Pyetja:

Esselamu alejkum!
Profesor i nderuar, cili është mendimi i dijetarëve rreth leximit të Fatihasë në namaz, dhe e prishet namazi në rast të mos leximit të kësaj sure në namaz?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Të nderuar, ajo që e karakterizon këtë sure nga suret e tjera e që dijetarët muslimanë janë unikë në mendimet e tyre, është fakti se kjo sure lexohet në të gjitha reqatet e namazit dhe është e pazëvendësueshme nga ndonjë sure tjetër apo pjesë tjetër e Kur’anit. Mirëpo, dijetarët muslimanë nuk janë unikë në mendimet e tyre, sa i përket dispozitës së leximit të sures së Fatihasë në namaz dhe vlefshmërisë apo mosvlefshmërisë së namazit pa leximin e kësaj sure.

Sipas mendimit të përfaqësuar nga Imam Thevriu dhe dijetarët e medh’hebit hanefi, dispozita e leximit të Fatihasë në namaz është vaxhib. Mendimi i tyre ka mbështetje në Kur’anin Fisnik dhe në sunnetin e Pejgamberit s.a.v.s. Argument nga Kur’ani, se leximi i Fatihasë është vaxhib, është ajeti ku Allahu xh.sh. ka thënë: “Dhe lexoni sa të jetë më lehtë prej Kur’anit”[1] Ky ajet edhe pse flet për leximin e Kur’anit në namazin e natës, në te përfshihen edhe namazet tjera obligative për shkak të gjithëpërfshieshmërisë së shprehjes. Dijetarët e medh’hebit hanefi ajetin në fjalë e shpjeguan kështu: Urdhri për lexim të Kur’anit, që nënkupton farzin, është i pa kushtëzuar me ajet të veçantë, dhe nënkupton se leximi i një pjese më të vogël që mund të quhet Kur’an, e plotëson obligueshmërinë e leximit, respektivisht farzin. Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes, fjala më e shkurtë që mund të quhet Kur’an, është fjala e përbërë prej gjashtë shkronjave si p.sh. “Thumme nadhare” ose “Lem jelid”, kurse sipas mendimit të Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhammedit, për t’u plotësuar farzi i leximit të Kur’anit në namaz, së paku, duhet lexuar tre ajete të shkurta ose një ajet i gjatë.

Argument nga sunneti që vërteton se leximi i Fatihasë është vaxhib, kemi edhe hadithin e transmetuart nga Ebu Hurejreja r.a. i cili shpjegon se një njeri kishte hyrë në xhami, ku ishte falur, e më pas erdhi dhe e përshëndeti Pejgamberin s.a.v.s.. Pejgamberi s.a.v.s. pasi pranoi selamin, i tha: “Kthehu dhe falu, sepse ti nuk je falur”! Ai u kthye, u fal dhe sërish u kthye te Pejgamberi s.a.v.s., e ai përsëri e urdhëroi të kthehet dhe të falet! Personi u kthye dhe për herë të tretë u fal dhe i tha: Pasha atë që të ka dërguar pejgamber të vërtetë, nuk di të falem më mirë. Pejgamberi s.a.v.s.i tha: “Kur të dëshirosh të falish namazin, kompletoje abdesin, pastaj kthehu kah kibleja dhe merre tekbirin, e pastaj lexo nga Kur’ani atë që të vjen më lehtë, pastaj bëre ruqunë derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrihu nga ruquja derisa të drejtohesh plotësisht, pastaj bëre sexhdenë, derisa të qetësohesh në sexhde, pastaj ngrihu nga sexhdeja derisa të qetësohesh ulur, pastaj sërish bëre sexhden derisa të qetësohesh, e pastaj ngrihu në këmbë dhe drejtohu,dhe vazhdo kështu në tërë namazin tënd”[2]

Nga hadithi në fjalë, dijetarët e medh’hebit hanefi, përfituan dispozitën e vaxhibit, sepse Pejgamberi s.a.v.s. personin në fjalë kur e kishte mësuar se si duhet të falet, i kishte thënë që të merrë tekbirin e pastaj të lexojë atë që e di më së miri nga Kur’ani, e sikur leximi i Fatihasë të ishte farz, atëherë patjetër se do t’i kishte thënë se pas tekbirit duhet ta lexojë suren Fatiha. Për ndryshe nuk do të ishte e logjikshme që Pejgamberi s.a.v.s .t’ia kishte përmendur të gjitha farzet me përjashtim të leximit të Fatihasë, e veçanërisht kur dihet fakti se e kishte kthyer disa herë për ta kompletuar namazin e tij.

Argument tjetër racional që e përdorin dijetarët e medh’hebit hanefi se dispozita e leximit të Fatihasë është vaxhib e jo farz, është se nuk lejohet shtesa e diçkahit me argument jo të prerë, mbi dispozitën e cila është vërtetuar me argument të prerë në Kur’an, sepse nga argumenti Ahad mund të përfitojmë dispozitën e vaxhibit e jo të farzit. Andaj nga kjo na bëhet me dije se dispozita e leximit të Fatihasë arrin vetëm shkallën e vaxhibit e jo edhe të farzit.

Nga kjo që u tha deri më tani, nënkuptohet se, sipas këtij mendimi, mos leximi i Fatihasë nuk shkakton prishjen e namazit në esencë, porse shkakton mangësi në namaz, pra namazi është i vlefshëm por me mangësi dhe me kerahet.

Më gjerësisht për këtë çështje dhe mendimet e dijetarëve tjerë, shiko librin “Shpjegimi i sures El-Fatiha”, nga libri im.

Allahu e di më së miri

__________________
[1] El-Muzemmil: 20.
[2] Buhariu dhe Muslimi (Mutevatir).

Shkrime të ngjashme