Shkruan: Jusuf ZIMERI
All-llahu xh.sh. thotë
وَمِنَ النَّاسِ مَنْ يُعْجِبُكَ قَوْلُهُ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَيُشْهِدُ اللَّهَ عَلَى مَا فِي قَلْبِهِ وَهُوَ أَلَدُّ الْخِصَامِ* وَإِذَا تَوَلَّى سَعَى فِي الْأَرْضِ لِيُفْسِدَ فِيهَا وَيُهْلِكَ الْحَرْثَ وَالنَّسْلَ وَاللَّهُ لَا يُحِبُّ الْفَسَادَ * وَإِذَا قِيلَ لَهُ اتَّقِ اللَّهَ أَخَذَتْهُ الْعِزَّةُ بِالْإِثْمِ فَحَسْبُهُ جَهَنَّمُ وَلَبِئْسَ الْمِهَادُ .
“Ka disa nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (sepse në botën tjetër gjykon Ai që din të fshehtat) dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet Allahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. E posa atë kthehet, ai në tokë vepron të bëjë shkatërrime në te, të asgjësoj të korrat dhe gjallesat. Allahu nuk e do çrregullimin. Dhe kur i thuhet atij “ke frikë Allahun!” atë e kap euforia për punë mëkati. Shtrat i shëmtuar është ai që i takon atij (xhehenemi)” (El bekare 204-206).
Shkaku i zbritjes
Në Tefsirin e Bugaviut si dhe te shumë tesfirë tjerë ashtu siç përmend Kelbiu, Mukatili, dhe Atai gjejmë se shkaku i zbritjes së këtij ajetë është një njeri i cili quhet Ahnes b. Sherik Thekafiu, që emri i tij i vërtetë ishte Ubejje. Ky njeri kishte ardhur te Pejgamberi a.s. në mexhlisin e tij kishte shpalosur besimin (imanin) e tij, dhe ishte betuar se besimi i tij ishte i vërtetë. Ky njeri posedonte një oratori të fortë, folte fjalë të ëmbla para Pejgamberit a.s. dhe shokëve të tij. Ai betohej shpeshherë se e donë pa masë pejgamberin a.s. dhe shokët e tij, e donë islamin etj, saqë me oratorinë e tij kishte mahnitur jo vetëm sahabët por edhe vetë Pejgamberin a.s.. Mirëpo meqë në realitet në brendësinë e tij ai kishte fshehur kufirin, Allahu xh.sh. i zbret ajetin a lartpërmendur dhe i tregon Pejgamberit a.s. sa ka një kategori njerëzish që të mahnitin me oratorinë e tyre, por realiteti nuk është ashtu si thonë ata.
Shpjegim i përgjithshëm
Këto ajete kur’anore janë dëshmi e gjallë për njerëzit e mençur se lexuesi i Kur’anit dhe implementuesi i dispozitave islame gjithnjë është në hap me kohën. Këto ajete si të gjithë ajetet tjerë në përpikëri vërtetojnë se këto janë fjalë të Gjithëdijshmit, kurse besimtari islam sa herë që lexon nga këto fjalë, jo vetëm që freskon shpirtin e tij dhe ripërtërinë bindjen e tij, por përforcon edhe rrugën e mëtutjeshme në jetën e kësaj bote drejt një lumturie të përhershme duke gjetur rrugëdalje në ballafaqim me sfidat që ballafaqohet në rrugën e tij.
Të them të vërtetën duke lexuar Kur’an, kur arrita te ky ajet sikur mu duk se ky ajet në mënyrën më të qartë po shpjegon aktualitetin dhe gjendjen faktike të jetës sonë. Ky ajet në mënyrë të përkryer përcakton diagnozën e sëmundjes që ka kapluar sot shoqërinë njerëzore, dhe njëkohësisht përcakton edhe shërimin nga kjo sëmundje.
Ky ajet Kur’anor në mënyrë shumë të qartë deshifron dhe nxjerr në skenë sekretet e një grupi njerëzish të veçantë, të cilët për arritjen e qëllimeve të tyre individuale apo grupore nuk kursejnë të përdorin asnjë mjet apo metodë pavarësisht legjitimitetit dhe validitetit të tyre. Kjo kategori njerëzish keqpërdorin oratorinë e tyre të skajshme përmes së cilës mahnitin opinionin përmes paraqitjeve dhe fjalimeve të tyre pompoze. Përmes retorikës së tyre tentojnë të paraqesin urtësinë e tyre, drejtësinë, sinqeritetin, etj, por meqë oratoria e tyre nuk buron nga sinqeriteti zemëror e shpirtërorë në mënyrë permanente ndihet nevoja për të mbuluar hipokrizinë me argumente bindëse përmes betimeve të tyre, në çështje madhore, se këtë që po e thonë kinse është e vërtetë! Këta njerëz, do të demaskohen që në jetën e kësaj bote para atyre që u shtirën të çiltër, sepse maskat e tyre nuk vlejnë për ta mbuluar të vërtetën para Gjykuesit Suprem, andaj në atë gjykatë pason vetëm ndëshkimi i tyre i merituar.
Ky ajet kur’anor na e bënë me dije, se demaskimi i tyre është shumë i lehtë, andaj nëse dëshironi t’i demaskoni veni në praktikë këto prova materiale dhe lehtë do të fitoni rezultatet e duhura, që janë:
– Betimet dhe premtimet e shumta. Betimet e shumta që oratorët e ndryshëm i përdorin gjatë fjalimeve nuk kanë për qëllim të përforcojnë dhe argumentojnë ndonjë të vërtetë, sepse e vërteta vetvetiu është e përforcuar dhe argumentuar, por kanë për qëllim mbulimin dhe maskimin e të pavërtetës, sepse e keqja dhe turpi patjetër duhet mbuluar me diç të vlefshme. Betimi nuk është retorikë e dijetarëve të mirëfilltë, as e myslimanëve të çiltër, por retorikë e gënjeshtarëve dhe hipokritëve të cilët e përdorin si mbulesë për paditurinë dhe krimin e tyre. Fjalët e tyre, premtimet e tyre, ekspozetë e tyre me pompozitet të rrejshëm, dëshmojnë për lëkurën e qengjit në trupin e ujkut. Për ta vërtetuar këtë, respektivisht për të parë se çfarë ka nën lëkurën e qengjit, duhet provuar atë, andaj Allahu xh.sh. përmes këtij ajeti thotë: E posa të largohet nga ti ose të marrë sundimin në tokë, shpejton të bëjë shkatërrim në tokë, të asgjësojë të korrat (bereqetet) dhe gjallesat. E All-llahu nuk e do çrregullimin (fesadin).
– Pra, Allahu xh.sh. qartë na tregon se oratorët e tillë kur janë para jush ju mahnitin me oratori se sa punë të mëdha kanë bërë ose do të bëjnë, e kur të largohen nga ju thonë: s’marrin vesh këta, e shitëm edhe këtë demagogji. Të tillët kur të vinë në pushtet, harrojnë oratorinë e tyre që e kishin para njerëzve, harrojnë popullatën para të cilëve u betuan, harrojnë të varfëritë dhe skamnorët, harrojnë invalidët dhe të pa aftit, harrojnë interesat e popullit nga i cili morën besimin përmes oratorisë së rrejshme dhe tani vrapojnë pas interesave materiale të tyre, dhe në këtë formë bëjnë shkatërrim të sistemit në rruzullin tokësorë. Në pushtetin e tyre instalojnë një sistem të çuditshëm me një emër të bukur, por që frytet e atij sistemi gjithnjë duhet të shpijnë ujin vetëm në mullirin e tyre personal. Ata, fillimisht përmes çështjeve madhore, qofshin ato fetare apo kombëtare e atdhetare mbulojnë hipokrizinë e tyre, kurse përmes sistemit djallëzor i ngritur mbi shtyllat e korrupsionit pasurojnë xhepat e tyre duke shkatërruar fillimisht ekonominë e më pas edhe moralin e njerëzve.
– Ajeti na e bënë me dije se ata që me oratorinë e tyre shfrytëzojnë pozitën e tyre që të ekspozohen si patriot të mëdhenj, të devotshëm dhe shpëtimtarë të popullit, kurse veprat e tyre nuk përputhen me atë që e thonë, ata në regjistrin e Allahut xh.sh. janë të regjistruar në kategorinë e shkatërrimtarëve, në kategorinë e hipokritëve, anarkistëve e pse jo edhe të pabesimtarëve. Kategori kjo për të cilën Aisheja r.a. tregon se pejgamberi a,.s. ka thënë: “njerëzit më të urryer te Allahu janë njerëzit që gënjejnë” Pastaj përveç faktit se Allahu xh.sh. na tregon neve se ata janë shkatërrimtarë e jo ashtu siç proklamojnë ata, na tregon edhe neve e edhe atyre se përfundimi i tyre do të jetë xhehenemi.
– Krahas shumë çështjeve tjera, aktualiteti i këtij ajeti nxjerr në pah edhe një fenomen shumë të rëndësishëm për demaskimin e këtyre njerëzve. Njerëzve të tillë kur t’u tërhiqet vërejtja, respektivisht kur të këshillohen që të ndërpresin veprimtarinë e tyre të pa ligjshme dhe t’i kthehen realitetit, ata menjëherë bien në eufori, andaj ajeti thotë: “Dhe kur i thuhet atij “ke frikël Allahun!” atë e kap euforia për punë mëkati”. Po, kur i thuhet se po ndjek rrugë të gabuar, ata përgjigjen me eufori e jo me mendje të shëndoshë. Për të mbrojtur mëkatet e tyre fillojnë të akuzojnë dhe etiketojnë të tjerët me lloj lloj akuzash e etiketash, deri në nivelin e tradhtisë dhe pabesimit. Pasoja e rënies së tyre në eufori, nuk është drejtësia e tyre, por mëkati dhe krimi i tyre, sepse atij që është i drejtë kur e këshillon, pranon këshillat, kurse mëkatarin kur e këshillon të përgjigjet me eufori duke të akuzuar që të mos merret me të, por të merret me veten e vetë. Ai atëherë me euforizëm vazhdon të mbrojë injorancën e tij. Ndoshta shpjegim më të bukur kësaj i ka dhënë sahabiju Abdullah b. Mesudi r.a. i cili thotë: Atij që ka bërë shumë mëkate dhe krime te Allahu xh.sh., kur ti thuhet “frikoju All-llahut “ të përgjigjet, shikoje veten tënde , mos u merr me mua, kurse ai që nuk ka mëkate me nder dhe respekt pranon këshilla dhe udhëzime drejt rrugës së Allahut xhsh. Transmetohet se kur Omer b. Hatabit r.a. i kishte thënë dikush, o Sunduesi i besimtarë, Frikoju Allahut xh.sh., ai në shenjë nderi dhe respekti dhe nënshtrueshmërie ndaj Allahut xh.sh. e kishte lëshuar fytyrën e tij në tokë.