UDHËHEQËSI MASHTRUES, I PADREJTË DHE TIRAN

gënjeshtra gënjshtra

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Në rangun e mëkateve të mëdha llogaritet edhe mashtrimi, tirania dhe padrejtësia që ushtron udhëheqësi ndaj njerëzve që i udhëheqë. Me nocionin udhëheqës nënkuptohen të gjithë ata njerëz që bartin përgjegjësi për një grup njerëzish pavarësisht se janë liderë, kryetar, funksionarë, ministra, myftinj, imam, kryeimam, gjykatës, drejtor të institucioneve apo kompanive të ndryshme etj. Me nocionin mashtrim dhe padrejtësi ndaj masës konsiderohet kur udhëheqësi nuk mbron të drejtat e atyre që përfaqëson, nuk ruan nderin, dinjitetin dhe pasurinë e tyre dhe nuk ua mundëson atyre as që të ankohen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Në këtë kategori përfshihet humbja e meritokracisë edhe padrejtësia që bëhet në humbjen e mundësisë për realizimin e të drejtave të tyre që janë elementare për jetën, siç është punësimi.

Për këtë mëkat të madh dhe të rëndë me pasoja të rënda shoqërore, All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] udhëheqësve që mashtrojnë të udhëhequrit e tyre dhe bëjnë padrejtësi, ua tërheq vërejtjen nëpër disa ajete kur’anore se ata do të kenë përfundim të keq, jo vetëm në jetën e kësaj bote, por edhe në botën tjetër. All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] thotë:

إِنَّمَا السَّبِيلُ عَلَى الَّذِينَ يَظْلِمُونَ النَّاسَ وَيَبْغُونَ فِي الْأَرْضِ بِغَيْرِ الْحَقِّ أُولَـٰئِكَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ 

“Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë padrejtë dhe kundër atyre që pa farë arsye bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është një dënim i dhembshëm”[1].

Nga ky ajet kur’anor nënkuptojmë qartë se ata të cilët kanë duart e tyre një lloj të pushtetit, pavarësisht se çfarë pushteti kanë, nuk duhet ta kuptojnë si pushtet që u jep mundësinë atyre të bëjnë ç’të duan, porse ajo duhet të kuptohet si përgjegjësi para njerëzve dhe përgjegjësi para All-llahut [Xhel-le Xhelaluhu]. Ata duhet detyrimisht ta kuptojnë se për çdo veprim të tyre do të japin llogari për të. Andaj, nëse ata e keqpërdorin pushtetin e tyre në interes të tyre individual apo klanor, duke ushtruar zullum dhe padrejtësi ndaj njerëzve tjerë, duke u shkaktuar lëndime qofshin ato lëndime fizike, shpirtërore apo edhe materiale, të jenë të sigurt se kanë bërë një mëkat të madh dhe se përfundimi i tyre do të jetë dëshpërues dhe i dhembshëm.

Në një ajet tjetër All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] thotë:

وَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّـهَ غَافِلًا عَمَّا يَعْمَلُ الظَّالِمُونَ إِنَّمَا يُؤَخِّرُهُمْ لِيَوْمٍ تَشْخَصُ فِيهِ الْأَبْصَارُ مُهْطِعِينَ مُقْنِعِي رُءُوسِهِمْ لَا يَرْتَدُّ إِلَيْهِمْ طَرْفُهُمْ وَأَفْئِدَتُهُمْ هَوَاءٌ 

“E ti kurrsesi mos e mendo All-llahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët; Ai vetëm është duke i lënë ata përderisa një ditë në të cilën sytë shtangen (mbesin të hapur). (atë ditë) Ata të ngutur e duke i ngritur kokat e tyre lar, nuk lëvizin sytë e tyre (për të shikuar), e zemrat e tyre janë të zbrazura (nga frika)”.[2]

Zullumqarët dhe tiranët duhet të jenë të vetëdijshëm se zullumi dhe padrejtësia që i bëjnë njerëzve përmes pushtetit të tyre, ditën e gjykimit është padrejtësi e shumëfishuar, sepse Pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë:

وعن جابرٍ أَنَّ رسولَ اللَّه ﷺ قَالَ: اتَّقُوا الظُّلْمَ، فَإِنَّ الظُّلْمَ ظُلُمَاتٌ يَوْمَ الْقِيَامَةِ،.

“Transmetohet nga Xhabiri [Radiall-llahu anhu] se vërtetë i Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Frikohuni nga padrejtësia (zullumi) sepse vërtetë padrejtësia Ditën e Kiametit do të shpaloset e shumëfishuar”[3]

Pejgamberi [Alejhis-selam] përmes haditheve të tij na ka mësuar se All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] i ka lavdëruar udhëheqësit e drejtë duke i ngritur në nivele dhe pozita të larta ditën e gjykimit se njerëzit më të dashur tek Ai, por njëkohësisht edhe na ka mësuar se më të urryerit janë udhëheqësit e padrejtë, zullumqar dhe tira që bëjnë padrejtësi ndaj popullit të tyre. Prandaj në hadithin e transmetuar nga Ebu Seid El Hudriju, Pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë:

عَنْ أَبِي سَعِيدٍ قَالَ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : إِنَّ أَحَبَّ النَّاسِ إِلَى اللَّهِ يَوْمَ القِيَامَةِ وَأَدْنَاهُمْ مِنْهُ مَجْلِسًا إِمَامٌ عَادِلٌ ، وَأَبْغَضَ النَّاسِ إِلَى اللَّهِ وَأَبْعَدَهُمْ مِنْهُ مَجْلِسًا إِمَامٌ جَائِرٌ .

Njeriu më i dashur dhe më i afruar te All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] Ditën e Gjykimit do të jetë udhëheqësi i drejtë, por edhe njeriu më i urryer dhe më i larguar nga All-llahu [Xhel-le Xhelaluhu] është udhëheqësi i pa drejtë (tiran).[4]

Në hadithin e transmetuar nga Muakal ibn Jesari, Pejgamberi [Alejhis-selam] ka thënë:

 ما مِنْ عبدٍ يسترْعيه اللهُ رعيَّةً ، يموتُ يومَ يموتُ وهوَ غاشٌّ لرعِيَّتِهِ ، إلَّا حرّمَ اللهُ عليْهِ الجنَّةَ

Nuk ka ndonjë rob i All-llahut, që All-llahu i ka mundësuar të udhëheqë një popull, e ai të vdesë kur të vdesë duke qenë mashtrues i popullit të tij, e vetëm se All-llahu atij ia ka ndaluar Xhennetin, kurse sipas transmetimit të Buhariut “ as që ka për ta gjetur erën e xhenetit”.[5]

Nga hadithi në fjalë nënkuptojmë se marrja e përgjegjësisë për udhëheqjen e një populli është nder dhe krenari nëse zbatohet drejtësia dhe parimet e përgjithshme, por nëse keqpërdoret pushteti për interesa vetjake apo klanore duke i bërë padrejtësi masës së përgjithshme, atëherë pushteti është kërcënim serioz që jo vetëm se do ta ketë të ndaluar hyrjen në xhenet, por as aromën e tij nuk do ta ndiej.

Në këtë mëkat të madh konsiderohet pjesëmarrës edhe ata të cilët e ndihmojnë udhëheqësin tiran dhe zullumqar të ushtrojë pushtetin e tij, prandaj Pejgamberi [Alejhis-selam] në hadithin e regjistruar te imam Nisaiju thotë:

 “Do të vijë një kohë që në skenë do të paraqiten udhëheqës të prishtë dhe të pa drejtë, e kush u beson atyre në gënjeshtrën tyre dhe i ndihmon ata në padrejtësinë dhe zullumin e tyre, ai nuk është nga unë e as unë nuk jam me të, atij nuk do t’i lejohet të afrohet burimit tim ditën e gjykimit”. Nisaiju

Në hadithin e regjistruar nga Ibni Hibani të transmetuar nga Ebu Hurejreja i Dërguari i All-llahut [Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme] ka thënë: “Më janë treguar tre njerëzit të cilët të parët do të futen në xhehenem, e që janë: Udhëheqësi i pa drejtë, i pasuri që nuk e ka dhënë zeqatin e pasurisë së tij, dhe i varfri mendjemadh”.

Në këtë kapitull ekzistojnë edhe shumë ajete dhe hadithe tjera që trajtojnë këtë tematikë e që vërtetojnë se udhëhqësia është përgjegjësi, kurse ata të cilët e shfrytëzojnë këtë përparësi për të ushtruar zullum dhe tirani mbi popullin e tyre, përveç se kanë bërë krim dhe mëkat të madh edhe përfundimi i tyre do të jetë i dhimbshëm.

Në këtë rast ne po e përfundojmë me këtë lutje ku Pejgamberi [Alejhis-selam] në një rast ju drejtua Ka’b ibni Uxhres duke i thënë: “O Ka’b, All-llahu të mbrojtë nga pushteti i budallait dhe të pa turpit, e ato janë udhëheqësit të cilët nuk udhëhiqen nga udhëzimet e mia dhe nuk i përmbahen sunetit tim. A m i n


[1] Suretu Esh-shura : 42

[2] Suretu Ibrahim : 42-43

[3] Muslimi

[4] Termidhiu

[5] Muslimi dhe Buhariu

Shkrime të ngjashme