Autor: Jusuf ZIMERI
Dijetarët Islamë, duke u mbështeur në argumentet autentike islame, janë unik në mendimet e tyre se dispozita së ngrënies së mishit nga kafshët e ngordhura është e ndaluar pra (Haram), por nga kjo dispozitë përjashtohet shfrytëzimi i lëkurës së saj, leshit, brinave etj, sepse këto veprime nuk përfshihen në këtë ndalesë, por përkundrazi shfrytëzimi i tyre është çështje e kërkuar sipas jurisprudencës islame. Juristët Islamë në saje të studimit të thellë të argumenteve kanë përfituar edhe dispozita precize në këto çështje nga e drejta islame.
Në kontekst të këtij studimi, përfitohet konkluza se, të gjithë dijetarët islamë (juristët) janë unikë në mendimet e tyre, se lëkura e kafshës së ngordhur apo asaj të prerë, para regjies së saj nuk mund të përdoret për shkak të papastërtisë së saj, por nuk vlen e njëjta dispozitë edhe për përdorimin e lëkurës së kafshës së ngordhur apo të therrur pas regjjes së saj, sepse ajo mund të përdoret.
Mirëpo, edhe pse juristët islamë (fukahat) janë unik në këtë çështje, ata do të kenë kundërthënie në çështjen se a pastrohet çdo lëkurë pas të regjurit apo vetëm disa nga to. Kjo është një tematikë që fukahat Islamë, e studjuan në detaje nga të gjitha kënvështrimet, andaj edhe polemikat dhe kundërshtimet e dijetarëve mes veti në këtë temë u reflektuan si rezultat i argumenteve të shumta të transmetuara për këtë çështje.
Sipas mendimit të dijetarëve të shkollës juridike (medhhebit) hanefite, me regjie pastrohen të gjitha lëkurat e kafshëve të ngordhura, me përjashtim të lëkurës së derrit.
Mendimin e tyre dijetarët e medhhebit hanefij e mbështesin në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. të transmetuar nga Ibni Abasi (Radiall-llahu anhu) i cili ka thënë: njëherë duke kaluar Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. pranë një deleje të ngordhur të Mejmunes shokëve të tij u tha:
هَلَّا أَخَذْتُمْ إِهَابَهَا فَدَبَغْتُمُوهُ فَانْتَفَعْتُمْ بِهِ فَقَالُوا إِنَّهَا مَيْتَةٌ فَقَالَ إِنَّمَا حَرُمَ أَكْلُهَا
“Pse nuk e morët lëkurën e saj, e regjni dhe e shfrytëzoni atë? I thanë: ajo (delja) është e ngordhur. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: Vërtetë, ndaluar është ngrënia e saj.”[1]
Në një hadith tjetër të koleksionuar në Sahihun e Imam Muslimit të transmetuar nga Abdullah b. Abbasi (Radiall-llahu anhu) i cili e ka dëgjuar Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. duke thënë:
عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ عَبَّاسٍ قَالَ سَمِعْتُ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَقُولُ إِذَا دُبِغَ الْإِهَابُ فَقَدْ طَهُرَ
“Kur të regjet lëkura, ajo pastrohet “[2]
Nga këto hadithe nënkuptohet se të gjitha lëkurat pas regjies pastrohen, pavarësisht se a u hahet mishi apo jo, kurse lëkura e derrit nuk pastrohet për shkak të ekzistimit të argumentit tekstual i cili argumenton se është i ndytë që do të thotë se derri në esencë është i papastër.
Sipas mendimit të Imam Shafiut pas regjies pastrohen të gjitha lëkurat me përjashtim të lëkurës së derrit dhe të qenit. Nga kjo nënkuptohet se Imam Shafiu, pajtohet me dijetarët e medhhebit hanefij për ndalesën e përdorimit të lëkurës së derrit, por kësaj dispozite ia shtonë edhe lëkurën e qenit. Andaj edhe Argumentet ku bazon mendimin e tij Imam Shafiu, janë të njëjtat argumente të medhhebit hanefij, kurse dispozitën për lëkurën e qenit lëkurën e qenit e përfiton përmes kijasit (analogjisë) me lëkurën e derrit.
Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanbelij, asnjë lëkurë nuk pastrohet pas regjies. Argument ku hanbelitë mbështesin mendimin e tyre kanë ajetin kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë: “U janë ndaluar juve cofëtinat”. Nga kjo nënkuptohet se cofëtina është e ndaluar, kurse edhe lëkura është pjesë e cofëtinës. Hanbelitët gjithashtu mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e transmetuar nga Abdullah b. Ukejmi El Xhuheniji i cili ka thënë: “Derisa ishim në tokën e Xhuhejnit, e unë isha si djalë i ri, na erdhi shkresa e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme (në të cilën thuheshte), që të mos shfrytëzojmë nga cofëtinat, me lëkurat e as me ashtin “.Muslimi
Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit malikij, regjia pastron të gjitha lëkurat, por me një pastrim sipërfaqësor e jo edhe pastrim thelbësor (esencial), që do të thotë se lëkura e regjur mund të përdoret për gjërat e thata, por jo edhe për ato që janë të lëngta. Malikitë për argument marrin hadithet të cilat lejojnë regjien, e gjithashtu bazohen edhe në argumentet që ndalojnë atë, do të thotë mundohen të bëjnë njëfarë përputhshmërie mes dy palë argumenteve.
Sipas mendimit të Imam Evzaiut, me regjie pastrohen të gjitha lëkurat e kafshëve që mishi i tyre është i lejuar, por nuk pastrohen lëkurat e kafshëve që mishi i tyre nuk është i lejuar.
Referencat
[1] Muslimi
[2] Muslimi