Pyetja:
A lejohet pjesëmarrja e femrave në ceremoninë e varrimit ?
Përgjigja:
I nderuar, krahas përgatitjes së xhenazes, pastrimi, qefinimi, falja e namazit të xhenazes, ashtu edhe bartja e xhenazes, përcjellja dhe varrimi i xhenazes është obligim kolektiv (farzi kifaje) për burrat. Me nocionin obligim kolektiv (farzi ajn) nënkuptojmë se nëse dikush e kryen këtë obligim, të tjerët shkarkohen nga përgjegjësia, por nëse këtë obligim nuk e kryen askush nga besimtarët islamë, atëherë përgjegjësia i përfshinë të gjithë.
Bartja dhe përcjellja e xhenazes nga gjinia femërorë si dhe pjesëmarrja e saj në ceremoninë e varrimit, jo që nuk është veprim i kërkuar për gjininë femërore, porse një veprim i tillë është i ndaluar nga Pejgamberi s.a.v.s.. Argument për këtë kemi hadithin e Pejgamberit s.a. i transmetuar nga Ummi Atije, e cila ka thënë: “U ndaluam nga përcjellja e xhenazes (tek varrezat), por nuk ishte vendim për ne” Buhariu dhe Muslimi.
Ngjashëm me këtë hadith kemi edhe hadithin tjetër të transmetuar nga Enesi r.a. i cili ka thënë: Një ditë dolëm me Pejgamberin a.s. për të përcjellë një xhenaze, e aty pa disa femra që përcjellin xhenazen dhe tha: “a e bartni ju xhenazen” Thanë jo, a e varrosni ju (lëshoni në varr)? Thanë: jo. Pejgamberi a.s. tha: kthehuni jujeni vizitorë të pa shpërblyer”
Juristët islamë duke u mbështetur në këtë hadith janë të mendimit se pjesëmarrja e femrave në përcjelljen e xhenazes dhe në ceremoninë e varrimit është veprim i urryes (mekruhi tahrimen), dispozitë kjo që është shumë afër Haramit. Megjithatë nuk do të ishte racionale të kalojmë në këtë çështje pa e sqaruar faktin se kjo dispozitë Mekruhi tahrimen, bëhet fjalë për femrat të cilat marrin pjesë në përcjelljen e xhenazes dhe pjesëmarrjen e tyre në ceremoninë e varrimit, atëherë kur ato i përmbahen dispozitave tjera juridike islame, siç janë, mos qarja, mos vajtimi, mbulesa e trupit sipas rregullave të sheriatit, dhe mos përzierja e tyre me meshkuj. Në të kundërtën, nëse femrat nuk i përmbahen këtyre rregullave, pra nuk janë të mbuluara dhe gjatë tërë ceremonisë përzihen me meshkuj, kjo dispozitë shndërrohet në veprim të ndaluar (haram) dhe për këtë s’ka asnjë dilemë nga dijetarët islamë.
Në anën tjetër, nëse me vëmendje e analizojmë hadithin e dytë të theksuar në këtë rast, vërejmë se Pejgamberi a.s. ndaloi dhe i ktheu nga rruga gratë të cilat i plotësonin kriteret islame, siç janë mbulesa dhe rregullat tjera, andaj çfarë do të ishte imperativi islam sot kur femra të shumta të cilat nuk plotësojnë asnjë kriter islam nga aspekti i mbulesës dhe nga aspekti i përzierjes së tyre me meshkuj. Nuk ka dilemë se ky veprim është veprim i ndaluar (haram) për besimtarët islamë.
Allahu e din më së miri.