Autor: Jusuf ZIMERI
Namazi i bajramit është ligjësuar vitin e parë sipas hixhretit. Argumenti për ligjësimin e tij është hadithi i Pejgamberit a.s. që e përmbledhë ebu Davudi të transmetuar nga Enesi r.a., ku ka thënë: ”Erdhi Pejgamberi a.s. në Medine (banorët e Medinës) kishin dy ditë në të cilat luanin, e Pejgamberi a.s. tha: ”ç’janë këto dy ditë? I thanë: “Në këto dy ditë luanim edhe në xhahilijet (injorancë).
Pejgamberi a.s. tha: ”Vërtet, All-llahu xh.sh. na i ka ndërruar këto dy ditë me dy më të dobishme; dita e Fitër Bajramit dhe e Kurban Bajramit.”
Falja e namazeve të bajrameve është vaxhib, dhe obligohet për ata që i plotësojnë kushtet e namazit të xhumasë. Namazi i bajramit ka dy reqate ngjashëm sikur namazi i xhumasë dhe kushtëzohen të gjitha ato kushte që që i përmendëm për namazin e xhumasë, pavarësisht se a bëhet fjalë për kushtet e obligueshmërisë apo të vlefshmërisë. Nga ky rregull përjashtohet vetëm hutbeja e cila është kusht i vlefshmërisë e që ditën e xhuma aplikohet para namazit, kurse te namazi i bajramit pas namazit. Gjithashtu ndërron edhe dispozita e hutbes që në namazin e xhumasë është farz, kurse në namazin e bajramit është sunnet.
Koha e namazit të bajramit fillon pasi që dielli të ngrihet nga lindja 30-45 minuta dhe vazhdon deri para zenitit.
Namazi i Bajramit është dy reqate, dhe falet si vijon. Së pari bëhet nijeti kështu: ”Vendosa me falë namazin e fitër apo kurban bajramit, për hir të All-llahut xh.sh., u ktheva kah kibla iu bashkëngjita imamit”. Pastaj imami bashkërisht me xhematin merr tekbirin fillestar. Lidhet në namaz, si zakonisht, dhe e lexon Subhanen. Pastaj imami bashkërisht me xhematin merr tre tekbiret e bajramit që në terminologjinë e Sheriatit quhen “Tekbiruz-zevaid”, dhe në secilin tekbir ngrihen edhe duart deri te lobulli i veshit. Pastaj imami lexon me zë suren Fatiha dhe një sure, e është sunet që në reqatin e parë të lexohet sureja El Eala. Në rekatin e dytë imami lexon Fatihanë dhe një sure, e që është sunet sureja El Gashije dhe pastaj merr tre tekbiret e bajramit ngjashëm sikur në rekatin e parë, kurse në tekbirin e katërt shkohet në ruku, pastaj në sexhde dhe në uljen e fundit lexojmë et-tehijatin dhe salavatet e pastaj japim selam. Pasi që të përfundojë namazi i bajramit, xhemati rri ulur duke e përcjellë ligjëratën e ligjëruesit i cili bën sqarime rreth dispozitave të fitër bajramit apo të kurban bajramit. Në fund bëhet lutja e përbashkët ku në këtë mënyrë përfundon edhe namazi i bajramit.
Tekbiri Teshrik
Tekbiri i teshrikut është vaxhib pas faljes së çdo farzi për burra dhe gra, vetmas apo me xhemat, eda apo kaza. Gratë tekbirin teshrik e citojnë me zë të ulët. All-llahu xh.sh. thotë:
واذكروا الله في أيام معدودات
“All-llahun përmendni në ditët e caktuara (në ditët e Bajramit).
Thënia e tekbireve teshrik fillon me faljen e namzit të sabahut ditën e Arefatit dhe përfundon ditën e tretë të teshrikut, respektivisht ditën e katërt të bajramit me namazin e iqindisë. Teksti i tekbirit është si vijon:
ألله أكبر ، ألله أكبر لاإله إلا الله والله أكبر، ألله أكبر ولله الحمد
“All-llahu ekber, Allahu ekber la ilahe il-lall-llah vall-llahu ekber, All-llahu ekber ve lil-lahil hamdu”
Nëse ka kaluar namazi i Bajramit pa e falë me imam, ai nuk bëhet kaza, sepse namazi i Bajramit nuk mund të konsiderohet afrim tek All-llahu xh.sh. pa i plotësuar disa kushte të cilat nuk mund të plotësohen vetëm.
Namazi i Fitër Bajramit me arsyetim mund të prolongohet vetëm deri ditën e nesërme. Sa i përket namazit të Kurban Bajramit ai mund të prolongohet deri në ditën e tretë, ngase ai është i ndërlidhur me prerjen e kurbaneve, do të thotë lejohet falja e namazit të Kurban Bajramit deri sa të lejohet therja e kurbanit. Mirëpo, nëse prolongohet deri në ditën e tretë, por pa justifikim juridik, ky namaz është i vlefshëm ,por me mëkat.
Sunnetet e Bajramit
Përveç sunneteve të xhumasë, që janë sunnet edhe në namazin e bajramit në bajram shtohen edhe disa që janë:
– Në Në Fitër bajram të hanë diçka para se të dalë në namaz dhe mundësisht që ai ushqim të jetë hurme apo ndonjë send tjetër i ëmbël, kurse në Kurban Bajramin është sunnet që mos të hanë asgjë para se të falët namazi i Bajramit.
– Që gjatë rrugës për në namazin e Fitër Bajramit të thotë tekbiret në heshtje, kurse në Kurban Bajramin me zë.
– Që në xhami të shkojë për një rrugë, e kur të kthehet të mos kthehet në të njëjtën rrugë.
– Që në Fitër Bajram të paguajë sadekatul fitrin para se të falë namazin e Bajramit.
Sa i përket mendubeve të Bajramit do t’i potencojmë disa nga to që janë: T’ i vizitojnë varrezat pas namazit të Bajramit, t’i vizitojë të afërmit e tij, shokët, të sëmurit, të rrisë shpërndarjen e sadekave, sipas mundësive të tija etj.