Pyetje
Selamu alejkum, profesor i nderuar desha te ju pyes për çështjen e martesës me dy motra për një kohe, pse me herët ka qen e lejuar kurse tani është e ndaluar, nëse ka mundësi disa fjale rreth kësaj çështje. selam
Përgjigje.
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotë, kurse salavatet dhe selamet mbi të Dërguarin tonë Muhamed Mustafan s.a.v.s.. familjen e tij, shokët dhe gjithë besimtarët islamë.
I nderuari Besim, marrë parasysh faktin se me aktin e martesës fillojnë bërthama e ndërtimit të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi, këtë çështje islami e rregulloi dhe sistemoi në mënyrë precize, në atë formë që të ruajë interesin e përgjithshëm shoqërorë pa e dëmtuar interesin individual.
Fillimisht po theksoj se martesa me dy motra në një kurorë, në sheriatin Islam asnjëherë nuk ka qenë akt i lejuar, porse një veprim i tillë ekzistonte vetëm në kohën e xhahilijetit. Kjo vërtetohet me ajetin Kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë: ..Ndalohet .. që të bashkoni (në një niqah –në një kohë) dy motra…“.[1]
Pejgamberi a.s.avs në një hadith ka thënë: “Kush beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, mos ta zbrazë spermën e tij në mitrën e dy motrave (në një kurorë) sepse të bashkuarit e dy motrave (në një niqah) shpie në shkëputjen e marrëdhënieve, kurse shkëputja e marëdhënieve është e ndaluar”.[2]
Jo vetëm kaq, por në këtë dispozitë të ndalesës përfshihen edhe ndalesat nga qumështi, sepse ndalohet nga qumështi ajo që ndalohet nga gjaku. Pra. Nga kjo nënkuptohet se ndalohet për burrin që në një kohë të bashkojë në martesë dy motra që nuk janë të lindura nga një nënë, por janë vetëm motra nga qumështi, që nënkupton se vetëm se kanë thithur gji të një nënë.
Pastaj Sheriati islam shkoi edhe më larg, sepse Pejgamberi s.a.v.s. ndaloi edhe bashkimin në një niqah të hallës dhe mbesës- bijës së vëllait, e as të vajza me tezen e saj. Lidhur me këtë transmeton Ebu Hurejre nga Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk bashkohen bashkëshortja dhe halla e saj, as bashkëshortja dhe tezja e saj“. [3]
I Nderuar, fukahat Islamë duke u bazuar në ajetin e lartpërmendur dhe në hadithet e Pejgamberit a.s. kanë vendosur këtë rregull: Nëse njërën nga këto dy femra (që dëshiron ti keshë në një kurorë) e shndërrojmë në burrë, dhe asaj i ndalohet martesa me tjetrën “ atëherë nuk lejohet bashkimi i tyre në një kurorë.. Mu për këtë këto dy femra ndalohen që për një kohë të jenë të martuara për një burrë.
Në fund konstatojmë se martesa e dy motrave në një kohë është veprim i ndaluar (HARAM) dhe një akt i tillë asnjëherë nuk ka qenë i lejuar në Islam. Përjashtim nga ky rregull bëhet, vetëm atëherë kur vdes gruaja e parë, atëherë lejohet për burrin ta martojë motrën e gruas së parë, andaj konsiderohet se ndalesa e martesës së dy motrave për një kohë, është nga ndalesat e përkohshme e jo nga ato të përhershme.
M[ë gjerë shih veprën” E drejta familjare në islam, nga I. Abazi, T. Bislimi, F. Ebibi dhe J. Zimeri.
Allahu qoftë i kënaqur.
Nga: Jusuf ZIMERI
Llojan, 13. 11.2011
[1] Sure En-Nisa : 23
[2] Tebjinul Hakaik Liz-Zejleij f. 103
[3] Buhariu, Fet’hul Bari 9/113, Termidhu 3/433 nr. 1126