tij”

Në kontekst të kësaj dijetari i famshëm Hafidh Shemsudin Es-Sehavi thotë një thënie shumë të fuqishme që është: “Sikur prej kësaj dite të mos kishte asnjë të mirë tjetër përveç britmës dhe hidhërimit të djallit, si dhe gëzimit të besimtarëve dhe muslimanëve, do të mjaftoje manifestimi për këtë ditë.[5]

Shejh Shemsudin El Xhezriju shpjegon ngjarjen e Ebu Lehebit, duke thënë:[6] Është parë Ebu Lehebi në ëndërr, dhe ishte pyetur: Si është gjendja jote o Ebu Leheb?. Ai kishte thënë: Unë jam në zjarr të xhehe-nemit, mirëpo ndëshkimi i zjarrit më lehtësohet çdo të hënë mbrëma, në atë mënyrë që e freskoj trupin tim duke thithur nga këto dy gishtërinj (gishti tregues dhe gishti i madh). Është interesant se shkaku i lehtësimit të zjarrit të xhehenemit apo i freskimit të trupit të Ebu Lehebit, njeri ky për të cilin ka zbritur Kur’an dhe është vërtetuar ndëshkimi i tij, ndërlidhet pikërisht me gëzimin e lindjes së Pejgamberit ku nga hareja dhe gëzimi që pati për lindjen e Muhammedit liroi robëreshën e tij Thuvejben. Këtë e vërteton edhe Imami i Shamit Hafidh Shemsudin Nasirudin Ed-Dimeshkiju në veprën e tij “Mevridu Es-sadij fi mevlidil hadij” i cili vërteton se Ebu Lehebit i lehtë-sohet ndëshkimi për shkak të gëzimit të tij ndaj lindjes së Pejgamberit, ashtu edhe Ebu Talibit që këtë ditë transferohet nga një dënim më i rëndë, në një dënim më të lehtë. Këtë tregim e ka komentuar edhe imam Buhariu në Sahihun e tij në kapitullin “En-Nikah” nëntitulli “nënat tuaja që ju kanë dhënë gji” me transmetim nga Urvete. Gjithashtu këtë ngjarje e ka komentuar edhe Imam El Bejhekiu. Imam Abdurrezak Es-San’ani në musanifin e tij me transme-tim nga Ma’meri e ky nga Zuhriju i cili ka thënë: Më ka informuar Urvete për të njëjtën ngjarje. Përderisa disa dijetarë siç është Es-Suhejliju thonë se këtë ëndërr e kishte parë Abbasi Radiall-llahu anhu xhaxhai i Pejgamberit. Pra, nëse për shkak të manifestimit të gëzimit të lindjes së Pejgamberit All-llahu Xhel-le xhelaluhu i lehtësoi një jomuslimani, atëherë çka mund të thuhet për gëzimin dhe harenë që e manifeston një besimtarë islam me rastin e lindjes së Pejgamberit!

All-llahu Xhel-le xhelaluhu thotë:

وَذَكِّرْهُمْ بِأَيَّامِ اللَّهِ إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآيَاتٍ لِّكُلِّ صَبَّارٍ شَكُورٍ

“dhe përkujtoju atyre ditët e All-llahut (të mirat e All-llahut që u dhuroi), se vërtet në ato (përkujtime) ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falënderues”.[7]

Ibni Kethiri na e bënë të ditur se me nocionin përkujto “ditët e All-llahut” ka për qëllim begatitë dhe mirësitë e All-llahut Xhel-le xhelaluhu. Në një hadith të transmetuar nga Abdullah b. Imam Ahmed b. Hanbeli në Musnedin e babait të tij ku ka thënë: Më ka treguar Jahja b. Abdullahi i liruari i fisit beni Hashim, na ka treguar Muhamed b. Eban El Xha’fiju nga Ebu Is’haki, ky nga Seid b. Xhubejri, ky nga Ibni Abbasi, ky nga Ubeje b. Ka’bi e ky nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, se në shpjegimin e ajetit “dhe përkujtoju atyre ditët e All-llahut (të mirat e All-llahut që u dhuroi)” janë për qëllimbegatitë e All-llahut të Lartëmadhërishëm[8] Ibni Abasi thotë se me nocionin “bi ej-jamil-lahi” janë për qëllim begatitë dhe fitoret sepse begatitë në gjuhën arabe mund të quhen ndryshe edhe me nocionin “Ejam” që në kuptimin origjinal donë të thotë ditë. Pra nga kjo nënkuptohet se besimtarët islamë janë të detyruar të përkujtojnë ditët në të cilat kanë ndodhur ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme për besimtarët.[9]

Ngjashëm sqaron edhe Imam Ibni Xherir Et-Taberiu në tefsirin e tij, Tefsiru Et-Taberij ku thotë: të këtij mendimi janë Fudejl b. Ijadi me transmetim nga Lejthi e ky nga Muxhahidi i cili ka thënë, se me nocionin “ejamul-lah” janë për qëllim begatitë e All-llahut. Përveç transmetimit të Lejthit këtë mendim të Muxhahidit e përforcon edhe transmetimi i Ubejd el Mektubit, transmetimi i Husejnit, transmetimi i Ebu Nuxhejhit dhe transmetimi i Ebu Xhurejxhit.

Imam Muhamed Et-Tahir Ibni Ashuri, në tefsirin e tij “Et-tahriru vet-tenvir” duke shpjeguar ajetin në fjalë citon se nocioni “përkujtoju atyre – dhek-kirhum” nënkupton fshirjen e harresës dhe i bënë vërejtje besimtarëve islamë që të mos anashkalojnë përkujtimin e begative dhe mëshirës së All-llahut Xhel-le xhelaluhu.

Ato ngjarje janë të shumta, në jetën e Pejgambe-rit, siç janë ngjarja e Isras dhe Miraxhit, hixhreti, fillimi i zbritjes së Kur’anit, pra nata e Kadrit etj, por ajo që është më e rëndësishmja dhe lokomotiva e tërë këtyre ngjarjeve është lindja e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme sepse pa lindjen e tij, nuk do të kishin ndodhur asnjë nga këto që i përmendëm. Meqë lindja e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme është nga begatitë më madhështore për Ummetin islam, atëherë në këtë ajet gjendet imperativi që ti përkujtojmë njerëzit me begatitë e All-llahut dhe me mëshirën e Tij, nënvizohet qartë se manifestimi i mevludit përfshihet brenda këtij imperativi.

All-llahu Xhel-le xhelaluhu thotë:

لَعَمْرُكَ إِنَّهُمْ لَفِي سَكْرَتِهِمْ يَعْمَهُونَ

Pasha jetën tënde (Muhammed), s’ka dyshim se ata (populli i Lutit) ishin të humbur në dehjen e tyre”[10].

Në tefsirin e Imam Kurtubiut,, gjejmë el Kadi Ebu Bekr El Arabij, i cili thotë se ekziston konsensus mes komentuesve të Kur’anit Fisnik, se me këtë betim All-llahu Xhel-le xhelaluhu betohet në jetën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, dhe atë në shenjë nderi dhe respekti që All-llahu Xhel-le xhelaluhu e ngriti atë. Se betimi i All-llahut Xhel-le xhelaluhu ishte një respekt i veçantë ndaj Pejgamberit vërteton edhe Ebu el Xhevzai i cili thotë, se, All-llahu Xhel-le xhelaluhu asnjë-herë nuk është betuar në jetën e askujt tjetër, përveç në jetën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme[11]

Ibni Kethiri në tefsirin e tij, këtë e argumenton me transmetimin nga Amr b. Malik En-Nekriju nga Ebu El Xhevzai, ky nga Ibni Abbasi se vërtetë ai ka thënë: All-llahu nuk krijoi e as nuk shumoi apo pastroi ndonjë shpirt më fisnik se sa ai i Muhamedit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, dhe nuk kam dëgjuar që All-llahu të jetë betuar në jetën e dikujt tjetër përveç në jetën e tij dhe tha: Pasha jetën tënde (Muhammed), s’ka dyshim se ata (populli i Lutit) ishin të humbur në dehjen e tyre” Transmeton Ibni Xheriri

Nga ky ajet shihet qartë se sa e rëndësishme ishte jeta e pejgamberit, sa e pëlleshme dhe sa frytdhënëse ishte jo vetëm për muslimanët, por për mbarë botën njerëzore, apo më mirë thënë për të gjitha botët, sepse po të mos ishte kështu, atëherë edhe betimi i All-llahut Xhel-le xhelaluhu në jetën e Pejgamberit do të ishte i pa vlerë. Neve mirë e dimë, se jeta e njeriut fillon me lindjen e tij në këtë botë, dhe përfundon me vdekjen e tij, respektivisht me kalimin e tij në jetën e përhershme. Andaj për derisa jetën e Pejgamberit e madhëroi All-llahu Xhel-le xhelaluhu përmes betimit të Tij, atëherë edhe nga ne është obligim të respektojmë dhe madhërojmë ditët e jetës së Pejgamberit duke filluar nga dita e lindjes së tij, dhe kështu i ngritim shenjat dhe simbolet islame.


[1] Suretu Junus :58

[2] Suretu El Enbija: 107

[3] Abdullah b. Abbasi biri i Abdulmutalibit, djali i xhaxhait të Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Ka lindur tre vite para emigrimit të Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme për në Medine. Muhammedi Alejhis-selam ishte lutur për te te All-llahu xh.sh. dhe kishte thënë: “O Zot thelloje në fe dhe mësoja shpjegimin” Abdullahi konsiderohet nga komentatorët më të spikatur të Kur’anit, këtë e vërtetojnë shumë nga sahabët e mëdhenj të Pejgamberit Alejhis-selam.

[4] Muhamed b. Abdullah El Husejnij El Alusi Shihabud-din. Alusi ka lindur në Kerh –Irak në vitin 1217H, kurse ka vdekur vitin 1270H në Kerh dhe aty është varrosur. Ishte njohës i mirë i Tefsirit, hadithit, usuli fikhut dhe shkencave tjera. Kryevepra e tij është tefsiri i tij i quajtur “Ruhul meani fi tefsiril Kur’anil adhimi ves-seb’il methani”

[5] Ibni Halife Aljevij, hadhihi akidetu es-selefi vel Halefi fi dhatil-lahi teala ve sifatihi ve ef’alihi vel xhevabu es-sahih, f. 270.

[6] Mr. Taxhedin Bislimi, Mevludi, historiku dhe dispozita e tij.

[7] Suretu Ibrahim : 05

[8] Tefsir Ibni Kethir, Ismail ibni Omer ibn i Kethir el Kureshij Ed-dimeshkij, xhuzi i katërt, botimi Daru Et-Tibe.

[9] Tefsiul Kurtubij, Muhamed b. Ahmed el Ensarij El Kurtubij, Darul Fikri, pjesa e 9.

[10] Suretu El Hixhr : 72

[11] Tefsiul Kurtubij, Muhamed b. Ahmed el Ensarij El Kurtubij, botimi Darul Fikri,

Shkrime të ngjashme