Martesa me të afërmen/min, nxitje e panevojshme

Shkruan: Jusuf ZIMERI

 Në shoqërinë tonë islame apo shqiptare, shpeshherë trajtohen dhe zhvillohen disa debate dhe polemika me një nivel aq të zjarrtë, saqë të mbushte mendja, se ne, të gjitha detyrimet tjera, qofshin fetare apo kombëtare i kemi të zgjedhura dhe e vetmja çështje që na ka ngelur pa e zgjedhur është kjo që po e debatojmë. Jo rrallë herë këto debate shpien edhe drejt konflikteve jo vetëm psikologjike, por edhe atyre verbale e fizike.

Ku ta di unë, ndoshta kjo është si pasojë e mentalitetit ballkanik ekstrem, ndoshta si pasojë e mosnjohjeve të çështjeve qofshin ato fetare apo shkencore, ndoshta si pasojë e bigotizmit individual që posedojmë, ndoshta nga të gjithë nga pak, por më së shumti më duket se kjo është si pasojë e pranimit të ndonjë detyre konkrete nga ndonjë instancë tjetër, për të përçarë këtë popull edhe ashtu të lodhur e rraskapitur në të gjitha lëmit e saja, si nga sfera politike, ekonomike, fetare, kombëtare, shkencore, sociale etj etj.

Kësaj radhe kemi fjalën për një dukuri që po merr përmasa ekstreme, më konkretisht kemi fjalën për “martesën me të afërmin-men”, apo thënë edhe më shkurtë martesa me vajzën e mixhës. Jo vetëm që mendoj por jam shumë i bindur se kjo temë në listën tonë të prioriteteve, qofshin fetare apo kombëtare duhet të jetë e fundit për debat, andaj si duket dikush e ka kthyer listën mbrapsht, dhe po mendon se është nga prioritetet e para. Në vazhdim do të mundohemi të sqarojmë se cili është qëndrimi i Islamit ndaj kësaj çështjeje dhe a kundërshtohet tradita e jonë kombëtare me këtë rregull të islamit, respektivisht ku janë kufijtë e jurisprudencës islame rreth kësaj çështjeje.

Qëndrimi i Islamit ndaj martesës

Në bazë të argumenteve dhe parimeve të përgjithshme islame, konstatohet se norma e rëndomtë ligjore për martesë është “Sunnet”[1], kurse kjo normë është variabile në bazë të rrethanave dhe kushteve që paraqiten me kohën, si te individi, ashtu në shoqëri. Andaj kjo normë, mund që nga sunneti të ngritët në Farz[2], apo vaxhib[3], dhe njëkohësisht të zbret në Mekruh[4] apo edhe Haram[5], pra varësisht nga rrethanat e paraqitura.

Ajo që është detyrimore sipas islamit, pavarësisht nga lloji i dispozitës së martesës, është fakti se kontrata e martesës mes dy palëve, për të qenë e shëndoshë – e vlefshme është kusht që të mos ekzistojë ndonjë pengesë juridike që pengon lidhjen e kontratës së martesës. Juristët islamë, kur i diskutuan këto kushte në detaje, konstatuan se pengesat e kurorëzimit sipas jurisprudencës islame janë dy lloje, që janë:

–          Pengesa të përkohshme, të cilat mund të evitohen në momente të caktuara, dhe pas evitimit të lejohet kontrata e martesës mes dy palëve, dhe

–          Pengesa të përhershme, që nënkupton se me ekzistimin e këtyre pengesave, apo njërës prej tyre, kontrata e martesës është e ndaluar përgjithmonë mes këtyre dy palëve.

Ndalesat e martesës së përhershme përqendrohen në njërin prej këtyre tre shkaqeve që janë: për shkak të afërsisë nga gjaku, për shkak të afërsisë krushqisë dhe për shkak të afërsisë nga qumështi (nëse janë ushqyer te gjiri i një nëne).

Argument për këto ndalesa kemi ajetin kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë: “U janë ndaluar juve të martoheni me:

– nënat tuaja,

– bijat tuaja,

– motrat tuaj,

– hallat tuaja,

– bijat e vëllait,

– bijat e motrës,

– nënat tuaja që ju kanë dhënë gji,

– motrat nga gjiri,

– nënat e grave tuaja dhe

– vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja me të cilat patët kontakt, e nëse nuk keni patur kontakt me to atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza),. dhe

– (janë të ndaluara) gratë e bijve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijëve të adoptuar), dhe

– të bashkoni (përnjeherë në një niqah) dy motra, përpos asaj që ka kaluar..”.[6]

Imam Ibni Kethiri në tefsirin e tij[7], gjatë komentimit të këtij ajeti kur’anor sjell një transmetim nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë: Për shkak të lidhjes familjare ndalohen shtatë grupe të martesës, gjithashtu ndalohen shtatë nga krushqia, e pastaj e lexoi ajetin e lartpërmendur[8].

Si argument tjetër Ibni Kethiri në tefsirin e tij, poashtu regjistron edhe hadithin e pejgamberit a.s. nga Aisheja r.a. e cila ka thënë: Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: Gjidhënia ndalon në martesë atë që e ndalon afërsia familjare,[9] kurse te Imam Muslimi ky hadith gjendet me tekstin: “Ndalohet martesa nga qumështi me të gjithë ata që ndalohet nga lidhja familjare”[10]

Nga ky ajet kur’anor qartë na bëhet me dije se, cilat janë ato femra me të cilat ndalohet martesa me to, pavarësisht shkakun, porse ndalimi është i përhershëm, kurse sa i përket femrave tjera në ajetin pasues, respektivisht në ajetin 24 të kësaj sure, All-llahu xh.sh. thotë: “U janë lejuar, pos këtyre (që u përmendën më lart).[11]

Lejimi nuk nënkupton detyrim

Nga ajeti i lartpërmendur dhe shumë argumente tjera poashtu nga sunneti i Pejgamberit a.s. nënkuptojmë se përmes shpalljes (vahjit) janë përcaktuar vijat e kuqe, pra kufijtë e ndalesës, kurse ato femra që janë jashtë këtyre kufijve lejohet martesa me to. Nga kjo nënkuptohet se të afërmit tjerë nga gjaku, por që nuk janë përfshirë brenda kufijve të ndalesë për martesë, martesa me to është e thjesht vetëm lejim pa obligim, pa detyrim dhe pa nxitje dhe se largimi i martesës me to është më i preferuar. Në këtë i nxiste shokët e tij edhe vetë pejgamberi a.s. duke thënë: “Largohuni (në martesë) mos u dobësoni“.[12]

Dispozita e lejimit “mubah” sipas asaj që e definuan shkencëtarët e Usuli Fikhut, është: Ajo vepër që ligjdhënësi të obliguarit i ka dhënë mundësi zgjedhjeje që të veproj apo mos veproj.[13] Dispozita e mubahit është se, mos vepruesi i tij nuk meriton sanksion për mos veprim, bile nuk i shqiptohet as qortim, e në anën tjetër vepruesi i mubahut nuk ka ndonjë shpërblim për shkak të vetë veprës e as ndonjë lëvdatë.[14] Ky rregull vjen në shprehje për të gjitha veprimet që dispozita e tyre është e lejuar (mubah).

Kur jemi te rasti konkret, pra te martesa me vajzën e mixhës, dijetarët unanim janë të mendimit se martesa me të ka dispozitën e mubahit (lejimit) dhe këtë askush nuk e ka kontestuar nga dijetarët islamë, e edhe në këtë çështje vlen rregulli i Usulit që e përmendëm më parë. Andaj mendoj se dikush këtë çështje po e trajton nga prizmi i eksesit dhe neglizhencës (el ifratu ve tefritu), e që të dy këto shpijnë drejtë çrregullimeve sociale e familjare më shumë se sa të praktikohet një mendub. Nga kjo që u tha nënkuptojmë se askush nga muslimanët nuk do të ketë përgjegjësi e as qortim para Allahut xh.sh. për shkakun se nuk ka martuar vajzën e mixhës, dhe njëkohësisht askush nuk do të ketë ndonjë privilegj të caktuar para Allahut xh.sh. se e paska martuar vajzën e mixhës. Kjo është bërthama që ne duhet kuptuar, sepse detyrimet qofshin ato në ndalesa apo veprime si dhe lejimet që përcaktohen në Kur’anin fisnik nuk kufizohen në kohë dhe vend, andaj ndoshta edhe mu këtu qëndron sekreti që Allahu xh.sh.ofroi alternativa në rastet konkrete por nuk obligoi. Në anën tjetër, Mësuesi i njerëzisë, Muhamedi a.s. kur na mësoi se cilat janë karakeristikat që mashkull duhet ti pëlqejë te një femër për të bërë kontratë martese dhe për të formuar familje të shëndoshë nuk lokalizoi as në afërsi as në largësi, por tha: “Femra martohet për katër cilësitë: për shkak të pasurisë së saj, për shkak të prejardhjes familjare,  për shkak të bukurisë, dhe për shkak të fesë së saj. (E ti) jepi përparësi fesë, qetësoje vetveten”[15]. Pra, zgjedhja e të fejuarës me cilësi të denja fetare, është baza dhe esenca e jetës së lumtur bashkëshortore, e nuk ka lidhje afërsia familjare.

Është interesant të përmendim faktin se disa nga dijetarët islamë, këtë çështje e klane shtjelluar shumë në detaje, e në mesin e tyre edhe shumë dijetarë nga medhhebi shafiij, të cilët kanë këtë qëndrim: Është mustehab (e preferuar) që femra të cilën dëshiron ta fejosh, respektivisht ta martosh të mos jetë në lidhje të ngushtë familjare (normalisht është për qëllim jashtë rrethit të ndalimit) dhe atë për dy arsye, që janë[16]:

–          Dobësimi i epshit për shkak të afërsisë, kurse fëmijët mund të jenë shëndetligë, të dobët. Sipas tyre fuqia e epshit vjen si rezultat i ndjeshmërisë përmes shikimit dhe prekjes, e kjo ndjenjë rritet dhe përforcohet te femrat që janë më të largëta në lidhje familjare.[17]

–          Nga qëllimet e kurorëzimit është edhe afrimi i njerëzve dhe fiseve mes veti, e ky qëllim në martesën e të afërmes e humb prezencën e vet, andaj martesa me më të largëtën nga fisi është më e preferuar se nga afërsia nga gjaku.[18]

Përmbyllje

Meqë kjo dispozitë është mubah (e lejuar) dhe se për të nuk ka as qortim e as shpërblim në esencë, kjo ishte arsyeja që më nxiti të them në fillim se nuk është në listën e prioriteteve tona, përveç nëse dikush dëshiron nxitje dhe përçarje.

Në anën tjetër nëse këtë çështje e kundrojmë nga aspekti i traditës dhe këtë problematikë e studiojmë nga aspekti historik i saj, me lehtësi do të konstatosh se kjo çështje kryesisht ka të bëjë me traditën e një populli, apo vendi. Në anën tjetër ne jemi të vetëdijshëm se tradita sipas usulistave në terminologjinë e jurisprudencës islame definohet: “Veprimi që njerëzit e kanë pranuar si të tillë, e që zë vend në shpirtrat e tyre dhe një gjë të tillë e pranon karakteri i shëndoshë.[19]

Traditë e shëndoshë është atëherë kur njerëzit kanë një traditë që është e njohur në mesin e tyre dhe, nuk bie ndesh me parimet dhe argumentet e sheriatit islam. Nëse këtë problematikë e kundrojmë nga tradita e popullit tonë, gjejmë se populli jonë nuk e ka traditë të martojë bijtë dhe bijat e tyre me të afërmit, e kjo traditë aspak nuk bie ndesh me parimet dhe argumentet e islamit, që nënkupton se si e tillë duhet të respektohet. Për kundrazi këto veprime thyejnë shumë ndjenja në popullin tonë dhe ndoshta ndikojnë edhe negativ në mentalitetin tonë, andaj jo që nuk e shoh të arsyeshme këtë veprim, por përkundrazi mund të sjellë edhe pasoja të pa parashikuara, e e tërë kjo do të bëhej në emër të një veprimi që dispozita e saj është mubah (e lejuar) , saqë edhe nëse veprohet nuk kemi ndonjë shpërblim apo lavdërim për të.

Ve bil-lahi teufik.


[1] Martesa Sunnet është kur personi i plotëson kushtet e martesës dhe është në gjendje të mbrohet prej amoralitetit.

[2] Martesa Farz është ajo martesë kur personi i plotëson kushtet e martesës e që nuk është në gjendje të mbrohet prej jetës amorale.

[3] Martesa vaxhib është kur personi i plotëson kushtet e martesës e që nuk është i sigurtë se pa martesë nuk do të mund të ruhet prej jetës amorale

[4] Martesa mekruh është kur personi është i pa sigurtë për ti zbatuar obligimet e martesës.

[5] Martesa Haram është kur personi nuk i plotëson kushtet e martesës. Martesa pa plotësimin e kushteve shkakton pasoja dhe dëme te bashkëshortja

[6] Suretu En Nisa : 23

[7] Ismail b. Omer b. Kethir el Kureshij Ed-dimeshkij, 2/247 Daru Tiba, 2002.

[8] Po aty

[9] Imam Buhariu

[10] Imam Muslimi

[11] Suretu En Nisa : 24

[12] E drejta familjare islame, I. Abazi, T. Bislimi, F. Ebibi dhe J. Zimeri.

[13] Taxhedin Bislimi, Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, f.204,Shkup, 2003.

[14] Po aty.

[15] Ebu Davudi

[16] Nihajertul muhtaxh f. 184

[17] Ebu hami del Gazali, Ihj ulumud-din 2/41.

[18] Esiraxhul vehhaxh, 1/360.

[19] Taxhedin Bislimi, Hyrje në shkencën e Usuli Fikhut, f.142,Shkup, 2003

Shkrime të ngjashme