Pyetja:
Esselamu alejkum!
Jam fillestare në faljen e namazit dhe desha të di nëse lutjet duhet të bëhen brenda namazit apo jashtë tij, pra pasi që të jepet selamit? Dhe e dyta, a mund t’i lexohen qelime një të riu që ka vdekur?
Përgjigjja:
E nderuara motër, fillimisht ju uroj të vazhdoni faljen e namazit; Allahu ju udhëzoftë aty ku Ai është i kënaqur. Duatë dhe lutjet bëhen pas përfundimit të namazit, pra pas dhënies së selamit, edhe pse ka lutje që bëhen edhe brenda namazit. Se cilat janë ato lutje, për fillim, ju kisha preferuar të lexoni ndonjë Ilmihal ku gjërat do t’i mësoni më në detaje.
Sa i përket pyetjes se a lejohet të bëhen qelime për të vdekurin në moshën e re, siç e përcaktoni ju moshën njëzetvjeçare, themi se po, bënë të bëni edhe qelime, dhikre të tjera, lexim Kur’ani, sadeka, etj., kurse sevapet e fituara t’ia dhuroni të vdekurit, dhe sigurisht se do t’i arrijnë inshalla dhe do ta ndihmojnë. Ky është mendimi i shumicës dërmuese të dijetarëve të mirëfilltë islam, i mbështetur në ajete dhe hadithe.
Allahu e di më së miri!
________________
Jusuf Zimeri
Shtator, 2011