Autor: Jusuf ZIMERI
12.11.2010
Sipas të gjitha gjasave në shoqërinë tonë, manipulimi dhe përdhosja e vlerave që i posedon qytetari dhe shoqëria e jonë islame, nga individë, grupacione, e edhe organizata dhe shoqata të ndryshme, që për fat të keq bartim emra të mirë dhe të këndshëm, është bërë çështje e rëndomtë.
Fatkeqësisht në emër të humanizmit, bëmirësisë, solidaritetit dhe islamit, këto janë vetëm disa kode që disa njerëz po i përdorin apo më mirë thënë keqëpërdorin për të mbushur xhepat dhe kontot e tyre, që askush nuk i kontrollon dhe kinse para askujt në këtë jetë nuk japin llogari e as përgjegjësi.
Këtyre ditëve sa përfundoi organizimi i haxhit 2010, që zgjati afërm dy muaj kur mediumet tona në vend si ato lokale ashtu edhe ato kombëtare pa ndërprerë reklamonin emra të çuditshëm të lloj lloj agjencioneve, duke u afruar haxhilerëve shërbime profesionale dhe transparencë të plotë për kryerjen e haxhit. Marrë parasysh faktin se vizat e haxhit dikush i ka marrë nga dora e parë e dikush nga dora e dytë, edhe çmimet ishin relativisht të ndryshme nga agjencioni në agjencion. Me gjithatë dihet një fakt, kur bisedon me përfaqësuesit e agjensive turistike, të gjithë janë unik se këtë punë nuk e bëjnë për përfitime të tyre materjale, sepse sipas tyre, ata nuk fitojnë, por e bëjnë për të qenë në shërbim të popullit dhe pse jo edhe të islamit ! Po, po, në shërbim të popuuuullit, thonte “Xhaxhi”, për ta ndihmuar popullin sepse ata nuk kanë nevojë të shkojnë në haxh. Këto parulla tanimë i kemi mësuar nga partitë politike para dhe gjatë kampanjave zgjedhore, sepse shsumica e tyre nuk janë të interesuar për pushtet, as për poste, por e kanë patjetër për të ndihmuar popullin.
Në fund menduam, se shyqyr Zotit ata që e patën nijet të shkojnë në haxh shkuan, inashalla na kthehen shnosh e mirë e rehat dhe me haxh, sepse jo rrallë herë disa patrapazë tregëtarë të ndihmuar edhe nga disa të vetëquajtur hoxhallar matrapaz dinë ti çojnë njerëzit deri në Meke dhe ti kthejnë pa i plotësuar kushtet e haxhit, e ne të qetësohemi pak nga propagandat parahaxhillëkut, sepse jemi lodhur me premtime e sa i përket zbatimit të premtimeve, na falni por ato i kemi lënë në vendlindje se këtu kemi punë tjera.
Mirëpo ja që sa shkuan haxhit, filluan malipulimet me një vlerë tjetër islame që quhet Kurban. Propaganda nga të gjitha anët, në çdo këndë, në parullat,”ti ndihmojmë jetimët” “ti ndihmojmë të varfërit” etj etj, njerëzit shfrytëtojnë që në mënyrë perfide ti mbushin xhepat e tyre, sepse në fund sërish do të jenë të lavdruar dhe të falënderuar hajdutët. Ja si bëhet kjo punë: një kurbanë kushton njëqind (100) Euro, pastaj ata që nuk kanë mundësi të presin kurbanët me dorën e tyre, pagujnë për qëllime të mira dhe të pastra, për të realizuar obligimin e tyre fetar, dhe unë besoj se shpërblimi i tyre do të jetë sipas qëllimit, por shtrohet pyetja, a mund që çështja e Kurbanit si ibadet islam, ti besohet çdokujt që më emrë të një shoqate apo organizate humanitare?!. Këtë le ta mendojnë qytetarët, por e jona është tu sqarojmë atë që e shohim me sytë tonë, e qytetarët këtë mund ta vërejnë nëse vizitojnë tregjet e kafshëve. Atje, në tregun e kafshëve këto tregëtarë manipulatorë me emër të ibadeteve për kurbanë i blejnë kafshët më të dobëta, që është në kundërshtim me parimet e përgjithshme dhe mësimet islame që kanë të bëjnë me kurbanin. I blejnë këto kafshë për shkak të çmimit të lirë prej 400-500 Euro, kafshën e cila mund të pritet për shtatë persona, apo për shtatë kurbanë, e që është paguar 700 Euro nga besimtarët islam. Po pra, kjo është formual që nuk e dinë shumica përveç atyre që janë bërë ekspertë të kësaj çështje që është: “Ujku i ngopur dhe bagëtia në numër”. Pastaj mjaft indikative është edhe çështja e shpërndarjes së mishit të kurbanit dhe lëkurave, si dhe çështjeve tjera që ndërlidhen me kurbanin.
Kjo është mashtrim klasik që i bëhet qytetarëve dhe besimtarëve islam, e Pejgamberi a.s. për ata që e mashtrojnë shoqërinë islame thotë: “Nuk është nga ne ai që na mashtron neve”.