Nga: Jusuf ZIMERI

Eudhubil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut xh.sh.,  Krijuesit të botëve, kurse salevatet dhe selamet mbi  shpirtin e Muhamed Mustafas s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët islam që me kujdes dhe respekt i përcjellin normat e Kur’ani Kerimit  dhe të sunetit të pastër të MUHAMED Mustfas s.a.v.s

Regjistri i punëve tona

Besimtari islam në bazë të ajetit të lartpërmendur ku thotë “Ne shkruajmë veprat dhe gjurmët e tyre” është i bindur se për çdo punë dhe veprim të tij apo mos veprim do të japë llogari para Krijuesit të tij. Ai është i bindur se çdo lëvizje e tij është e regjistruar në regjistrin e tij, dhe jo vetëm për to por edhe për gjurmët dhe pasojat e tyre d të japë llogari para Allahut xh.sh,

Ai është i bindur se pas vdekjes ka ringjallje dhe llogari, kurse ditën e gjykimit do ti shpaloset regjistri i tij përpara dhe do ti thuhet:

اقْرَأْ كِتَابَكَ كَفَى بِنَفْسِكَ الْيَوْمَ عَلَيْكَ حَسِيبًا

“Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes”.[1]

Në këtë libër janë të regjistruara të gjitha fjalët e çdo njeriu, të gjitha veprat, qëllimet e tija të mira dhe të liga, aty janë të regjistruara edhe pasojat e veprës, e në këtë rast çdo sekret i fshehtë do të bëhet publik, Andaj, besimtari islam duke u nisur nga bindja e tij në këtë moment, bënë përpjekje maksimale që tërë veprimtari e tij të jenë brenda kornizave islame.

Besimtari islam i cili e beson këtë ditë mbanë llogari për këtë ditë që nga jeta e kësaj bote sepse regjistri i tij përmbanë shënimet e veprave të tij nga jeta e kësaj bote deri para vdekjes dhe, shpreson që ky libër i shënimeve të tij t’i sillen nga ana e djathtë e tij. Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik për besimtarët që libri i tyre do t’ju vijë nga ana e djthatë thtoë:

فَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِيَمِينِهِ فَيَقُولُ هَاؤُمُ اقْرَؤُوا كِتَابِيَهْ إِنِّي ظَنَنتُ أَنِّي مُلاقٍ حِسَابِيَهْ فَهُوَ فِي عِيشَةٍ رَّاضِيَةٍ فِي جَنَّةٍ عَالِيَةٍ قُطُوفُهَا دَانِيَةٌ كُلُوا وَاشْرَبُوا هَنِيئًا بِمَا أَسْلَفْتُمْ فِي الأَيَّامِ الْخَالِيَةِ

Kujt t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, ai do të thotë: “O ju, qe, lexojeni librin tim!” Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time. Dhe ai atëherë është në një jetë të kënaqshme. Në një xhennet të lartë. Pemët e tij i ka krejt afër.  (E thuhet) Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.[2]

Kurse ata që nuk besuan Allahun xh.sh. dhe nuk besuan në ditën e llogarisë, atyre do të vijë libri i tyre nga ana e majtë, ku Allahu xh.sh. thotë:

  وَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِشِمَالِهِ فَيَقُولُ يَا لَيْتَنِي لَمْ أُوتَ كِتَابِيَهْ وَلَمْ أَدْرِ مَا حِسَابِيَهْ يَا لَيْتَهَا كَانَتِ الْقَاضِيَةَ مَا أَغْنَى عَنِّي مَالِيَهْ هَلَكَ عَنِّي سُلْطَانِيَهْ خُذُوهُ فَغُلُّوهُ ثُمَّ الْجَحِيمَ صَلُّوهُ ثُمَّ فِي سِلْسِلَةٍ ذَرْعُهَا سَبْعُونَ ذِرَاعًا فَاسْلُكُوهُ إِنَّهُ كَانَ لا يُؤْمِنُ بِاللَّهِ الْعَظِيمِ وَلا يَحُضُّ عَلَى طَعَامِ الْمِسْكِينِ فَلَيْسَ لَهُ الْيَوْمَ هَاهُنَا حَمِيمٌ وَلا طَعَامٌ إِلاَّ مِنْ غِسْلِينٍ

“Ndërkaq, kujt i jepen librat e vet nga e majta e tij, ai thotë: “O i mjeri unë, të mos më jepej fare libri im. Dhe të mos dijsha fare se çka është llogaria ime. Ah, sikur të kishte qenë ajo (vdekja e parë) mbarim i amshueshëm për mua. Pasuria ime nuk më bëri fare dobi. U hoq prej meje çdo kompetencë imja. U thuhet zebanive: Kapeni atë, vëndojani prangat! Pastaj atë futeni në xhehennem… Mandej lidheni atë me një zinxhirë të gjatë shtatëdhjetë kutë. Se ai ka qenë që nuk besoi All-llahun e madhëruar. Ai nuk nxiste për t’i ushqyer të varfërit. Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik. As ushqim tjetër përveç të të shplarave.[3]

Ajo që është më e rëndësishmja e që e kuptojmë prej këtij ajeti, është se ne nuk do të përgjigjemi vetëm për veprat tona, por do të përgjigjemi edhe për gjurmët dhe pasojat e veprave tona ngase Allahu xh.sh. thotë “veprat dhe gjurmët e tyre”

Andaj njeriu duhet të jetë i matur dhe i kujdesshëm për veprimtarinë e tij, sepse nëse bënë ndonjë punë të mirë ai do të shpërblehet për të dhe për pasojat e saja edhe pas vdekjes, por nëse bënë ndonjë veprim të keq, ai do kujdeset për veprën dhe pasojat e saja edhe pas vdekjes së tij. Tërë këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. ku thotë: “Kush e hap një rrugë të mirë në Islam ai ka shpërblimin e asaj vepre dhe shpërblimin e të gjithë tyre që e bëjnë atë vepër pas tij deri ditën e kiametit, e kush e hap një rrugë të keqe në islam, ai ka barrën e saj dhe barrën e të gjithë atyre që e bëjnë atë vepër pas tij deri ditën e gjykimit[4]

Për ta ilustruar këtë me një shembull themi, nëse një njeri apo sundues sjell një ligj që është në kundërshtim me parimet islam dhe që në islam konsiderohet mëkat, ai konsiderohet mëkatarë, por edhe të gjithë ata që e zbatojnë këtë ligj konsiderohen mëkatarë, por një pjesë e mëkatit regjistrohet në konton e hartuesit të këtij ligji derisa ai ligj të jetë në funksion. Në anën tjetër nëse një njeri bënë një punë të mirë, si p.sh ndërton një rrugë apo urë ku kalojnë njerëzit, ai ka shpërblim, por shpërblimi atij nuk do ti ndalet derisa ajo rrugë apo urë të ekzistojë dhe të jetë në funksion të njerëzve atij do ti regjistrohen shpërblime deri në Kiamet. Andaj shpeshherë ne mendojmë se kemi bërë një vepër të vogël, por gjurmët dhe pasojat e saja janë të mëdha. Nëse një mësues i mëson nxënësit e tij me teori të gabuar apo teori që e mposhtë islami, ai është mëkatar edhe për të por të gjithë nxënësit e tij që do ta shpërndajnë këtë teori, ai do të ketë dënim për të.

Disa komentues të Kur’anit Kerimit janë të mendimin se me nocionin “edhe gjurmët e tyre” janë për qëllim gjurmët që i bënë njeriu kur ecën mbi ndonjë shkretinë ose mbi borë. Nëse njeriu ecën mbi borë apo mbi ndonjë shkretinë, pas veti lenë gjurmë, por pas disa çasteve për shkak të ndonjë erë ato humben dhe zhduken, mirëpo të njëjtat janë të regjistruara në librin tënd te Allahu xh.sh.. Kurse disa janë të mendimit se me nocion gjurmë janë për qëllim gjurmët e besimtarit islam i cili shkon në xhami për të falur namazin me xhematë, pra edhe ato janë të regjistruara në regjistrin tënd. Regjistrohen për shkak të vlerës së faljes së namazit me xhematë, ku Pejgamberi a.s. në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. ka thënë: Namazi i një burri me xhematë është më i vlefshëm se namazi i tij vetmas në shtëpi ose në treg (vendin e punës) për njëzetë e shtatë gradë. Andaj, nëse merr abdes dhe e kompleton abdesin e tij pastaj del për në xhami, e nuk del për ndonjë çështje tjetër për çdo hap që e bënë Allahu e ngritë nga një shkallë (derexhe) dhe ia shlyen nga një mëkat. Kur të falet, Melekët ende vazhdojnë të luten për të derisa të qëndrojë në xhami ku është falur duke thënë: O Zot, fale këtë, O Zot mëshiroje këtë. Çdokush nga ju konsiderohet në namaz derisa e pret namazin tjetër.[5]

Andaj s’ka dilemë në faktin se shpërblimet më të mëdha për faljen e namazit me xhematë në xhami i kanë ata që janë më larg xhamisë. Lidhje me këtë transmeton Ebu Musa se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Njerëzit që më së shumti kanë shpërblime (sevape) në namaz janë ata që ecin sa më larg, dhe ai i cili pret namazin që ta falë me imam ka më shumë sevap se sa ai i cili falet dhe bie me fjete.”[6]

Nga kjo vërehet se sa është i rëndësishëm dhe sa i precizuar ky regjistër te Allahu xh.sh. saqë njeriu kur të dalë para Krijuesit të tij dhe të shohë librin e tij do të thotë:

مَالِ هَذَا الْكِتَابِ لا يُغَادِرُ صَغِيرَةً وَلا كَبِيرَةً إِلاَّ أَحْصَاهَا

“ Çka është ky libër që nuk ka lëshuar asgjë të imët e as të madhe e vetëm se e ka regjistruar”[7]

Komentuesi i njohur i shekulli XX Muhamed Muteveli Sha’ravi në shpjegimin e këtij ajeti thotë se, disa dijetarë janë të mendimit se me këtë ajet nënkuptojmë edhe përgjegjësinë jo vetëm të veprave por edhe të qëllimit të njeriut. Këtë e vërtetojnë me hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku ka thënë: Kush vendosë të bëjë një punë të mirë dhe nuk e ka bërë, atij i regjistrohet një e mirë (një sevap), e kush vendos me bë një punë të mirë dhe e ka bërë atë vepër, atij i regjistrohen dhjetë mirësi (sevape).[8] Ky hadith na jep të kuptojmë se sa i rëndësishëm është qëllimi (nijeti) para se të punohet një punë, andaj edhe bartim përgjegjësi edhe për të.

Pra veprat e çdokujt nga ne janë jo vetëm të regjistruara dhe të ruajtura në librin tonë të veçantë, Imam b. Mes’ud El Bugaviju,[9] thotë ato janë edhe të radhitura dhe të numëruara, sepse Allahu xh.sh. thotë “Ve ahsajnahu- i kemi numëruar ato”.  Numërimi nënkupton precizitetin dhe saktësinë e regjistrimit të tyre.

Fi imamin Mubin” në librin i cili ruhet në levhi mahfudh, në pllakën ku Allahu xh.sh. ruan sekretet e Tij, ku nuk mund të depërtojë asnjë krijesë, prej ku meren urdhrat e Melekëve. Ditën e gjykimit njerëzit ftohen sipas librit të tyre, andaj Allahu xh.sh. thotë:

يَوْمَ نَدْعُو كُلَّ أُنَاسٍ بِإِمَامِهِمْ

“(Përkujto) Ditën kur do ta thërrasim secilin njeri me prijësin (librin, shënimet e veprave) e tyre”.[10]  Pra ftohen me librin e veprave të tyre për të dëshmuar për veprimtarinë e tyre të mirë ose të keqe,[11] pastaj Allahu xh.sh. thotëË

وَوُضِعَ الْكِتَابُ وَجِيءَ بِالنَّبِيِّينَ وَالشُّهَدَاءِ وَقُضِيَ بَيْنَهُم بِالْحَقِّ وَهُمْ لا يُظْلَمُونَ

“..libri (shënimet mbi veprat) është vënë pranë dhe sillen pejgamberët e dëshmitarët, e kryhet mes tyre gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet padrejt.”[12]

Imam Taberiju[13] sqaron se këtij libri i thuhet “mubin” sepse saktësisht sqaron dhe vërteton gjendjen e jetës sonë në këtë botë, andaj padrejtësia në këto momente është absurde, por njeriu gjykohet sipas veprave të tij.

 = V A Z H D O N =

Ligjeratë e mbajtur në Ramazan pas namazit të Iqindisë në xhaminë e fsh. Llojan nga Jusuf Zimeri


[1] El Isra : 14

[2] El Hakka : 19-24

[3] El Hakka : 25 – 36

[4] Imam Muslimi, Ahmedi, Ibni Maxhe, Termidhiu etj.

[5]  Buhariu

[6] Bejhekiu

[7] El Kehf : 49

[8] Hadithin e ka regjistruar Imam Muslimi me transmetim nga Ebu Hurejreja r.a. Buhariu me transmetim nga Ibni Abasi r.a. me një shprehje tjetër.

[9] El Husejn b. Mes’ud el Bugaviju, Tefsirul Bugavij 7/10.

[10] El Isra  : 71

[11] Ismail b. Omer b. Kethir  El Kureshij Ed-Dimeshkij, Tefsirul Kur’anil Adhim, Daru Tiba, v.botimit 2002.

[12] Ez-Zumer . 69

[13] Muhamed b. Xherir Et-Taberiu, Tefsiru et-Taberij, Darul mearif, 10/499.

Shkrime të ngjashme