Dallimi mes Farzit dhe Vaxhibit sipas shkollës juridike Hanefij

Autor: Jusuf ZIMERI

Derisa shumica e dijetarëve të Usuli Fikhut nga shkollat tjera juridike normën obliguese e ndanë në pesë lloje, që janë, 01. vaxhib, 02. mendua, 03. ibaha, 04. kerahe apo mekruh dhe 05. haram, kurse dijetarët e shkencës së suli fikut nga shkolla juridike (medhhebi) hanefij këtë normë e ndanë në shtatë lloje që janë; 01.farz, 02.vaxhib, 03.mendub, 04.lejimi (el ibaha) 05.haram, 06.mekruhi tahrimen dhe 07.mekruhi tenzihen.

Dijetarët e shkencës së Usuli fikut nga medhhebi Shafiij dhe ai Malikij janë të mendimit se nocionet e normave Farz dhe vaxhib janë vetëm sinonime të njëra tjetrës, pra janë dy fjalë që japin një kuptim, andaj edhe nuk ka dallim mes farzit dhe vaxhibit. Mirëpo usulistët nga shkolla hanefite dhe të një transmetimi nga imam Ahmedi dhe disa hanbelive janë të mendimit se ekziston dallim esencial mes nocionit farzdhe vaxhib, andaj këto dallime janë si aspektin gjuhësor ashtu edhe në argumentin dhe mënyrën e argumentimit. Andaj sipas këtyre dijetarëve duhet bërë dallimin në përdorimin mes këtyre dy normave sepse realisht ajo që quhet farz nuk mund të quhet vaxhib, dhe ajo që quhet vaxhib nuk mund të quhet farz, sepse secila prej këtyre dy dispozitave ka emrin e veçantë dhe pasoja të veçanta. Gjithashtu mes këtyre nocioneve ekziston edhe dallim në definimit terminologjik të tyre, që definohen si vijon.

Farzi sipas dijetarëve të Usuli Fikhut nga shkolla juridike hanefite definohet; “ Ajo që Ligjdhënësi ka kërkuar në mënyrë të prerë, me argument të prerë dhe mënyra e argumentimit është e prerë (Kat’j-ju eth-thubut ved-dilale), siç është namazi, agjërimi, zeqati etj. Nga kjo nënkuptohet se bëhet fjalë për dispozitën që përfitohen nga Kur’ani famëlartë dhe suneti mutevatir. Dispozita e përfituar nga imperativi që buron nga argumenti i prerë dhe forma e argumentimit e prerë është obligueshmëria e besimit dhe e veprimit të farzit, e kjo nënkupton se mohuesi i kësaj dispozita konsiderohet jobesimtar (kafir), kurse personi i cili këtë normë nuk e mohon në esencë porse nuk e zbaton dhe për mos zbatim nuk ka arsyetim juridik konsiderohet Fasik (njeri shkatërrimtar- i prishur). Nga kjo nënkuptohet se mohuesi dhe mos zbatuesi nuk janë të një kategorie dhe se dallimi mes tyre është esencial. Personi i cili cilësohet me kufr, nuk bartë përgjegjësi për mos kryerjen e veprimeve tjera dhe për to nuk do të ketë përgjegjësi dhe dënim të veçantë para Allahut xh.sh., ngase mjafton që vetëm kufri i tij të jetë bazë e shëndoshë që të jetë në xhehenemin e përhershëm, kurse personi i cili cilësohet me Fisk (i prishur), ai do të ketë përgjegjësi dhe dënim për mos zbatimin e farzit, por përderisa tek ai gjenden shkëndija të besimit –imanit, pra derisa ai e beson si farz, ekziston bazë që pas dënimit të afatizuar të lirohet nga ndëshkimi dhe të transferohet në xhenet. Pra qartazi shihet se dallimi mes këtyre dy cilësive është i madh dhe thelbësorë.

Vaxhibi definohet: Ajo që Ligjdhënësi ka kërkuar të veprohet  në mënyrë të prerë, me argument jo të prerë. Në këtë rast mund të që argumenti të jetë jo i prerë në të vërtetuarit e argumentit, ose në mënyrën e argumentimit. Të vepruarit e vaxhibit është obligim për besimtarin islam ashtu si farzi, porse dallimi mes tyre është se mohuesi i vaxhibit nuk konsiderohet jo mysliman si konsiderohet mohuesi i Farzit, porse konsiderohet Fasik (i prishur).

Që të jemi më të qartë po sjellim një elaborim përmes shembullit: Leximi i Kur’anit në namaz sipas fukahave të medhhebit hanefij është Farz, e rrënimi i farzit në çështjet e ibadeteve shkakton edhe rrënimin, respektivisht prishjen e ibadetit në këtë rast namazit. Argument se leximi i Kur’anit në namaz është farz, është ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Pra falnu duke lexuar Kur’an sa t’ju vijë më lehtë prej namazit”[1]. Argumenti në këtë rast është i prerë sepse është ajet Kur’anor, dhe askush nuk dyshon se nuk është i prerë, pra është (Katij-ju eth-thubut), në anën tjetër, vërejmë se imperativi “fekreuu-lexoni” nga kurani po ashtu është i prerë dhe askush nuk dyshon se në këtë ajet bëhet fjalë për diçka tjetër, përveç leximit të kur’anit në namaz pra është (Kat’iju ed-dilale), e përderisa argumenti është i prerë dhe mënyra e argumentimit është e prerë, (kat’iju ethubut ved-dilale) dispozita e përfituar nga ky argument është Farz, pra leximi i Kur’anit në namaz është farz.

Në anën tjetër leximi i sures Fatiha në namaz sipas dijetarëve të medhhebit hanefij është Vaxhib e nuk është farz. Argument se leximi i fatihas është vaxhib e jo farz përfitohet nga hadithi i pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: “ Nuk ka namaz për atë që nuk lexon fatihan”[2] Në këtë rast kemi të bëjmë me argument jo të prerë, pra argumenti është (dhan-niju ethubut), sepse hadithi është Ahad, edhe pse mënyra e të argumentuarit është e prerë, sepse bëhet fjalë për përcaktim të veçant të një sure dhe nuk ka dilemë nga dikush se bëhet fjalë për ndonjë sure tjetër. Mirëpo për derisa hadithi është Ahad, dhe nuk është argument i prerë, dispozita e përfituar është vaxhib, e sikur argumenti të ishte i prerë dispozita do të ishte farz. Në anën tjetër, zbatimi i vaxhibit praktik është vaxhib, por kur bëhet fjalë për mos zbatimin e vaxhibit në ibadete, nuk shkakton prishjen e ibadetit psh, lënia e vaxhibit në namaz nuk shkakton prishjen e namazit, porse shkakton mangësi në ibadet, në këtë rast në namaz, andaj edhe përsëritja e veprimit është më e preferuar por jo e domosdoshme, për dallim nga farzi ku përsëritja e veprimit është e domosdoshme në rast të mos zbatimit të farzit.

Shembull tjetër për përfitimin e farzit dhe vaxhibit nga argumentet e autentike. Allahu xh. Sh. Në Kuranin famëlartë urdhëron për ruku dhe sexhde. Argumenti është i prerë sepse s’ka dyshim në burimin e argumentit, e edhe mënyra e argumentimit është e qartë dhe nuk ka kurrfarë dileme, andaj dispozita e përfituar për rukun dhe sexhden në namaz është Farz, kurse qetësimi për në ruku dhe në sexhde është vaxhib. Argumenti se qetësimi është vaxhib, është hadithi i pejgamberit a.s. kur i kishte thënë një sahabiutË “Çohu dhe falu sepse ti nuk je falur”[3] Arsyeja e këtij imperativi ishte sepse personi në fjalë nuk kishte bërë qetësimin e plotë të trupit në ruku dhe në sexhde, pra kishte bërë një vjedhje të namazit. Në këtë hadith vërejmë se kemi imperativ-urdhër, mirëpo meqë argumenti është jo i prerë, sepse është hadith aha, pra nuk është mutevatir, dispozita e përfituar nga ky argument është vaxhib, sepse po të ishte argumenti i prerë, hadithi mutevatir dispozita do të ishte farz. Raste të këtilla kemi shumë.

Referencat:
– Taxhedin Bislimi, Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, Shkup, 2003
– Sadru esh-sheria Ubejdulla b. Mes’ud el Mahbubij,  et-tevdih shehu et-tenkih p1, Bejrul-Liban1998.
– Dr. Vehbi Zuhejli, Usulu el fikhul ilsamij p1. Darul fikri botimi i dytë, damask- Siri.
– Dr. Othman Muhamed Othman, Durus hadife fi Usulil fikh, Kajro 1986.
– Dr. Muhamed Abdulatif Hasanejn, el hukmu esh-sherij inde usulijin Kajro 1991.
[1] Suretu Muemil : 20
[2] Imam Muslimi
[3] Subuli selam. 1/245

Shkrime të ngjashme