24 TetLirimi nga përgjegjësia penale sipas s drejtës së sheriatit

 Autor: Jusuf ZIMERI

Krahas përgjegjësisë fetare dhe asaj morale që besimtari islam mbanë për çdo veprim të kryer, ai ka për obligim të mbajë llogari, edhe për përgjegjësinë për veprat penale. Edhe në të drejtën islame, kodi penal islam për ta trajtuar veprimin si vepër penale, kushtëzohet patjetër që ai veprim të jetë i ndaluar me ligj, kurse kryerësi i veprës të jetë person që bartë përgjegjësi për veprën e tij, që nënkupton se ai duhet të jetë i moshës madhore dhe mendërisht i shëndoshë. Sipas kodit penal në të drejtën islame, përgjegjësia për veprim penal ndërtohet mbi tre fundamente kryesore që janë
- kryerja e veprës të jetë e ndaluar me ligj- tekst,
- vepra penale të jetë kryer me dëshirën e kryerësit dhe
- kryerësi i veprës veprën duhet të jetë i moshës madhore dhe mendërisht i shëndoshë.

Nëse plotësohen këto tre fundamante apo principe themelore, atëherë për veprën e kryer  patjetër të ketë edhe përgjegjësi penale. Në kodin penal islam, nuk ekziston principi i imunitetit pas të cilit mund që kryerësi i veprës të fshehët për shkak të ndonjë funksioni që ushtron në shoqëri. Sipas islamit të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk qëndron mbi ligjin, andaj, çdokush që kryen veprim penal patjetër ti nënshtrohet përgjegjësisë ligjore.

Sipas konceptit të së drejtës islame, ekzistojnë momente aksidentale kur kryerësi i veprës lirohet nga përgjegjësia penale-ligjore. Në rastet kur kryerësi i veprës lirohet nga përgjegjësia penale apo ligjore, atëherë shkaqet e lirimit ose ndërlidhen me veprën, që nënkupton se vepra konsiderohet e lejuar ose ndërlidhet me kryerësin e veprës. Në rastin kur lirimi nga përgjegjësia penale ndërlidhet me kryerësin e veprës, ngritët vetëm përgjegjësia penale, kurse vepra edhe më tutje ngelë e ndaluar dhe e sanksionuar.

Shkaqet e lejimit të veprës së ndaluar në të drejtën islame janë të shumta, por ato kryesisht përfshihen në, shfrytëzimin e së drejtës dhe kryerjen e detyrimit – obligimit.

E drejta Islame, veprën e ndaluar, në parim e konsideron të ndaluar për të gjithë, mirëpo Ligjdhënësi Absolut nga kjo gjithë përfshirje ka përjashtuar disa individë të cilët posedojnë cilësi të veçanta, ngase një përjashtim të tillë, e kërkon nevojat dhe interesi i individit apo shoqërisë. Për ta bërë më të qartë këtë sjellim këtë shembull. Mbytja është vepër penal (delikt) për të gjithë njerëzit, kurse sanksioni i mbytjes me qëllim (me paramendim) është Kisasi (gjakmarrja) do të thotë mbytja e vrasësit, mirëpo Ligjdhënësi ekzekutimin apo mosekzekutimin e sanksionit të kësaj vepre, e bëri të drejtë ekskluzive të kujdestarit të viktimës (të vrarit). Për këtë All-llahu (Xhel-le xhelaluhu) thotë:“E kush mbytet pa të drejtë (pa faj) kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë) e ai të mos kaloj kufirin në mbytje..”[1] Nga kjo nënkuptohet se, kujdestari i të mbyturit (viktimës) kur kërkon drejtësinë për ekzekutimin e sanksionit të mbytjes, ai ka vepruar sipas veprimit të lejuar, që është veçori e tij, apo më mirë me thënë e drejtë ekskluzive kujdestarit, ngase ky veprim për të tjerët ngelë i ndaluar.

Duhet theksuar një fakt tjetër se, veprimi i ndaluar ligjërisht, është i lejuar vetëm për realizimin e interesit për të cilën është lejuar vepra, sepse nëse vepra lejohet për të realizuar ndonjë interes tjetër, atëherë, konsiderohet se kryerësi i veprës ka kryer vepër penale dhe për të bartë përgjegjësi penale. P.sh. Mjeku i cili e prêt pacientin e tij për ta operuar me qëllim të shërimit, ai kryen obligimin e tij me të cilin është i obliguar, kurse veprimi në këtë rast prerja është i lejuar, mirëpo nëse ai e pret pacientin jo me qëllim të shërimit, por me qëllim të mbytjes, atëherë, ka kryer veprim penal dhe bartë përgjegjësi penale për veprën e kryer.

Në të drejtën islame sqarimet që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtës dhe kryerjes së obligimit kanë të bëjnë me:
-   Mbrojtjen legjitime
- Mjekimin,
- Lojërat sportive
- Lejimin e gjakut të disa individëve
- Me të drejtat e sunduesve dhe obligimeve të tyre

1. Mbrojtja legjitime (Vetëmbrojtja):
Mbrojtje legjitime (vetëmbrojtja) sipas juristëve Islam konsiderohet: mbrojtja me fuqi nga armiqësia e padrejtë ndaj tij ose pasurisë tij, apo armiqësia ndaj tjetrit dhe pasurisë së tij.[2]

Argument për ligjësimin e mbrojtjes legjitime (vetëmbrojtjes) kemi ajetin kur’anor ku All-llahu (Xhel-le xhelaluhu) thotë: “Pra, kush ju sulmon juve, ktheni sulmin atij edhe ju po në atë masë“[3]

Gjithashtu në kontekst të përforcimit dhe sqarimit të këtij argumenti, kemi edhe hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme në të cilin ka thënë: “Transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a. i cili ka thënë: erdhi një njeri te i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe i tha: O i Dërguari i All-llahut, çka mendon nëse vjen një njeri dhe dëshiron t’ma merr pasurinë time? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: Mos ia jep. Por çka mendon nëse më lufton (sulmon)? Lufoje (Sulmoje) ti atë, (tha Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Po nëse më mbytë mua? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: Ti je dëshmorë. Po nëse unë e mbys atë? Ai është në zjarr, tha Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme[4]

Që vetëmbrojtja të jetë legjitime patjetër duhet plotësuar këto tre kushte që janë:

1.1 Ekzistimi i armiqësisë që konsiderohet veprim penal.
Juristët Islamë kur diskutuan rreth legjitimitetit të vetëmbrojtjes, shtjelluan edhe çështjen se, për vetëmbrojtje sulmuesi a duhet të jetë përgjegjës për veprimin e tij apo jo. Sipas juristëve Imam Malikut, Imam Shafiut dhe Imam Ahmedit për vetëmbrojtje nuk kushtëzohet që sulmuesi të jetë përgjegjës për veprën e tij, e nga kjo nënkuptohet se nëse sulmuesi është para moshës madhore, apo i sëmurë psikik ose i dehur nën ndikim të alkoolit, vetëmbrojtja është e lejuar dhe është legjitime. Me mendimin e këtyre dijetarëve pajtohen edhe shumica e juristëve tjerë, kurse sipas mendimit të imam Ebu Hanifes që vetëmbrojtja të jetë e arsyetuar ligjërisht dhe legjitime, kushtëzohet e kundërta e mendimit të parë që do të thotë që sulmuesi të bartë përgjegjësi për veprën e tij. Gjithashtu duhet potencuar faktin që, vetëmbrojtja të jetë legjitime, armiqësia e shpallur duhet të jetë serioze dhe reale, e jo vetëm kërcënim apo tallje.

1.2. Armiqësia të jetë prezent në momentin e kryerjes së veprës.
Që vetëmbrojtja të jetë legjitime dhe juridikisht e arsyetuar, patjetër kushtëzohet që armiqësia të jetë e demonstruar në momentin e kryerjes së aktit të vetëmbrojtjes, sepse nuk mund të konsiderohet vetëmbrojtje nëse kërcënimi është për në të ardhmen. Nga kjo nënkuptohet se nëse kërcënimi është për në të ardhme subjekti i kërcënuar ka afat dhe kohë të mjaftuar që armiqësinë e shprehur ndaj tij ta mënjanojë përmes informimit të organeve kompetente për këtë veprim apo formave tjera.

1.3. Mbrojtja të jetë e patjetërsueshme.
Që vetëmbrojtja të jetë legjitime dhe juridikisht e arsyetuar, kushtëzohet që të mos ketë alternativë tjetër, pra ajo duhet të jetë e vetmja rrugëdalje për vetëmbrojtësin dhe atë në këto raste:

-      Që fuqia e përdorur nga vetëmbrojtësi të jetë i vetmi mjet që mund ta mbrojë nga armiqësia dhe rreziku. Nga kjo nënkuptohet se nëse vetëmbrojtësi ka mundësi që rrezikut ti ikë me ndonjë mjet tjetër si p.sh. të lajmërojë organet kompetente, atëherë nuk ka të drejtë të përdorë fuqinë.

-      Që fuqia e përdorur të jetë në atë masë sa mund ta shpëtojë nga rreziku dhe armiqësia, sepse nuk lejohet që me fuqinë vetëmbrojtëse të tejkalohen kufijtë. Ajo që mund të evitohet me pakicë, nuk lejohet të përdoret me shumicë, p.sh. Nëse ekziston mundësia e mbrojtjes vetëm me kërcënim, nuk lejohet të përdoret dhuna fizike, apo nëse mbrojtja mund të jetë me shkop të vogël nuk lejohet përdorimi i shkopit të madh, ose nëse vetëmbrojtja mund të realizohet vetëm me lëndim të ndonjë gjymtyre të trupit, nuk lejohet edhe mbytja e sulmuesit. Në këtë kontekst, juristi i njohur Islam Alaudin El Kasani thotë: Nuk është qëllimi që njeriu të shkaktoj gjakderdhjen e sulmuesit vetëm në bazë të qëllimit të tij të thjeshtë, por duhet shikuar sulmuesin, nëse ekziston mundësia e evitimit të rrezikut pa e mbytur sulmuesin, atëherë nuk lejohet mbytja e tij, e nëse nuk mundet të evitoj rrezikun e jetës së tij vetëm me mbytje, atëherë lejohet mbytja e tij, sepse është vetëmbrojtje e patjetërsueshme.[5]

Armiqësia duhet të jetë tentativë e vazhdueshme sepse nëse sulmuesi i bie një shuplakë dikujt dhe ikë, vetëmbrojtja nuk është obligative dhe nuk ka të drejtë ta mbysë atë në ikje. Juristët islam janë dakord mes veti se vepra e kryer në vetëmbrojtje që plotëson kushtet dhe kriteret e vetëmbrojtjes, nuk konsiderohet vepër penale dhe se vetëmbrojtësi lirohet nga përgjegjësia e plotë dhe nuk i nënshtrohet sanksionit të paraparë për atë veprim penal.

2. Mjekimi
Të gjithë dijetarët Islamë janë unik në mendimet e tyre se, mësimi dhe studimi i shkencës së medicinës është obligim kolektiv (Farzi Kifaje), e njashtu edhe intervenimi medicinal kur janë në pyetje shumë mjek që mundin ta kryejnë këtë obligim, e në rastin kur në një vend ekziston vetëm një mjek atëherë dispozita shndërrohet në Farz personal (Farzi ajn). Mjekimi sipas së drejtës Islame është veprim i lejuar, kurse juristët islamë janë unik gjithashtu se mjeku nuk bartë përgjegjësi penale nëse gjatë mjekimit veprimtaria e tij shpien në ndonjë pasojë te pacienti. Megjithatë, dijetarët Islam polemizuan për motivin e ngritjes së përgjegjësisë penale.

Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes,* përgjegjësia penale nga mjeku ngritët për dy arsye, që janë:

  • Mjekimi është domosdoshmëri shoqërore dhe nevoja e tepërt për veprim të mjekimit. Nga kjo nënkuptohet se përdorimi i mjekësisë dhe ngritja e përgjegjësisë i jep një fuqi dhe nxitje mjekut që të merret me këtë shkencë, ngase nëse do të kishte përgjegjësi penale njerëzit do të iknin nga kjo shkencë.
  • Leja e pacientit apo kujdestarit[6] të tij është motiv për ngritjen e përgjegjësisë së veprës penale të mjekut.

Që mjeku të lirohet nga përgjegjësia penale, patjetër duhet plotësuar këto kushte:

1. Mjeku të jetë i mobilizuar me njohuri shkencore dhe për të, të ketë dëshmi (diplomë) të pranuar për veprim, e lëshuar nga organet kompetente. Nëse leja është e falsifikuar apo nuk është e lëshuar nga organet kompetente, atëherë mjeku nuk mund të lirohet nga përgjegjësia penale nëse ka bërë veprim penal gjatë veprimtarisë së tij.

2. Që mjeku gjatë mjekimit të ketë qëllim të pastër për shërim, ngase sikur të ketë ndonjë qëllim tjetër atëherë nuk lirohet nga përgjegjësia penale edhe sikur të ketë leje nga pacienti i tij.

3. Që veprimtaria e mjekut gjatë mjekimit apo operimit të pacientit të jetë në përputhshmëri me rregullat dhe disiplinat shkencore të medicinës, sepse përmbajtja e këtyre rregullave është detyrimore për mjekun (farz), andaj nëse mjeku i cili nuk i përmbahet rregullave dhe disiplinave mjekësore, sipas juristëve islamë, bartë përgjegjësi penale për veprën dhe pasojat e saja.

4. Që mjeku paraprakisht të marrë leje për operim nga pacienti apo kujdestari i tij, me përjashtim në rastet urgjente kur jeta e pacientit është e rrezikuar dhe mjeku është i detyruar të intervenoj me operim për të shpëtuar jetën e tij si p.sh në fatkeqësitë e komunikacionit.

5. Mjeku bartë përgjegjësi penale edhe në rastet kur nuk i afron asistencë personit i cili është duke vdekur, ose duke ia ndërprerë aplikimin e teraupiumit dhe të mjeteve tjera me të cilat mbahet jeta e njeriut që quhet Eutanazi pasive. Në këtë rast, mos veprimi i tij konsiderohet veprim penal dhe për të bartë përgjegjësi penale.

6 Gabimi i mjekut, pavarësisht se gabimi i tij është bërë në diagnostifikim apo në përcaktimin e barërave, sikur ta ketë operuar pacientin duke i shkaktuar amputim apo dëmtim të ndonjë organi pa pasur nevojë, ose i ka përshkruar barëra të gabuara të cilat kanë shkaktuar prishjen e ndonjë organi te pacienti. Në këtë rast mjeku nuk mund të lirohet nga përgjegjësia e tij. Gjykohet kështu ngase gabimi nuk liron personin nga përgjegjësia penale në jetën e kësaj bote.

3. Lojërat sportive
Lojërat sportive në kohën bashkëkohore janë të shumta dhe të llojllojshme. Lojrat sportive që bëjnë edukimin jo vetëm shpirtërorë por edhe fizik të sportistit, e që janë në prioritet të interesit të përgjithshëm të shoqërisë islame, siq janë sportet luftarake dhe përgatitja fizike e skuadrave të caktuara, jo vetëm që janë të lejuara sipas së drejtës islame, porse edhe janë të preferuara dhe të nxitura nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe Ligjdhënësi absolut (All-llahu xh.sh.), e që disa prej tyre arrijnë edhe në dispozitën e farzit kolektiv (farzi kifaje). All-llahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj..”[7] Krahas këtij ajeti, në literaturën islame gjejmë edhe raste kur Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka trimëruar dhe ka nxitur të rinjët për ushtrime fizike dhe lojra sportive. Pra e drejta islame në princip lojërat sportive që janë në interes të shoqërisë dhe fesë i konsideron të lejuara dhe të preferuara.

Për ngritjen e përgjegjësisë në lojërat sportive luftarake, sipas së drejtës islame kushtëzohet që lojtari gjatë lojës apo ushtrimeve ti përmbahet rreptësishtë rregullave të lojës, në të kundërtën nëse i tejkalon ato rregulla, atëherë nuk lirohet nga përgjegjësia penale nëse tjetrit i shkakton dëme fizike.

Rol të rëndësishëm në kët rast për lirimin nga përgjegjësia penale është edhe pëlqimi i lojtarit për të marrë pjesë në një sport luftarak. Dijetarët islamë kanë përcaktuar një rregull të Sheriatit ku thuhet “Pëlqimi për një send, nënkupton edhe pëlqimin për përgjegjësinë që del nga ai”. Nga ky rregull nënkuptohet se lojtari i cili ka vendosur që të marrë pjesë një sport luftarak, duke i ditur edhe rregullat e sportit por edhe pasojat eventuale, dhe për këtë ka dhënë pëlqimin e tij, ai bartë përgjegjësinë edhe për pasojat që mund ta godasin nga kundërshtari përderisa ai i përmbahet rregullave të sportit.

 4. lejimin e gjakut të disa individëve.
Me nocionin lejimi i gjakut të disa individëve kemi të bëjmë kur ndonjë person ka mbytur apo i ka shkaktuar lëndime trupore ndonjë personi i cili ka kryer vepër penale që sanksioni i tij është vdekja, si p.sh sikur të ketë vrarë një person i cili ka kryer mbytjen e tjetrit me qëllim. Personi i tillë, pra mbytësi, gjaku i tij konsiderohet i lejuar, andaj personi i cili e qëllon apo e mbytë njeriun e tillë, nuk ka përgjegjësi për veprim penal të mbytjes, sepse gjaku i viktimës ishte i liruar. Personi i dytë edhe pse nuk bartë përgjegjësi penale për mbytje me qëllim, ai nuk lirohet nga përgjegjësia që i ka dhënë të drejtë vetes pa kurrfarë autorizimi të kryejë rolin e pushtetit ekzekutiv. Ky veprim sanksionohet me ligj, dhe për këtë ai bartë përgjegjës ligjore.

 5. me të drejtat e sunduesve dhe obligimeve të tyre.
Nuk ka dilemë në faktin se sunduesi, respektivisht institucionet e drejtësisë kanë për obligim ligjor dhe moral të zbatojnë drejtësinë dhe përmes saj të luftojnë krimin. Andaj zbatimi i ligjit, dhe zbatimi i sanksioneve është detyrim ligjor, fetar dhe moral për organet e drejtësisë. Nga kjo nënkuptohet se sjella e aktvendimeve për dënime si dhe ekzekutimi i sanksioneve kapitale të parapara me ligj, respektivisht me kodin penal islam ndaj atyre që kanë kryer vepër penale, i liron nga përgjegjësia penale edhe organin që sjell aktvendimin edhe ekzekutorët e vendimit nëse vendimi është konform ligjit duke respektuar edhe procedurat e vërtetimit të veprës penale dhe procedurën e ekzekutimit.

Referencat
[1] El Isra : 33
[2] Abdulkader Auvde- Eteshriul xhinaij el Islamij mukarenen bikanunil vadij 1/473 – Dr, Abud Es-serr-rraxhi- Eteshriul xhezaij elmukaren fil fikhil islamij vel kanunil surij 1/ 237.
[3] El Bekare : 194
[4] Imam Buhariu
[5]
Dr. Eserraxhi Abud / Eteshriul xhezaij Elmukaren 1/242-245 Damask 1981 – El Kasani / Bedaiu Sanaiu 7/93.
* Sipas mendimit të Imam Shafiut dhe Ahmed b. Hanbelit motiv për ngritjen e përgjegjësisë penale te mjeku është, leja e pacientit apo kujdestarit dhe qëllimi i mirë për shërim i mjekut. Kurse sipas mendimit të imam Malikut motiv për ngritjen e përgjegjësisë penale te mjeku është: Leja për punë (dekreti) e udhëheqësit që personi të merret me medicinë, pastaj leja e pacientit që mjeku të veproj në trupin e tij me atë që e sheh të arsyeshme për shërim. Andaj nëse mjeku i posedon këto dy leje, ai nuk bartë përgjegjësi penale. (Avde Abdulkader, Eteshriu xhinaij el Islamij mukarenen bil kanunil vad’ij 1/521 Muessetu rrisale, Bejrut, Bot. 11. Bedai senaiiu 6/305)
[6] Avde Abdulkader/ Eteshriu xhibaij el Islamij mukarenen bil kanunil vad’ij 1/521 Muessetu rrisale / Bejrut, Bot. 11. /Bedai senaiiu 6/305.
[7] Suretu el Enfal : 60

Shpërndaje
Nuk ka përgjigje

Komento

Mbushni fushat dhe komentoni më poshtë.
Emri:
Posta:
Faqja:
Komenti: