Autor: Jusuf ZIMERI

Sikur edhe çdo ibadet tjetër në islam i cili ka kushtet e veta, ashtu edhe haxhi që të jetë i vlefshëm ka kushtet e veta. Kushtet e haxhit mund të jenë:
1. Kushtet e obligueshmërisë
2. Kushtet e obligueshmërisë së kryerjes së haxhit
3. Kushtet e vlefshmërisë së haxhit

Kushtet e obligushmërisë së Haxhit

Kushtet e obligueshmërisë së haxhit janë ato kushte nga të cilat varet obligushmëria e kësaj shtylle Islame, që do të thotë se nëse ekzistojnë këto kushte njeriu obligohet me haxh e në të kundërtën nuk obligohet me këtë obligim, e që janë :

1. Islami
Haxhi është obligim me të cilin obligohen vetëm myslimanët.

2. Logjika – mençuria
Haxhi nuk është obligim për të çmendurin, sepse ai nuk është i aftë për kryerjen e obligimeve për shkak të humbjes së logjikës së tij.

3. Liria
Haxhi është obligim për të lirin ngase robi nuk posedon pasuri që të kryej këtë obligim.

4. Mosha – bulugi
Haxhi nuk është obligim për të vegjlit, sepse obligimet fillojnë me pubertetin (Bulugin), andaj ai i cili nuk ka hyrë në vitet e pubertetit nuk obligohet me dispozitat e jurisprudencës islame.

5. Dituria për obligueshmërinë e haxhit
Për njerëzit të cilët pranojnë islamin e që jetojnë në shtetin e quajtur “Darul Harb” dituria për obligueshmërinë e haxhit është kusht i obligueshmërisë, kurse për ata që pranojnë islamin dhe jetojnë në shtetin Islam dituria për obligushmërinë e haxhit nuk është kusht..

6. Koha
Nëse besimtari islam posedon pasuri për kryerjen e haxhit në muajt e haxhit që janë Shevali, Dhul Ka’de dhe dhjetë ditët e muajit Dhulhixh-xhe, atëherë i obligohet kryerja e haxhit. All-llahu xh.sh. thotë:

الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ

Haxhi është në muajt e caktuar”[1]

7. Mundësia fizike dhe materiale .

Nga kjo nënkuptojmë që personi të jetë i shëndoshë fizikisht dhe të ketë pasuri të mjaftueshme që të siguron ushqimin e nevojshëm derisa të kthehet, për vete dhe për familjen e tij për të cilën kujdeset duke mos bërë koprraci dhe mos shpenzuar pa nevojë. Gjithashtu nënkuptohet edhe mjeti i udhëtimit varësisht nga mundësia e tij fizike

8. Siguria e rrugës
Me këtë nënkuptohet që rruga të jetë e sigurt dhe e lirë.

Ata të cilët nuk kanë mundësi të udhëtojnë për në haxh për shkak të pamundësisë fizike, apo për shkak të pasigurisë, kanë për obligim që në vend të tyre të çojnë dikë tjetër që t’ua kryen haxhin gjatë jetës së tyre apo të lënë porosi për kryerjen e haxhit pas vdekjes së tyre.

Kushtet e vlefshmërisë së haxhxhit
Këto kushte janë ato kushte pa të cilat nuk mund të jetë haxhi i vlefshëm me mungesën e tyre dhe nuk shkarkohet nga obligimi i farzit e as që arrin thevabin pavarësisht se a mungojnë të gjitha këto kushte apo vetëm disa nga to e që janë:
1.
Hirami në haxh e që është për qëllim nijeti bashkërisht me telbijen.
2.
Koha e caktuar e që janë muajt e haxhit (Sheval, Dhul Ka’de dhe dhjetë ditë të muajit Dhulhixh-xhe).
3.
Vendi i caktuar që All-llahu xh.sh ka caktuar për kryerjen e farzeve të haxhit.
4.
Moskryerja e marrëdhënieve imtime gjatë haxhit.

Kushtet e veçanta për gjininë femërore

Krahas kushteve të përgjithshme që vlejnë për dy gjinitë, për gjininë femërore ekzistojnë disa kushte specifike që duhet plotësuar ajo për kryerjen e haxhit e që janë:

 1. Që femrën gjatë udhëtimit për në haxh ta shoqëron bashkëshorti i saj apo mahremi[2]. Këtë e vërteton hadithi që e transmeton Ibni Abasi r.a. nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë:

 ثَلَاثَةَ أَيَّامٍ إِلَّا مَعَ ذِي مَحْرَمٍ لَا تُسَافِرِ الْمَرْأَةُ

“Nuk (ka të drejtë) të udhëton gruaja tri (ditë) vetëm se me Mahremin e saj”[3]

Mahrem quhet personi me të cilin gruaja nuk ka të drejtë martese të përhershme pavarësisht pengesa a qëndron nga farefisnia, qumështi apo miqësia.

2 .Që gruaja të mos jetë në pritje ideti nga shkurorëzimi apo nga ideti i vdekjes së bashkëshortit, sepse në këtë kohë ajo e ka të ndaluar të dalë nga shtëpia e burrit, apo shtëpia e përcaktuar që ajo të qëndrojë në të.

Referencat
[1] El bekare : 197
[2]
Mahrem konsiderohet personi të cilit i ndalohet martesa me të siç është babai, vëllai, djali etj.
[3] Buhariu

Shkrime të ngjashme