Shkruan: Jusuf ZIMERI
Përcaktimi i fondeve se ku duhet destinuar zeqati nga ana e Allahut xh.sh. jep të kuptojmë rëndësinë, vlerën dhe rolin e këtij obligimi – adhurimi. Fondet në të cilat duhet të destinohet zeqatë, All-llahu xh.sh. i përcaktoi në ajetin 60 të sures Et-Tevbe ku thotë:
إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَابْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِّنَ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ
“All-llahu caktoi obligimin që lëmoshat (zeqati) t’ju takojë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat ( të dobëtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin e nga robëria, të mbyturve në borxhe (luftëtarëve), në rrugën e All-llahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. All-llahu i din gjendjet e robërve, punon sipas urtësisë së vet.”[1]
Nga ajeti i lartpërmendur nënkuptohet se fondet në të cilat duhet të destinohet zeqati dhe sadekatul fitri që dispozita e tyre është farz dhe vaxhib janë tetë lloje.
1-2. Të varfëritë dhe të ngratit (Lil fukarai vel mesakin)
Në bazë të ajetit kur’anorë i varfëri “El Fekir” dhe i ngrati “El Miskin” janë dy kategoritë e para të cilëve u takonë zeqatë, edhe njërit edhe tjetrit.
Mufessirët, fukahatë si gjuhëtarët në përkufizimin e kuptimit të këtyre dy shprehjeve i ndanë mendimet e tyre mes veti. Disa janë të mendimit se shprehja “Fakir dhe Miskin”, janë ngjashëm sikur shprehja “Islam dhe Iman”. Nëse bashkohen këto dy shprehje, dallohen mes veti, do të thotë çdonjëra ka kuptim në vete, e nëse ndahen, bashkohen, do të thotë nëse përmendet vetën njëra në vete ka kuptimin edhe të tjetrës.
Edhe juristët islamë, gjithashtu nuk unifikuan mendimet e tyre mes veti se cili prej tyre “Fakiri apo Miskini” janë në gjendje më të pa lakmueshme ekonomike dhe sociale. Sipas mendimit të juristëve hanefij dhe malikij[2] Miskini është gjendje më të mjerueshme se sa Fakiri. Sipas tyre Fakir (i varfër) konsiderohet personi i cili posedon diç nga pasuria, por më pak se nisabi, kurse Miskini ( i ngrati) është personi i cili nuk posedon asgjë. Argument ku këty dijetarë mbështetin mendimin e tyre është ajeti Kur’anor ku thotë: “Ev Miskinen dha metrebe – Ose ndonjë të varfëri që e ka molisur varfëria”[3] pra i varfëri që është i shtrirë për toke nga varfria.
Pavarësish nga polemikat e dijetarëve islam rreth kësaj çështjeje, ata janë unik se zeqati dhe sadekatul fitri i takon të dy grupeve, sepse që të dya janë të varfër që nuk plotësojnë nisabin.
Sipas Ebu Hanifes, të varfërit dhe të ngratit nëse u jepet zeqat më shumë se sa nisabi, ai është i vlefshëm, por ai është i mendimit se është mekruh të jepet sa nisabi e më tepër. Kurse imam Maliku lejonë këtë punë, por ata thonë se nuk lejohet që këtyre tu jepet më shumë se sa nevojat e tyre për një vit.
3. Punëtorëve që e tubojnë zeqatin (El amiline alejha)
Fondi i tretë për destinimin e zeqatit është amiline alejha (punëtorët që tubojnë zeqatin). Me këtë shprehje nënkuptojmë punonjësit e veçantë të cilët emërohen dhe ngarkohen me obligime të veçanta për tubimin e zeqatit nga organi kompetent. Për ta realizuar tubimin e zeqatit patjetër duhet të emëruar dhe angazhuar njerëz kompetent të cilët janë mirë të njohur me parimet e zeqatit. Për emërimin e tyre kushtëzohet që ata të jenë mysliman, të jenë të drejtë, t’i njohin mirë parimet e islamit dhe të jenë të aftë për veprim, sepse tubimi i zeqatit është amanet i cili duhet respektuar. Në këtë angazhim përfshihen të gjitha strukturat organizative duke përfshirë ekzekutorin në teren, regjistruesin, rojtarin dhe të gjithë ata që angazhohen në tubimin e zeqatit. Nga ky term gjithashtu nënkuptohet se Imami, respektivisht njeriu kompetent për çështje fetare ka për obligim islam që të angazhojë njerëzit kompetent të cilët do të realizojnë tubimin e zeqatit duke u sqaruar njerëzve për obligimet e tyre. Gjithashtu nënkuptohet edhe tubimi i zeqatit në një vend të quajtur Bejtul Mal, dhe pastaj shpërndarja e saj në fondet e caktuara sipas Kur’anit. Punonjësit e zeqatit paguhen nga fondet e zeqatit qofshin edhe të pasur, jo në cilësinë e zeqatit, por si pagim për angazhimin dhe punën e tyre. Dijetarët islamë janë të mendimit se punëtorëve që mbledhin zeqatin u jepet sipas punës së tyre, porse dijetarët e medhhebit hanefij këtë e kushtëzojnë që atyre të mos u jept më shumë se gjysma e asaj që tubojnë.
4 Për përfitimin e zemrave (Muel-lefetul kulub)
Me shprehjen muel-lefetul kulub nënkuptojmë dhënien e zeqatit personave nga të cilët dëshirohet të përfitohen zemrat e tyre. Në këtë kategori përfshihen njerëzit të cilët janë të dobët në qëllimet e tyre islame, andaj u jepet pasuri që t’i përfitojmë ata. Muel-lefetul kulub janë disa grupe që janë:
a. Njerëz të cilëve poqe se u jepet diç nga zeqati shpresohet që të pranoj islamin, ai ose populli i tij. Një praktikë të tillë e veproi Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme kur i kishte dhënë pasuri Safvan Ibni Umej-jes me rastin e çlirimit të Mekës i cili më vonë e pranoi islamin dhe u njoh si mysliman i mirë.
b. Njerëzve të cilët është frikë nga dëmet e tyre dhe shpresohen mirësia prej tyre po qese u jepet pasuri. Ibni Abasi thotë se një popull vinin te Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe kërkonin nga pasuri, nëse u jepej e lavdëronin islamin dhe muslimanët, e nëse jo atëherë nënçmonin atë.
c. Njerëzit të cilët rishtazi e kishin pranuar islamin, dhe atyre u epej që të përforcohen në islam.
Dijetarët islamë janë unik në mendimet e tyre se atyre që rishtazi e kanë pranuar islamin lejohet t’u jepet zeqatë që t’u ndihmohet në përforcimin e tyre në islam, por i nuk u pajtuan në mendimet e tyre se jomyslimanëve a lejohet që t’u jepet zeqatë apo jo.
Sipas mendimit të dijetarëve të Medhhebit hanefij dhe Shafij[4] nuk lejohet që zeqatë t’u jepet pabesimtarëve që të përforcohen zemrat e tyre. Këto dijetarë janë të mendimit se kjo ishte praktikë në fillim të islamit ngase numri i muslimanëve ishte i vogël, kurse Hulefai Rashidinët këtë e ndërprenë atëherë kur u forcua Islami. Në kohën e sundimit të Ebu Bekrit kur Omeri ishte përgjegjës i arkës së shtetit Islam, ndaloi dhënien e zeqatit atyre duke u thënë se “Kush dëshiron të besojë letë besoj, e kush dëshiron të mos besojë të mos besoj, sepse mes nesh dhe juve qëndron vetëm shpata.”
Sipas mendimit të juristëve të medhhebit hanefij dhe malikij, ky fond i zeqatit ka rënë me përhapjen dhe zgjerimin e islamit, andaj fondacionet e zeqatit janë shtatë e jo tetë. Ky anulim i kësaj kategori është bërë me konsensusin e sahabëve, andaj imam Maliku thot, sot nuk ka nevojë për këtë kategori të njerëzve sepse islami është forcuar.
5. Për lirimin e robit “ve fi err-rrikab”
Me shprehjen “ve fi err-rikab” është për qëllim lirimi i robit. Dihet mirë se robi nuk posedon pasuri, ngase ai dhe pasuria e tij janë të zotëriut të tij. Lirimi i robit sipas parimeve islame përmes institucionit të zeqatit mund të bëhet në dy mënyra:
1. Përmes metodës së kontratës së shkruar mes zotëriut dhe robit i cili në terminologjinë e sheriatit islam quhet Mekatib. Kjo mënyrë është atëherë kur robi kontraktohet me zotëriun e tij që për një afat të caktuar ‘ti sigurojë një sasi të hollash pronarit të tij, në mënyrë që të lirohet nga robëria, e nëse nuk siguron atë sasi atëherë përsëri ngelë i robëruar. Në këtë rast robi është i lirë në veprim që të punojë dhe fitoj për t’u liruar nga robëria, por nëse nuk mund që të sigurojë tërë sasinë e duhur, në afatin e caktuar, atëherë intervenohet me fondin e zeqatit që të lirohet nga robëria.
2. Përmes metodës që të blihet robi nga zotëria dhe t’i dhurohet liria. Kjo pasuri e zeqatit realisht nuk i jepet robit, por zotriut të tij, por përfiton robi. Kushtëzohet që robi i liruar me pasurinë e zeqatit të jetë musliman.
6 Borxhliut ”Vel garimine” .
Me shprehjen “Vel garimine” nënkuptohen borxhlinjtë të cilët janë të ngulfatur në borxhe, saqë nëse e paguan tërë borxhet nuk i ngelë pasuri sa nisabi. Në këtë drejtim borxhliu mund të ketë hyrë në borxh për interesa apo nevojat e tija personale siç është shtëpia, martesa, mjekimi etj, por mund të ketë hyrë në borxh edhe për interesat shoqërore siç është pajtimi mes njerëzve, ndërtimi i objekteve shoqërore si xhamia, spitale, shkolla etj. Personat e tillë nëse nuk kanë mundësi të paguajnë borxhin e tyre, intervenohet me dhënien e zeqatit që t’u ndihmohet atyre.
Duhet pasur kujdes të veçantë se borxhlinjtë të cilat kanë hyrë në borxhe për veprime të ndaluara islamikisht siç është droga, alkooli, luajtja e komarës, bastoret e ndryshme etj, nuk u jepet zeqatë që t’i paguajnë borxhet e tyre. Borxhliut mund ti jepet zeqatë sa për të paguar borxhin e tij.
7. Në rrugën e All-llahut xh.sh. “Fi sebilil-lahi”
Me shprehjen “Fi sebilil-lahi” nënkuptojmë luftëtarët të cilët luftojnë për ruajtjen dhe ngritjen e vlerave islame. Nga kjo nënkuptohet se me destinimin e zeqatit bëhet edhe përgatitja e ushtrisë islame. Nisur nga fakti se luftërat anti islame zhvillohet në metoda të ndryshme, dijetarët bashkëkohorë islamë janë të mendimit se pasuria destinohet në të gjitha ato vende dhe institucione të cilat janë garantë e islamit dhe myslimanëve, për një jetë sa më progresive, e veçanërisht në ndërtimin e shkollave me karakter shkencore-fetar dhe edukativo-arsimor, ngritjen e institucioneve organizative për çështje islame, ndarjen e bursave për arsimim, ngritjen e spitaleve, etj. Veprohet dhe gjykohet kështu ngase vetëm përmes kësaj forme mund t’i përballohet dhe të hedhen poshtë të gjitha tendencat për minimizimin e islamit dhe myslimanëve.
8. Udhëtarëve Ibnu sebil.
Udhëtar të cilëve mundë t’u ndihmohet me pasurinë e zeqatit janë ata njerëz të cilët tentojnë të shkojnë në udhëtim për ndonjë veprim të mirë siç është haxhi, apo arsimimi, por nuk u mjafton pasuria e tyre. Gjithashtu udhëtarë të cilëve duhet ndihmuar me pasurinë e zeqatit janë ata të cilën ne vend të huaj kanë ngelur pa pasuri për ndonjë arsye, të tillëve duhet ndihmuar me zeqatë edhe pse ata në vendlindjen e tyre kanë pasuri të mirë.
Zeqatë mund të jepet nëpër të gjitha këto kategori të lartpërmendura, mund të jepet vetëm një kategorie, e mund të jepet në mënyrë të barabartë në të gjitha kategoritë. Mirëpo meqë zeqati është obligim që fillimisht tu tubohet në një vend, atëherë se cila kategori prej tyre është më e nevojshme duhet të vendosin organet kompetente përgjegjëse.
[1] Et Tevbe : 60
[2] Kurse sipas mendimit të juristëve të medhhebit Shafij dhe hanbelij, Fakiri është në gjendje më të palakueshme ekonomike dhe sociale se sa Miskini. Argument ku mbështet ky mendim është vetë fakti se All-llahu xh.sh. në ajetin kur’anor ku përcakton destinimin e zeqatit fillonë me Fakirin, e kjo ka domethënien e vet sepse fillonë me atë që është më e rëndësishme. Kanë edhe argumente tjera nga Kur’ani.
[3] Suretu El beled : 16
[4] Sipas mendimit të Malikive dhe Hanbelive lejohet që t’u jepet zeqat me qëllim që të përfitohen zemrat e tyre dhe të pranojnë apo të ndihmohet islami, e një veprim të tillë e praktikoi edhe vet Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme.