Dhënia mes’h kokës, mbi çallmë apo shami!

Shkruan: Jusuf Zimeri

Shkaku i polemikave mes dijetarëve islamë është obligueshmëra e të vepruarit me hadithin e Mugires ku thotë se Pejgamberi [Alejhis-selam] kur mori abdes: “lau duart dhe bëri mes’h mbi pjesën e parë të kokës mbi çallmë dhe mbi meste”, dhe lejimi i analogjisë së dhënies mes’h mbi kokë me dhënien mes’h mbi meste. Në këtë çështje Imam San’ani thekson[1] se fukahat islam u ndanë në dy mendime që janë:

Mendimi i parë.

Sipas mendimit të fukahave të medhhebit hanefij[2], malikij[3], shafij[4] dhe një transmetimi nga medhhebi hanbelij, nuk plotësohet farzi i dhënies mes’h vetëm mbi çallmë apo shami, nëse nuk i jepet mes’h edhe një pjese të kokës. Imam Ebu Hanife për këtë çështje thotë: “Nuk duhet që femra ti japë mes’h kokës së saj mbi shami, e as burri mbi çallmë , porse duhet mes’hin ta kryejnë mbi kokat e tyre”.[5]

Argumentet ku këta fukaha mbështetën mendimin e tyre janë:

Ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ “fërkoni kokat tuaja[6]. Nga ajeti kuptohet qartë se urdhri për dhënie mes’h është mes’hi mbi kokë, e jo mbi çallmë apo shami, andaj ai që nuk i ka dhënë mes’h drejtpërdrejtë kokës konsiderohet se nuk ka zbatuar urdhrin.[7]. Vlerësohet kështu sepse në realitet “mes’hu err-rre’s” dhënia mes’h kokës nënkupton përshkimin e dorës së lagur me ujë mbi kokë, e ai që i jep mes’h çallmës apo kësulës apo shamisë nuk nënkupton dhënie mes’h të kokës, por të çallmës, kësulës dhe shamisë.[8]

Argument tjetër se nuk lejohet dhënia mes’h vetëm mbi çallmë, është edhe hadithi i transmetuar nga Mugire ibn Shu’be ku thotë se: “Pejgamberi lau duart dhe bëri mes’h mbi pjesën e parë të kokës mbi çallmë dhe mbi meste.[9]

Nga ky hadith nënkuptohet se dhënia mes’h vetëm mbi çallmë nuk është i vlefshëm, sepse ekziston mundësia e dhënies mes’h kokës duke qëndruar çallma mbi kokë. Prandaj Pejgamberi [Alejhis-selam] nuk i dha mes’h vetëm çallmës, por futi dorën nën çallmë dhe i dha mes’h pjesës së përparme të kokës, kjo nënkupton se dhënia mes’h vetëm çallmës nuk mjafton të plotësohet farzi i dhënies mes’h.

Hadithin tjetër i transmetuar nga Enes ibn Maliki i cili ka thënë:

عَنْ أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ قَالَ رَأَيْتُ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَتَوَضَّأُ وَعَلَيْهِ عِمَامَةٌ قِطْرِيَّةٌ فَأَدْخَلَ يَدَهُ مِنْ تَحْتِ الْعِمَامَةِ فَمَسَحَ مُقَدَّمَ رَأْسِهِ وَلَمْ يَنْقُضِ الْعِمَامَةَ

E kam parë të Dërguarin e All-llahut [Sal-lall-llahu Alejhi ve sel-leme]: Merrte abdes dhe mbi kokë kishte çallmëkitrije(teshë e trashë e thurur prej fijeve të trasha të pambukut me ngjyrë të kuqe), dhe e futi dorën e tij nën çallmë dhe i dha mes’h pjesës së përparme të kokës dhe nuk e prishi çallmën, (respektivisht teshën me të cilën e kishte të mbështjellë kokën).”[10]

Mënyra e argumentimit me këtë hadith është se sikur të lejohej dhënia mes’h vetëm mbi çallmë, sigurisht se Pejgamberi [Alejhis-selam] nuk do ta fuste dorën nën çallmë për ti dhënë mes’h kokës së tij.

Transmetohet nga Aisheja r.a. se ajo, kur merrte abdes e fuste dorën e saj nën mbulesën e kokës dhe i jepte mes’h tërë kokës.[11]

 Ngjashëm me këtë hadith transmeton edhe Nafiu i cili thotë: E kam pa Safijen bijen e Ebu Ubejdit e cila kur morri abdes, e futi dorën e saj nën mbulesën e saj dhe i dha mes’h pjesës së përparme të kokës.[12] Ibni Ebi Shejbe.

Prandaj, të gjitha këto argumente dhe shumë argumente tjera përforcojnë mendimin se nuk lejohet dhënia mes’h vetëm mbi çallmë apo vetëm mbi shami, por patjetër duhet dhënë mes’h një pjese të kokës.

Argumenti racional që e përdorën fukahat islam për mos lejimin e dhënies mes’h vetëm mbi çallmë apo shami, është fakti se kokës mund ti jepet mes’h edhe pa e hjekë çallmën nga koka, prandaj kjo nuk parqet vështirësi që të arsyetohet dhënia mes’h mbi çallmë apo shami. Ky veprim nuk mund të krahasohet me dhënien mes’h mesteve, sepse nuk mund të lahen këmbët pa i hjekë mestet, prandaj lejohet dhënia mes’h mbi meste. Në anën tjetër, transferimi i veprimin nga larja në dhënie mes’h për kokën konsiderohet lehtësim (rusa), e për një gjymtyrë të trupit nuk bashkohen dy lehtësime.

Mendimi i dytë.

Disa nga dijetarët e medhhebit hanbelij janë të mendimit se lejohet dhënia mes’h vetëm mbi çallmë apo vetëm mbi shami dhe, nuk është obligim që mes’hi detyrimisht të jepet mbi kokë, nëse plotësohen kushtet e saj[13]. Pra, këtë mendim ata e kushtëzuan me disa kushte që janë:

  • Që çallma apo shamia të mbulojnë tërë kokën apo shumicën e saj, me përjashtim të veshëve,
  • Që çallma apo shamia të jenë të cilësuara si çallma të myslimanëve dhe të vështirësojë hjekjen e saj nga koka,
  • Çallma apo shamia të vendohen në kokë pasi të ketë marrë abdes duke e bërë analogji me mestet.[14]

Argumente ku këta dijetarë mbështetën mendimin e tyre janë:

Ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ “fërkoni kokat tuaja,[15]. Vërtetë Allahu xh.sh. ka urdhëruar dhënien mes’h kokës, porse Pejgamberi [Alejhis-selam] është ai i cili e shpjegoi më së miri këtë ajet në mënyrë praktike duke i dhënë mes kokës mbi çallmë.

Këtë e vërteton hadithi i transmetuar nga Bilali r.a. ku thotë: i Dërguari i Allahut [Sal-lall-llahu Alejhi ve sel-leme] ka bërë mes’h mbi meste dhe mbi mbulesën e kokës. Muslimi. Nga ky hadith Bilali transmeton se pejgamberi a.s. mes’hin e ka bërë vetëm mbi çallmë dhe mbi meste, dhe nuk përmend se bashkë me to i ka dhënë mes’h edhe kokës, e kjo nënkupton se urdhri kur’anor zbatohet duke i dhënë mes’h kokës apo edhe vetëm çallmës[16].

Shënim:

Është vërtetuar shkencërisht se një e katërta kokës, respektivisht pjesa e përparme që studiuesit e mjekësisë alternative e quajnë Çakra 7 e shtatë shpirtërore, konsiderohet si qendra e energjisë shpirtërore që e ndihmon besimtarin islam të qëndrojë para Zotit të tij. Prandaj kur kokës i jepet mes’h gjatë abdesit, aktivizohet qendra e energjisë shpirtërore dhe trupi fizik absorbon energji shpirtërore.

Chakrat janë qendra energjie të quajtura rrota të dritës (ar. axhlatu min en-nur), e këto qendra janë burim i energjisë në trupin e njeriut. Pa këtë energji, njeriu do të ishte paralizuar dhe në fakt secila qendër e energjisë rrotullohet në drejtim të akrepave të orës në pjesën e përparme, dhe anasjelltas në pjesën e pasme, ku gjenerohen një numër fushash jetësore. Sa i përket numrit të chakrave, trupi i njeriut ka qindra të tilla, por janë shtatë qendra kryesore dhe secila prej tyre ka ngjyrën e vet, dhe gjithashtu ka efektin e saj në një gjëndër të caktuar endokrine dhe një organi të caktuar.


  • [1] Imam San’ani, Subulu es-selam, 1/76.
  • [2] El Mebsut, 1/10, Tebjinul hakaik 1/52, sherh fet’hul kadir 1/157
  • [3] Hashijetu ed-desuki, 1/164
  • [4] El Mexhmuu 1/407 ,
  • [5] El Huxhetu ala ehlil Medine, 1/15.
  • [6] Suretu El Maide 06.
  • [7] Sherh fet’hu kadir, 1/157, el munteka sherhul muvata 1/75.
  • [8] Xhesasi, El Ahkamul Kur’an 2/351.
  • [9] Muslimi, Ebu Davudi, Nisaiju etj.
  • [10] Ebu Davudi, në librin Et-tahare-pastërtia- kapitulli mesh’hi mbi Çallmë 1/104.
  • [11] Imam Bejhekiju në Sunenul Kubra në librin e pastërtisë , kapitulli obligimi i mes’hit mbi kokë 1/100.
  • [12] Imam Ibni Ebi Shejbe në Musanifin e tij në librin Dispozitat e pastërtisë, në kapitullin “ata që mendojnë se nuk jepet mes’hi mbi çallmë porse mbi kokë” 1/29. Dubjani në librin mevsuatu Ahkami et-tahare thotë Senedi i hadithit është Sahih.
  • [13] Mesailu et-tahare min kitab El huxhetu ala ehlil medine, Muhamed ibn Hasan Shejbani, f. 34. El Mugni 1/222, el furu 1/204.
  • [14] Omer ibn Muhamed ibn Omer ebu Sem’an, mesailu et-tahare min kitab “el huxhetu ala ehlil medineti li imam Muhamed ibn Hasan Esh-shejbani (dirase fshije mukarene), f. 19. botuar nga Xhamiatul Az’har, imadetu dirasat ulja, kuleje esh-sheria kish fikhul mukaren.
  • [15] Suretu el Maide, 06
  • [16] Nejlul evtar 1/208, El Mugni, 1/219

Shkrime të ngjashme