Përgatitë: Jusuf ZIMERI
Aallahu xh.sh. thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni mes veti”. Kur’an “Islami ma ka ndaluar vetminë dhe jetën larg njerëzve, por më ka inkurajuar për parime dhe rregulla të pastra, të lehta dhe me falje”. Këto janë fjalët e njeriut më me ndikim në botën n njerëzore Muhamedit a.s.
Hyrje
Toleranca sipas mësimeve islame, trajtohet si elementi më esencial për sistemin moral, burim më i rëndësishëm i disiplinës shpirtërore dhe një virtyt hyjnorë për njerëzit e përkryer. Sipas parimeve islame, në një vend apo shoqëri, ku mungon toleranca si element i vlerave morale, është e pamundur të flasësh për zhvillimin e mjeteve të komunikimit masiv, për mendimin e përparuar, e aq më pak për aktivitetet kulturore që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të. Nga kjo, thjeshtë nënkuptohet se, mungesa e tolerancës, nënkupton krizën morale në shoqërinë njerëzore, e kjo krizë e moralit qartë sinjalizon edhe për krizën e besimit dhe bindjes së njeriut në Krijuesin e tij.
Nga citati i parë që e thamë në fillim, krijuesi absolut na e bënë me dije se jeta në këtë botë është një vend me shumë botëkuptime dhe identitete të ndryshme fetare dhe nacionale, andaj domosdoshmërish lind nevoja primare për gjuhën e komunikimit mes feve dhe popujve, sepse pa këtë element (pa elementin e komunikimit) nuk mund të depërtojë dhe mbijetojë e vërteta. Pra, nëse me vëmendje dhe sinqeritet kundrojmë konceptin islam mbi jetën, njeriun dhe botën që na rrethon, me lehtësi konstatojmë se koncepti islam është fleksibil dhe gjithnjë krijon imazhe shpresëdhënëse në koloritin e bukur shoqërorë, ku vend ka për të gjithë përveç për djallin dhe aleatët e tij, qofshin nga bota e padukshme apo nga bota njerëzore. Islami është në përpjekje të përhershme që njeriun ta lirojë nga pranga e injorancës mendore, në lirinë e amshueshme të besimit dhe bindjes, sepse pa bindje nuk ka edhe besim.
Nëse shfletojmë vepra ku përshkruhet biografia “sira” e Pejgamberit s.a.v.s., qartë vërejmë se Muhamedi a.s. kujdes të veçantë i kushtoi marrëdhënieve të tija ndaj ithtarëve të feve tjera, qofshin ato breje apo krishtere. Ndodhte shpesh herë që ai ti vizitonte ata dhe të rrinte në familjet e tyre dhe të vizitonte edhe të sëmurit e tyre, u ndihmonte kur kishin nevojën për ndihmë, por edhe kërkonte ndihmë prej tyre kur kishte nevojë për te.
Ibni Is’haki në veprën e tij regjistron një rast shumë interesant në këtë kontest. Në një rast Pejgamberit s.a.v.s. i kishte ardhur një delegacion nga të krishterët. Dihet se rezidenca e Pejgamberit a.s. ishte xhamia, andaj edhe këtë delegacion të krishterë e pranoi në xhami. Koha ishte pas namazit të iqindisë, e kur për krishterët kishte ardhur koha për kryerjen e ceremonisë së tyre, Pejgamberi a.s. në disponim ua la xhaminë të kryejnë ceremoninë e tyre. Në këtë rast dikush nga të pranishmit mysliman deshi të reagoj, por Muhamedi a.s. i tha: “leni të qetë, le të kryejnë faljen e tyre”
Historia islame rrëfen edhe për një ngjarje, kur Pejgamberi a.s. ishte duke ndenjur në rrugë me disa shokë. Në atë rast aty pran kalon një turmë e njerëzve të cilët bartnin një kufomë. Në atë rast Muhamedi a.s. u ngritë në këmbë në shenjë respekti , e dikush nga të pranishmit i tha: Ajo është kufoma e një breji! Muhamedi a.s. iu përgjigj: Po ai, a nuk ishte njeri!?
Këso raste në historia e Islam shënon të pa numërta, si nga Hulefai rashidinët, sahabët si dhe nga burrat e mëdhenj që i njohu historia e shtetit islam. Pra toleranca në parimet islame, nuk ishte vetëm një teori sterile, porse një praktikë e implementuar në jetën e përditshme të besimtarëve islam dhe e siguruar me ligj. Një gjë të tillë e konfirmuan edhe jo myslimanët, të cilët ishin të sinqertë në sqarimet e tyre rreth çështjes së tolerancës. Sa për ilustrim po përmendim fjalët e filozofit franses Gustav Lebon i cili në librin e tij “Hadaretul arabi”pos tjerash thotë: Është fakt i pa mohueshëm se komuniteti botërorë nuk njeh pushtues më zemërgjerë se arabët, e as fe aq tolerante siç është feja e tyre” Xhon Espasito thotë: Në mendimin religjion Islami është dëshmuar si fe tolerante që ka garantuar të drejta të zgjeruara të lirisë fetare
Bazamenti ideor për tolerancën e myslimanëve.
Baza për teorizimin e tolerancës që praktikojnë myslimanët në veprimtarinë e tyre të përditshme në jetën e kësaj bote, ndaj atyre që kanë bindje dhe besim tjetër, rikthehet në të menduarit dhe realitetet bindëse që janë rrënjosur në trurin dhe zemrën e besimtarit islamë, e ndër më të rëndësishmet janë:
- Bindja dhe besimi i çdo besimtari islam për ndershmërinë dhe respektin ndaj qenies njeri, pavarësisht se cila është feja, bindja apo ngjyra e tij.
- 2. Besimi dhe bindja e besimtarit në çështjen, se, ndarja e njeriut nëpër kombe, fise dhe fe të ndryshme është sipas dëshirës së Allahut i cili njeriut ia dhuroi këtë të drejtë të zgjedhjes. Allahu xh.sh. thotë: Kush donë le të besoj e kush donë le të mos besojë
- Besimtari islam është i vetëdijshëm se, ai nuk është i ngarkuar e as kompetent që të bëjë llogarinë e të tjerëve për besimin apo mosbesimin e tyre, ngase një kompetencë e tillë i takon vetëm Krijuesit absolut.
- Besimi dhe bindja e besimtarit se Allahu xh.sh. në mënyrë imperative kërkon drejtësi dhe e donë drejtësinë. Gjithashtu apelon dhe obligon besimtarin islamë që të mobilizohet me virtytet e larta të edukatës, moralit dhe sjelljeve korrekte, qoftë edhe ndaj politeistëve.
Dijetarët islamë, përfshirë këtu juristët islamë, sociologët, pedagogët, filozofët dhe dijetarët e strukturave tjera i kanë kushtuar rëndësi të përhershme kësaj vere morale, fetare e pse jo edhe njerëzore andaj, mund të gjesh mi qinda e qinda vepra në këtë drejtim. Mirëpo ne për hir të kohës po përmendim vetëm mendimin e dijetarit bashkëkohor, akademikut Prof. Dr. Jusuf Kardavit, i cili tolerancën dhe bashkëjetesën fetare e rangon në tri shkallë, që janë:
Shkalla e parë, e tolerancës është atëherë kur tjetrit i mundëson lirinë e besimit fetar, pa ia imponuar me forcë bindjen tënde, por nuk ia mundësohet ushtrimi praktik i ceremonive dhe riteve që urdhëron feja.
Shkalla e dytë e tolerancës konsiderohet kur tjetrit i mundësohet liria e besimit në fenë tjetër dhe nuk pengohet zbatimi praktik i normave.
Shkalla e tretë e tolerancës është edhe shkalla kulminante e saj kur tjetrit jo vetëm që i lejohet besimi dhe praktikimi i normave që burojnë nga bindja e tij edhe atëherë kur janë në kundërshtim me besimin tënd, por ato edhe i sigurohen ligjit dhe kodit të sistemit islam. Kjo ishte shkalla që e praktikuan myslimanët. Me gjithë atë sipas sistemit islam ekzistojnë edhe disa çështje tjera që nuk mund të përfshihen në premisat e ligjit dhe kodit, e kjo është edhe shpirti i tolerancës i cili reflektohet në bashkëjetesë të mirë, në bujari të ngrohtë, në ruajtjen e fqinjësisë, në ruajtjen e ndjen jave të brendshme njerëzore duke u ndihmuar në të mira, mëshirë dhe mirësi. Ky është shpirti i tolerancës islame që për fat të keq i mungon botës sot.
Shkaqet e intolerancës.
Shkaqet që shpijnë deri te intoleranca dhe padurueshmëria sipas studime që i bënë dijetarët dhe juristët islamë, janë të shumtë e që ne në këtë rast do të përmendim vetëm disa si më të rëndësishme që janë:
- Zhveshja e njeriut nga besimi dhe etika njerëzore, dhe materializimi i të gjitha çështjeve në jetën e njeriut, apo thënë më mirë robotizimi i njeriut. Njeriu është qenie e krijuar nga dy komponentët, ai material që njeriun e tërheqë drejt boshtit të vet, dhe komponentës shpirtërorë që njeriun e tërheqë drejt vlerave të larta shpirtërore që janë altruizmi, falja, toleranca etj.. Lënia pas dore e këtij komponenti e bën që njeriun që me çdo kusht të arrijë qëllimin e vet në jetën e kësaj bote, pavarësisht nga vlerat dhe çmimin që duhet paguar. Ky komponent e bënë njeriun që interesi materiat të lëvizë para atij sentimental, kurse tërë këtë Halifi i katërt islam Aliu r.a. e definoi duke thënë: “Gjuha e të mençurit është pas mendjes së tij, kurse mendja e Ahmakut është pas gjuhës së tij”
- Zhveshja nga ndjenja e barazisë dhe kultivimi i teorisë së superioritetit, duke harruar se të gjithë njerëzit janë të barabartë në pikën fillestare të tyre, kur përfundimi i tyre dallon varësisht nga veprat e tyre. Kjo ndjenjë po ushqehet në emër të shkencës, teknologjisë, lirisë mendore, progresivitetit, emancipimin etj etj.
- Zëvendësimi i fesë si ushqim shpirtërorë për botën njerëzore, dhe kompensimi i saj me sekularizëm, është vetëm një manipulim perfid që përdoret nga politikat ditore, e që njeriun po e zhvillon vetëm në një drejtim të njëanshëm.
- Padrejtësia dhe diskriminimi nacional apo fetar, qoftë ai individual apo kolektiv apo edhe institucional, është ndër shkaqet më kryesore që njerëzit i shpien drejt intolerancës dhe padurueshmërisë individuale dhe qytetare.
- 5. Humbja e vlerave njerëzore, dhe ardhja në shprehje e anativlerave, apo më mirë me thënë përcaktimi i dy shkallëve për qenien njeri, që janë shkalla e cila jep, dhe shkalla e cila merr.
Disa fjalë për Rininë.
Meqë konferenca si pikë themelore ka edukimin e të rinjve në parimin e tolerancës, në këtë rast do të them dy tri fjalë edhe për këtë kategori të njerëzve. Fillimisht po theksoj se të flasësh për rininë donë të thotë të flasësh për pikën më alergjike që posedon shoqëria njerëzore. Nëse rinia sot paraqet një pjesë bukur të madhe të shoqërisë, të njëjtin nesër janë burrat e ardhmërisë. Andaj, se cila do të jetë ardhmëria e jonë, varet nga përcaktimi i jonë, varet nga fakti se për cilat kritere të edukimit të rinisë sonë jemi përcaktuar dhe sa do të investojmë për ta. Them kështu ngase operacioni i edukimit të njeriut është proces i pandalshëm gjatë tërë jetës, mirë të shumtë janë ato faktorë që dëshmojnë se edukimi i rinisë gjithmonë është më frytdhënës dhe më i suksesshëm në krahasim me moshat tjera, sepse rinia është ajo kategori e shoqërisë që posedon përgatitje për ndryshime. Andaj nëse jemi të përcaktuar që të kemi ardhmëri të shëndoshë, që ardhmëria jonë të jetë në duart e sigurta, atëherë kemi obligim personal, kolektivë e shoqërorë, po pse jo edhe institucional që këtë çështje ta marrim shumë me seriozitet që rininë tonë ta edukojmë dhe udhëzojmë në baza të shëndosha që përputhen me realitetin shkencor dhe me natyrshmërinë e njeriut.
Këtë që e thashë e dëshmoi historia e njerëzimit nëpër shekuj, por dëshmi shumë më të qartë për këtë na ka ofruar, njeriu dhe edukatori e pedagogu më me ndikim në historinë e njerëzimit, i cili me vlerat e tij të absorbuara nga fuqia absolute arriti që me sukses të bëjë ndryshimin më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit, që ndryshoi jo vetëm fizionominë e gadishullit arab, por ndryshoi edhe fizionominë e botës njerëzore në përgjithësi. Sekreti i suksesit të këtij ndryshimi, nuk qëndroi në arsenalin ushtarak e as në fuqinë materialiste. Sekreti i suksesit të tij ishte i ndërtuar mbi bazën e mëshirës, butësisë, bujarisë, dashurisë, harmonisë, mirëkuptimit dhe tolerancës, vlera këto që ishin, janë dhe do të jenë garantë e ardhmënisë dhe stabilitetit njerëzore. Sekreti i suksesit të tij ishte pikërisht në faktin se këto vlera i mbjelli dhe rrënjosi thellë në shpirtin dhe zemrat e të rinjve, e këtë deklarativisht e shprehi kur tha: ”Në përhapjen e islamit dhe vlerave të saj jam ndihmuar nga të rinjtë”. Ky pra ishte i Dërguari i Allahut Muhamedi s.a.v.s.
Rinia jonë është nëse e paraqesim figurativisht është si një kopsht që frytet e këtij kopshti varen nga edukimi i pronarit. Ai në te ka mundësi të mbjellë lulet dhe pemët më të bukura që frytet e saja kënaqin jo vetëm atë por tërë shoqërinë, por ka mundësi që të mbjellë edhe bimë që helmojnë jo edhe tërë shoqërinë, andaj përgjegjësia bie mbi gjeneratën që i paraprinë rinisë.
Mendoj se dinamika e jetës që po zhvillohet sot në botën bashkëkohore, në botën e teknologjisë dhe industrializimit, është tërësisht e materializuar dhe e zhveshur nga sentimentalja dhe edukata shpirtërore, që ka shkaktuar robotizimin e individit, në shoqërinë njerëzore po sjell pasojat e veta, saqë veç sa nuk kanë kaluar në metastazë, dukuri kjo që me automatizëm bie ndesh me vetë natyrshmërinë e qenies njeri, ngase humanizmi dhe toleranca si dy vlera kyçe njerëzore shihen vetëm përmes optikës materialiste. Pasi që theksuam shkurtimisht rolin e tolerancës, rëndësinë dhe vlerat e saja si dhe shkaqet e intolerancës dhe nga ana tjetër rolin e rinisë në përgjithësi, atëherë mendoj së shërbim dhe interes të këtyre vlerave për shoqërinë tonë si nevojë imediate paraqitet aplikimin e lëndës fetare në sistemi arsimor shkollor të R së Maqedonisë. Shoqëria jonë ka nevojë për aplikimin e lëndës fetare në shkollat publike pasi që aplikimi i tij është nevojë kohe dhe detyrë sublime e institucioneve tona shtetërore. Paraqitet nevoja ngase me inkorporimin e mësim besimit në shkollat publike arrihet që të shmanget mësimi informal për fenë dhe arrihet që rinia jonë të ruhet nga ndikimet e ndryshme që nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe traditën në të kaluarën tonë.
S’ka dilemë në faktin se feja është e një rëndësie të gjerë për një shoqëri të lirë demokratike. Zbatimi i lëndës fetare do të ndikojë në fuqizimin e dijes dhe njohurisë, moralit, shëndetit dhe do të ndikojë në parandalimin e narkomanisë, alkoolit, vetëvrasjeve dhe marrëdhënieve të hershme seksuale.
Toleranca dhe intoleranca në Maqedoni
Të flasësh për tolerancën dhe intolerancën në R e Maqedonisë, vërtetë nuk din nga t’ia fillosh, sepse këto të dy elementet janë përditshmëri në shoqërinë multinacionale dhe multikonfesionale të Maqedonisë. Ballkani si pjesë e Evropës, përfshirë këtu edhe Maqedoninë u gjend i ekspozuar, ndaj të gjitha efekteve modernizuese të Evropës,. Në fakt, në mes perceptimeve, e të të kuptuarit të ndryshimeve dhe zhvillimeve ‘moderne’ të nisura në Europën Perendimore dhe rajonit Ballkanit, ka ekzistuar dhe ekziston një hendek i madh.
Pavarësisht nga vlerësimet dhe qëndrimet e disa Organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë bërë se toleranca ekziston në Maqedoni, realiteti në të shumtën e rasteve dëshmon të kundërtën e vlerësimeve të tyre. Nëse nisemi nga sintagma ku populli thotë: “Njeriu i këndon gjithmonë asaj që i mungon”, atëherë vetë mobilizimi i shoqërisë për debatime, diskutime dhe vlerësime të shumta rreth kësaj çështje nënkupton se ka mungesë tolerance.
Unë nuk dua të debatoj shumë rreth kësaj çështje, por vetëm dua që sot para jush të shpalosi një bindje timen, e cila sa është fatmirësi, aq edhe fatkeqësi. Bindja ime është se në R. e Maqedonisë toleranca është më e pranishme në shoqërinë civile multinacionale dhe multikonfesionale të vendit tonë, se sa toleranca në institucionet dhe politikën e shtetit. Këtë që po e ekspozoj mund ta argumentoj me shumë fakte, që sistemi dhe poltika shtetërore në kontinuitet ka iniciuar intolerancën te popullata civile duke shfrytëzuar ndjenjat e tyre të brendshme. Unë vetëm në mënyrë laksative por përmendi disa prej tyre: Reagimet e politikës dhe kreut të KOM-iti vitin 2001 pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit me këmbëngulje nxitën intolerancën për të ndryshuar Nenin 19, vetëm e vetëm që dy bashkësitë fetare më të mëdha të vendit, pra KOM dhe BFI të jenë të barabarta, sepse këtë nuk mund ta toleronte as politika e as KOM. Pastaj vendimi i kryqeve mbi Sahatkullat në maqedoni, nxitja e ndërtimit të kishës në Kalanë e Shkupit, Botimi i enciklopedisë maqedonase, mos ndërtimi i xhamisë burmali në vendin e saj ku ka qëndruar me shekuj dhe në anën tjetër leja për ndërtimin e kishës, mësimi gjuhës maqedone për jo maqedonasit prej klasës së parë, moskthimi i pronës së vakëfit, pra ngecja e procesit të denacionalizimit, ndërtimi i objekteve nga institucionet shtetërore në pronën e vakëfit pa lejen e askujt e shumë e shumë veprime të tjera, janë provokime që në kontinitet i ngacmon politika dhe institucionet e shtetit e jo popullata civile.
Andaj për në fund, sikur struktura politike shtetërore të ruante tolerancë ndaj popujve dhe feve aq sa e ruan ndaj korrupsionit, me siguri se edhe Maqedonia do të kishte një pasqyrë shumë më të mirë se këtë që e kemi sot.
(Ky punim është ekspozuar në Konferencën e organizuar nga FRI në bashkëpunim me Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit që është mbajtur më 19. 11.2011 në Shkup me temën: Të rinjt dhe toleranca ndëretnike dhe ndërfetare në RM”.)