Shkruan: Jusuf ZIMERI
Kjo është një fjali apo një refren që sot më së shumti e dëgjon nga gjysmakët, si në dituri, moral, intelekt, etj. Themi nga gjysmakët, sepse ata nuk kanë idenë çka donë të thotë kjo thënie, pse është thënë dhe kujt i është dedikuar.
Kjo thënie është e Imam Ebu Hanifes rahimehull-llah, por që i dedikohej pikërisht gjeneratës së vet, e jo gjeneratës para tij. Gjenerata e tij ishte gjenerata e tabiinëve, e kjo është gjenerata e dytë pas Pejgamberit s.a.v.s., sepse Ebu Hanifja kishte takuar nga sahabët-shokët e Pejgamberit a.s.. Këtë thënie Imam Ebu Hanifja rahimehull-llah e kishte thënë, atëherë kur kishte dëshiruar t’i tregoj botës njerëzore, se gjenerata e Pejgamberit a.s. është gjenerata e artë në historinë e njerëzimit, sepse ata mbi supet e tyre kishin bartur përgjegjësinë e Da’vetit – thirrjes islame dhe për të kishin sakrifikuar çdo gjë tjetër, bile edhe jetën e tyre. Me këtë thënie Imam Ebu Hanifja, përmes kësaj thënie shkëputë gjeneratën e tij duke u treguar se pavarësisht nga përpjekjet tona, ne assesi nuk kemi mundësi të bartim peshën që e bartën shokët e Pejgamberit a.s.
Të gjitha këtyre dilemave Imam Ebu Hanifja rahimehull-llah i venë pikë kur thotë: “Ajo që ka ardhur nga Allahu xh.sh. (Kur’ani) qëndron mbi kokën dhe syrin tim” që nënkupton se mendja ime aty stagnon dhe syri i zemrës sime aty pushon. Pastaj vazhdoi e tha:”Ajo çka ka, ardhur nga Pejgamberi s.a.v.s. dëgjojmë dhe i nënshtrohemi”. Me këtë thënie Imami i të gjitha kohëve u ka dhënë përgjigje atyre që kanë jetuar atëherë dhe që po jetojnë edhe sot dhe do të jetojnë edhe nesër, se burimi i diturisë sime nuk lëvizë nga këto dy burime autentike të jurisprudencës islame për asnjë milimetër. Gjithashtu, Imam Ebu Hanifja përmes kësaj thënie shumë të njohur, që atëherë na mësoi se çdo gjë që kundërshtohet me këto dy burime autentike islame është e pa pranuar pavarësisht nga kush vjen dhe nga e ka burimin.
Pas kësaj Imam Ebu Hanifja vendoi edhe një kriter tjetër për përfitimin e dispozitave islame kur tha: Çka vjen prej sahabëve – shokëve të Pejgamberit a.s. ne zgjedhim mes fjalëve të tyre, por assesi nuk largohemi prej tyre”. Po, a ka përshkrim më bukur se kjo që e ka thënë Imam Ebu Hanifja, a ka vlerësim më të sinqertë se kjo, a ka racionalitet më të fuqishëm se kjo thënie. Kjo thënie Imamin e ngritë në piedestalin më të lartë të diturisë, sepse këtë thënie nuk din ta thotë çdokush, por vetëm dijetarët e kalibrit të Imam Ebu Hanifes. Çka nënkupton kjo thënie e tij? Me këtë thënie Imam Ebu Hanifja me këmbëngulësi mbrojti nderin dhe identitetin e shokëve të Pejgamberit pa përjashtime, por kur është në pyetje dituria, shkenca, të kuptuarit e Kur’anit dhe hadithit nuk do të marrë mendimin e tij që mendoj se është më i thirrur për çështjen konkrete. Kjo është krejt normale dhe profesionale, sepse në fund të fundit kjo ishte edhe praktika e vetë të Dërguarit të Allahut xh.sh. gjatë jetës së tij. Të gjithë sahabët nuk ishin të barabartë në njohjen e dispozitave islame, dikush nga ata kishte njohuri më të shumta në zbritjen e ajeteve, dikush në hadithe, dikush tjetër në lëmin gjuhësore, në lëmin e fikut etj etj. Andaj Pejgamberi a.s. kishte emëruar njerëz të veçantë në detyra të veçanta. Imam Ebu Hanifja e dinte mirë këtë, andaj tha, kur bëhet fjalë për mendimet e sahabëve do të zgjedhë mes tyre nga ato që janë më kompetent për çështjen konkrete normalisht nëse ka kundërthënie mes tyre, por assesi të largohem nga mendimi i tyre. Do të ishte absurd psh. Kërkosh çështje të Fikhut nga Halid b. Velidi duke qenë Ibni Mes’udi, por kjo nuk e nënçmon Halidin me asgjë, sepse ai ka qenë strateg ushtarak dhe nuk ka pasur kohë të merret me çështjet e fikut apo hadithit. Ta përkthejmë këtë thënie të Ebu Hanifes në gjuhën tonë shkencore, unë e kuptoj kështu: Matematikën do ta marrë nga matematicienti, jo ka biologu, fizikën nga fizikanti jo linguisti, medicinën nga mjekët, jo nga juristët, krahaso gjëra të tilla sa të duash!
E pasi të ketë përfunduar hulumtimi im te sahabët për të gjetur mendimin e tyre në një çështje konkrete, dhe kam përfunduar pa suksese, atëherë do të kalojë te gjenerata ime, te dijetarët e gjeneratës. E këtu tani, te gjenerata ime, ata janë burra edhe unë jam burrë. Këtu tani jemi të barabartë, për një çështje islame që nuk ka zgjidhje te burimet e mëparshme do të ulemi dhe bisedojmë të gjithë sepse jemi të barabartë, dhe le të vjen në shprehje fuqia e argumentit.
Ai me këtë thënie në mënyrë të tërthortë fton në debat dijetarët islam të kohës së tij për të zgjidhur çështje konkrete. Por kujdes, ai fton në debat dijetarët- burrat e jo meshkujt, sepse dituria nuk është e kufizuar në gjini. Ai mirë e dinte se ka shumë meshkuj por nuk janë burra, andaj nuk i vendoi në tryezë të barabartë me burrat, në anën tjetër ai e dinte se ka shumë njerëz që nuk janë meshkuj, por janë më burra se meshkujt.
Tani, sot disa njerëz që vërtetë janë meshkuj por jo edhe burra i dëgjojmë se, për Ebu Hanifen dhe të tjerët si ai thonë: Ata kanë qenë burra,edhe ne jemi burra!!!” Këta që e thonë këtë fjalë vetvetiu dëshmojnë se nuk janë burra, nga arsyeja se po të jenë burra do ti respektonin burrat, sepse vetëm dijetarët dinë ti respektojnë dijetarët. Një dijetarit islam Abdurrezak Afifi kur i kishte ardhur një njeri i vetëquajtur dijetar dhe i kishte thënë për Ebu Hanifen, Shafiun, Malikun, Ahmedin etj, se ata janë kanë burra edhe unë jam burrë, Abdurrezaku me plotë guxim i tha: “Po, Hum rixhalun– ata janë burra, ve ente dexhalun– e ti je dexhall- dreq”
Po pikërisht ata që kanë mësuar disa hadithe, realisht i kanë lexuar se nuk i kanë mësuar, dhe kanë lexuar ndonjë ilmihal apo libër nga ndonjë autor i pa njohur, marrin guximin të thonë këtë fjalë. Prandaj nuk është rastësi kur i ndien njerëzit duke thënë: ne marrim nga Kur’ani dhe Suneti, e jo nga të tjerët!!. Ne pimë ujë direk nga kroi!!! Kështu pra, Ebu Hanifja, Shafija, Maliki etj të gjithë kanë qenë më të vegjël se Pejgamberi a.s.. Allahu ekber, çfarë zbulimi po na bëka “hoxha”. Një Hoxhë i madh në terrenin tonë, i drejtohet të riut duke i thënë: O djalë ti a më shumë e donë Pejgamberin apo Ebu Hafifen? I riu rrudhë krahët, i shkreti është bërë objekt manipulimi. Sipas kësaj logjike të sëmurë të këtyre të vetëquajturve selefë, apo më mirë thënë të Neoselefëve, Imam Ebu Hanifja është dashur të thotë: Unë marr nga Kur’ani dhe Suneti e nuk i njoh sahabët”, por ai tha: nuk largohem nga fjalët e sahabëve.
Për të parë logjikën e sëmurë të këtyre njerëzve që nuk dinë të bëjnë dallimin mes burrit dhe mashkullit, po u tregoj një rast. Në një tribunë në një xhami, më pyeti njëri prej tyre: Ku duhet të lidhen duart gjatë faljes së namazit ? Përgjigja ime ishte shumë e shkurtë: Sipas Ebu Hanifes vendohet dora e djathtë mbi të majtën nën kërthizë? Më tha: Nuk po pyes çka ka thënë Ebu Hanifja, sepse nuk kam punë me atë, por po pyes çka ka thënë Pejgamberi a.s. ? All-llahu ekber, ky djali s’ka punë me dijetarët, pra donë të ngjitet në katin e fundit pa as një shkallë! Përgjigaj ime ishte: Ebu Hanifja këtë nuk e ka shpikur nga hamendja e tij, por është mbështetë në Hadith- sunet. Më tha djaloshi që vërtetë ishte për keqardhje. Hadithi i tij është i dobët !!! Atëherë e pyeta: Kush ka thënë se është i Dobët ? Mu përgjigj. Shejh Albani! Aha, kush ky e pyeta unë? Me habi mu përgjigj: Si nuk e njeh Albanin. Muhadithin dhe dijetarin e shekullit?! Thash jo, pse ta njoh Albanin, çka më duhet ai. Ju pak më parë thatë nuk kemi punë me dijetarët, andaj unë u pajtova me ju, e tani çka kemi punë me Albanin, urdhëro më sjell një hadith nga Pejgamberi s.a.v.s. që ka thënë se ky hadith është Daif. Deri këtu djali kishte mësuar, u ngrit e lëshoi xhematin duke thënë: Me ju xhahilat, bidatxhinjt njeru smund të merret vesh!!!!
E pra kjo asht logjika e atyre meshkujve që nuk mund të bëhen burra, por entuziazmi karizmatik i një dijetari të vetëshpallur i detyron të pjekin nga lista burrat – dijetarët,, që këta të ngelin burra, sepse alternativë tjetër nuk ka. Si puna e proverbës që tregon për dëshirën e bretkosës të mbathej kur kishte dëgjuar si ishte mbathur Ati.