Shkruan: Jusuf ZIMERI

Muhamedit nuri ju falë ma i parë,

Hem e dashti Zoti kto hiç ska inqar

                 Gjith sa send që osht i mirë hem a makbul

                 Shubhe s’ka hiç gjinet aj ty ky resul

Ja dha haki shejtit ja banitemam

Pejmelekve veç e ndau tu kan insan.

                 Prej nurit tij fali Zoti gjith ça ka

                 Tok e qiell hem ndërmjet tyre her sa ka

Autori i Mevludit Tahier ef. Popova, me këto rreshte përshkruan disa merita dhe cilësi që Muhamedin a.s. e shndërrojnë në krijesën më të dashur te Allahu xh.sh. Në mesin e atyre cilësive është edhe Nuri (drita) që ju dha Muhamedit a.s. para se ky nur ti jepej ndonjë krijese tjetër.

Në hadithin e transmetuar nga Mejserete Ed-Dabiju thotë: e pyeta: O i Dërguari i Allahut, kur ke qenë Pejgamber? Tha: “Atëherë kur Ademi ishte mes shpirtit dhe trupit”[1] Në hadithin tjetër të transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. ku thotë se disa nga shokët e Pejgamberit a.s. e pyetën atë duke i thënë: O i Dërguari i Allahut, kur të është vërtetuar ty Pejgamberllëku? Pejgamberi a.s. tha: “Kur Ademi a.s. ishte mes shpirtit dhe trupit” do të thotë se kur pejgamberit a.s. i është vërtetuar pejgaberllëku i tij, është momenti  kur Ademit a.s. i ishte krijuar trupi i tij, por nuk i ishte dhënë shpirti, ngjashëm sikur embrionit në barkun e nënës i afrohet jeta, furnizimi dhe çështjet tjera para se t’i futet shpirti- jeta.

Imam Jusuf Ismail En-Nebhani, në veprën e tij “elenvarul muhamedije min mevahib ed-dinije” thotë:

Dije se kur Allahu xh.sh. deshi të shpalos të vërtetën e  Tij dhe të krijojë krijesat, fillimisht shpalosi të vërtetën e Muhamedit  nga nuret (dritat) e tij pastaj atë  e zbarkoi në tërë botën lartë dhe poshtë, pastaj ia bëri të ditur pejgamberllëkun e tij, e Ademi në atë kohë siç thotë Pejgamberi a.s. ishte mes shpirtit  dhe trupit”.

Në transmetimin që vjen nga Imami dhe Shejhi Tekujdin Es-Subkiju pos tjerash thuhet:

“Allahu xh.sh. krijoi shpirtrat para trupave, prandaj sinjalizimi me fjalët e tij “se unë isha pejgamber” sinjalizon aspektin shpirtëror, ose të vërtetën e  tij, e të vërtetat nuk mund të konceptohen njohurit e saja nga mendjet tona, sepse ato i di vetëm Krijuesi. Allahu xh.sh e bekoi atë me Nurin e Tij, dhe e vërteta  është se cilësinë e pejgamberit Allahu xh.sh. ia dha Muhamedit a.s. para se të krijohet Ademi a.s.. Kur e krijoi atë dhe e konfiguroi, prej atij momenti ai konsiderohet pejgamber dhe emrin e tij e shkroi  mbi Arsh. Për këtë informoi me shkrim që ta dinë engjëjt e Tij dhe krijesat tjera dinjitetin e tij dhe se e vërteta e tij ekziston nga ajo kohë edhe nëse fizikisht do të vonohet.[2]

Kurse transmetohet nga Sha’biju se ka thënë: Një njeri i kishte thënë: O i Dërguari i Allahut, kur je bërë pejgamber? Tha: ”Atëherë kur Ademi ishte mes shpirtit dhe trupit, atëherë kur nga unë u mor besa, pra ai është pejgamberi i parë i krijuar por i fundit i dërguar.[3]  Në një hadith tjetër Pejgamberia.s. ka thënë: “Unë isha Pejgamber kur Ademi ishte mes ujit dhe baltës”. Imam Hakimi thotë, ky hadith nuk gjendet me këtë shprehje, por gjendet me shprehjen “kur Ademi ishte mes shpirtit dhe trupit”, pra, këtë hadith me këtë transmetim e konsideron sahih. Imam Zerkeshiu e përkrahë këtë mendim dhe e vërteton transmetimin që gjendet te Termidhiu ku thotë “kur Ademi ishte mes shpirtit dhe trupit”.[4]

Hafidh Ebu Hasen ibn Alij ibn Abdulmelik Rehuni, i njohur me nofkën Ibni Kattani në veprën e tij[5] thotë: 

“prej shenjave të para të Muhammedit s.a.v.s. që u shfaqën para se të fillonte krijimi i tij, ishin ato të cilat i ka transmetuar Alij ibn Husejni, nga babai i tij, nga gjyshi i tij (Alij ibni Ebi Talib), Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, i cili ka thënë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Unë isha dritë mes duarve të Zotit Tim të Lartësuar, katër mijë vjet para se ta krijonte Ademin”.

Ajo që duhet nënvizuar dhe kuptuar nga kjo është fakti se, Pejgamberi a.s. nuk tha se “unë isha njeriu apo ekzistenca e parë” por tha” isha pejgamber” që vërteton se ai ishte pronar i pejgamberllëkut para se të ekzistonin pejgamberet dhe të dërguarit tjerë.

Në anën tjetër, transmetohet nga Ebu Hurejreja r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Unë jam zotëria i njerëzisë Ditën e Kiametit”[6] kurse në transmetimin tjetër nga Ebu Seidi thuhet: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit Ditën e Kiametit, në dorën time është flamuri i falënderimit dhe nuk ka krenari”[7] që nënkupton se me këto hadithe i është vërtetuar hegjemonia, sovraniteti dhe  nderi i tij mbi bijtë e racës njerëzore në përgjithësi. Këto hadithe Pejgamberi a.s. i thotë për të shprehur falënderimin dhe mirënjohje ndaj Allahut xh.sh., e jo për të demonstruar mendjemadhësi apo kryeneçësi.

Është interesant të përmendet në këtë rast një shpjegim që për këtë çështje e bënë prof. Dr. Faruk ibn Ahmed Ed-Desuki në veprën e tij të quajtur “Mevsuatu el hakikatul muhamedije”[8], në pjesën e parë ku flet për nurin e pejgamberisë ku thotë:

Meqë Allahu xh.sh. është i vetmi Krijues që ka krijuar të gjitha botët, çdo gjë që ekziston pa përjashtim nga krijesat dhe në anën tjetër robi i Tij dhe i Dërguari i Tij është cilësuar si mëshirë për të gjitha botët, siç vërtetohet me ajetin kur’anor ku thotë: “Dhe, Na të kemi dërguar ty (o Muhammed!) vetëm si mëshirë për botërat – njerëzit” El Enbija:107. Pra, nuk do të ishte i vlefshëm shpjegimi i pjesës së dytë të shehadetit “Muhamedun resulull-llahMuhamedi i dërguari i Allahut” në konotacion të kuptimit të ngushtë të arritjes së shpalljes së tij për të cilën ai ishte ngarkuar, sepse Kur’ani dhe suneti janë detyrimor vetëm për njerëzit që jetuan me Kur’anin dhe sunetin deri Ditën e Kiameti. Ky është konotacioni absolut për shpalljen, mirëpo dërgimi i tij si mëshirë për të gjitha krijesat, nënkupton gjithë përfshirjen e mëshirës për të gjitha krijesat, e që të jetë i mundur realizimi i gjithëpërfshirës së kësaj mëshire për të gjitha krijesat, atëherë detyrimisht krijimi i mëshirës duhet të jetë para krijesave.[9]

Prof. Dr. Alij Xhumua, kur flet për çështjen e Nurit në një tematikë të artikuluar me titullin “Elenvaru fil kur’ani ve nuru en-nebijai alejhis-salatu ve s-selamu – Dritat sipas Kur’anit dhe drita e Muhamedit a.s.”[10], në mes tjerave thotë: Nuri-Drita në Kur’an përshkruhet  për pesë gjëra, që janë:

  1. Nuru Err-rrahman – Drita- Nuri i Gjithëmëshirshmit[11].
  2. Nurul Kur’an– drita – Nuri i Kur’anit[12].
  3. Nuruennebiji – drita – Nuri i Pejgamberita.s..
  4. Nurul Iman – drita – nuri i besimit – imanit,
  5. Nurul ekvan – drita e universeve trupave qiellor.

Kur flet për Nurin apo dritën me të cilën ndriçoi pejgamberi i fundit Muhamed Mustafa s.a.v.s. është vërtetuar edhe me Kur’anin famëlartë ku Allahu xh.sh.  thotë:

يَا أَهْلَ الْكِتَابِ قَدْ جَاءَكُمْ رَسُولُنَا يُبَيِّنُ لَكُمْ كَثِيرًا مِمَّا كُنْتُمْ تُخْفُونَ مِنَ الْكِتَابِ وَيَعْفُو عَنْ كَثِيرٍ قَدْ جَاءَكُمْ مِنَ اللَّهِ نُورٌ وَكِتَابٌ مُبِينٌ

“O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Jonë që ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk jep sqarime. Juve ju erdhi nga All-llahu dritë, dhe libër i qartë.[13] Pastaj ajeti

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِنَّا أَرْسَلْنَاكَ شَاهِدًا وَمُبَشِّرًا وَنَذِيرًا ‎﴿٤٥﴾‏ وَدَاعِيًا إِلَى اللَّهِ بِإِذْنِهِ وَسِرَاجًا مُّنِيرً

“O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e All-llahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtarë ndriçues”.[14]

Nga këto ajete kur’anore nënkuptohet se Pejgamberi a.s. ishte dritë dhe ndriçues, prandaj nuk ka kurrfarë pengese që besimtari islam të besoj se Pejgamberi a.s. ishte dritë përderisa kështu e ka cilësuar Krijuesi i Plotfuqishëm. Një gjë e tillë është vërtetuar edhe përmes sunetit se sahabët r.a. thoshin: “Vërtetë fytyra e tij ishte e ndritshme si hëna[15]

Transmetohet nga Enes Ibni Maliki r.a. i cili ka thënë:

عن أنس بن مالك -رضي الله عنه-، قال: «لمَّا كان اليوم الذي دَخَل فيه رسول الله -صلى الله عليه وسلم- المدينةَ أضاءَ منها كلُّ شيء، فلمَّا كان اليوم الذي مات فيه أَظْلَم منها كلُّ شيء، وما نَفَضْنا عن رسول الله -صلى الله عليه وسلم- الأيْدِي وإنَّا لفي دَفْنِه حتى أَنْكَرْنا قلوبَنا».

“Ditën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në Medine, nga nuri i tij ndriçoi çdo gjë në Medine, kurse ditën kur ndërroi jetë Pejgamberi a.s. u errësua çdo gjë. Ne akoma nuk patëm përfunduar me varrimin e Pejgamberit a.s. veç zemrat tona e përjetuan ndryshimin”.[16]

Në një hadith të transmetuar nga Xhabir ibn Semure thotë: Një natë që ishte me hënë e pashë Pejgamberin a.s., e unë herë e shikoja fytyrën  e pejgamberit a.s. e herë hënën, shih fytyrën e pejgamberit a.s. shih hënën, shih fytyrën e pejgamberit a.s. shih hënën, e pastaj tha: Pasha Allahun e madhërishëm, pejgamberi a.s. në syrin tim ishte më i bukur se sa hëna”.[17]

Prej transmetimeve shumë të qarta për këtë çështje, është edhe transmetimi i Aishes r.a e cila ka thënë: E huazova nga Hafseja vajza e Revahes një gjilpërë për të qepur disa nga rrobat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., e në një moment më ra gjilpëra në tokë. E kërkoja por nuk e gjeja për shkak të ndriçimit të dobët. Në ndërkohë hyri Pejgamberi a.s. brenda dhe unë e gjeta gjilpërën për shkak të rrezatimit të Nurit të fytyrës së Muhamedit a.s.[18].

Prandaj të gjitha këto argumente vërtetojnë se te Pejgamberi a.s. ekzistonte Nuri shqisor (hisij), e kjo nuk kundërshtohet me faktin se pejgamberi a.s. ishte njeri, sepse edhe hëna është trup qiellor, porse rrezatimi i saj shqisor është i pa kontestuar, e pejgamberi a.s. është më i mirë se hëna, sepse është krijesa më e mirë që ka krijuar Allahu xh.sh., citon  dhe thotë Dr. Alij Xhumua ish myftiu i Egjiptit.[19]

Nga vetë fakti se Allahu xh.sh. nga Nuri i Tij i dhuroi Muhamedit a.s. argumenton se ai është krijesa më e dashur e Allahut xh.sh.. Për faktin se pse dhe si e ngjiti Allahu xh.sh. emrin e Tij me emrin e Muhamedit a.s. do të flasim herën tjetër


[1]Ahmedi 20596, Termidhiu në “el Ilelu” 683.

[2] En-Nebhani Jusuf Ismail, Elenvarul muhamedije, f. 10, Darul Iman, Damask- Bejrut.

[3] Po aty f. 10.

[4] Shi veprën KeshfulHafa të Axhlunit, hadithinmeNr. 2007 (2) 169.

[5] “El-beshair ve i’ëlam li sijaki ma li sejjidina ve mevlana Muhammed Mustafa alejhi efdalus-salati ves-selam minel ajatil bejjinati vel mu’xhizatil bahirati vel i’ëlam” البشائر و الإعلام لسياق ما لسيدنا و مولانا محمد المصطفى عليه أفضل الصلاة و السلام من الايات البينات و المعجزات الباهرات و الاعلام.

[6] Buhariu, 4435, Muslimi, dhe të tjerët.

[7] Imam Termidhiu nr. 3615

[8] Prof. Dr.  Faruk Ahmed ibn Ed-Desuki, Mevsuatue lhakikatu el muhamedije, el xhuz’ul vel fi nuri en-nuveti, botimi i parë 1426 h -2005m. Ky libër është dekoruar me çmimin botëror për studime islame nga Mbreti Fejsal.

[9] Dr. Faruk Ahmed Ed-Desuki, Mevsuatu el hakikati el muhamedije, 1/6.

[10]https://www.draligomaa.com.

[11] Allahu xh.sh. për këtë lloj të nurit thotë: All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë.

[12]Ky lloj të nurit të Kur’anit, vërtetohet përmes shumë ajeteve kur’anore ku Allahu xh.sh. thotë: 

 “Pra, ata të cilët e besojnë atë, e ndërrojnë dhe e ndihmon, veprojnë me dritën që iu zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit”. Pastaj ajeti:

 “Atëherë pra, pranoni All-llahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që e zbritëm Ne. All-llahu është i njohur për atë që veproni[12].  Pastaj në ajetin tjetër thotë:

 “O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë

[13]SuretuElMaide : 15

[14]SuretuElAhzab : 45-46.

[15]Nisaiju në veprën ElKubra dhe Bejhekiju

[16]Termidhiu, IbniMaxheh, Ahmedi

[17]Darimiju dhe Bejhekiju

[18] Transmeton IbniAsakiri, dhe El Esbehani në ed-delailu, Dejlemiju në Musnedinelfirdevs, poashtu edhe në Elxhamiulkebir nga Sujuti

[19]https://www.draligomaa.com.

Shkrime të ngjashme