Pyetje:
Esselamu alejkum Profesor! Dëshiroja të di sa kohë zgjat pastrimi te gratë pas lindjes se fëmijës, dhe sa kohë pas lindjes lejohen marrëdhëniet seksuale në mes të bashkëshortëve? Ju faleminderit!
Përgjigje:
Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim!
Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhërishëm, salavatet dhe selamet të Dërgurit të Tij, Familjes së tij dhe gjithë besimtarëve myslimanë!
I nderuar, sa i përket pastrimit të femrave pas lindjes së fëmijës, në terminologjinë e Sheriatit islam, kjo quhet “nifas” që do të thotë “gjakderdhja e femrës pas lindjes dhe koha e gjakderdhjes pas saj.” Nifasi nuk ka kohë minimale, kurse sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefit, koha maksimale e zgjatjes së nifasit është 40 ditë, në përjashtim, nëse vërejnë ndërprerjen (pastrimin) para kësaj kohe, që nënkupton se kjo kohë mund të ndërpritet edhe para këtyre ditëve, varësisht nga gjendja e femrës, e nëse zgjatë më shumë se 40 ditë, atëherë nuk konsiderohet nifas, por istihada. Sa i përket marrëdhënieve seksuale dhe obligimeve tjera islame siç është namazi, agjërimi etj., fillojnë nga momenti kur bëhet ndërprerja e gjakderdhjes, pra e nifasit.
Nëse lind fëmija dhe gruaja nuk e vëren gjakun, sipas Imam Ebu Hanifes r.a. dhe mendimit të shumicës së fukahave, ajo obligohet të pastrohet, pastrim ky i cili konsiderohet si rezervë, ngase zakonisht lindja e fëmijës nuk bëhet së paku pa rrjedhur një çikëz gjak.
Nëse lindin binjakë, dhe nëse distanca mes lindjes së fëmijëve është më tepër se 6 muaj, atëherë kjo gjendje konsiderohet dy shtatzani, dy lindje dhe dy nifase, dhe për këtë janë dakord të gjithë dijetarët. Mirëpo, nëse lindja e binjakëve bëhet me distancë kohore, më pak se gjashtë muaj, atëherë fillimi i nifasit konsiderohet me lindjen e fëmijës të parë, sepse nifasi, sipas Sheriatit islam konsiderohet gjakderdhja e menjëhershme pas lindjes. Ky është mendimi i Imam Ebu Hanifes, Ebu Jusufit, dhe mendimi i disa dijetarëve të medhhebit shafiit.
Ve bil-lahi teufik!