Shkruan: Jusuf ZIMERI

Transmetohet nga Ebu Hurejra i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ka thënë: ”Kush i merr nga unë këto pesë cilësi të veproj me to, ose ia mëson tjetrit që të veprojë me to” Ebu Hurejre tha: Unë, o i Dërguari i Allahut. Tha:Më mori për dore dhe i numëroi ato cilësi duke thënë:

  1. Ruaju nga haramet, që të jesh njeriu më adhurues,
  2. Pajtohu me atë që ta ka ndarë All-llahu xh.sh. (nga furnizimi), do të jesh njeriu më i pasur,
  3. Sillu mirë ndaj fqinjit tënd,  që të jesh besimtar (mu’min),
  4. Dëshiroja njerëzve atë që e donë për veten tënde, do të jesh musliman (muslimen),
  5. Mos e shto qeshjen tënde, sepse e qeshja e tepërt e vdes zemrën.

(Ahmedi, Termidhiu)

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

Fillimisht nga hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme  mësojmë se mexhliset ku rrinte Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme me shokët e tij, ishin mexhlise të mësimit, mexhlise ku kultivohej feja, dituria dhe shkenca, mexhlise ku ndërtoheshin dhe promovoheshin vlera të larta morale dhe njerëzore. Krahas tjerash, ato mexhlise ishin mexhlise të dhikrit dhe mirësisë, mexhlise të bekuara dhe frytdhënëse, ato nuk ishin mexhlise të ahengjeve, qeshjeve dhe përqeshjeve dhe lojërave, mexhlise të fitneve dhe përgojimeve. Andaj jo rastësisht Pejgamberi Alejhis-selam ka përshkruar se Mexhliset ku përmendet Allahu xh.sh., mexhliset ku shpjegohet dituria, feja, morali, njerëzia janë mexhlise të mirësive të shumta, të siguruara nga Melekët e që Pejgamberi Alejhis-selam i quajti “kopshte prej kopshteve të Xhenetit”. Na mësoi se kur të kalojmë pran kopshteve të xhenetit të, ndalemi të pushojmë pak në ato kopshte. Dikush nga shokët i tha: Cilët janë ato vende o I Dërguari i Allahut ? Pejgamebri Alejhis-selam tha: “Mexhliset e dhikrit ku prëmendet Allahu xh.sh. (mexhliset ku mësohet dituria dhe edukata)” Nga kjo nënkuptohet se ato mexhlise që nuk i plotësojnë këto kritere të mexhlisit janë mexhlise të udhëhequra nda djalli, dhe mexhlise të dështuara.

Nëse këtë hadith e kundrojmë nga aspekti racional na jep të kuptojmë se i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme përmes këtyre pesë atributeve njerëzore përcakton kritere jo vetëm të një besimtari solid islam, por përcakton edhe kritere të moralit të lartë njerëzorë, të cilat nuk janë shërbim vetëm të individit por mbarë shoqërisë njerëzore. Vlerësojmë kështu ngase në këtë mexhlis Pejgamberi Alejhis-selam fillimisht përcaktoi vlerën e ruajtjes nga sendet e ndaluara, që të jetë adhurues i vërtetë, pastaj përcaktoi kënaqësinë e njeriut me përcaktimin e Allahut xh.sh. për ta arritur lumturinë në këtë botë, përcaktoi sjelljen dhe moralin njerëzor duke filluar nga fqinji për të qenë besimtar i devotshëm dhe besnik ndaj tyre, përcaktoi vlerën se një musliman i vërtetë në jetën e përditshme jo që nuk guxon të dëmtojë të tjerët, por nuk guxon as të paramendoj dëmin ndaj tjerëve, dhe krejt në fund të këtij hadithi përcaktoi një vlerë shumë të rëndësishme se kjo botë nuk është botë vetëm e ahengjeve dhe qeshjeve, që dobësojnë dhe vdesin zemrën e njeriut, porse në ka seriozitet dhe veprime që gjallërojnë zemrën e njeriut.

 -I-

  Porosia e parë: “Ruaju nga haramet, që të jesh njeriu më adhurues”

Me nocionin “haramet-el Meharim” që në hadith përmendet në shumës, ka për qëllim të gjitha haramet- ndalesat që përcaktohen nga Allahu xh.sh. qoftë përmes Kur’anit apo sunetit të Pejgamberit Alejhis-selam. Nga kjo nënkuptohet se beteja më e shenjtë e njeriut gjatë jetës së tij është beteja për të mbrojtur veten e tij nga ato veprime që janë të ndaluara nga Krijuesi Absolut. Me këtë luftë të përhershme njeriu i përcakton vetes së tij kufijtë veprimit dhe sjelljes dhe nëse arrin që të fitojë këtë betejë, betejat tjera janë shumë të lehta dhe sipërfaqësorë. Andaj Imam Hasan el Basriju r.a. thoshte: “Adhuruesit, nuk kanë bërë ndonjë adhurim më të kompletuar, më meritor, se sa të jenë larguar nga ndalesat (haramet) që i ka ndaluar Allahu xh.sh.”

Nëse zbatimi i imperativit për veprim, është Farz pra detyrim, atëherë edhe zbatimi i imperativit për mos veprim është identik me zbatimin e imperativit për veprim pra farz. Nga kjo nënkuptojmë se falja e namazit është imperativ kurse dispozita është farz, e mos zbatimi i këtij urdhri, pra mos falja e namazit është veprim i ndaluar-haram. Në anën imperativi për mos prije të alkoolit nënkupton ndalim-haram, kurse të larguarit nga alkooli është farz-detyrim.

Pasojat e harameve janë katastrofale si për individin, ashtu edhe për shoqërinë njerëzore, si në aspektin shpirtërorë ashtu edhe në aspektin material-fizik, si në jetën e kësaj bote ashtu edhe në jetën e botës tjetër, e për këtë do të flasim një herë tjetër, andaj edhe jo rastësisht nga prioritetet e para që e vuri Pejgamberi Alejhis-selam në këtë hadith ishte ruajtja nga haramet, sepse pretendimi që njeriu të jetë edhe i devotshëm edhe të merret me harame është absurd jo vetëm racional por edhe islam.

 -II-

Porosia e dytë: “Pajtohu me atë që ta ka ndarë All-llahu xh.sh. (nga furnizimi), do të jesh njeriu më i pasur”. Kënaqësia dhe të pajtuarit me atë që të ka përcaktuar Allahu xh.sh. në përcaktimin e Tij, përveç se është edhe çështje e Imanit, në vete ngërthen edhe një segment tjetër të rëndësishëm në jetën e kësaj bote. Hadithi në fjalë na tregon qartë se kënaqësia dhe lumturia në jetën e kësaj bote nuk qëndrojnë në grumbullimin e pasurisë, por qëndrojnë në besimin e fuqishëm dhe stabil te Allahu xh.sh.. Kjo është e vërtetuar edhe praktikisht në jetën e përditshme, sepse shumë njerëz ka që kanë grumbulluar pasuri të shumtë në këtë jetë, por e vërteta është se atyre u mungon lumturia, kënaqësi dhe rehatia, dhe në anën tjetër shumë njerëz jetojnë në kushte minimale, por kanë lumturinë dhe kënaqësinë. Pra, pasuria nuk qëndron në grumbullimin e pasurisë, por pasuria është pasuria shpirtërorë, qetësia zemërore e njeriut, ajo është që e rehaton dhe kënaq njeriun. Allahu xh.sh. thotë: “Nuk do t’ju vlejë pasuria e as pasardhësit, përveç atij që ka ardhur me zemër të shëndoshë” Shuara 88-89. E zemër e shëndoshë është vetëm ajo zemër që është e bindur në përcaktimin e Allahut xh.sh.

-III-

Porosia e tretë: Sillu mirë ndaj fqinjit tënd,  që të jesh besimtar (mu’min).  Kjo porosi profetike përveç në vete ngërthen elemente të besimit, siç potencon vetë hadithi, dërgon një mesazh shumë të rëndësishëm për mirësjelljen e njerëzve ndaj fqinjëve të tij. Mirësitë ndaj fqinjit janë detyrime islame sepse jo vetëm që nuk guxon ta dëmtojë, dhe ta shqetësojë atë, por ka obligim që edhe ta ndihmojë në rastet e nevojshme kur kërkohet ndihma e tij. Pejgamberi Alejhis-selam kur foli për rolin dhe rendësin e fqinjit siç tregon Abdullah ibni Omeri Pejgamberi Alejhis-selam ka thënë: “Xhibrili aq shumë më porositi për fqinjin, saqë mendova se ai do të jetë edhe trashëgimtar “ (Buhari-Muslim).

 -IV-

Porosia e katërt: Dëshiroja njerëzve atë që e donë për veten tënde, do të jesh musliman (muslimen). Nga karakteristika e kompletimit të islamit si sitëm hyjnor, Pejgamberi Alejhis-selam ka porositur që edhe njerëzve të tjerë t’ua duash të mirën ashtu siç ia donë të mirën edhe vetes tënde, dhe në anën tjetër, të urresh për njerëzit tjerë, atë që ia urreni vetes tënde. Këtu në këtë hadith nuk bëhet fjalë për veprime konkrete të ndaluara, por bëhet fjalë mendime dhe dëshira, që nënkupton se veprimi për ta dëmtuar njeriun pavarësisht kush është dhe çka është as që vjen në shprehje. Në një hadith tjetër Pejgamberi Alejhis-selam porosit duke thënë: “nuk është besimtar (me besim të kompletuar) asnjëri nga ju, derisa nuk ia dëshiron vëllait të tij, atë që ia dëshiron vetes së tij”.

-V-

Porosia e pestë: Mos e shto qeshjen tënde, sepse e qeshja e tepërt e vdes zemrën. Qeshja është karakteristikë dhe veçori e njeriut sepse zakonisht qeshja vjen në shprehje vetëm pasi të kemi kuptuar një thënie, fjalë ose të kemi parë ndonjë ngjarje. Njeriu nga natyrshmëria e tij ndien nevojë për qeshje, porse porosia e hadithit është se edhe qeshja duhet të jetë e kontrolluar sepse në të kundërtën shpien në dëmtim. Shpeshherë kemi dëgjuar nga njerëz, bile edhe njerëz të ngritur e shumë herë edhe në emër të shkencës, se qeshja relakson njeriun bile edhe se qeshja zgjatë jetën e njeriut. Mirëpo edukatori dhe pedagogu i njerëzisë Muhamedi Alejhis-selam na ka mësuar se buzëqeshja është ndaj vëllait tënd konsiderohet sadeka, kurse qeshja e tepërt dhe me zë të akorduar jo vetëm se është cilësi e morali të ulët njerëzor, por është edhe e dëmshme për vetë njeriun ku thotë se e vdes zemrën e tij.

Kohëve të fundit në këtë lëmi janë bërë edhe disa hulumtime shkencore, ku është konstatuar se e qeshmja e tepërt mund të shkaktoj krizë epileptike me peleritje të zemrës. Hulumetimet nga Universiteti i Birminghamit dhe Oxfordit për këtë çështje kanë mbledhur të dhëna që nga viti 1946 e deri më sot, për  të studjuar dobitë nga e qeshmja dhe kanë rezoltuar se një dremitje e një të qeshure të tepër për një ditë të tërë mund të ndihmoj të humbasë deri më 2000 kalori.

Kjo nënkupton se fjalët e Pejgamberit Alejhis-selam të thëna para mëse 1400 viteve, nuk janë fjal të thjeshta, por fjalë të cituar mbi bazën e  shpalljes.

Shkrime të ngjashme