Shkruan: Jusuf ZIMERI
Ahmed b. Muhamed b. Ahmed b. Xhafer b. Hamdani ebul Husejn el bagdadi El Kudurij[1]. Ka lindur dhe ka vdekur në Bagdad. Emrin el Kudurij e kishte marrë nga një fshat afër Bagdadit ku kishte lindur. Kuduriu kishte mësuar nga shumë mësues e më të njohurit ishte Abdullah Muhamed b. Jahja el Xherxhani. Ishte mendjeprehtë saqë shumë shpejt u afirmua dhe e fitoi titullin Dijetar i hanefijve (shejhul hanefije”. Kuduriu nuk kishte botuar shumë vepra, porse karakteristika e veprave të tija ishte kualiteti i tyre në aspekin shkencor. Shkroi veprën “Muhtesar fi furuil hanefije”, vepër kjo e cila e fitoi epitetin “El Kitab” andaj sa herë që përmendet emri “el Kitab” te dijetarët e hanefijve, nënkuptohet se bëhet fjalë për këtë vepër, sepse kjo vepër është një nga veprat bazore të medhhebit hanefij. Këtë vepër më vonë e kanë shpjeguar shumë dijetarë e në mesin e tyre Ebu Bekr Muhamed b. Alij b. Musa el Hadadi (800) në veprën e tij me emër “Xhevheretu En-nijere”, pastaj nxënësi i tij me veprën “Sherhul Akatai”. Këtë veprë e kanë shpjeguar edhe dijetarë të mëvonshëm si Shej Abdulgani el Gunejmi Ed-Dimeshkij el Midani në veprën e tij shumë të njohur me emrin “El-lubab fi sherhil kitab” në dy vëllime. Nga veprat tjera të tija janë edhe libri i tij i njohur me emrin “Et-texhrid” në shtat vëllime ku përmbledh dallimet mes dy shkollave juridike Shafiij dhe Hanefij. Pastaj vepra e tij “Et-Tekrib” në të cilën përfshinë dallimet mes medhhebit hanefij. Imam Kuduriu ka vdekur në Bagdad në moshën 66 vjeçare.
[1] .Abdulganij el Gunejmi el Midanij, el-lubab fi sherhil kitab 1/25, Mevsuatu islamije el mujesere 9/1857, El Ealam li Hajrudin Ez Zirkijilij.- Ibni Kutlubuga, taxhu Et-teraxhim fi tabekatil hanefijeti.- Ismail pasha el Bagdadi, hedijetul arifin.