Nuk ka dilemë se namazet nafile – sunete që i bashkëngjiten namazeve farze, kanë trajtim komplementar të farzeve. Pikërisht për këtë arsye për trajtimin e këtyre namazeve ekzistojnë disa rregulla precize dhe preferenca që namazliu duhet respektuar krejt me qëllim që të arrijë formën më të përkryer dhe shpërblimet më të larta nga ky iradet-adhurim.Në mesin e rregullave të faljes së namazit është edhe preferenca se besimtarit islam nuk i lejohet të flasë apo të bëjë muhabet për interesa të jetës së kësaj bote me dikë në kohën mes faljes së sunetit dhe farzit, pavarësisht se bëhet fjalë për sunetin që falet para farzit apo për sunetin që falet pas farzit. Në veprën Resailul Erkan të El Ensarijut thuhet: të folurit mes farzit dhe suneteve të kohës është veprim i urryer (mekruh), sepse suneti konsiderohet si kompletim i farzit, andaj besimtari islam nuk duhet të angazhohet me asnjë veprim apo fjalë të interesit të jetës së kësaj bote. Kjo mbështetet në hadithin eku i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush i falë pas namazit të akshamit dy rekate sunet pa folur me askënd, namazi i tij ngritët në qiellin e shtatë (ilijin). Hadithi në fjalë argumenton se mos folja me dikë mes faljes së namazit farz dhe sunet është veprim i preferuar që nënkupton se nëse flitet diçka, namazi është i vlefshëm, por e humbë sevapin e premtuar që është ngrita e këtj veprimi në pozicionet më të larta, e që është i kushtëzohet me mosfoljen mes farzit dhe sunetit.
Shkruan: Jusuf ZIMERI
Dijetarët islam (fukahat) thonë: Nëse bëhet fjalë për sunetet të cilat janë para farzit, siç është suneti i sabahut, drekës etj, dhe namazliu llafosë me dikë për ndonjë interes të kësaj bote, për ta arritur vlerën dhe sevapin e premtuar ka mundësi përmirësimi duke e përsëritur namazin e sunetit, jo se namazi i tij nuk është i vlefshëm, por vetëm për të arritur sevapin e premtuar.
Mirëpo, nëse bëhet fjalë për sunetet që falen pas farzit, bisedat mes farzit dhe sunetit nuk i japin mundësi falësit që të përmirësojë këtë mangësi, vetëm nëse e përsëritë edhe namazin farz, por sipas rregullit nuk përsëritet namazi farz për shkak të mangësisë në sunet.
Në këtë çështje Imam Shafiu r.a. dhe dijetarët e hadithit janë të mendimit se llafosja apo muhabeti mes farzit dhe sunetit nu e dëmton sunetin dhe nuk ka nevojë të përsëritjes. Ky mendim mbështetet në hadithin e transmetuar nga Aisheja r.a. e cila ka thënë: “Pejgamberi a.s. kur i falte dy regate sunet të sabahut, nëse unë isha e zgjuar llafosej me mua, e nëse jo shtrihej për të pushuar derisa thirrej ezani për namaz” (Buhariu).
Mirëpo ky hadith sipas juristëve nga shkolla juridike hanefite nuk është argument për mos ndalimin e muhabetit. Edhe këta dijetarë që ndalojnë muhabetin dhe llafosjen nuk ndalojnë leximin e Kur’anit, salavatet, dhikret e ndryshme etj, por ndalojnë muhabetin e kotë. Pejgamberi a.s. tërë jetën e tij, tërë kohën e tij e ka shfrytëzuar në kompletimin e detyrimit (farzit) të thirrjes islame, prandaj fjalët tona dhe llafosja e jonë, nuk janë të njëjta me fjalët e Pejgamberit a.s., prandaj ky hadith nuk është argument që ndalon këtë që e themi ne. Imam Ebu Lejth Es-Semerkandi në veprën e tij “Bahrul ulum” është përgjigjur për këtë çështje duke thënë: tërë veprimtaria e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në kontinuitet ishte brenda kornizave të dhiarit, prandaj çdo veprim dhe çdo fjalë e tij konsiderohet veprim për kompletimin e thirrjes islame dhe përfshihet brenda dhiareve të të Allahut, andaj nuk ka mundësi që të bëhet analogji mes fjalëve tona dhe fjalëve të Pejgamberit a.s.
Ky mendim përforcohet edhe me transmetimin e imam Termidhiut që regjistron hadithin nga Aisheja me shprehjen: “Kur Pejgamberi a.s. i falte dy reqate sunet të sabahut, nëse kishte nevojë për diçka më fliste me mua, e nëse jo dilte në namazin e sabahut”. (Hasen es-sahih) Nga hadithi kuptohet qartë se ai fliste me Aishen r.a. kur kishte nevojë, e për nevojën e të folurin kur patjetër duhet folur nuk ka kundërthënie mes fukahave, por kundërthënia është kur pas sunetit i shtrihet muhabetit siç e kemi ne traditë.
Imam Ebu Davudi në Sunenin e tij regjistroon hadithin e transmetuar nga Maliki, ky nga Salim Ebu En-Nadri, ky nga Ebi Seleme ibn Abdurrahman e ky nga Aisheja e cila ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur përfundonte me namazin e natës, shihte nëse isha e zgjuar më fliste e nëse isha fjetur më zgjonte, pastaj falte dy regate e më pas shtrihej pushonte derisa vinte myezini dhe thirrte ezanin për namazin e sabahut, pastaj falte dy reqate të lehta dhe dilte për namazin sabahut”. Ky hadith na argumenton faktin se Pejgamberi a.s. fliste me Aishen pasi përfundonte nga namazi i natës, por para faljes së sunetit të sabahut. Megjithatë nëse dëshirojmë të veprojmë sipas harmonizimit të transmetimeve atëherë konstatojmë se disa herë pejgamberi a.s. i fliste Aishes pas sunetit të sabahut për shkak të nevojës, e disa herë pas përfundimit të namazit të natës.
Ky mendim përforcohet edhe transmetimin e Ibni Ebi Shejbes nga Ibni Mes’udi, të cilin e regjistron edhe Taberani në “El kebir” nga Atai ku thotë:Ibni Mes’udi r.a. doli në namazin e sabahut , gjeti njerëzit duke bërë muhabet mes veti dhe i ndaloi duke u thënë: I jeni përgjigjur namazit, ose faluni, ose heshtni”.