Autor: Jusuf ZIMERI
Qëllimi i ndalimit dhe i lejimit në të drejtën islame nuk paraqet as nuk duhet kuptuar si kufizim të lirisë njerëzore, porse paraqesin siguri dhe mirëqenie personale dhe shoqërore.
Universaliteti i islamit përveç tjerash, përfshihet në faktin se Islami si sistem hyjnor në vete që i është dedikuar njeriut të zbatojë në jetën e kësaj bote, ngërthen dispozitat që kanë të bëjnë me çështjet e besimit (monoteizmit) në një Zot me të gjitha cilësitë e tija. Në këtë kod të dispozitave përfshihen edhe çështjet e besimit në të dërguarit e Tij, në shpalljet e Tij, në engjëjt, në përcaktimet e Allahut xh.sh. dhe në përgjegjësinë e ditës së gjykimit. Gjithashtu ky sistem hyjnor përfshinë dhe sistemon edhe çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimin dhe ngritjen e moralit të qenies njeri, duke mos lënë anash edhe sistemin legjislativ islam që përfshijnë çështjet praktike të besimtarit islam dhe të shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
Nëse me vëmendje hulumtojmë në Kur’anin famëlartë, me lehtësi vërejmë se dy lëmit e para konsiderohen dy shtylla kryesore të islamit mbi të cilat Allahu xh.sh. fillimisht koncentroi shpalljen e Tij në përforcimin e këtyre dy shtyllave, pra përforcimit të besimit në një Zot, dhe ngritjes së moralit te besimtarët islam. Periudha e përforcimit të këtyre dy shtyllave përmes shpalljes ishte në tërë dekadën e parë të shpalljes, andaj kur lexojmë ajetet kur’anore të shpallura në Meke para emigrimit të Pejgamberit a.s. gjejmë se shumica dërmuese e tyre kanë të bëjnë me ngritjen dhe përforcimin e besimit dhe ngritjen e moralit islam. Periudha e shpalljes në Meke e karakterizuar me ajetet kur’anore që kanë të bëjnë me pastrimin e idhujtarisë nga zemrat dhe shpirtat e njerëzve si dhe me ngritjen e moralit dhe etikës njerëzore paraqesin fazën më të rëndësishme të shpalljes, fazë kjo në të cilën jo vetëm që bëhet pastrimi i besimit dhe i moralit, porse konsiderohet edhe fundamenti kryesor dhe parapërgatitësh mbi të cilin duhet të ngrihen dispozitat praktike të jurisprudencës islame, që ligjësimi i tyre ka filluar tek pas emigrimit të Pejgamberit (Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) në Medinen e ndritshme.
Fillimi i ligjësimit
Me shlyerjen e idhujtarisë nga truri dhe zemra e njerëzve dhe kompensimin e të njëjtës me monoteizëm, besim të pastër dhe stabil në një Zot të vërtetë si dhe shndërrimin e cilësive të pamoralshme që kishin kapluar botën njerëzore, në një bindje dhe moral të lartë islam, Kur’ani fillimisht bëri një revolucion të brendshëm tek individi, e më vonë edhe në tërë shoqërinë duke ndryshuar tërësisht vetëdijen e individit dhe popullit dhe duke i rikthyer vlerat e qenies njeri. Kjo metodologji hyjnore e përcaktuar nga Allahu xh.sh. përveç se vetvetiu argumenton faktin se islami është sistem i zgjedhur për njerëzit, dhe është përcaktuar nga Krijuesi i vet njeriut dhe, se vetëm Ai din më së miri se cilat janë format më konstruktive dhe më efikase për ndryshimin e brendshëm të njeriut, në ndërkohë lëshon mesazhe të shumtë për botën njerëzore, e nga më i zëshmi është se njeriu sado që të jetë i aftë për të përpiluar ligje dhe rregullore për veten e tij, nëse ato janë të zhveshura nga fryma islame ose në kundërshtim me normat etike islame, jo vetëm që kanë defekte dhe mangësi të shumta, dhe nuk mund të rregullojnë as harmoninë fizike e të mos flasim për harmoninë shpirtërore dhe ruajtjen e natyrshmërisë së qenies njeri.
Sistemi juridik i ligjësuar nga Allahu xh.sh. dallohet nga sistemet dhe ligjet pozitive në shumë segmente, por në këtë rast theksojmë faktin se sistemit hyjnor nga Allahu xh.sh. plotësisht përputhet dhe harmonizohet me qëllimin final të krijimit të njeriut, duke ruajtur dhe garantuar edhe funksionimin sistemit shoqërorë, arritjen dhe ruajtjen e interesit të individit dhe të shoqërisë përmes vlerave të drejtësisë. Ky sistem juridik hyjnor është larg nga ndikimi dhe dominimi i epshit dhe kotësisë, nga ndikimi i interesave individuale grupore apo klanore që shpeshherë ndodhë në sistemet juridike pozitive që shpijnë drejt konflikteve të dhimbshme dhe shkatërruese. Parimi i ngritjes së sistemit hyjnor është i mbështetur në drejtësinë absolute dhe në korrektësi maksimale, i pa ndikuar nga ndonjë element apo interes vetanak, qoftë edhe i ligjdhënësit. Ky sistem hyjnor për qëllim final ka ruajtjen e interesit të përgjithshëm shoqërorë duke mos lënë hapësirë që individi të dëmtojë shoqërinë e as shoqëria individin. Sistemi hyjnor është garanci më i fuqishëm që Allahu xh.sh. ka dhuruar për botën njerëzore në këtë jetë, sepse po të përcaktoheshin ligjet dhe sistemet sipas dëshirave dhe orekseve të individëve, të klasave të ndryshme shoqërore, të fuqishmëve ose të pasurve, apo grupacioneve dhe klaneve të ndryshme pa mëdyshje se do të dominojë dis’harmonia, e keqja dhe shkatërrimi. Këtë e vërteton ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:”E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to”. Mu’minun 71.
Urdhrat e Allahut të lartëmadhërishëm që pëfshihen në sistemin hyjnor, për veprim apo mosveprim, drejtuar besimtarëve islam, pasojnë vetëm atëherë kur qenia njeri është e gatshme ti pranojë ato si të dobishme. Andaj Imperativi për veprim apo mosveprim që vjen nga Krijuesi absolut, pavarësisht se ato vijnë përmes shpalljes së lexuar- Kur’anit apo shpalljes së palexuar – Sunetit, te besimtari islam, që është i pastruar nga shirku dhe idhujtaria, pranohen dhe zbatohen në përditshmërinë e tij pa kurrfarë rezerve dhe dyshimi në dobinë e tyre. Të vepruarit sipas imperativit hyjnor për veprim apo për mosveprim konsiderohet adhurim dhe afrim te Allahu xh.sh.. Prandaj, implementimi praktik i urdhrave të Allahut xh.sh. për veprim apo mosveprim e që konsiderohen adhurime që i drejtohen Allahut të lartëmadhërishëm, njëkohësisht janë edhe dëshmi praktike për besimtarin islam se ai e donë dhe e adhuron Krijuesin e tij.
Në zbatimin dhe respektimin e sistemit normativ islam, për dallim nga respektimi i ligjit në sistemin pozitiv është se respektim i ligjit në sistemin pozitiv nuk buron nga një forcë e brendshme e individit, porse vjen si rezultat dhe pasojë e faktorëve të jashtëm, kurse respektimi i ligjit në sistemin hyjnor nuk karakterizon thjesht vetëm vetëdijen e individit dhe shoqërisë për respektimin e ligjit, porse zbatimi dhe respektimi i imperativit ligjor islam “vepro” apo “ndalo” konsiderohet edhe adhurim dhe dashuri ndaj Allahut fuqiplotë. Në anën tjetër, mos zbatimi dhe mos respektimi i të njëjtës, nuk paraqet vetëm akt penal për të cilën duhet sanksionuar vetëm në jetën e kësaj bote, porse pasojat dhe përgjegjësia e moszbatimit bartet edhe në jetën e botës tjetër, çështje këto që dirigjohen nga besimin Allahun xh.sh.. Pra me këtë nënkuptohet se efikasiteti për zbatimin e imperativit “vepro” apo “ndalo” paraqet vlera të dyfishta jo vetëm për besimtarin dhe shoqërinë islame, por për shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Vlerat e respektimit të këtij imperativi në jetën e kësaj bote paraqesin garancë, paq, stabilitet, ndihmë reciproke dhe tolerancë, qetësi shpirtërore morale dhe fizike, individuale dhe shoqërore, kurse në jetën e botës tjetër kënaqësi të përhershme – xhenet. Mosrespektimi i këtij imperativi jo vetëm që sjell pasoja të rënda për individin dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi në jetën e kësaj bote siç janë, pasiguria, frika, totalitarizmi, shqetësimi, shkatërrimi, humbja e vlerave morale dhe njerëzore etj, ky mosrespektim sjell edhe pasoja në jetën e përhershme të amshimit që është ndëshkimi me zjarr të xhehenemit.
Pra, zbatimi i urdhrave hyjnore, gjithnjë mbështetet në bindje vullnet dhe sinqeritet, kurse arsyetohet me dashurinë që ka besimtari Islam ndaj Krijuesit Absolut- Allahut xh.sh. Andaj, të çuditshme janë arsyetimet për mosrespektim të imperativit hyjnor që mbështeten në mendjemadhësi dhe bigotizëm duke përdorur arsyetime irracionale dhe duke pretenduar se imperativi për veprim apo mos veprim është çështje që kufizon lirinë dhe të drejtën e njeriut!. Të kuptuarit e imperativit në këtë formë jo vetëm që është i gabuar dhe irracional, por është tendencioze dhe satanike, sepse kjo ide ishte pjellë e djallit që nga momenti kur tentoi ta bindë njeriun, që urdhri për ndalim është në dëm të tij dhe kufizim i lirisë së tij.
Megjithatë, sipas të kuptuarit të vërtetë dhe logjikës së shëndoshë islame dhe njerëzore, qëllimi i ndalimit dhe i lejimit në të drejtën islame nuk paraqet as nuk duhet kuptuar si kufizim të lirisë njerëzore, porse paraqesin siguri dhe mirëqenie personale dhe shoqërore.
Për të vërtetuar këtë që u tha do të citojmë hadithin e Pejgamberit s.a. ku ka thënë: Mysliman i vërtetë është ai, nga i cili myslimanët janë të sigurt-mbrojtur nga gjuha dhe dora e tij, kurse emigrues të vërtetë janë ata që emigrojnë nga ndalesat që i ndaloi Allahu xh. Sh.
Nga ky hadith nënkuptohet se besimtari islam ka urdhër për ndalesën e dorës së tij që ta përdorë në grabitje, vjedhje, rrahje, maltretime etj, gjithashtu ndalesë për gjuhën e tij për të mos sharë, fyer, ofenduar, nënçmuar të tjerët etj. Logjika e shëndoshë nga ky hadith është se besimtari i islam i cili për shkak të respektimit të imperativit si dhe për shkak të dashurisë ndaj Allahut xh.sh, e ruan dorën e tij nga veprimet e lartpërmendura si dhe gjuhën e tij nga fyerjet, përbuzjet dhe nënçmimin e të tjerëve, duke mbajtur llogari për përgjegjësinë para Allahut, krijon një garantë dhe siguri në shoqërinë jo vetëm islame por edhe njerëzore, sepse askush nuk frikohet nga gjuha dhe dora e besimtarit islam. Sikur ky hadith do të kuptohej sipas logjikës satanike se imperativi paraqet kufizim të së drejtës së njeriut, atëherë rezultati i kësaj logjike del se vjedhja dhe korrupsioni janë të drejta të individit, kurse nënçmimi, sharja dhe fyerja po ashtu janë të drejta individuale dhe askush nuk ka të drejtë të kufizoj lirinë e së drejtës së tij.! Kjo logjikë është e sëmurë dhe sjell pasoja të rënda shoqërisë njerëzore, sidomos në kohën kur bota bashkëkohore një nga problemet më serioze e ka luftën kundër korrupsionit dhe kundër anomalive njerëzore si pasojë e humbjes së besimit, vetëbesimit dhe moralit njerëzorë.