Shkruan: Prof. Jusuf  ZIMERI

Paguximi dhe koprracia (ar. El xhubnu vel buhlu)

Në hadithin e transmetuar nga Enes Ibni Maliki r.a. i cili ka thënë: i kam shërbyer (bërë hizmet) të Dërguarit të Allahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme]. dhe shpeshherë e dëgjoja e ai e shtonte thënien: “O Zoti im, kërkoj ndihmën tënde të më mbrosh nga shqetësimi dhe derti, kërkoj mbrojtjen Tënde të më mbrosh nga pamundësia dhe dembelizmi, kërkoj ndihmën Tënde të më mbrosh nga paguximi dhe koprracia” Buhariu

 

Paguximi

Paguximi dhe koprracia janë dy atribute të cilat nëse e shoqërojnë njeriun, shkaktojnë shqetësime te besimtari islam qoftë si individ apo si shoqëri, ulin standardin e lartë të mirësjelljes dhe karakterit të besimtarit islam. Paguximi që në terminologjinë e jurisprudencës islame njihet me nocionin “el xhubnu” siç e definon Fejruz Abadi është dobësi zemërore për ta vepruar një veprim që duhet detyrimisht të veprohet. Prandaj, si të tillë Pejgamberi a.s. është lutur dhe njëkohësisht na ka mësuar edhe neve që të lutemi në vazhdimësi apo siç thotë vetë Pejgamberi a.s. pas çdo namazi që të na mbrojë nga kjo cilësi që është paguximi.

Vlerësohet kështu ngase guximi i mundëson njeriut që të ketë dinjitet të lartë dhe të mbajë standarde të fuqishme në jetën e përditshme. Guximi  sipas parimeve të sheriatit islam është parimor, dhe bazë për realizimin e qëllimeve të larta dhe të shenjta me të cilat është ngarkuar njeriu si krijesë më e përsosur. Guximi si forcë e brendshme e njeriut që buron nga kuraja e shpirtit dhe e besimit i mundëson njeriut që të shtypë hidhërimin e tij, të shtypë egon e tij. Vlerësohet kështu ngase guximi i siguron një fuqi stabiliteti të brendshëm te njeriut. Prandaj Pejgamberi a.s. kur e definoi këtë forcë të brendshme e definoi duke thënë: “I fuqishëm nuk është ai i cili mposhtë të tjerët fizikisht, por i guximshëm është ai i cili përmbahet dhe kontrollon veten e tij në momentet kur hidhërohet.

Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejreja r.a. i cili thotë: e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “më e keqja që është te njeriu është koprracia e alarmuar (koprracia e cila e pengon njeriun që të kryej edhe obligimet e tija që i ka obligim ndaj shoqërisë) dhe frika (paguximi) i tepruar ( që e bënë personin sikur ti dalë zemra nga vendi”.

Kadi Ijadi në veprën e tij “ikmalul maalim bi fevaidil muslim” duke iu referuar  hadithit të pejgamberit a.s. thotë se Pejgamberi a.s. na mësoi si duhet të kërkojmë ndihmë nga Allahu xh.sh. që të na mbrojë nga paguximi dhe koprracia, të na japë guximin për të kryer detyrimet tona, për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat tona, për ta thënë të vërtetën, për të ndihmuar ata që janë të shtypur dhe për tu përballuar me zullumqarët e kriminelët pavarësisht të cilës natyrë janë ata, për ta luftuar të keqën dhe padrejtësinë.

Shumë dijetarë islamë kanë folur kanë folur për cilësinë e paguximit dhe kanë radhitur edhe pasojat e kësaj cilësie në shoqërinë islame. Nga pasojat e mos guximit dijetarët islam kanë radhitur:

  1. Paguximi është cilësi e hipokritëve, që besimtari islam e ka për detyrim të lirohet menjëherë prej kësaj cilësie. Vlerësohet kështu ngase njeriu i pa guximshëm shpeshherë për shkak të frikës së tij miraton veprime apo ide të cilat e dinë se janë të dëmshme, por në paguxim për ta thënë të vërtetën pajtohet me të pavërtetën, e kjo është shenjë e hipokrizisë.
  2. Paguximi është simptomë e dobësimit të besimit në Allahun Një, sepse në mungesë të besimit ai frikohet nga faktorët tjerë të cilët mund ta dëmtojnë, por harron ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: “Kurrë nuk mund të ndodhë me ne diç tjetër, përveç asaj që ka përcaktuar Allahu xh.sh. për ne, Ai është Mbikëqyrësi jonë dhe vetëm Allahut duhet t’i mbështeten besimtarët”. Teuvbe :51.
  3. Paguximi ndikon në humbjen dhe reduktimin e kryerjes së obligimeve dhe në përfitimin e të drejtave ndoshta edhe ato më elementare të njeriut.
  4. Paguximi mbjell shtrëngim dhe ngushtim të gjoksit, humbjen e rehatisë dhe qetësisë shpirtërore po pse jo edhe fizike e psikike, duke humbur shijen e kënaqësisë dhe gëzimit, për shkak të përzierjes së sendeve.
  5. Paguximi shpien edhe në humbjen e lejimin e ndalimeve apo ndalimin e lejimeve, e edhe në humbjen e vatanit dhe gjithçka që ndërlidhet me të.

Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha këto pasoja dhe shumë të tjera, vërtetohet fakti se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me plotë të drejtë na porositi që pas çdo namazi të kërkojmë ndihmën e Allahut xh.sh. që të na ruaj dhe largojë nga kjo cilësi e shëmtuar.

Nëse shfletojmë literaturën islame, me theks të veçantë biografinë e Pejgamberit a.s. dhe të sahabëve, me lehtësi gjejmë se Pejgamberi a.s. në vazhdimësi jo vetëm në mënyrë teorike, por edhe praktike dëshmojë për guximin si element vendimtarë për ta nxjerrë të vërtetën dhe të drejtën në sipërfaqe. Vetë fillimi i komunikimit të islamit, në ato kushte dhe rrethana të pa favorshme janë argument për guximin e pejgamberit a.s. dhe vendosshmërinë e tij për të bërë ndryshime fillimisht në çështjet e besimit, e për rrjedhojë edhe ndryshime social, shoqërore, ekonomike, morale etj.

 

Koprracia

Koprracia është një tjetër cilësi për të cilën pejgamberi a.s. na mësoi se duhet kërkuar ndihmën e Allahut xh.sh. për tu mbrojtur nga kjo cilësi e shëmtuar. Koprracia e cila në terminologjinë e islamin njihet me nocionin “el buhlu” është cilësi e cila sjell pasoja të rënda si te individi ashtu edhe në shoqërinë njerëzore dhe si në jetën e kësaj bote ashtu edhe në jetën e botës tjetër. Prandaj edhe Kur’ani Famëlartë koprracinë në forma të ndryshme e përmendë shtatë herë, në gjashtë sure të Kur’anit famëlartë. Me nocionin Koprraci në terminologjinë e sheriatit islam nënkuptojmë të kundërtën e fisnikërisë.

Koprracia nuk mund të jetë asnjëherë cilësi e pranuar te besimtari i mirë, sepse pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Dy cilësi nuk mund të gjenden asnjëherë te besimtari islam, që janë: koprracia dhe edukata e keqe”.

Koprraci përkufizohet si njeri dorëmbyllur, dorështrenjtë i cili nuk posedon ndjenja të mjaftueshme të ndihmës dhe humanizmit. Ai bënë përpjekje të grumbullojë sa më shumë pasuri në jetën e tij, por gjithnjë ekspozohet si njeri i varfër, por llogaritë në jetën e botës tjetër do ti bëhen si njeri i pasur. Kjo kategori e njerëzve janë të urryer jo vetëm te njerëzit por edhe te Allahu xh.sh.. Këta nuk shprehin gatishmëri ti ndihmojnë të tjerët, bile as familjet dhe të afërmit e tyre, saqë shkojnë deri në atë shkallë sa frika e tyre e thellë se do tu pakësohet pasuria, ata nuk janë të gatshëm të paguajnë as obligimet materiale, siç janë zekati, sadekaja etj. Për këtë kategori të njerëzve Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë:

“Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë nga të mirat e veta që u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Padyshim, koprracia do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. All-llahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, All-llahu është i njohur mirë më atë që veproni”. Ali Imran : 180

Në një ajet tjetër në suren El Hadith Allahu xh.sh. thotë:

Për të mos u dëshpëruar për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë juve, Perëndia nuk i do lavdëruesit dhe vetmburrësit. Ata që janë koprracë dhe nxisin edhe të tjerët në koprraci. E ata që i shmangën urdhrit, me të vërtetë, Perëndia është i pavarur (i pasur) dhe i lavdërueshëm. El Hadid: 23-24.

Në një hadith Pejgamberi a.s. thotë: “Keni frikë padrejtësinë (zullumin) sepse padrejtësia Ditën e Kiametit do të paraqitet e shumëfishuar, kini frikë koprracinë sepse koprracia ka shkatërruara ata që ishin para jush dhe i hodhi në gjakderdhje dhe në lirimin e gjërave të ndaluara” Muslimi.

Në një rast të dërguarit të Allahut xh.sh. dikush nga sahabët ia përmendi një grua të cilën e lavdëronte se vërtetë ajo agjëronte shumë dhe falte shumë namaz, por kishte një mangësi se ishte koprrace, atëherë Pejgamberi a.s. tha: “E cila është mirësia e saj pra?!”

Prandaj marrë parasysh faktin se koprracia si cilësi është diametralisht nëkundërshtim me parimet e besimit, moralit, fisnikërisë dhe humanizmit, atëherë me të drejtë pejgamberi a.s. për të mos rënë pre e kësaj cilësie na mësoi që gjithmonë pas çdo namazi ti lutemi Allahut xh.sh. që na mbrojë nga kjo cilësi e shëmtuar e besimtarit islam.

Për ta përfunduar këtë temë të shkurtë, por e përfundojë me thënien e motrës së Omer ibn Abdulazizit ra. e cila ka thënë: “Mjerë për koprracin, sikur koprracia të ishte këmishë kurrë nuk do ta kisha veshur, e sikur të ishte rrugë kurrë nuk do të kisha ecur asaj rruge”

Shkrime të ngjashme