Mënyra e faljes së suneteve të Iqindisë dhe Jacisë

Pyetja:
Esselamu alejkum!
I nderuar hoxhë, jam një 19 vjeçar dhe ka ca kohë që kam filluar namazin ta bëj rregullisht, mirëpo kam pak paqartësi te synetet e dy namazeve. Dëshirojë të më tregoni se si falet syneti i namazit të Iqindisë dhe ai i Jacisë, i cili falet para farzit. A kanë ndonjë dallim nga synetet e tjera?

Përgjigjja:Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
Elhamdulil-lahi rab-bilaalemine ves-salatu ves-selamu ala resulin ve ba’d…

I nderuar vëlla, fillimisht ju uroj për punën e mirë që keni filluar ta bëni, dhashtë Zoti që gjithmonë të jetoni më ëmbëlsirën namazit dhe ibadeteve tjera.
I nderuar, katër rekatet sunet të iqindisë dhe katër reqatet sunet të Jacisë që falen para Farzit janë sunete jo të forta (gajri muek-kede). Kjo nuk donë të thotë se nuk duhet falur, por kemi fjalën për përcaktimin e dispozitës së tyre. Meqë këto dy namaze, pra suneti i Iqindisë dhe i Jacisë kanë të njëjtën dispozitë, falen plotësisht njëjtë pa asnjë dallim, me përjashtim të nijetit ku te suneti i Iqindisë e bëni nijetin: Vendosa me e falë sunetin e Iqindisë, kurse te sunetii Jacisë: Vendosa me e falë sunetin e Jacisë . Ky është i vetmi dallim.
I nderuar, pas farzit të Iqindisë mos falni namaz sunet, sepse namazi sunet është nga namazet nafile e pas farzit të iqindisë është e ndaluar falja e namazit nafile, kurse pas farzit të Jacisë i falni edhe dy rekate namaz nafile, e pastaj falni namazin e Vitrit. Suneti Iqindisë dhe i Jacisë falen si vijon: Pas nijetit, e merrni tekbirin dhe lidheni në namaz dhe lexoni pa zë: Subhanen, Eudhu bil-lahin, Bismil-lahin, Elhamin një sure apo ajete nga Kur’ani, pastaj e bëni Rukuin si në namazet tjera, ngriheni nga Rukui e më pas shkoni në sexhde dhe i bëni dy sexhde dhe ngriheni në rekatin e dytë. Në Rekatin e dytë lexoni Elhamin, një sure, pastaj shkohet në Ruku, pastaj në sexhde dhe rrini në Etehijatin e parë ku do të lexoni: Et-tehijatin dhe shehadetin si dhe salevatet. Pasi t’i përfundoni Salevatet ngriheni në rekatin e tretë dhe lexoni plotësisht si në rekatin e parë, e edhe në rekatin e katërt lexoni plotësisht si në rekatin e dytë dhe qëndroni në uljen–etehijatin e dytë ku lexoni: Et-tehijatin, shehadetin, salevatet dhe duan Allahum-me rab-bena nëse e dini, pastaj jepni selam në të djathtë e edhe në të majtë dhe përfundon suneti. Kjo vlen edhe për sunetin e Iqindisë edhe për të Jacisë. Këtë e keni nëpër Ilmihalla të shumtën gjuhën shqipe. Allahu ju përforcoftë.

Vallahu ealem.
____________
Jusuf Zimeri
Janar, 2010
www.breziiri.com

Shkrime të ngjashme