Abdesi (El Vudu): kusht për namaz (ibadet)

Autor: Jusuf ZIMERI

Me shprehjen “El vudu” abdes nënkuptojmë pastrimin specifik, i cili për në këtë botë është pastrim, e në të njëjtën kohë është edhe adhurim (ibadet), kurse në botën tjetër konsiderohet zbukurim.Në këtë pastrim përfshihet pastrimi i tri gjymtyrëve të trupit dhe mes’hi (prekja e kokës me dorë të lagur) e që më të plotësohet kushti për kryerjen e ibadeteve. Shkaku për të marrë abdes është nijeti për të kryer veprën e cila nuk mund të kryhet pa abdes siç është falja e namazit, tavafi etj. All-llahu xh.sh. thotë:

يَاأيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلاَةِ فَاغْسِلُوا وُجُهَكُمْ وَ أَيْدِيَكُمْ إِلَى المَرَافِقِ وَ امسَحُوا بِرُؤُسِكُمْ وَ أَرْجُلِكُمْ إِاَى الكَعْبَيْنِ

“O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryl; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri te dy zogjtë (e këmbës).”[1]

Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme përmes hadithit që e transmeton Ebu Hurejreja r.a. na lajmëroi se muslimanët të cilët marrin abdes, Ditën e gjykimit do të kenë shenja me të cilët do të dallohen prej popujve të tjerë dhe thotë:

إِنَّ أُمَّتِي يُدْعَوْنَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ غُرًّا مُحَجَّلِينَ مِنْ آثَارِ الْوُضُوفَمَنِ اسْتَطَاعَ مِنْكُمْ أَنْ يُطِيلَ غُرَّتَهُ فَلْيَفْعَل

”Vërtet Ummeti im ditën e gjykimit thirren (sipas cilësisë) sipas shenjës së bardhë në ballë, këmbëve dhe duarve të bardha nga gjurmët e abdesit. Andaj, kush ka mundësi të rritë shenjën e tij le ta bëjë”[2]

Në një hadith tjetër Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë :Abdesi është arma më e fortë e besimtarit islam. Po ashtu në një hadith ka thënë: All-llahu xh.sh. nuk pranon namazin e askujt nga ju pa abdes.”[3]

Abdesi për të qenë i domosdoshëm-obligativ patjetër duhet plotësuar këto kushte:

1) të jetë musliman;

2) të jetë i moshës madhore (bylyk);

3) të jetë psikikisht i shëndoshë

4) të ketë ujë të mjaftueshëm për të marrë abdes

5) të jetë abdesi i prishur,

6) femrat mos të jenë me menstruacione.

Farzet e abdesit (Feraidu-l-vudui)

Nga ajeti kur’anor i lartpërmendur shihet qartë se farzet e abdesit janë katër:

1. Larja e fytyrës. All-llahu xh.sh. thotë:”Lani fytyrat tuaja”

Me larjen e fytyrës nënkuptojmë pastrimin e tërësishëm të fytyrës duke filluar nga fillimi i flokëve deri në fund të arrëzës së fytit, pastaj nga veshi i djathtë e deri te i majti.

Në larjen e fytyrës nënkuptohet pastrimi sipërfaqësor i tërë mjekrës së dendur nga e cila nuk shihet lëkura e fytyrës me përjashtim të pjesëve të fytyrës rreth veshëve, ndërsa mjekrra e gjatë që del jashtë rrethit të fytyrës, që është më e gjatë se tre gishta nuk është obligim pastrimi i saj. Gjithashtu është farz praktik pastrimi i mjekrës së rrallë që shihet lëkura e fytyrës, dhe ngjashëm me te janë edhe mustaqet, vetullat dhe pjesa e qimeve që del mes buzës së poshtme dhe mjekrës.[4] Gjatë larjes së fytyrës lexohet kjo lutje:

اللهم بيض وجهي يوم تبيض وجوه و تسود وجوه

“O Zoti im, ma shndritë fytyrën time atë ditë kur zbardh disa fytyra dhe i nxinë disa fytyra.”

2. Pastrimi i krahëve gjer mbi bërryla. All-llahu xh.sh. thotë: “Dhe duart tuaja deri në bërryla”. Kur të pastrohet krahu i djathtë thuhet

أَللَّهُمَّ أَعْطِنيِ كِتَابيِ بِيَمِينيِ وَ حَاسِبْنيِ حِسَاباً يَسِيراً

“O Zoti im, më jep mua librin e llogarive të mia nga krahu i djathtë, dhe më lehtëso llogarinë.” Kurse gjatë pastrimit të krahut të majtë thuhet:

اَللَّهُمَّ لاَ تُعْطِنيِ كِتَابيِ بِشِمَاليِ وَ لاَ مِنْ وَرَاءَ ظَهْرِي

”O Zot i im, mos ma jep librin tim në të majtë e as pas shpine”.

3. Mes’h, do të thotë dhënia mes’h kokës me dorë të lagur, që zakonisht përfshin 1/4 e kokës. All-llahu xh.sh. thotë: ”Fërkoni kokat tuaja,”Gjatë dhënies mes’h kokës lexohet kjo lutje:

اللهم حرم شعري و بشري على النار

”O Zoti im, flokët dhe lëkurën time bëre haram (të ndaluar) për zjarrin e Xhehennemit.”

4. Pastrimi i këmbëve gjer mbi zogjtë e këmbës. All-llahu xh.sh. thotë: “E këmbët lani deri në dy zogjtë” Gjatë larjes së këmbëve lexohet kjo lutje:

أللهم ثبت قدمي على الصراط يوم تزل الاقدام

“O Zoti im, forcojë këmbët e mia mbi Sirat, atë dikë kur rrëshqasin këmbët.

Pastrimi i këtyre pjesëve një herë është farz, kurse ajo që shtohet mbi njëherë, është sunnet. Gjatë marrjes së abdesit kujdes të veçantë duhet kushtuar larjes së gishtave, thonjve dhe vendeve ku rrëshqet uji. Nëse gjatë abdesit në gisht ka ndonjë unazë, apo orë që është e shtrënguar duhet patjetër lëvizur që të depërtojë uji.

Sunnetet e abdesit

Sunnetet[5] e abdesit janë:

1. Të fillosh me bismil-lah (بسم الله الرحمن الرحيم), sepse Islami porosit që në çdo punë të vlefshme të fillohet me bismilah, shprehja më e kompletuar është të thuhet “Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahimبسم الله الرحمن الرحيم”, edhe pse mund të thuhet vetëm bismil-lah.[6] Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:

 لَا وُضُوءَ لِمَنْ لَمْ يَذْكُرِ اسْمَ اللَّهِ عَلَيْهِ

“S’ka abdes, ai i cili nuk fillon me bismil-lah”[7]

Abdesi mund të merret edhe në banjë, edhe pse nëse ka ndonjë vend jashtë banjës ku do të merret abdes është më e preferuar në mënyrë që të lexohen edhe duatë e abdesit, sepse nëse merret abdes në banjë atëherë duatë nuk lexohen gjatë marrjes abdes, por ato lexohen pasi të dilet nga ajo.

2. Të bërit nijet me qëllim nënshtrimi- adhurimi për veprat të cilat nuk lejohet veprimi pa abdes edhe pse nijeti është vendosshmëria zemërore për të vepruar diçka, shqiptimi i nijetit është sunnet.

3. Larja e duarve deri në nyje.

4. Pastrimi i gojës dhe i hundës tri herë në mënyrë që gjatë pastrimit të hundës të përjetojë ndierjen e ujit, përveç në Ramazan.

5. Të pastruarit e dhëmbëve me misvak. Përdorimi i misvakut tri herë bashkë me ujë kur të pastrohet goja. Uji e zëvendëson misvakut për atë që nuk ka dhëmbë atëherë pastrohet goja tri herë me brushë apo gishtërinj.

6. Fërkimi mes gishtave, të njërës dorë me gishtat e dorës tjetër e po ashtu edhe gishtat e këmbëve.

7. Fërkimi i mjekrës[8] së shpeshtë me gishta duke filluar nga fundi i mjekrës e përpjetë, sepse kështu vepronte Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme.[9]

8. Pastrimi i çdo pjese të trupit përsëritet nga tri herë.

9. Përfshirja e tërë kokës mes’h me dorë të lagur por vetëm një herë

10. Mes’h kokës t’i jepet duke filluar nga pjesa e përparme e kokës.

11. Mes-hi i veshëve me dorë të lagët.

12. Pjesët e abdesit të lahen njëra pas tjetrës sipas radhitjes (Tertib) dhe pa u tharë njëra të pastrohet tjetra.

13. Fërkimi i pjesëve të pastruara të abdesit duke ecur dorën mbo gjymtyrën e pastruar dhe shpërndarë ujin për të mos shpenzuar tepër ujë.

14. Larja të fillojë nga e djathta

15. Mes’hi, pastrimi i qafës me dorë të lagur pa fytin.

16. Larja e duarve dhe e këmbëve të fillojë nga gishtat.

17. Mos harxhimi i tepërt i ujit.

Adabet (rekomandimet) e abdesit (Adabu-l-vudui)

Me shprehjen Adabet e abdesit nënkuptojmë ato vepra që Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i ka vepruar disa herë, por jo rregullisht. Për jetësimin e këtyre rregullave praktikuesi shpërblehet, kurse mos praktikuesi nuk konsiderohet mëkatar, por qortohet. Këto rregulla në disa vepra të fikhut mund ti gjeni nën titullin Mustehabet e abdesit.

Adabet më kryesore të abdesit janë:

– Gjatë marrjes së abdesit të drejtohet kah kibla,

– Dhënia mes’h qafës me dorë të lagur pa fytin,

– Ulja në një vend më të lartë nga toka, në mënyrë qe të mos stërpiket me ujë;

– Gjatë marrjes së abdesit të mos bisedojë me të tjerët;

– Për marrje të abdesit të mos ndihmohet nga të tjerët pa nevojë;

– Lëvizja e unazës, e cila është e lirë në gisht;

– Depërtimi i ujit në gojë dhe hundë të bëhet me dorë të djathtë, kurse pastrimi të bëhet me dorë të majtë;

– Gjatë pastrimit të veshëve brendësinë e veshit ta pastrojë me gishtin e vogël.

– Shqiptimi i “Besmeles” në pastrimin e çdo gjymtyre.

– Të pijë ujë pas marrjes se abdesit, në këmbë i drejtuar nga kibla dhe të sinjalizojë njësinë e All-llahut me gishtin tregues.

– Pas marrjes së abdesit të thotë:

اللهم اجعلني من التوابين و اجعلني من المتطهرين

“O zoti im, më bën mua nga ata që pendohen dhe më bën mua nga të pastërtitë”.

– Të mos bëjë tharjen e abdesit me peshqir, edhe atë për hir që të ngelin shenjat e abdesit.

– Shqiptimi i shehadetit në fund të abdesit, të jetë në këmbë i drejtuar nga kibla dhe të thotë:

أَشْهَدُ أَنْ لاَإِلَهَ إِلاَّ اللَّهُ وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ، وَ أَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَ رَسُولُهُ ، اللَّهُمَّ اجْعَلْنِي مِنَ التَّوَّابِينَ وَ اجْعَلْنِي المُتَطَهَّرِينَ :

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut xh.sh. Një, i pa shoq, gjithashtu dëshmoj se Muhammedi Alejhis-selam është robi dhe i dërguari i Tij. O Zoti im, më bën mua nga penduesit dhe nga të pastërtitë.”

Mekruhet e Abdesit (Mekruhatu-l-vudui)

Mekruhet e abdesit janë:

1. Shpenzimi i tepërt i ujit. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme duke kaluar pranë Sa’dit, i cili ishte duke marrë abdes dhe i tha:

مَا هَذَا السَّرَفُ فَقَالَ أَفِي الْوُضُوءِ إِسْرَافٌ قَالَ نَعَمْ وَإِنْ كُنْتَ عَلَى نَهَرٍ جَارٍ

”Ç’’është ky shpenzim i tepërt i ujit ?. Sa’di tha: A edhe në abdes ka shpenzim të tepërt ? Kurse Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i tha: Po, edhe nëse je në lumin ku rrjedh”.[10]

2. Përplasja e ujit për fytyrë, për shkak të shenjtërisë së saj;

3. Të folurit me të tjerët për shkak se folja me të tjerët e pengon nga duatë-lutjet

4. Të ndihmohet në marrjen e abdesit nga të tjerët pa arsye.

5. Pastrimi më shumë se sa është sunnet. Që do të thotë që një gjymtyrë e trupit, gjatë abdesit të mos pastrohet më shumë se tri herë.

Prishja e Abdesit (Nevakidu-l-vudui)

Abdesi konsiderohet i prishur dhe me te nuk mund të kryhen veprime që janë të ndaluara pa abdes, (siç është leximi i Kur’anit, falja e namazit etj) atëherë kur nga organet e turpshme të njeriut dalin sendet, siç janë: urina dhe mbeturinat, gazrat me erëra, pa marrë parasysh se është pak apo shumë, me qëllim apo pa qëllim. Në këtë rregull bën pjesë edhe personi, i cili për shkak të ndonjë sëmundje kronike nga organet e tija rrjedhin ndyrësira pandërprerë.

Pastaj abdesin e prish çdo gjë që del nga organi gjenital i mashkullit dhe vagina e femrës. All-llahu xh.sh. thotë:

أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِنْكُمْ مِنَ الغَائِطِ

“Ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja)”[11]

Poashtu Shushunja[12] që e thithë ndonjë gjymtyrë të trupit dhe mbushet me gjak dhe të ngjashme me te si rriqra nëse është e madhe dhe del prej saj gjak që rrjedh e në të kundërtën nuk e prishë.

 Gjumi gjithashtu e prish abdesin, nëse flenë i mbështetur në diçka dhe nëse kotet ulur pa u mbështetur, atëherë nuk e prish abdesin. Në hadithin që e transmeton Aliu r.a., Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:

فَمَنْ نَامَ فَلْيَتَوَضَّأْ

“Ai që fle, le të marrë abdes”[13]

Nëse personi qëndron i ulur, stabil dhe fle në atë pozicion, ose bën një kotje të lehtë dhe dëgjon atë që thuhet rreth tij, atëherë nuk i prishet abdesi. Kjo vërtetohet me hadithin e transmetuar nga Katadete ku thotë:

كَانَ أَصْحَابُ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَنْتَظِرُونَ الْعِشَاءَ الْآخِرَةَ حَتَّى تَخْفِقَ رُءُوسُهُمْ ثُمَّ يُصَلُّونَ وَلَا يَتَوَضَّئُونَ

Transmetohet nga Kat-tade se as’habët e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e pritnin namazin e jacisë dhe koteshin, dhe ashtu përgjumshëm ulnin kokën, e pastaj faleshin po me atë abdes”[14]

Humbja e vetëdijes për shkak të alivanosjes, çmendurisë apo dehjes e prishin abdesin.

Vjellja e ushqimit apo lëngjeve dhe gjakut nëse mbushet goja, saqë nuk mund ta mbajë në gojë. Po ashtu prishet abdesi, nëse vjell shumë herë nga pak, por për të njëjtin shkak dhe ngjashëm me të prishet abdesi nëse pështyma përzihet përgjysmë me gjak, apo tejkalon gjaku. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:

يعاد الوضوء من سبع: من إقطار البول و الدم السائل و القيئ و دسعة تملا الفم و نوم مضطجع و قهقهة الرجل في الصلاة و خروج الدم

Përsëritet abdesi prej shtatë gjërave: -prej pikave të urinës, gjakut të lëngëta prej qelbit, nga vjellja gojën plotë, nga gjumi i shtrirë, nga qeshja e burrit me zë në namaz, nga dalja e gjakut:”[15]

Qeshja me zë të lartë në namazin i cili ka ruku dhe sexhde[16], saqë e ndien tjetri rreth tij, e prish abdesin qoftë edhe në fund të uljes së fundit pas shehadetit por para dhënies selam[17] madje edhe në namazin që falet me isharet. Në këtë rast prishet abdesi por jo edhe namazi[18].. Abdesi nuk konsiderohet i prishur nëse gjaku vetëm duket por nuk del nga vendi i tij, apo nëse nga veshi del ndonjë krimb.

 

[1] El Maide :06

[2] Buhariu

[3] Buhariu Muslimi.

[4] Nëse pas marrjes së abdesit bëhet rruarja apo qethja e flokëve nuk ripërsëritet abdesi, e as dhënia mes’h kokës. Gjithashtu nuk ripërsëritet abdesi për shkak të prerjes së mustaqeve ose vetullave të tij apo për shkak të prerjes së thonjve ose kruarjes së lëkurës – masazhimit.

[5] Nga ky nëntitull nënkuptohet se abdesis dhe pastrami nga papastërtia nuk kanë vaxhibe. Durul muhtar, sherh tenvirul ebsar.

[6] Në një transmetim nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme thuhet se ka thënë: “Bismil-lahil adhim, velhamdu lil-lahi ala dinil islam” (Në emër të Allahut të Allahut të madhërishëm, dhe falënderimi i takon Allahut për fenë Islame)..

[7] Ibni Maxheh.

[8] Për haxhiun i cili gjendet në hirama urrehet fërkimi i mjekrës, për shkak se mund ti shkulë qimet e tij.

[9] Transmeton Ebu Davudi nga Enesi se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kur merrte abdes e merrte një grusht ujë dhe me te e fërkonte mjekrën e tij dhe tha: “Me këtë më ka urdhëruar Zoti im.” Hashijetu Ibni Abidin.

 

[10] Ibni Maxheh.

[11] Imam En Nisa: 43.

[12]. Shushunja është lloj krimbi i cili rrinë në ujë dhe e thithë gjakun. Kamusul Muhit.

[13] Imam Ahmedi.

[14] Imam Ebu Davudi.

[15] Nasbu Rraje 1/44.

[16]. Qeshja me zë nuk e prish abdesin në namazin e xhenazes dhe në sexhden e leximit kur ajo bëhet jashtë namazit, por namazi i xhenazes dhe sexhdeja e leximit prishet, kështu qëndron në Merakijel Felah..

[17]. Hashijetu ibni Abidin.

[18]. Në këtë rast prishet abdesi por jo edhe namazi për arsye se pas teshehudit nuk ka ngelur asnjë farz i namazit pa u kryer, kurse braktisja e selamit nuk dëmton vlefshmërinë e namazit. Hashijetu, Ibni Abidin.

Shkrime të ngjashme