Shkruan: Jusuf ZIMERI

Kur shfletojmë literaturën përkatëse të shkollës juridike hanefite[1] konstatojmë me lehtësi se sipas juristëve të kësaj shkolle, uji është katër lloje, që janë:

Lloji i parë. Uji i deteve i cili është dedikuar të gjithë njerëzve në mënyrë të barabartë. Është e drejtë e njeriut që ka mundësi të shfrytëzojë ujin e detin me të gjitha format e mundshme, përmes ujitjes, kanalizimit, ashtu si është e dejtë e tij të shfrytëzojë edhe të mirat e tij siç janë rrezet e diellit, ajrit të pastër etj.

Lloji i dytë. ujërat e lumenjve të mëdhenj siç janë tigri, Eufrati, Nili dhe lumenjtë tjerë në rruzullin tokësorë. Shfrytëzimi i ujit nga këto lumenj është e drejtë absolute e njerëzve, duke e përdorur për pije, ujitje, dhe gjëra tjera të mundshme, me kusht nëse veprimi individual nuk e dëmton interesin e përgjithshëm shoqërorë.

Lloji i tretë. Uji i cili është pronë e një grupi të veçantë të njerëzve, siç është ndonjë burim apo lum i vogël i një fshati të veçantë. Këtë ujë banorët e këtij vendi e shfrytëzojnë në mënyrë të përbashkët, kurse pronësimi individual i ndonjë individi nuk është veprim i lejuar.

Lloji i katërt. Uji i cili është pronë individuale e njeriut, që shfrytëzimi i këtij uji është e drejtë individuale e pronarit, kurse të tjerët nuk kanë të drejtë ta shfrytëzojnë pa lejen e tij.

Nga këto katre lloje vërejmë se uji mund të jetë ose pronë e barabartë për të gjithë njerëzit, siç është uji në llojin e parë dhe dytë, ose është pronë e individit apo grupit të caktuar, siç është rasti me llojin e dytë dhe tretë.

Sa i përket dispozitës së shitjes së ujit, juristët islamë nga të gjitha shkollat juridike islame që përfaqësojnë ehli sunetin lejojnë shitjen e ujit nëse ai është pronë individuale siç është rasti i ujit të burimit, pusit, apo bunarit, ose ujit që është konservuar nëpër enë të ndryshme.

Argument për lejimin është ngjarja e Othman b. Afanit r.a. në Medine  kishte blerë bunarin nga çifutët, dhe e kishte bërë pronë për muslimanët. Këtë veprim e kishte bërë pasi që kishte dëgjuar Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme duke thënë: Kush e blenë bunarin e Rumes, dhe atë e bënë si pronë për muslimanët, ai për të ka xhenetin shpërblim”.

Argument tjetër me të cilin dijetarët islamë argumentojnë për lejimin e shitjes së ujit, është analogjia (kijasi) i ujit me drunjtë, sepse Pejgamberi Alejhis-selam kishte lejuar shitjen e drunjtëve duke thënë: Që dikush nga ju të marrë litarin e të shkojë në mal të presë një barrë drunjë e ta shesë, e me të të ushqehet dhe të japë sadeka, është më mirë për te, se sa të lypë nga njerëzit”[2]

Meqë pamë dispozitën e shitjes së ujit, do të ishte mirë që në vazhdim të theksojmë edhe një qëndrim unanim të fukahave islam, të cilët janë të mendimin se dhënia e ujit falas të tjerëve është veprim i preferuar (mustehab). Kjo dispozitë përfshihet në gjendjen e rëndomtë, kurse në rastet kur tjetri ka nevojë të madhe për ujë, atëherë dispozita e dhënies së ujit kalon në farz- vaxhib. Andaj dijetarët thonë, nëse një njeri ka ujë dhe disa të tjerë kanë nevojë të madhe për ujë, e pronari ua ndalon, ata kanë të drejtë me forcë të marrin ujin nga ai.

Dijetarët e medhhebit hanefij këtë çështje e elaborojnë pak më në detaje duke thënë: Nëse disa njerëz kanë nevojë madhore për ujë, dhe dikush ia pengon këtë, kurse uji është nga uji i bunarit apo lumit, atëherë ky popull ka te drejtë me forcë, bile edhe me armë të marrë ujin nga ai, mirëpo nëse uji është i konservuar në enë dhe ai nuk jep ujë për të shpëtuar jetën, ata kanë të drejtë ti marrin ujin me forcë por pa përdorim të armës, dhe të njëjtën e kompensojnë, respektivisht e paguajnë.


[1] Ibni Abidin, redul muhtar ala duril muhtar, tekmiletu fet’hul kadir. El hidaje etj.

[2] Buhariu dhe Muslimi

Shkrime të ngjashme