Shkruan: Jusuf ZIMERI
E drejta trashëgimore si institut socio-juridik është i lidhur ngushtë me të drejtën civile, reale dhe familjare. Nga kjo nënkuptohet se e drejta e trashëgimore ka të bëjë me të drejtën subjektive dhe ekonomiko – pronësore.
Në terminologjinë e së drejtës Islame, e drejta e trashëgimore njihet me emrin “علم الميراث Ilmul Mirath” Shkenca e trashëgimisë. Kjo shkencë definohet si: shkenca e cila merret me studimin e dispozitave juridike për bartjen e pasurisë pas vdekjes fizike të trashëgimlënësit (dekojuesit) dhe gjendjen e suksesorëve (trashëgi-mtarëve).
Nocioni “Mirath” الميراثnë aspektin gjuhësor ka dy kuptime; lënie, mbetje dhe bartje e një sendi nga një person te personi tjetër, ose nga një popull te populli tjetër[1].
Me nocionin “Mirath”الميراثnë terminologjinë e së drejtës Islame nënkuptohet:
مَا خَلّفَهُ الْمَيِّتُ مِنَ الاَمْوَالِ وَالحُقُوقِ الَّتِي يَسْتَحِقُّهَا بِمَوْتِهِ الوَارِثُ الشَّرْعِي
“Atë që e ka lënë i vdekuri (dekujuesi) nga pasuria dhe të drejtat, që me vdekjen tij juridikisht i trashëgon trashëgimtari juridik-legjitim “.
Juristët Islamë të drejtën e trashëgimisëعلم الميراث e definojnë kështu:
قَوَاعِدٌ فِقْهِيَّةٌ وَ حِسَابِيَّةٌ يُعْرَفُ بِهَا نَصِيبُ كُلَّ وَارِثٍ مِنَ التَّرِكَةِ
“Përmbledhja e normave juridike dhe matematikore përmes së cilave njihet procesi i sasisë që i takon çdonjërit prej trashëgimtarëve nga pasuria e lënë.”
Të drejtën e trashëgimore, Kur’ani famëlartë e ka quajtur edhe me termin “Feridaten”, ndërsa sunneti i Pejgamberit Salall-llahu alejhi ve sel-leme edhe juristët Islamë këtë disiplinë juridike e quajtën me emrin “Ilmul Feraid” علم الفرائضpër arsye se merret me çështjet të cilat kanë të bëjnë me sasinë obligative të trashëgimisë.
Nga kjo që u tha më lartë, del se e drejta e trashëgimore është një disiplinë juridike e cila ka të bëjë me raportet dhe normat të cilat rregullojnë bartjen e pasurisë së një personi me rastin e vdekjes së tij fizike, te personi tjetër i cili juridikisht paraqitet si trashëgues (suksesor).
Kjo përmbledhje normash dhe rregullash, në legjislacionin Islam, nuk është produkt i mendjes së njeriut, por është ligjësuara nga Allahu xh.sh, kurse për metodologjinë e tyre ka sqaruar i Dërguari i All-llahut xh.sh. Muhamedi Salall-llahu alejhi ve sel-leme. Sipas normave juridike Islame, sasia (kuota) që i takon trashëgimtarit, dhe mënyra e marrjes së asaj që i takon janë relative, varësisht nga pozita dhe gjendja e tij pas vdekjes së trashëgimlënësit.
Vlera dhe rëndësia e njohjes së kësaj disipline
Kjo disiplinë juridiko-shkencore Islame mundëson përvetësimin e njohurive më të dobishme dhe më me vlerë Për shkak të rëndësisë që ka kjo shkencë. Pejgamberi Salall-llahu alejhi ve sel-leme jo vetëm që na nxiti në mësimin e kësaj lëmie, por edhe obligon që t’ua mësojmë edhe të tjerëve duke thënë:
عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَا أَبَا هُرَيْرَةَ تَعَلَّمُوا الْفَرَائِضَ وَعَلِّمُوهَا فَإِنَّهُ نِصْفُ الْعِلْمِ وَهُوَ يُنْسَى وَهُوَ أَوَّلُ شَيْءٍ يُنْزَعُ مِنْ أُمَّتِي
“Mësojeni shkencën e Feraidit, dhe mësojani të tjerëve, sepse vërtetë ajo është gjysma e diturisë dhe më së shumti harrohet, ajo është dituria e parë e cila do të ngritët nga njerëzit”[2]
Në hadithin tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë :
عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ تَعَلَّمُوا الْقُرْآنَ وَالْفَرَائِضَ وَعَلِّمُوا النَّاسَ فَإِنِّي مَقْبُوضٌ
“Mësojeni Kur’anin dhe Feraidin dhe mësojani njerëzve, sepse vërtetë unë jam njeri i cili vdes sikur të tjerët.”[3]
Themelues i kësaj shkence është vet Ligjdhënësi (Allahu xh.sh.) përmes shpalljes, kurse qëllimi nga kjo shkencë është që çdokush të marrë atë që e meriton.
(teksti është shkëputur nga libri; E drejta trashëgimisë në sheriatin islam” nga autor ; Jusuf Zimeri, botuar 1999.)
[1] Sabuni, Muhamed Alij – El Mevarithu fish-sheriati El Islamijeti fi Dav’il kitabi ves-suneti- Darul hadith- Kairo.
[2] Ibni Maxheh
[3] Ibni Maxheh