Autor: Jusuf ZIMERI
Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë)[1].
Shkaku i zbritjes së ajetit
Mukatil b. Hijani thotë se shkaku i zbritjes së këtij ajeti është zënka mes Kajs b. Abasi el Kindiut i cili akuzonte Abdan b. Eshve el Hadremiun për të drejtën e pronësimit të një parcele toke. Me qenë se rastin e kishin ngritur deri te i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). Allahu xh.sh. zbriti ajetin e lartpërmendur për të zgjidhur kontestin mes tyre.[2]
Nëse ajetin e kundrojmë nga këndvështrimi i radhitjes vërejmë se është i radhitur pas ajetit që sqaron dispozita e agjërimit. Urtësia e kësaj radhitje qëndron në faktin se derisa besimtari islam gjatë agjërimit të tij, është larguar nga të ngrënit, të pirit dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore që në esencë janë të lejuara vetëm e vetëm që të arrijë kënaqësinë e Allahut xh.sh., pastaj të bëjë pastrimin e tij shpirtërorë dhe fizik, me qëllim të jetë sa mi i freskët dhe sa më afër Krijuesit të tij. Ky ajet kur’anor përveç faktit që sqaron se ngrënia e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë, në esencë është veprim i ndaluar (haram), dhe në anën tjetër motivon njerëzit në grindje, zënka dhe përçaje, ai gjithashtu sqaron se ngrënia e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë, përveç se zbehë besimin e njeriut, është edhe pengesë për arritjen e kënaqësisë shpirtërore përmes ibadetit dhe gradualisht e largon njeriun nga adhurimi. Pra, lidhshmëria mes dy ajeteve, ajetit që sqaron dispozitat e agjërimit dhe ajetit që sqaron dispozitat e ngrënies së pasurisë së huaj, qëndron në urtësinë se derisa agjërimi është nga format më të lashta të komunikimit të njeriut me Krijuesin e tij dhe e afron njeriun drejt mëshirës së Allahut xh.sh. , ngrënia e pasurisë së huaj është fuqi që e tërheq njeriun në drejtim të kundërt me agjërimin, pra gradualisht e shkëputë njeriun nga lidhjet e tij me Krijuesin e vet.
Dispozitat juridike islame që përfitohen nga ajeti
Edhe pse ky ajet është gjithëpërfshirës, duke u bazuar në shkakun e zbritjes së këtij ajeti nënkuptohet se qëllimi final i këtij ajeti për të cilin dhe është zbritur është ndalimi i përdorimit të pasurisë së huaj, përmes metodave të ndryshme djallëzore si ryshfeti, mito, korrupsioni etj, e veçanërisht përmes metodës së uzurpimit.
Mitë – Ryshfeti.
Duke u mbështetur në ajetin e më parë përmendur vërehet se ryshfeti është veprim i ndaluar islamikisht. Këtë e vërteton edhe hadithi i i transmetuar nga Thevbani, ku ka thënë: “I dërguari i Allahut e ka mallkuar mitëdhënësin, dhe mitëmarrësin dhe ndërmjetësuesin mes tyre”.[3]
Ajo që në veçanti na e tërheq vëmendjen në këtë rast është ryshfeti i dhënë në organet e drejtësisë, pikërisht në institucionet shtetërore. Krimi është edhe më i rëndë atëherë kur përmes krimit institucional deligjitimohet e drejta e dikujt, dhe njëkohësisht legjitimohet padrejtësia përmes organeve të drejtësisë, organe këto që janë të thirrura edhe islamikisht, edhe juridikisht e edhe moralisht për të mbrojtur drejtësinë e jo për të devijuar atë.
Çështja tjetër për të cilën qartë na sinjalizon ajeti kur’anor është fakti se ryshfeti zakonisht jepet për të përvetësuar atë në nuk i takon mitëdhënësit, pra për të bërë krim ndaj tjetrit.
Në rastet kur mitëdhënësi përmes ryshfetit mendon se juridikisht ka legjitimuar të drejtën e tij pronësore të ndonjë pasurie, ajeti na jep të kuptojmë se legjitimimi i gjykatësit përmes një aktvendimi të sjellë në favor të mitëdhënësit, nuk e ndryshon esencën e së drejtës pronësore, dhe kjo nuk e liron nga përgjegjësia para Allahut xh.sh., sepse vendimi i gjykatësit nuk e ndryshon dispozitën nga e ndaluara (harami) në të lejuar (hallall). Një legjitimim i rrejshëm pronësoro-juridik mund të bëhet nga edhe nga gjykatësi i cili nuk është përfshirë në procesin e ryshfetit, porse vendimin e sjell në bazë të dëshmive nga dëshmitarët të cilët mund të kenë qenë mitëmarrës që të dëshmojnë pra gjykatësi dhe e tërë kjo bëhet pa dijen e gjykatësit. Në rastin konkret, gjykatësi duhet të sjell aktvendim në bazë të provave fizike, pra në bazë të asaj që dëshmohet, kurse brendësin e din Allahu xh.sh, dhe ai gjykon sipas asaj që nuk i sheh gjykatësi.
Ryshfet është një krim i cili sjell fatkeqësi jo vetëm individit porse edhe mbarë shoqërisë. Në shoqërinë ku funksionon ryshfeti, aty nuk funksionon dhe sistemi ligjor dhe drejtësia, dhe në këtë mënyrë nëpërkëmben të drejtat esenciale të individit, sepse krijohet bindja se njeriu për ti realizuar të drejtat e tij, patjetër të japë mitë dhe ryshfet.
Në anën tjetër ryshfeti e bënë njeriun të nënçmuar dhe përbuzur, sepse ai vetvetiu ndien se për interese të vogla të jetës së kësaj bote ka shitur unin dhe autoritetin e tij. Mitëmarrësi ashtu edhe sikur mitëdhënësi gjithnjë jetojnë në frikë dhe panik[4] sepse në veten e tyre përjetojnë ndjenjën e krimit dhe frikohen që eventualisht mos të zbulohen. Njerëzit e tillë që janë të vardisur ndaj pasurisë nuk zgjedhin mënyrën dhe rrugën për të ardhur deri te realizimi i interesit të tyre, andaj edhe janë të mallkuar nga i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme)..
Uzurpimi i pasurisë së tjetrit.
Uzurpimi “el Gasbu” e që juristët islam në aspektin terminologjik islam e definuan “Marrja e pasurisë së çmueshme pa lejen e pronarit të saj, duke ia hjekur të drejtën e pronësisë”.
Krahas ajetit kur’nor të theksuar në fillim për ndalimin e pronësimit të pasurisë së huaj pa lejen e pronarit, kemi edhe shumë ajete tjera e në mesin e tyre kemi edhe kation kur’anor ku thotë:” Dhe mos e hani pasurinë e njëri tjetrit në mënyrë të pa drejtë, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes veti” [5]
Krahas ajeteve kemi edhe shumë hadithe që ndalojnë këtë veprim e në mesin e tyre janë hadithi që transmetohet nga Talha b. Abdullah b. Auvfi se vërtetë Abdurrahman b. Amr b. Sehli e kishte informuar atë se Seid b. Zejdi kishte thënë: E kam dëgjuar pejgamberin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). duke thënë: “Kush bënë padrejtësi (uzurpon me dhunë) në një pjesë të tokës, vërtetë (ditën e gjykimit) do ti varen në qafë shtatë toka.[6] Pastaj hadithi tjetër ku thuhet: “Nuk lejohet pasuria e myslimanit përveç kur ajo jepet me dëshirën e tij”[7]
Pasuria e uzurpuar aq është e dëmshme saqë edhe falje e namazit nuk lejohet në të.
Pasojat nga uzurpimi
01. Zullumi – Mëkati
Uzurpimi i pasurisë së tjetrit me pa të drejtë konsiderohet mëkat për të cilin do të përgjigjet para Allahut xh.sh. e kjo qartë vërehet jo vetëm nga ajeti i më parë përmendur, por edhe përforcohet edhe me shumë hadithe të pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). Një nga hadithet që përmes së cilit i dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ndalon atakun ndaj pasurisë së huaj është edhe hadithi i cili flet për të drejtat e muslimanëve ku thotë: “Kush ia merr një pjesë të pasurisë një myslimani (me pa të drejtë) Allahu atij do t’ia obligoj zjarrin e xhenetit dhe do t’ia ndaloj xhenetin” Një i pranishëm i tha: A edhe nëse ajo pasuri është e lehtë 9 e vogël)? Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). tha: “edhe nëse është një fije kashte”.
Marrja e pasurisë së tjetrit konsiderohet krim dhe terror mbi tjetrin (zullum), e zullumi është prej mëkateve të rënda i cili peshon rëndë ditën e gjykimit, andaj kjo edhe është arsyeja që Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). i porositë besimtarët islam duke ua tërhequr vërejtjen duke u thënë:”Ruaju nga zullumi (padrejtësia), sepse zullumi ditën e kiametit paraqitet në zullume”[8]
Nëse shoqëria islame me parimet e saja fundamentale me dinjitet është e përkushtuar të luftojë terrorin, padrejtësinë dhe zullumin, atëherë kjo dukuri nuk ka vend në këtë shoqëri, mirëpo për derisa secili individ ruan vetëm interesin individual apo familjarë të ngushtë, atëherë kjo sëmundje zë vend të merituar në këtë shoqëri. Pikërisht këtu fshihet edhe urtësia e ajetit kur’anor që e kemi theksuar në fillim kur imperativi i drejtohet mbarë muslimanëve, sepse askush nuk do të jetë imun nga ky krim nëse nuk bashkohen forcat për ta luftuar këtë sëmundje bashkërisht. Duke marrë parasysh realitetin se zullumi, keqpërdorimi i pasurisë së huaj, nuk mund thjesht të bëhet nga një individ, porse patjetër të kenë edhe ndihmës, edukatori i njerëzisë, Muhamedi a.s. na mëson duke thënë: “Kush ecën (shoqërohet) me zullumqarin për ta ndihmuar duke e ditur se ai është zullumqar, edhe ai ka dalë nga islami i tij”.
Argumentet në këtë drejtim janë të shumta, por në këtë rast do të kisha theksuar vetëm fjalën e imam Gazaliut i cili në veprën e tij Ihjau ulumu ed-din, duke u mbështetur në argumentet e shumta autentike vjen deri te konstatimi duke thënë: “Zullumqar (kriminel) nuk është vetëm ai i cili bënë zullum (krim), por zullumqar janë edhe ata të cilët e shohin zullumqarin duke bërë zullum dhe nuk e ndalojnë”.
02. Rikthimi i sendit të uzurpuar
Të gjithë dijetarët islam – fukahat janë unik në mendimet e tyre se nëse sendi i uzurpuar ekziston ende, uzurpuesi detyrohet që t’ia rikthejë pronarit të saj të vërtetë, ose trashëgimtarëve të tij legjitim. Rikthimi i pronës së uzurpuar vërtetohet me hadithin e pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). ku ka thënë: “Dora e garanton atë që e ke marrë derisa ta kthejë atë te pronari. Po ashtu në këtë drejtim ekziston edhe hadithi tjetër ku pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). ka thënë: “Mos t’ia marrë dikush nga ju sendin shokut të tij, as me seriozitet e as me lojë, e nëse ndonjëri nga ju e gjen shkopin e shokut të tij, le ta kthejë atë tek ai”[9]
03. Sigurimi i sendit të uzurpuar nëse shkatërrohet.
Në rastet kur sendi i uzurpuar shkatërrohet në dorën e uzurpuesit dhe është nga sendet që transferohet sipas hanefijve, ose edhe nga mobiliet dhe rrobet sipas dijetarëve tjerë, atëherë uzurpuesi duhet të sigurojë kompensim për te.
Nëse sendi i uzurpuar dhe i shkatërruar në dorën e uzurpuesit është nga sendet që në treg ka të njëjta, atëherë sipas konsensusit të dijetarëve islam, uzurpuesi obligohet që t’ia blejë të njëjtin dhe t’ia rikthej pronarit të vërtetë, mirëpo nëse nuk ka të ngjashme atëherë obligohet të kompensoj kundërvlerën e sendit që e kishte ditën e uzurpimit të sendit.
Nëse lindin konteste mes uzurpuesit dhe pronarit të vërtetë të sendit në çështjet e uzurpimit, ose në sasinë dhe llojin e saj, atëherë fjala përfundimtare është e uzurpuesit, duke e shoqëruar me betim.
Nëse uzurpuesi tenton që pasurinë e uzurpuar me vlerë të veçantë ta fshehë duke thënë se është shkatërruar vetvetiu, ose e ka humbur, dhe për këtë nuk posedon prova të mjaftueshme, atëherë gjykatësi islam ka të drejtë ta privoj nga liria, derisa të bëjë prova juridike dhe të bindet se sikur ta kishte do ta kishte treguar, e pastaj të paguaj kundërvlerën e saj, sepse rikthimi është esencial, kurse kundërvlera është pasuese.
[1] Suretul Bekare : 188
[2]Dr. Vehbe Zuhejli, Tefsirul munir fil akideti vesh-sheriati vel menhexhi 1/163, Darul fikri Damask. Imam Kurtubiu, el xhamiu li ahkamil Ku’an 2/337.
[3] . Imam Ahmedi.
[4] . Seid Hava, el Islam f. 648, Daru es-selam, botimi i II Kajro.
[5] . Suretu en-Nisa : 29
[6] . Transmeton Imam Buhariu
[7] . Buhariu.
[8] . Transmeton Ahmedi nga Enes b. Maliki
[9] .Imam Ahmedi.