Mr. Taxhedin Bislimi
Theksuam edhe më parë se përpjekjet sllave për shkatërrimin e islamit dhe të muslimanëve si dhe për pastrim etnik nga elementet jo sllave në këto troje ishte në kontinuitet e sipër që nga viti 1878 e deri më sot, andaj vrasjet e muslimanëve pamëshirë, zhdukjen e tyre, shpërnguljen e tyre, marrja dhe uzurpimi i pronave të tyre etj. ishin vetëm pjesë të elaborateve të tyre.
Sllavët sa herë që okuponin ndonjë tokë të banuar me musliman, atë menjëherë e shndërronin në interes të tyre dhe menjëherë shpejtonin të zhduknin gjurmët e islamit. Për të realizuar qëllimet e tyre përdornin metoda të ndryshme varësisht nga nevoja dhe politika ditore që u konvenonte atyre. Për tërë këtë që po e themi, dëshmi më të fuqishme i kemi argumentet që do t`i paraqesim në vazhdim.
Serbo-sllavët në Maqedoni kishin shkatërruar xhami ose kishin tjetërsuar ato duke i shndërruar në depo, muze, kisha, e edhe në thertore.
Serbët kishin rrënuar një numër shumë të madh të xhamive në territorin e Maqedonisë së sotme, e veçanërisht në Maqedoninë Lindore, sepse atje kishin bërë pastrime të pastra etnike duke i zbrazur vendet nga muslimanët dhe duke i shkatërruar shenjat e islamit si xhamitë, teqetë, shkollat, mektebet etj.
Vetëm në Shkup, në shekullin XVII, sipas udhëpërshkruesit osman Evlija Çelebi, numri i xhamive ishte 45 xhami dhe 75 mesxhide, kurse numri i xhamive dhe mesxhideve në periudhën e serbëve prej vitit 1912-1940 ishte vetëm 60, e në kohën e komunizmit prej tyre kishin ngelur vetëm 18 xhami dhe mesxhide, ku pesë prej tyre ishin të mbrojtura me ligj, që pushteti i llogarit se këto pesë xhami janë monumente kulturore, kurse xhamitë tjera edhe pse ekzistojë në sytë e pushtetit janë sikur nuk ekzistojnë. Kur qyteti i Shkupit kishte përgatitur planin urbanistik të qytetit nuk kishte paraparë edhe ndërtimin e xhamive. Në vitin 1963 Shkupin e goditi një tërmet i fuqishëm, ku në mesin e tjerave ishin rrënuar edhe disa xhami, ndërkaq në planin e ri urbanistik të Shkupit, përsëri për xhamitë nuk kishin paraparë asgjë.
Kur muslimanët kishin bërë përpjekje për rindërtimin e xhamive të rrënuara nga tërmeti dhe parashtruan kërkesat para organeve kompetente, pushteti monist kishte mohuar dhënien e lejes për rindërtim, me arsyen se këto xhami nuk ekzistojnë brenda planit urbanistik të qytetit. Në mesin e atyre xhamive që janë shkatërruar nga tërmeti dhe akoma kanë ngelur si gërmadhë janë xhamia e Duqanxhikut, [1] Hatunxhikllari [2] dhe Aresta. Sa i përket Xhamisë Faik Pasha, muret dhe minarja e saj kishin ekzistuar deri në vitin 1994 kur pushteti maqedon kishte shlyer të gjitha gjurmët e kësaj xhamie.
Bashkësia Islame në përmbajtje të popullatës islame arriti që disa xhami t`i rihapë pa lejen e pushtetit maqedon siç ishte rasti me Xhaminë e Haxhi Junusit dhe Xhamia Qose Kadi [3]. Po ashtu, e rihapën Xhaminë e Mustaf Pashës pa lejen e pushtetit ku tanimë aty falen pesë kohë të namazit, pasi që pushteti komunist e kishte shndërruar në muze.
Në Manastir, kur u larguan osmanlinjtë kishte 69 xhami aktive që falej namazi, e në vitin 1946 kishin ngelur vetëm 40 xhami, e tani numri i xhamive në Manastir është vetëm 6 xhami, tri prej tyre janë në qytet dhe tri në fshatrat për rreth.
Në Kumanovë kishte dy xhami, njëra prej tyre ishte rrënuar nga bullgarët e tjetra ngeli deri më sot. Kjo xhami është e vogël dhe nuk plotëson nevojat e muslimanëve në këtë qytet, andaj Bashkësia Islame disa herë kishte parashtruar kërkesa për ndërtimin e xhamisë së dytë në këtë qytet por, pushteti asnjëherë deri më tani nuk kishte dhënë leje për ndërtimin e xhamisë së dytë. [4] Muslimanët e Kumanovës kishin blerë një shtëpi të vjetër në të cilën do të ndërtonin xhami, duke shpresuar se për këtë do të lejojë pushteti lokal. Andaj muslimanët kishin bërë rinovimin e kësaj shtëpie dhe kishin filluar ta përdorin për faltore. Kur pushteti lokal kupton për këtë, kishte vendosur që në mëngjesin e 18. 04.1995, në shoqërim me forca të armatosura policore kanë rrënuar objektin.
Në qytetin e Ohrit numri i xhamive në pushtetin osman ishte 17 xhami, në kohën e Serbisë kishin ngelur 12, e tani janë 10 xhami, ku funksionale janë vetëm tri prej tyre dhe një teqe, kurse xhamitë tjera janë të mbyllura.
Në vitin 1912 në qytetin e Shtipit, serbët, Xhaminë Husamedin Pasha e kishin shndërruar në thertore, kurse në Dibër, bullgarët mes vitit 1919-1920 Xhaminë Dervish Mustafa e kishin shndërruar në kishë që ekziston edhe sot e kësaj dite. Nga kjo nënkuptohet se nuk kishte ngelur ndonjë qytet nga qytetet e Maqedonisë ku sllavët të mos kishin rrënuar ndonjë xhami.
Banorët e fshatit Batincë afër Shkupit, kishin ndërtuar një xhami në fshatin e tyre, e pasi kishin përfunduar punën rreth ndërtimit pushteti lokal kishte vendosur për rrënimin e xhamisë deri në themel. Për zbatimin e këtij vendimi kishin dërguar buldozer dhe punëtorë të shoqëruar nga forcat policore. Kur banorët e fshatit ishin informuar për aksionin e marrë nga pushteti lokal, kishin vendosur që të dalin në rrugë për të bllokuar rrugën për forcat policore dhe për të mbrojtur xhaminë. Ata ishin të vendosur të mbrojnë xhaminë qoftë edhe me jetën e tyre. Kur organet policore panë se banorët ishin të vendosur për mbrojtjen e xhamisë u kthyen nga kishin ardhur, kështu xhamia mbet pa u prish falë këmbngulsisë së besimtarëve.
Kur banorët e fshatit Arnaqi, fshat afër Shkupit kishin vendosur që Xhamisë t`ia ndërtojnë minaren, pushteti lokal komunist kishte reaguar dhe kishte sjellë vendim për prishjen e minares, kështu që m 06.12. 1986 kishin minuar minaret të cilën qëllimisht e kishin hedhur mbi xhami për ta dëmtuar edhe atë bile edhe disa shtëpi rreth saj. Kur banorët e fshatit shprehën revoltën e tyre për aktin vandal të pushtetit, pushteti kishte arrestuar katër persona nga fshati dhe secilin prej tyre e kishin gjykuar me nga dy muaj privim nga liria. Si pasojë e kësaj xhami ndali punën e sajë katër vite ku vitin 1990 u rihap përsëri xhamia pasi banorët e kishin rinovuar përsëri.
Xhamia Xhorxhi Beg në Ohër ishte ndërtuar kah fundi i shekullit tetëmbëdhjetë dhe afër saj kishte edhe minaren deri vitin 1965, e cila u rrënua për shkak të tërmetit që goditi këtë vend. Kur muslimanët deshën ta rindërtojnë minaren në vitin 1977 dhe kishin filluar me punë, pushteti lokal më datën 28. 11. 1977 e rrënoi minaren me argumentin se kishin ndërtuar pa leje.
Vënia e kryqeve mbi Sahat Kulla
Tradita e perandorisë osmane ishte që në tokat e Ballkanit, në mesin e qyteteve dhe në pozitat më të larta të qytetit të ndërtojë kulla të larta, e në krye të tyre të vendojë orë nga të katër anët me qëllim që njerëzit të shohin orën dhe të dinë kohët e namazit. Zakonisht këto kulla ndërtoheshin afër xhamive me qëllime të caktuara. Gjatë dhe pas luftërave ballkanike disa prej tyre ishin prishur e disa kishin ngelur si p.sh. në Shkup, Manastir dhe Prilep. Në maje të kullës vendoset gjysmë hëna dhe ylli, që në këto troje konsideroheshin simbole islame dhe të muslimanëve. Këto simbole mbi Sahat Kullat kishin qëndruar gjatë tërë kohës së osmanlinjve e deri para disa kohe. Në vitet e para të demokratizmit të Maqedonisë, pushteti maqedonas nën ndikimin e kishës ortodokse maqedone kishte vendosur të heqë gjysmë hënën dhe yllin nga sahat kullat dhe në vend të tyre të vendojë kryqe. Këtë e realizoi në Manastir dhe në Prilep.
Shkatërrimi i institucioneve arsimore islame
Sllavët në mënyrë graduale dhe strategjike shkatërruan institucionet islame në Maqedoni. Numri i medreseve në fund të perandorisë osmane në territorin e Maqedonisë ishte mbi 41 medrese, e kur serbët e morën sundimin e këtyre trojeve numri i këtyre medrese dukshëm u zvogëlua saqë në periudhën mes vitit 1912-1940 kishin ngelur vetëm 11 medrese, dhe shumica e tyre në gjendje të rëndë ekonomike.
Pas vitit 1946 ishin mbyllur të gjitha medresetë islame në Maqedoni deri në vitin 1984 kur pushteti komunist pas orvatjeve të shumta të muslimanëve kishte dhënë leje për rihapjen e medresesë “Isa beu” në Shkup, si shkollë e mesme islame dhe e vetme në Maqedoni.
Me rihapjen e Medresesë Isa beu në Shkup u lejua për fëmijët musliman që të mësojnë bazat e fesë së tyre, por në anën tjetër kishin ngushtuar rrethin e zhvillimit të mësimit nëpër mektebe, duke bërë presione mualimëve e shpeshherë i kërcënoheshin edhe me arrestime, gjë që, pati raste edhe kur mualimët u arrestuan.
Nëpër disa vende mektebet thuajse nuk funksiononin fare, e muslimanët për t`i mësuar fëmijët tyre me leximin e Kur`anit shpeshherë në mënyrë të fshehtë i mësuan edhe nëpër shtëpi saqë jo rrallë herë shtëpitë private ishin shndërruar në mektebe.
Shqetësimi i të vdekurve
Me qëllim të humbjes dhe eliminimit të gjurmëve të Islamit dhe të muslimanëve, sllavët shpeshherë kishin bërë edhe zhdukjen e varrezave të muslimane nëpër fshatra dhe qytete e veçanërisht nëpër ato vende ku ishin shpërngulur muslimanët. Me këto veprime vandale ata shprehnin urrejtjen e tyre ndaj Islamit dhe muslimanëve, e veçanërisht pas viteve të tetëdhjeta të shekullit njëzetë. Me këto veprime ata rrafshonin varrezat e muslimanëve, thyenin pllakat e tyre, duke i asgjësuar varrezat dhe shqetësuar edhe të vdekurit.
Ndryshimi i emrave dhe toponimeve
Nga veprat e ndyta që bënë sllavët ishte edhe ndryshimi e emrave dhe toponimeve gjeografike të cilat kishin emra islam apo musliman, ose ato emra që i kishin quajtur osmanlinjtë. Për këtë do të sjellim një sërë shembuj të ndërrimit të emrave, si p.sh, Shkupi në kohën e osmanlinjve në gjuhën turke quhej “Uskup”, në gjuhën shqipe quhej “Shkup”, kurse serbët e quajtën “Skoplje”, kurse maqedonët e quajnë “Skopje”. Gjatë viteve të tetëdhjeta qeveria Maqedone solli vendim që Shkupi të shkruhet dhe të shqiptohet vetëm në gjuhën maqedone, do të thotë “Skopje” dhe kishin ndaluar shkrimin dhe shqiptimin jashtë kësaj gjuhe. Si rezultat i këtij vendimi edhe fëmijët shqiptarë nëpër shkolla bashkë me arsimtarët e tyre obligoheshin që edhe në gjuhën shqipe Shkupin ta shqiptojnë dhe shkruajnë Skopje.
Qytetin e dytë për nga madhësia që quhej Manastir, tani e quajnë Bitol, kurse qytetin e Quperlisë e quajtën Veles, pastaj Tito Veles,dhe përsëri e rikthyen në Veles. Emrin e qytetit Bajram Palanka e shndërruan në Kriva Palanka, etj.
Gjithashtu kishin ndryshuar edhe emra të fshatrave muslimane dhe i kishin emëruar me emra sllav, bile edhe të disa fshatrave që akoma jetojnë muslimanët si p.sh. fshatin Hasanbeg, serbët e quajtën Singiliç, kurse tani maqedonët e quajnë Çento, fshatin Belinbeg, tani quhet Ilinden, fshati Ibraimovo e quajnë Petrovac, fshatin Akbash e quajnë Lisiçe, kurse fshatin Hoxhallarë tani e quajnë Miladinovcë etj.
Gjithashtu bënë edhe ndërrimin e mbiemrave të muslimanëve duke i shtuar në fund prapashtesën varësisht nga pushteti, tek serbët emrat përfundojnë me prapashtesën “viq’, te bullgarët me “ov” kurse te maqedonët me “ski”. Andaj në kohën e sundimit serbe mbiemrat e muslimanëve përfundonin me “viq”, në kohën e bullgarëve me “ov” dhe në kohën e maqedonëve me “ski “. Këto lojra me emrat dhe mbiemrat e muslimanëve ishin në interes që qenies sllave sepse me këtë ata dëshironin që para opinion të jashtëm të paraqesin sa më të vogël numrin e muslimanëve në Maqedoni.
Ata nuk kishin lënë pa nëpërkëmbur as pronën e vakëfit duke i marrë, nacionalizuar dhe uzurpuar të gjitha hamamet, hanet dhe imaretet dhe i kishin vënë në shërbim të interesave të tyre duke i shndërruar në qendra kulturore maqedone. Kishte raste kur objektet e vakëfit i kishin shndërruar edhe në burgje siç ishte rasti me Kurshumli Hanin i cili më parë ishte burg ku maltretoheshin me qindra e mija musliman, e tani është muze.
Po ashtu, osmanlinjtë kishin ndërtuar edhe shumë ura mbi lumenjtë, që me ardhjen në pushtet të sllavëve kishin bërë përpjekje të ndryshojnë origjinalitetin e tyre, dhe të njëjtat t`i ndërlidhin si pjesë e kulturës romake apo bizantine e jo osmane. [5]
Cenimi i nderit të femrës myslimane
Sllavët përveç që i pengonin çështjet tjera të Islamit atyre u pengonte edhe mbulesa e femrës islame, andaj ata kishin marrë aktivitet të bujshëm për cenimin e nderit dhe moralit të femrës islame, duke bërë përpjekje që së pari t’ia hekin hixhabin e pastaj ta përziejnë edhe me meshkuj që ajo të jetë e hapur para shoqërisë maqedone. Për të realizuar këtë në vitin 1951 sollën ligjin që ndalonte femrën islame për të veshur hixhabin islam. Për ta inplementuar këtë ligj sa më lehtë dhe për të mos hasur në rezistencë nga popullata islame, autoritetet shtetërore kishin kërkuar nga hoxhallarët që të japin fetva islame, e cila sqaron se hixhabi nuk është veshje islame, por është thjeshtë traditë e veshjes arabe. Mirëpo, meqë hoxhallarët kishin refuzuar kërkesën e tyre, ata filluan implementimin e ligjit përmes dhunës duke arrestuar, kërcënuar etj. Autoritetet komuniste kishin kërkuar nga hoxhë Hamdi Davudi, imam në Xhaminë Jahja Pashë, i cili gëzonte një autoritet fetar në Shkup, që një ditë të dalë para masës dhe të sqarojë se çështja e hixhabit nuk është çështje islame. Pas presioneve dhe kërcënimeve që i bënë hoxhës, imami ishte detyruar të dalë në shesh para popullit të tubuar nga komunistët dhe të thotë disa fjalë rreth hixhabit. Në këtë tubim kishin prezentuar edhe liderë të lartë komunistë dhe forca të shumta policore e sidomos nga policia sekrete. Kur imami ishte ngjitur në foltore, falënderoi Allahun dhe më pas tha: Vëllezër të nderuar, vërtetë hixhabi është veshje islame dhe në te nuk ka dyshim, por ata (komunistët) po na detyrojnë të themi se hixhabi nuk është veshje islame” Në këtë rast forcat e rendit menjëherë intervenuan, e larguan hoxhën nga bina dhe arrestuan.
Metoda e praktikumit të hixhabit ishte që femrat të dalin nga shtëpitë e tyre me hixhab dhe të shkojnë në qendër të fshatit apo qytetit që zakonisht bëheshin tubimet para xhamive, dhe para komisionit të veçantë të caktuar për këtë çështjet hekin hixhabin, e në shtëpi të kthehen pa hixhab. Ata të cilët përjetuan ditën e hixhabit thonë se, dita më e vështirë për ta ka qenë dita e hekjes së hixhabit.
Pushteti e ndaloi hixhabin e femrës islame, por ajo nuk pranëoi të përzihet dhe hapet para shoqërisë maqedone. Për të arritur këtë pushteti kishte sjellë vendim për veprimtari kolektive i cili nënkuptonte se burrat dhe gratë të përzier të dalin për të punuar në ara. Puna kolektive ishte një sprovim për muslimanët, por muslimanët nuk iu përgjigjën këtij sistemi. Pas kësaj u hap lajmi se pushteti kishte vendosur që të gjitha vajzat e pa martuara të moshës madhore t`i marrë në shërbim detyrimor ushtarak. Muslimanët për t`i ikur kësaj, për pak ditë kush se si mundi, i martuan vajzat e tyre pa kurrfarë ceremonie, e këto ditë të vitit 1951 njihen si ditët panagjyrit.
Kështu që kaluan vite me radhë dhe muslimanët ngelën në pozicionet e tyre duke e ruajtur islamin aq sa kishin mundësi, dhe nuk iu nënshtruan sllavëve me të gjitha përpjekjet e tyre. Në fund gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit njëzetë, maqedonët kishin menduar se shkaku i mos përzierjes së muslimanëve me kulturën dhe traditën e tyre ishin muret që i rrethonin shtëpitë e muslimanëve, andaj thjesht kishin vendosur të largojnë edhe këtë pengesë. Në bazë të këtij pretendimi tërësisht të gabuar në vitin 1989 organet kompetente kishin dhënë urdhër që të prishen të gjitha muret rreth shtëpive të muslimanëve. Fillimisht urdhri ishte që muret t`i prishin vetë muslimanët secili murin e vet. Muslimanët në vend se të zbatojnë urdhrin filluan të ankohen në organet kompetente, por çdo gjë ishte kot. U ankuan deri në organet më të larta të qeverisë në Beograd, ku përgjigja nga atje u kthye se çështja e mureve është çështje e brendshme e Maqedonisë dhe se ata nuk kanë kompetenca të përzihen në këtë çështje.
Për ata të cilët nuk pranëuan të zbatojnë urdhrin e qeverisë, që secili të prishë murin e tij, këtë do ta bënin organet e shtetit kurse për pronarin do të pasojnë dënime materiale. Megjithatë muslimanët vendosën të mos zbatojnë urdhrin e qeverisë së Maqedonisë, pavarësisht nga pasojat. Për zbatimin e urdhrit pushteti lokal këtë punë e kishte marrë mbi vete, dhe kishte angazhuar punëtorë të shoqëruar me teknikë dhe forca policore për të dalë në terren dhe për ta zbatuar urdhrin. Forcat policore ecnin para punëtorëve sepse popullata e pafajshme bënte përpjekje për të ndaluar këtë zullum dhe terror që ushtrohej mbi ta. Në zbatimin e këtij rasti nuk ishin raste të rralla kur forcat policore përdornin edhe forcën fizike kundër atyre që rezistonin apo edhe së paku flitnin vetëm ndonjë fjalë. Si rezultat i kësaj më 18. 01. 1990 forcat policore bashkë me punëtorët në fshatin Haraçinë të Shkupi, në mbrojte të murit të tij është mbytur z. Nuredin Nuredini. Si pasojë e kësaj vrasjeje populli i revoltuar protestuan për të shprehur mllefin dhe revoltën e tyre në shumicën e qyteteve të Maqedonisë e bile pati protesta edhe në Kosovë si përkrahje e protestave në Maqedoni, protesta këto që ndalën hovin dhe prishjen e mureve.
————————-
*(Teksti është shkëputur nga Libri “Vakëfi në Maqedoni 1391-2001”, autor Mr. Taxhedin Bislimi )
[1]. Xhamia e Duqanxhikut që nga viti 2004 e këndej është rindërtuar tërësisht nga themeli duke e ruajtur origjinalitetin e saj, kurse hapja solemne u bë më 04 maj 2007, ku përsëri pas 44 viteve thirri ezani dhe u fal xhumaja.
[2] Gurëthemeli i kësaj xhamie për renovimin e saj dhe rikthimin në formën e mëparshme u bë me 15 qershor 2007.
[3]
[4]. Leja për ndërtimin e xhamisë u morr dhe tani është ndërtuar dhe është funksionale.
[5]. Kumbarxi Bogoeviç Lidija, Osmanliski spomenici vo Skopje p.202