Një ndër shtyllat esenciale të islamit është edhe Haxh-xhi. Me shprehjen (El haxhxhu) në kuptimin gjuhësorë nënkuptojmë vizitë, kurse në kuptimin terminologjik të sheriatit islam do të thotë: “Vizita e veçantë në vendin e veçantë (Qabe-Arefat) në kohën e veçantë me veprime dhe nijet të caktuar.
Nga definicioni i lartpërmendur nënkuptohet se haxhi nuk është vetëm udhëtim i thjeshtë, por ai është udhëtim i veçantë përmes së cilit kryhet edhe adhurim All-llahut xh.sh.[1]. Gjithashtu gjatë kryerjes së haxhit patjetër të kryhen obligimet e caktuara sipas parimeve islame dhe atë në kohën dhe vendin e caktuar.
Meqë haxhi është ibadet i cili kryhet në kohë, koha në të cilën duhet të realizohet ky adhurim janë muajt e Sheval, Dhulka’de, dhe dhjetë ditët e para të Dhulhixh-xhes, respektivisht kulminacioni i saj kryhet me 9 dhulhixh-xhe, që haxhiu patjetër duhet të jetë në Arefat..
Haxhi është bërë obligim kah mbarimi i vitit të nëntë hixhrinj. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme haxhin e bëri vitin e dhjetë që do të thotë një vit pas obligueshmërisë së tij dhe atë për arsye se ajeti kur’anor i cili e bëri obligim haxhin kishte zbritur pasi që kishte kaluar koha e haxhit. Ky është mendimi më objektiv edhe pse ka edhe mendime tjera.
Obligueshmëria e haxhit.
Haxhi është obligim islam Farz për ata që i plotësojnë kushtet njëherë brenda jetës së tyre. Obligueshmëria e haxhit obligohet me këtë ajet ku All-llahu xh.sh. thotë:
فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَقَامُ إِبْرَاهِيمَ وَمَنْ دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًا وَمَنْ كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنِ الْعَالَمِينَ
“Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt, Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit”[2]
Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë:
بُنِيَ الْإِسْلَامُ عَلَى خَمْسٍ شَهادَةِ أَنْ لا إِلَهَ إِلا اللَّهُ وَأَنَ مُحَمّدا رَسُولُ اللَهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ والْحَجِّ وَصَومِ رَمَضَانَ
“Islami është ngritur në pesë shtylla: dëshmia se nuk ka Zot tjetër, përveç All-llahut dhe se Muhammedi Alejhis-selam është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit për ata që kanë mundësi.”[3]
Haxhi është obligim një herë në jetë. Argumenti se haxhi është obligim njëherë në jetë është hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejra ku thotë:
عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ خَطَبَنَا رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَقَالَ أَيُّهَا النَّاسُ قَدْ فَرَضَ اللَّهُ عَلَيْكُمُ الْحَجَّ فَحُجُّوا فَقَالَ رَجُلٌ أَكُلَّ عَامٍ يَا رَسُولَ اللَّهِ فَسَكَتَ حَتَّى قَالَهَا ثَلَاثًا فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لَوْ قُلْتُ نَعَمْ لَوَجَبَتْ وَلَمَا اسْتَطَعْتُمْ
I dërguari i All-llahut mbajti një ligjëratë në mes tjerash tha: “ O ju njerëz! All-llahu ua ka bërë obligim haxhin atëherë bëni atë. U ngrit një njeri nga mesi i tyre dhe tha: “A për çdo vit o i Dërguari i All-llahut? Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme heshti derisa njeriu përsëriti atë tri herë pastaj Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: “Sikur të kisha thënë po do t’u bënte obligim e ju nuk do të kishit mundur .(që ta kryeni haxhin çdo vit).”[4]
Urtësitë e haxhit حكمة الحج
S’ka dyshim se haxhi është adhurim (ibadet) i cili në vete ngërthen urtësi të shumta e që sa për ilustrim do t’i përmendim vetëm disa nga to.
– Haxhi është obligim fetar, i cili i mundëson njeriut të përkujton historinë e Pejgamberit tonë të nderuar, vuajtjet e tij, kontributin, angazhimet e tij për përhapjen e fesë islame etj. Në të njëjtën kohë njeriut ia përkujton edhe të kaluarën e Pejgambereve të mëparshëm e në veçanti historinë e Ibrahimit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe të birit të tij Ismailit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme.
– Haxhi është ibadet i cili bënë shlyerjen e gabimeve dhe mëkateve[5]. Lidhje me këtë Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme Muhammedi Alejhis-selam ka thënë:
وَالْحَجُّ الْمَبْرُورُ لَيْسَ لَهُ جَزَاءٌ إِلَّا الْجَنَّةُ
“Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos xhenetit.[6]
Gjithashtu në një hadith tjetër Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë
مَنْ حَجَّ لِلَّهِ فَلَمْ يَرْفُثْ وَلَمْ يَفْسُقْ رَجَعَ كَيَوْمِ وَلَدَتْهُ أُمُّهُ
“Kush e bënë haxhin dhe nuk bënë marrëdhënie seksuale, nuk bënë mëkate kthehet i pastër nga mëkatet sikur atë ditë që e ka lindur nëna e tij”.[7]
– Haxhi është adhurim nëpërmes të cilit njeriu falënderon All-llahun xh.sh shumë për begatitë e dhuruara. Gjithashtu prej dobive të haxhit është edhe kjo se njerëzit gjatë kohës së haxhit njoftohen mes veti me vëllezërit e tyre nga mbarë bota pa dallim rase, gjuhe, pozite dhe vendin e tyre ku jetojnë.
– Haxhi ia mëson njeriut parimet e edukatës dhe se si duhet të jetë ai i sjellshëm, i moralshëm dhe i edukuar. Haxhiu gjatë kohës së haxhit e ka të ndaluar të shajë, ka të ndaluar të këputë lule, gjethe, të shkatërron gjelbërimin në atë vend, t’i thyen drunjtë etj.
[1] Haxhi nuk është turizëm, siç jemi mësuar të dëgjojmë shpeshë herë nga njerëz jo kompetent për këtë çështje.
[2] Ali Imran : 97
[3] Buhariu nga Abdullah b. Omeri
[4] Buhariu
[5] Mëkatet të cilat është shkak haxhi për shlyerjen e tyre janë mëkatet e vogla, kurse për mëkatet e mëdha doemos duhet penduar sinqerisht te All-llahu xh.sh..
[6] Buhari
[7] Buhari