Shkruan: Jusuf ZIMERI

Me nocionin aftësi (elhije) nënkuptojmë gatishmërinë dhe përshtatshmërinë e njeriut që t’i vërtetohen të drejtat dhe të bartë obligimet, pra veprat dhe fjalët që burojnë nga ai të jenë të konsideruara dhe me përgjegjësi në aspektin juridik.[1] Në të drejtën kontraktore me nocioni aftësi nënkuptojmë që subjekti të ketë të drejtë që të lidh kontratën me vullnetin e vet dhe të mund të krijojë të drejta dhe detyrime të caktuara[2].

Aftësia në jurisprudencën islame ndahet në aftësi detyruese (ehlijetul vuxhub) dhe aftësi vepruese (punuese) (ehlijetul adai), kurse secila prej tyre ndahen në aftësi të plotë dhe jo të plotë.[3]

Aftësia detyruese (ehlijetul vuxhub)

Aftësia detyruese apo obligative konsiderohet përshtatshmëria e njeriut që t’i vërtetohen të drejtat dhe obligimet. Bazë për aftësinë detyruese në jurisprudencën islame është vetë jeta e njeriut, andaj çdo njeriu që lind i gjallë i vërtetohet e drejta e aftësisë detyruese. Pra aftësia detyruese i vërtetohet çdo njeriu pavarësisht nga mosha, gjinia, pjekuria, mendja etj. Çdo njeri në cilën do fazë të periudhës së jetës së tij i vërtetohet kjo e drejtë, qoftë edhe para lindjes së tij, respektivisht në fazën kur gjendet në mitrën e nënës së tij.[4]

Aftësia vepruese (punuese – elhijetul adai)

Aftësia vepruese (punuese) konsiderohet përshtatshmëria e njeriut për të kërkuar të drejtat e tij dhe për të kryer detyrimet e tij ndaj të tjerëve. Nga kjo nënkuptohet se njeriu me aftësi vepruese mbanë përgjegjësi juridike për veprimet e tij dhe pasojnë përgjegjësitë detyruese për veprimet apo fjalët e tij[5]. Te personi me aftësi punuese detyrimet janë të pa shmangshme, sepse veprimet e tij janë të pranuara në aspektin juridik. Bazamenti prej ku fillon kjo aftësi është mendja (el aklu), mosha respektivisht puberteti (el bulug) dhe vullneti apo dëshira (el irade). Personi me aftësi punuese ka të drejtë veprimi dhe mbanë përgjegjësi të plotë në të gjitha fushat, si në fushën e adhurimeve, kontratat apo edhe ato penale.

Aftësia e plotë dhe e mangët (kamile-nakise)

Edhe aftësia detyruese edhe aftësia punuese mund të jenë të plota (kamile) dhe mund të jenë të mangëta (nakise). Aftësia e plotë varet varësisht nga periudhat e jetës së njeriut duke filluar nga jeta e tij në barkun e nënë (fetusi), periudha e ndarjes nga nëna e tij deri në moshën e temjiziz, periudha nga mosha e temjizit deri në moshën e pubertetit, dhe periudha nga mosha e pubertetit me aftësitë e pjekurisë mendore. Në vazhdim do të shpjegojë secilën prej tyre.

Periudha e fetusit

Fëmija në barkun e nënës (fetusi) nga një aspekt shihet si pjesë nënës së tij, sepse ai lëvizë nga vendi në vend në bazë të lëvizjes së nënës së tij, dhe si i tillë atij i mohohet e aftësia detyruese. Mirëpo nëse fëmijën në barkun e nënës (fetusin) e shikojmë nga aspekti i jetës së tij, pra si shpirt i veçantë, si krijesë me jetë të veçantë pra si njeri të veçantë, atëherë gjykojmë se ai posedon aftësinë detyruese (ehlijetul vuxhub). Pra nëse këtë periudhë të jetës së fëmijës e kundrojmë nga këto dy aspekte, konstatohet se juristët islam, as nuk arritën as të mohojnë aftësinë detyruese të tij, por as të vërtetojnë aftësinë e plotë të tij, andaj gjykuan se fëmija në barkun e nënës ka aftësi detyruese të kufizuara. Kjo nënkupton se fëmija ka përgatitje për të fituar disa të drejta pronësoro juridike nga karakteri i kontratave që nuk ka nevojë të bëhet pranimi nga fëmija, siç është e drejta trashëgimore e tij, dhuratat etj. Këto të drejta të aftësisë detyruese jo të plotë i vërtetohet me kusht që ai të lindë i gjallë.[6]

Kurse sa i përket aftësisë punuese (vepruese) jo të plotë, kjo aftësi as që ekziston në këtë periudhë të jetës, për shkak të pamundësisë së fetusit që të bëjë çfarëdo lëvizje apo veprimi në këtë periudhë. Aftësia punuese (vepruese) jo e plotë, ka të bëjë me periudhën prej moshës së temjizit e deri në periudhën e pubertetit, fazë kjo kur fëmija fillon të kuptojë kuptimin e fjalëve dhe të kuptojë sendet në sipërfaqësi.[7]

Ky qëndrim mbështetet në hadithin e pejgamberit s.a.v.s.  ku thotë:

urdhëroni fëmijët tuaj që të falin namazin në moshën shtatëvjeçare[8]  Nga ky hadith qartë vërehet se fillimi i periudhës kur fëmija fillon të kuptojë gjërat është viti i shtatë. Gjithashtu ky hadith është argument se fëmija në këtë periudhë gëzon aftësinë e veprimit, ngase namazi i tij është i pranuar[9], sepse imperativi për falje të namazit do të ishte i pa vlefshëm sikur të mos kishte aftësi veprimi.

Periudha prej ndarjes nga nëna (lindja) deri në moshën shtatë vjeçare (sinu temjiz)

Me lindjen e fëmijës së gjallë bëhet edhe ndarja fizike e fëmijës nga nëna, dhe prej këtij momenti në parim fëmijës i vërtetohet aftësia e tij e plotë detyruese, që nënkupton se i vërtetohet të drejtat dhe obligimet. Mirëpo meqë të drejtat dhe obligimet ndërlidhen drejtpërdrejtë me njeriun e jo me aftësinë, por është për qëllim dispozita e që është veprimi, atëherë çdo e drejtë që fëmija në këtë moshë ka mundësi ta veprojë bartë detyrim për të, e për veprat që nuk ka mundësi veprimi, për to nuk ka detyrim[10].

Çdo veprim që ndërlidhet drejtat pronësore juridike, siç është shkatërrimi i një sendi, apo furnizimi i të afërmve janë detyrime të vërtetuara për fëmijën në këtë moshë, sepse veprimi praktik ka mundësi të zëvendësohet dhe këtë detyrim të fëmijës e kryen kujdestari në vend të tij. Nga kjo nënkuptohet se nëse fëmija ka shkaktuar ndonjë dëm material, për këtë dëm përgjegjësi materiale bartë fëmija, porse ekzekutimin e bënë kujdestari i tij.  Kurse të drejtat që ndërlidhen me sanksionin e gjakmarrjes (kisasit), fëmija  në këtë moshë nuk është i detyruar, sepse në këtë rast kisasi është veprim që nuk mund të zëvendësohet nga kujdestari. Nga kjo nënkuptohet se nëse fëmija ka shkaktuar vepër penale, që sanksioni i saj është vrasja, respektivisht kisasi, ndaj tij nuk mund të ekzekutohet sanksioni i kisasit, por njëkohësisht nuk mund të ekzekutohet as ndaj kujdestarit të tij.

Kurse aftësia e veprimit edhe në këtë moshë është tërësisht inekzistente, ngjashëm sikur në periudhën e parë

Periudha  prej moshës shtatë vjeçare (sinu temjiz)deri në pubertet

Kjo periudhë e jetës së njeriut fillon nga mosha shtatëvjeçare e fëmijës që në terminologjin e jurisprudencës islame njihet me sin-nu temjiz, dhe përfundon me pubertetin. Puberteti fillon me shenjta e natyrshme të saja, ose sipas mendimit të shumicës së juristëve islam me moshën 15 vjeçare nëse mungojnë shenjat e natyrshme të burtetit. Në këtë periudhë fëmijës i vërtetohet aftësia e veprimit të mangët, për shkak të paaftësisë psikike të tij. Në këtë periudhë të jetës së tij, për shkak të vërtetimit të aftësisë së veprimit fëmija ka të drejtë të bëjë lidhje të kontratës së shitblerjes apo qirasë, sepse ai posedon aftësinë e veprimit, por marrë parasysh aftësinë jo të plotë psikike të tij në këtë moshë, kontrata konsiderohet e vlefshme, por e varur nga leja e kujdestarit të tij, nëse ai e lejon zbatohet, e nëse nuk e lejon nuk zbatohet deri në kohën kur ai hynë në pubertet, dhe atëherë ka të drejtë ta prishë kontratën ose ta miratojë atë.

Periudha  prej pubertetit e tutje.

Kur personi hynë në moshën e pubertetit prej atij momenti aftësia punuese i vërtetohet, dhe tani e tutje ai është përgjegjës për të gjitha veprimet që i bënë, pavarësisht se nga cila fushë janë ato dhe nuk ka nevojë për kurrfarë leje nga askush. Tërë kjo vërtetohet me kushtin nëse është psikikisht i shëndoshë.


[1] Mr. Taxhedin Bislimi, Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, f.250, Shkup 2003.

[2] Dr. Nerxhivane Dauti, e drejta kontraktuese –praktikum- f. 35,  Prishtinë 2003.

[3] Dr. Abdulkerim Zejdani, el med-hal li diraseti esheriatil islamijeti f. 213, Bagdad, 1969, Mr. Taxhedin Bislimi, hyrje në shkenën e suli fikut f.251, Shkup 2003.

[4] Mr. Taxhedin Bislimi, hyrje në shkenën e suli fikut f.251, Shkup 2003.

[5] Dr. Abdulkerim Zejdani, el med-hal li diraseti esheriatil islamijeti f. 213, Bagdad, 1969

[6] Dr. Abdulkerim Zejdani, el med-hal li diraseti esheriatil islamijeti f. 314, Bagdad, 1969

[7] Mr. Taxhedin Bislimi, hyrje në shkenën e suli fikut f.253, Shkup 2003.

[8] Ebu Davudi.

[9] Po aty.

[10] Dr. Abdulkerim Zejdani, el med-hal li diraseti esheriatil islamijeti f. 314, Bagdad, 1969, Sherhu telvih ala et-tevdih 2/163.

Shkrime të ngjashme