3. Mbulimi i avretit (Setru-l-avreti)
Shprehja “avret“ në terminologjinë e Sheriatit islam nënkupton: obligueshmërinë e mbulimit të pjesëve të trupit në të cilat ndalohet shikimi i tyre. Mbulimi i këtyre pjesëve është obligim i përgjithshëm fetar që nënkupton se mbulimi i tyre është obligim edhe jashtë namazit, kurse sa i përket mbulimit të avretit brenda namazit ai është kusht i vlefshmërisë së namazit edhe nëse falet në errësirë. Argumenti se mbulimi i avretit është kusht i namazit ekziston në Kur’an, në sunnet dhe në konsensus. All-llahu xh.sh. thotë:
يَا بَنِي آدَمَ خُذُوا زِينَتَكُمْ عِنْدَ كُلِّ مَسْجِدٍ
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje).[1]
Kurse argument për mbulimin e avretit nga sunneti është hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku thotë: “Oj Esma! Vërtetë gruas kur t’i paraqiten menstruacionet nuk lejohet që të shihet nga ajo (femra) përveç kësaj e kësaj (dhe Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme bëri me isharet në fytyrën dhe duart e tij)” [2]
Avreti i meshkujve është prej kërthizës e deri nën gjunjë, që do të thotë se grunjtë janë avret. Avreti i femrës, është i tërë trupi me përjashtim të fytyrës, duarve prej nyjave të dorës dhe këmbëve deri te zogjtë e këmbëve. Ky është avreti i femrës për meshkuj, kurse avreti i femrës për femrat tjera është sikur avreti i meshkujve, do të thotë prej kërthizës deri nën gjunjë.
Mbulimi i pjesëve të turpshme është kusht i vlefshmërisë së namazit pa marrë parasysh se për çfarë gjymtyre bëhet fjalë, mashkull apo femër. Nuk mund të hyhet në namaz nëse avreti është i shpalosur, e nëse gjatë faljes së namazit duket 1/4 e një pjese të trupit që është avret dhe zgjatë një kohë sa mund të kryhet një shtyllë e namazit e që konsiderohet thënia tri herë “Subhanall-llah”, namazi prishet.
Personi i cili nuk ka me çka të mbulojë avretin, qoftë edhe mëndafsh[3], apo baltë[4] ose hashash apo me ndonjë ujë të përzier[5], atëherë falet ulur, me këmbë të shtrira në drejtim të kibles, kurse me duart e tija mbulon avretin e tij të rëndë, kurse rukuin dhe sexhden e bënë me sinjale duke lëvizur kokën.
Referencat
[1] El Araf: 31.
[2] Ebu Davudi.
[3] . Sepse farzi i mbulimit të avretit është më i fuqishëm se sa veshja e mëndafshit në këtë rast. Hashijetu Ibni Abidin.
[4] . Që rri në trupin e njeriut derisa të falet. Durul muhtar sherh tenvirul ebsari.
[5] . Sa që për shkak të reflektimit nuk duket trupi i tij. Hashijetu Ibni Abidin.