Pyetja: I nderuari prof. si qëndron puna e hekurit planetin tone sipas religjionit dhe shkencës, një sqarim?
Përgjigja.
Bismil-lahirr-rrah,anirr-rrahim
I Nderuar fillimish po theksoj se kjo çështje, pra çështja e krijimit të hekurit në planetin tonë, është një çështje shumë e ndërlikuar ku në studimin e saj janë të kyçur shkencëtarë të profileve të shumtë.
Sa i përket qëndrimit të Islamit rreth kësaj çështje gjejmë se në ajetin 25 të sures që quhet El hadid (sureja e hekurit), ku Allahu xh.sh. thotë: .. Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz..” Në një transmetim nga Ibni Omeri r.a. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: Vërtetë Allahu bashkë me Ademin a.s. zbriti nga qielli katër begati, që janë: hekuri, zjarri, uji dhe kripa.
I nderuari Ejup, dijetarët islamë, respektivisht komentuesit e mëhershëm të Kur’ani Fisnik, ajetin në fjalë, e komentuan në aspektin alegorik, në mënyrë që fjalën “Enzelna” që do të thotë e zbritëm, ata e komentuan në alegori me kuptimin e krijuam. Sipas këtij aspekti del se kuptimi i ajetit është se Allahu xh.sh. ka thënë: ne e krijuam hekurin”. Vetëm të theksojë se edhe kjo mënyrë e interpretimit ka argumentet e veta, dhe jepë sqarim të saktë.
Mirëpo dijetarët e më vonshëm duke u bazuar në aspektet dhe provat shkencore konstatojnë se hekuri nuk prodhohet në tokë, porse është i krijuar jashtë sferës sonë dhe i sjell, respektivisht i zbritur në tokë në mënyra të ndryshme.
Lidhje me këtë shkencëtari i njohur amerikan Amstrong punëtor i NASAS –së thekson se se: Është e pamundur që hekuri të krijohet në tokë, hekuri duhet të krijohet në qiell dhe të jetë i zbritur në tokë. Këtë e vërteton ai për shkakun e përbërjes atomike të hekurit, ngase është konstatuar se për përbërjen e hekurit është e nevojshme që fuqia energjetike të jetë së paku katër herë më e fuqishme se sa energjia e sistemit diellor. Prandaj shkencëtarët konstatojnë se hekuri nuk është nga toka, por e zbritur nga hapësira kozmike. Ata gjithashtu konstatuan se formimi i hekurit nuk mund të bëhet brenda sistemit diellor, sepse temperatura për formimin e këtij elementi nuk është e mjaftueshme për këtë, andaj hekuri importohet nga jashtë sistemi diellorë dhe kështu zbret në tokë përmes meteorëve dhe meteorites.
Hekuri është një metal shumë i fuqishëm dhe i vrazhdët, dhe posedon elementet më të qëndrueshme për shkak të intensitetit të koherencës së përbërësve të bërthamës në atome e cila përbëhet nga 26 protonet, 30 neutronet dhe 26 elektrone kështu që bërthama e një atomi të hekurit ka nivelin më të lartë të kohezionit të energjisë në krahasim me të gjitha bërthamat e elementeve të tjera.
Nëse masa e tokës paramendohet të jetë gjashtë mijë milion milion milion ton, atëherë prezenca e hekurit në tokë është me përmasa prej 35.9 % të tokës, e ky është zbulim i gjeologëve.
Hekuri si mineral ka dendësinë deri në 7874 në 3 km kub, dhe me këtë ruhet edhe balanci i Tokës. Gjithashtu hekuri karakterizohet si elementi më i lartë magnetik, për të ruajtur atraktivitetin e vendit. Pra ka edhe karakteristika tjera të shumta që është çështje studimit të shkencëtarëve përkatës të kësaj lëmi.
Në fund, Vëlla i nderuar, nuk guxoj të lëshohem më thellë edhe unë, sepse nuk është profesioni im, por tërë atë unë mund ta themë se tërë këto zbulime shkencore që u bënë dhe po bëhen kohëve të fundit, nuk janë asgjë tjetër vetëm vërtetim faktik dhe shkencor i asaj që Allahu xh.sh. ka zbritur në Kur’anin Fisnik para 14 shekujve kur ka thënë: . Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz, e kjo është argument shtesë për ne se Kur’ani është fjalë e Allahut xh.sh. dhe përmes saj ne adhurojmë Allahun Fuqiplotë.
Vall-llahu ealem.
Llojan, Nëntor, 2011