Autor: Jusuf ZIMERI
Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik ka thënë:
الَّذِينَ يَشْتَرُونَ بِعَهْدِ اللَّهِ وَ أَيْمَانِهِمْ ثَمَنًا قَلِيلاً أُولئِكَ لاَ خَلاَقَ لَهُمْ فِي الآخِرَةِ وَ لاَ يُكَلِّمُهُمُ اللَّهُ وَ لاَ يَنْظُرُ إِلَيْهِمْ يَوْمَ القِيَامَةِ وَ لاَ يُزَكِّيهِمْ وَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ ..
Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër dhe në ditën e gjykimit Allahu xh. Sh. Nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron, ata kanë një skenim të dhimbshëm,”.
Në gjashtë koleksionet e hadithit (kutubu es-sit-te) është e regjistruar ngjarja që e tregon Esh’ath b. Kajsi i cili ka thënë: Me djalin e xhaxhait tim kishim një zënkë rreth pusit (bunarit) ku mbushnim ujë, dhe pasi që nuk arritëm të merremi vesh lëndën e ngritëm te i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) për të gjykuar mes nesh. Unë isha paditës, kurse ai ishte i paditur thotë Esh’athi. Kur shkuam te Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) për të gjykuar mes nesh, Ai tha: Argumentin e akuzës (dëshmitarët) duhet ti sjellë paditësi, kurse betimi është për të akuzuarin”. Në këtë rast, unë ndërhyra dhe i thash: O i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), ai (i akuzuari) betohet, ai nuk ka dert nga betimi i rrejshëm ! Në këtë rast Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) tha: Kush betohet, e në betimin e tij është i rrejshëm me qëllim që të përfitojë një pjesë të pasurisë nga një mysliman tjetër, ai ditën e gjykimit do ta takojë Allahun xh.sh. i hidhëruar”. Dhe më pas si përforcim i kësaj ngjarje dhe këtij hadithi zbriti ajeti që e theksum më parë.
Me termin Betim, kemi për qëllim të betuarit vetëm në Allahun xh.sh. dhe në cilësitë e Tij, dhe atë kur është në pyetje vërtetimi apo kontestimi i një të drejte apo një padrejtësie. Betimi edhe pse sipas parimeve islame është veprim i lejuar në esencë, dijetarët islam janë të mendimit se përdorimi i tepërt i betimit është veprim i rrejtur. Kur themi se betimi është veprim i lejuar sipas islamit kemi për qëllim vetëm betimin në Allahun xh.sh. dhe në emrat e Tij të bukur, sepse betimi në çështjet tjera përveç në Allahun xh.sh. jo që nuk jep frytin e besimit dhe bindjes dhe nuk kemi për obligim të besojmë në një betim të tillë, porse ekziston edhe rreziku i rënies në mëkat. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) që e transmeton Omeri r.a. ku Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtetë Allahu ju ndaloi juve që të betoheni në prindërit tuaj, andaj kush betohet le të betohet vetëm në Allahun xh.sh. ose le të heshtë” (Buhariu dhe Muslimi)
Nëse besimtari islam betohet në diçka tjetër përveç në All-llahun xh.sh. dhe në emrat e Tij të bukur si p.sh, të betohet në fenë e tij, pejgamberët, melaiket, Qaben, namazin, agjërimin apo haxhin, prindërit, fëmijët, diellin, hënën etj, siç e kemi zakon shpeshherë të dëgjojmë në opinion, sipas konsensusit të fukahave, ky lloj betimi jo që nuk konsiderohet betim që jep frytin, porse edhe është betim i urrejtur (Mekruh), kurse imam Shafiu për këtë lloj të betimit thotë: Kam frikë se të mos jetë edhe mëkat.
Nëse me kujdes lexojmë ajetin Kur’anor që e theksuam në fillim, vërejmë se bëhet fjalë për një kategori të njerëzve të cilët për interesa mediokre, të jetës së kësaj bote, siç janë lakmia ndaj pasurisë apo ndaj ndonjë posti shoqërorë ose diç tjetër, nuk zgjedhin rrugën për realizimin e interesit të tyre, shkelin të gjitha normat njerëzore, morale, shoqërore, humane, bile kur është në pyetje interesi i tyre shkelin edhe besimin dhe besën e dhënë Krijuesit të tyre. Allahu xh.sh. përmes këtij ajeti dhe shumë ajeteve tjera na përkujton se të tillët për një vlerë të pakët dhe kalimtare, humbin vlerat jetike dhe të përhershme që Allahu xh.sh. i ka krijuar për qenien dhe krijesën më të ndershme të quajtur njeri. Njeriu i tillë, i zhveshur nga vlerat njerëzore, humane dhe islame, sa do që para tjerëve të duket se ka ngadhënjyer dhe ka arritur të realizimin e dëshirave të tija përmes metodës djallëzore, ai sërish ngel i uritur dhe banrotuar në shpirtin e tij, në jetën e kësaj bote, kurse në jetën e botës tjetër që është e përhershme tërësisht do të jetë i varfër dhe i pa mëshiruar nga Allahu xh.sh..
Të betuarit rrejshëm sipas parimeve të Islamit konsiderohet mëkat prej mëkateve të mëdha. Këtë e vërteton rasti kur një arab kishte ardhur te i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) dhe e kishte pyetur; cilat janë mëkatet e mëdha o i dërguari i Allahut ? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Të përshkruarit shok All-llahut xh.sh.,. pastaj cilat janë: Pejgamberi a.s. tha: “Mosrespektimi i prindërve”, Pastaj cilat o i dërguari i All-llahut. Pejgamberi a.s. tha : “Betimi i rrejshëm fundues” Të pranishmit e pyetën pejgamberin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme): O i dërguari i Allahut, çka është betimi fundues ? Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) tha: Betimi i cili e fundos pronarin e saj në zjarr të xhehenemit” (Buhariu dhe Muslimi).
Betimi i rrejshëm është rrugë e cila shpien drejt zjarrit të xhehenemit dhe shkakton hidhërimin e Allahut xh.sh. duke e larguar njeriun nga mëshira e Allahut xh.sh.. Pastaj betimi i rrejshëm nuk është rrugë dhe metodë njerëzore, porse është rrugë dhe metodë katanike, sepse krijesa e parë e cila u betua rrejshëm ishte djalli, në momentin kur bëri përpjekje që të hudhë në mëkat Ademin a.s. dhe Havan. Njerëzorja është një njeriu ti besojë njeriut pa u betuar, andaj edhe Ademi a.s. i kishte besuar djallit kur ai ishte betuar rrejshëm se për njeriun e parë Ademin a.s. nuk mund të paramendohej se do të ketë krijesë që do të betohej rrejshëm, andaj edhe ra në grackën e djallit, porse këtë e hetoi dhe menjëherë u kthye te Allahu xh.sh. duke kërkuar falje dhe pendim andaj edhe ai e fali. Në këtë ngjarje ka shumë mësime që mund të marrin besimtarët islam, sepse Ademi a.s. nuk zbriti në tokë si pasojë e gabimit të tij, porse kjo ishte një sprovë për të, që duhej me sukses ta kalojë dhe e kaloi. Themi se Ademi a.s. nuk zbriti në tokë si pasojë e gabimit të tij, ngase Allahu xh.sh. akoma pa e krijuar Ademin u kishte thënë Melekëve se po krijojë në tokë një mëkëmbës, pra vendbanimi i tij do të jetë toka, edhe pse vendkrijimi i tij ishte xheneti. Pastaj aj që duhet të mësojmë nga betimi i djallit me të cilin e mashtroi Ademin a.s. ngadhënjimtar nuk doli djalli edhe pse u betua rrejshëm, porse doli Ademi a.s. e kjo na sinjalizon se njeriu kur betohet rrejshëm vetëmve ka ndjekur rrugën e djallit porse asnjëherë nuk do të jetë fitimtarë.
Dijetarët islam duke studiuar mbi argumentet e betimit me qëllim të përfitimit të dispozitave juridike islame, definuan se betimi fundues është betimi i rrejshëm për një çështje të kaluar apo të tanishme, për të cilën betuesi është i bindur se betohet rrejshëm dhe se e vërteta është e kundërta e asaj që betohet. Ky lloj i betimit të rrejshëm nuk përmirësohet përmes kefaretit, porse patjetër duhet të bëhet pendim i sinqertë (tevbetu en-nesuha) dhe istigfar duke mos i rikthyer asnjëherë në këtë mëkat.
Nëse njeriu betohet për diçka duke pasur bindje se për atë që betohet është ashtu porse del e kundërta, ky betim është betim i gabuar ose i pa qëllimtë dhe nuk bie në kategorinë e mëkatit të madh. Mirëpo me gjithë atë duhet pasur kujdes që besimtari islam të mos mësojë gjuhën e tij në betim për çka do qoftë dhe ti ngelë shprehi sepse kjo nuk është cilësi e besimtarit të devotshëm. Për këtë lloj të betimit Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë: “All-llahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të pa qëllimta, por ju merr për ato që i keni për qëllimuar me zemrat tuaja, All-llahu është i butë dhe shumë Falës”
Ekziston edhe një lloj tjetër i betimit betim ky për të cilin sipas argumenteve të islamit parashihet kefarete, e ky është betimi i cili betuesi betohet se do të veprojë apo nuk do të veprojë ndonjë send në të ardhmen, andaj nëse në të ardhmen nuk e plotëson betimin, pra vepron për kundër betimit të tij, obligohet me kefaret.
All-llahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë ka thënë: “All-llahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të pa qëllimta, por ju merr në përgjegjësi për atë që jeni zotuar qëllimisht.
Për këtë lloj të betimit dijetarët Islam janë unik në mendimet e tyre se pas mosplotësimit të betimit pason kefareti, pavarësisht se betimi a është për veprim obligativ (Vaxhib), apo për veprim të lënies së vaxhibit, apo për veprim të mëkatit, apo për lënie të mendubit, apo për lënie apo veprim të mubahit.
– Nëse betimi bëhet për veprim të vaxhibit sikur të thotë: Për zotin do ta fali namazin e drekës, ose do ta agjëroj Ramazanin, atëherë betuesi obligohet me plotësimin e betimit, e këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit (Sal-lall-llahu alehji ve sel-leme). ku thotë: “Kush premton (betohet) se do t’i nënshtrohet urdhërim të All-llahut, le ti nënshtrohet”
Nga kjo nënkuptohet se nëse betuesi nuk e kryen betimin e bërë në këtë rast konsiderohet mëkatar sepse obligohet me ruajtjen e betimit, e në të kundërtën obligohet me kefaret.
– Nëse betuesi betohet se nuk do ta kryej Vaxhibin, ose betohet se do të bëjë mëkat sikur të thotë: Për Zotin, nuk do ta fali namazin e drekës, ose të thotë Për Zotin do të pi alkool, apo do ta mbysë filanin, ose nuk do ti flasë prindërve etj. në këtë rast obligohet me prishjen, pra mosrespektimin e betimit dhe në moment obligohet me pendim dhe istigfar, kurse për prishjen e betimit obligohet edhe me kefaret. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit (Sal-lall-llahu alehji ve sel-leme). ku ka thënë: “Kush betohet për diçka e pastaj të kundërtën e betimit e sheh më të mirë, le ta veprojë atë që është më e mirë për te, kurse për betimin e tij le të paguaj kefaret.”
– Nëse betimi bëhet për lënien e mendubit, sikur të thotë: Për Zotin nuk e fali namazin nafile, ose nuk e vizitoj të sëmurin, ose nuk e përcjelli xhenazen, etj, ose betohet se do të bëjë një veprim të urrejtur (Mekruh), në këtë rast është më mirë ta prishë betimin dhe ta veproj mendubin dhe të kryej kefaretin në rastin e parë, kurse në rastin e dytë më mirë është të mos e veprojë mekruhin që do të thotë të prishë betimin dhe të paguaj kefaretin.
– Nëse betuesi betohet për një veprim që është mubah se do ta veproj apo nuk do ta veproj, si p.sh. Për zotin nuk do të hy në këtë shtëpi, ose diç tjetër, në këtë rast ruajtja e betimit është më e preferuar. Këtë e vërteton ajeti Kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë: “Dhe ruani betimet tuaja”
Kefareti i betimit
Nga kjo që u tha deri më tani u nënkuptua se për një lloj të betimit, pra për betimin për veprim apo mos veprim në të ardhmen ekziston sanksion nëse nuk zbatohet betimi e që ky sanksion quhet kefaret. Kefareti i këtij lloji të betimit përcaktohet në Kur’anin famëlartë ku All-llahu xh.sh. thotë: “All-llahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të pa qëllimta por ju merr në (përgjegjësi) për atë që jeni zotuar qëllimisht. Shpagimi (Kefareti) i tij është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeheni familjen tuaj, ose duke i veshur ata ose duke e liruar një rob. e kush nuk ka mundësi ti bëjë këto, le ti agjërojë tri ditë. Ky është shpagimi për betimin tuaj kur e thyeni atë. Ruani betimet tuaja, kështu All-llahu xh.sh. ju sqaron dispozitat e veta ashtu që të jeni mirënjohës.”
Pra, qartë shihet se nga ky ajet kur’anor për kefarte parashohen këto sanksione, që janë:
1. Ushqimi i dhjetë të varfërve, ose
2. Veshmbathja e tyre, ose
3. Lirimi i një robit.
Në rastet kur betuesi nuk mund të zbatojë njërën nga këto tre kefarete atëherë obligohet me agjërimin e tri ditëve radhazi pa ndërprerë, që nënkupton se nëse betuesi ka mundësi që të zbatojë njërën nga këto tre lloje të kefaretit atëherë nuk i lejohet të kalojë në llojin e katërt të kefaretit që është agjërimi.