Shkruan: Jusuf ZIMERI
All-llahu xh.sh. thotë:
وَجَاءَ مِنْ أَقْصَى الْمَدِينَةِ رَجُلٌ يَسْعَى قَالَ يَا قَوْمِ اتَّبِعُوا الْمُرْسَلِينَ اتَّبِعُوا مَن لاَّ يَسْأَلُكُمْ أَجْرًا وَهُم مُّهْتَدُونَ
“Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit! Dëgjoni atë që nuk kërkon prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes!
Në ardhje të Pejgamberëve të All-llahut xh.sh. për të sjellën shpalljen e All-llahut xh.sh. në këtë vendbanim, në hyrje të qytetit, i cili paramendohet të jetë Antakija, pejgamberët kishin takuar një njeri në periferi të qytetit. Imam Kurtubiu në tefsirin e tij regjistron një transmetim nga Ibni Abasi r.a., Muxhahidi dhe Mukatili, se ky njeri ishte Habib b. Israil En-Nexhari i cili gdhendte idhuj. Ky njeri ishte i cili kishte besuar shpalljes së Muhammedit a.s. gjashtëqind vite para se ti vinte shpallja, ashtu si kishte besuar Vereka b. Neufeli. Vehbi thotë: ky ishte i sëmurë nga lebra. Kishte adhuruar idhujt afër shtatëdhjetë vite duke iu lutur atyre për shërim. Kur i takoi dërguarit e All-llahut xh.sh. ata e ftuan në besim në All-llahun Një dhe të braktisë adhurimin e idhujve. Ai i pyeti: për ftesën tuaj, keni ju ndonjë argument që të bindni? Ata i thanë: po, Ne do ti lutemi Zotit tonë, që të shërojë nga kjo sëmundje që je goditur ! Ai tha: Çudi, unë për shtatëdhjetë vite po i lutem zotave të mi të më shërojnë e nuk po munden, e si mund që Zoti i juaj të më shërojë me një lutje ? Ata i thanë: Po, Zoti i jonë ka mundësi të bëjë çfarë të dojë. Ai pranoi besimin në një Zot, e pejgamberët iu lutën All-llahut xh.sh. për shërimin e tyre, kurse All-llahu xh.sh. e shërojë sikur të mos kishte asgjë, e ky u bë një besimtarë i devotshëm dhe sa fitonte me gjysmën e pasurisë i ushqente familjen kurse tjetrën shpërndante për nevojtarët.[1] Ky ishte njeriu të cilin Pejgamberi a.s. në transmetimin nga Ibni Abasi r.a. e kishte quajtur Sahibu Jasin, zotëriu i Jasinit.
Pasi që Pejgamberët e All-llahut xh.sh. në këtë qytet kishin hasur në kërcënime për ekzekutime fizike nga banorët e këtij qyteti, kur kishte dëgjuar ky njeri i quajtur Habib En Nexhari, kishte ardhur në ndihmë të vërtetës që e predikonin Pejgamberët e All-llahut xh.sh. e jo atyre, sepse edhe ai ishte i vetëdijshëm se si individ nuk mund ti mbrojë nga i tërë populli. Pra qëllimi i ardhjes së tij me vrap nga skaji i qytetit ishte mbrojta e të vërtetës, mbrojta e imanit, besimit në një Zot, e jo mbrojta personale e Pejgamberëve.
Imam Taberiu në tefsirin e tij sqaron se popullata e këtij vendbanimi kur u bindës se të Dërguarit e All-llahut xh.sh. ishin këmbëngulës në thirrjen e tyre, ata ftuan popullin e tyre në një takim për të vendosur për dënimin e këtyre pejgamberëve, andaj për këtë kishte ardhur edhe Habib En Nexhari.
Ky njeri për të mbrojtur të vërtetën kishte lëvizur këmbë me një shpejtë duke ngarendur nga skaji i qytetit, e kur erdhi te të Dërguarit e All-llahut i pyeti: për ftesën tuaj që po e bëni ju, a po kërkoni shpërblime, po kërkoni para, pozitë apo diç të ngjashme ? Ata i thanë: Jo ne nuk kërkojmë asgjë nga këta. Atëherë iu drejtua popullit të tij, duke ua dashur të mirën e tyre dhe u tha: O populli im, dëgjoni të dërguarit!” dëgjoni ata që nuk po kërkojnë nga ju kurrfarë shpërblimi, këto janë të udhëzuar dhe e thonë të vërtetën.
Nëse me kujdes e lexojmë këtë ajet, vërejmë se All-llahu xh.sh. këtë njeri nuk e përmendi me emrin e tij, por e përmendi me cilësinë e burrërisë, sepse burra të vërtetë janë ata që vrapojnë për ta shpalosur të vërtetën pavarësisht nga çmimi i saj, ngase burrëria nuk qëndron në gjininë e njeriut, por në cilësitë e tij. Ky burrë me kishte ardhur këmbë dhe me shumë lodhje nga skaji i qytetit vetëm e vetëm për ta predikuar dhe mbrojtur të vërtetën, pa asnjë interes tjetër. Ky nuk ishte Pejgamber i All-llahut, nuk ishte i graduar me shpallje siç ishin pejgamberët, andaj kishte mundësi që shumë lehtë të arsyetohet duke thënë: ç’më intereson mua çka bëhet me islamin, atje janë pejgamberët, ata le të merren me këtë çështje, s’është puna ime. Por jo, ky sakrifikoi çdo gjë për të vërtetën andaj edhe u përmend me cilësinë e burrërisë, sepse emri nuk vyen asgjë pa këtë cilësi.
Në anën tjetër, ky ajet na jep edhe një mesazh neve të gjithëve se çështja e da’vetit – thirrjes islame, nuk është çështje vetëm e Pejgamberëve, por edhe e besimtarëve islamë. Da’veti është obligim i të gjithë atyre që mund të dëshmojnë për të vërtetën atë duhet ta bëjnë kudo që të jenë dhe pavarësisht rrethanat që gjendet njeriu. Këtë e vërteton edhe ajeti kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë:
لِّتَكُونُواْ شُهَدَاء عَلَى النَّاسِ وَيَكُونَ الرَّسُولُ عَلَيْكُمْ شَهِيدًا
“Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush”[2]
Nga ajeti nënkuptojmë se njeriu ka lëvizur, e në çdo lëvizje ka qëllim, andaj nëse është materialist, atëherë kërkon pagesë apo kompensim për lëvizjen dhe punën e tij, atëherë, e nëse nuk kërkon pagesë nga njeriu për punën e tij, atëherë s’ka dyshim se pagesën për punën e tij e kërkon nga Krijuesi i tij. Pra, do njeri nga natyrshmëria e tij për çdo veprim të tij kërkon pagesë, mirëpo dallimi është se nëse është besimtarë pagesën e kërkon nga Zoti i tij, e nëse është jobesimtarë, atëherë pagesën e kërkon nga njeriu që ta shfrytëzojë në jetën e kësaj bote.
Pejgamberët e All-llahut predikimin e shpalljes së tyre e bënin pa pagesë në jetën e kësaj bote, ata nuk kërkonin as të mira materiale e as poste apo liderizëm nga puna e tyre. Ky ishte parimi i të gjithë pejgamberëve, andaj vërejmë në Kur’anin famëlartë se të gjithë pejgamberët kishin thënë:
إِنْ أَجْرِيَ إِلاَّ عَلَى اللَّهِ
“unë nuk u kërkoj ndonjë shpërblim, se shpërblimi im është vetëm prej All-llahut”[3]
Është e logjikshme që për çdo punë njeriu të kërkojë shpërblim për punën e tyre, mirëpo a do të kishte mundësi të paguhet puna e Pejgamberëve në jetën e kësaj bote ? Sigurisht se jo se puna e thirrjes islame që e bëjnë pejgamberët i tejkalon kufijt e interesit të jetës së kësaj bote, andaj edhe shpërblimi nuk mund të jetë i kësaj bote, por është shpërblim që All-llahu xh.sh. e pagunë në botën tjetër.
Imam Sha’raviu në tefsirin e tij thotë, se kjo thënie: unë nuk u kërkoj ndonjë shpërblim, se shpërblimi im është vetëm prej All-llahut, ishte thënie e të gjithë Pejgamberëv përveç Ibrahimit a.s. dh Musa a.s.. Arsyen ai e sheh në faktin se Ibrahimi a.s. ftesën e tij e kishte filluar te babai i tij, anda nga dëshira e tij që babai i tij të udhëzohet në islam ishte i gatshëm ta bëjë këtë punë pa kurrëfar shpërblimi. Ngjashëm edhe Musa a.s. i cili ftesën e tij ia drejtoi Faraonit në shtëpinë e të cilit ishte rritur dhe zhvilluar Musa a.s..[4]
Shpjegimi i ajetit 22
All-llahu xh.sh. thotë:
وَمَا لِي لاَ أَعْبُدُ الَّذِي فَطَرَنِي وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ
“E, ç’kam unë që të mos e adhuroj atë që më krijoi dhe te Ai ktheheni”
Pasi që Habib En Nexhari e ftoi popullin e tij që t’i besojnë këtyre pejgamberëve në atë që e thonë, në ftesën e tyre sepse vërtetë këta janë të dërguar dhe nuk ju ftojnë në rrugën e humbjes por në udhëzim, në rrugën e drejtë dhe se sepse këta nuk kanë asnjë interes material nga ju për punën e as nuk kërkojnë poste e pozita nga ju. Në ftesën e tij, banorët e fshatit iu drejtuan duke i thënë: Ti a paske devijuar, e paske braktisur besimin tonë dhe i paske besuar atyre, dhe ke tradhtuar besimin tonë ?! Ai iu përgjigj me një urtësi, mirësi dhe argumente shumë logjike duke u thënë: Unë nuk po u ftoj në një punë që është e keqe, por ju ftojë në një punë që edhe unë gjendem aty, andaj “E, ç’kam unë që të mos e adhuroj atë që më krijoi dhe te Ai ktheheni”.
Këto fjalë nuk ishin të pejgamberëve, por ishin të njeriut i cili kishte lëvizur për hir të pastrimit dhe përforcimit të besimit të tij. Ky njeri i cili kishte shijuar kënaqësinë e besimit dhe udhëzimit, andaj nuk ishte i kënaqur vetëm me këtë, por ishte këmbëngulës që këtë kënaqësi ta shijojnë edhe bashkëqytetarët e tij, sepse ky e kishte të qartë se njeriu që që e dëshiron për vete patjetër t’ua dëshirojë edhe të tjerëve. Transmeton Enes b. Maliku r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka besuar askush nga ju (me besim të plotë), nëse vëllait të tij nuk ia dëshiron atë që ia dëshiron vetes së tij”[5]
Ky njeri në mënyrë shumë të saktë i drejtohet popullit të tij me këto fjalë, sikur t’u thoshte, nuk është çudi dhe e palogjikshme të besosh Krijuesin tënd, tek i cili do të jetë rikthimi i jonë, por e çuditshme, irracionale dhe jo e natyrshme do të ishte të mos besohet Krijuesi absolut. Pra Imani, besimi i njeriut nuk është për tu çuditur, por mosbesimi është për çudi sepse mosbesimi është jo logjik jo natyrshmëri e njeriut. Andaj All-llahu xh.sh. në mënyrë të çuditshme u drejtohet pabesimtarëve duke u thënë:
كَيْفَ تَكْفُرُونَ بِاللَّهِ وَكُنتُمْ أَمْوَاتًا فَأَحْيَاكُمْ ثُمَّ يُمِيتُكُمْ ثُمَّ يُحْيِيكُمْ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ
“Si e mohoni All-llahun, e dihet se ju ishit të vdekur e Ai ju ngjalli, mandej ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall, e mandej tek Ai do të ktheheni?![6]
Shpjegimi i ajetit 23
All-llahu xh.sh. thotë:
أَأَتَّخِذُ مِن دُونِهِ آلِهَةً إِن يُرِدْنِ الرَّحْمَن بِضُرٍّ لاَّ تُغْنِ عَنِّي شَفَاعَتُهُمْ شَيْئًا وَلاَ يُنقِذُونِ
“A do të pranoj zota të tjerë pos Atij, e nëse do Mëshiruesi të më godasë me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i tyre nuk do të më vlejë asgjë, e as që do të më shpëtojnë”.
Ky njeri përmes këtij ajeti jep një sqarim tjetër racional për shkakun e besimit të tij në All-llahun xh.sh. duke u thënë: a të pranoj për Zot dikë tjetër përveç All-llahut xh.sh.?! Kjo nënkupton se edhe po ti konsideroja idhujt tuaj për Zota në realitet ato nuk janë zota, por vetëm idhuj të pamundshëm dhe të pafuqishëm, e me këtë unë vetëm do të kisha gënjyer dhe mashtruar veten time.
Pra si mund të konsideroj për zota idhujt tuaj atëherë kur nëse All-llahu më dëshiron një të keqe, apo më mirë me thënë kur All-llahu xh.sh. do të më dënoj, e këtyre zotat tuaj nuk mund të më ndihmojnë asgjë e as të më shpëtojë, sepse këto janë të pa mundshëm për veten e tyre si do të më ndihmojnë mua !? Kjo është logjika e shëndoshë e besimtarit islam.
Tregohet rasti kur një herë Hasan el Basriu r.a. ishte te mëkëmbësi i Basres dhe në atë moment mëkëmbësit i kishte arritur një shkresë nga halifja Jezidi, i cili kërkonte veprim nga valiu, por që ky veprim ishte në kundërshtim me dëshirëne All-llahut xh.sh.. Në këtë rast valiu i Basres e pyeti Hasan el Basriun, çka të bëjë tani, t’i nënshtrohem urdhrit të Jezidit, apo urdhrit të All-llahut xh.sh. Hasan El Basriu i tha një fali, që është shkruar me lëngun e arit: “Vërtetë All-llahu xh.sh. mund të të mbrojë nga Jezidi, por Jezidi nuk mund të të mbrojë nga All-llahu xh.sh.”.
Nuk ka nënshtrim ndaj krijesës në dëm të Krijuesit, andaj sa herë që dikush të ofron apo të urdhëron me ndonjë veprim që është në kundërshtim me urdhrin e Krijuesit, mos iu nënshtro atij urdhri, sepse Krijuesi është ai i cili ka në dorën e Tij edhe urdhëruesin edhe ty. Ai të mbron nga çdo e keqe, dhe se askush nuk mund të të dëmtojë nëse këtë nuk e dëshiron All-llahu xh.sh., e askush nuk mund të të mbrojë nëse dënimin e tënd e donë All-llahu xh.sh.
Lidhje me këtë bindje transmeton Ibni Abbasi r.a. i cili thotë: Një ditë isha për rreth të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., e ai më tha: O djalosh, vërtetë po ti mësojë disa fjalë: Ruaje All-llahun (zbato urdhrat e Tij), All-llahu të ruan, Ruaje All-llahun, do ta gjesh rrugën tënde, kur të kërkosh kërko nga All-llahu xh.sh., kur të kërkosh mbrojtje, ndihmë, kërko nga All-llahu. Dije se sikur i tërë Ummeti (populli) të bashkohen për të bërë mirë diçka ty, nuk do të mund të bëjnë përveç asaj që ka përcaktuar All-llahu xh.sh. për ty, e sikur të bashkohen që të dëmtojnë me diçka, nuk do të dëmtojnë me asgjë përveç asaj që ka shkruar All-llahu xh.sh. për ty, janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletat.[7]
Pra, o populli im, si mund t’i besojë atyre që nga ta nuk kam as dëm as dobi, si mund t’ju besojë atyre që ndërmjetësimi (shefati) jo vetëm që është i pa vlefshëm, por ata fare nuk posedojnë ndërmjetësimin, sepse ata janë të pa mundshëm. All-llahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ ضُرِبَ مَثَلٌ فَاسْتَمِعُوا لَهُ إِنَّ الَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّهِ لَن يَخْلُقُوا ذُبَابًا وَلَوِ اجْتَمَعُوا لَهُ وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا لّا يَسْتَنقِذُوهُ مِنْهُ ضَعُفَ الطَّالِبُ وَالْمَطْلُوبُ
“O ju njerëz, ja një shembull, veni veshin pra: Vërtet ata që po i adhuroni në vend të All-llahut, ata nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të, e po ashtu, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi.”[8]
Andaj, meqë ata janë të pa mundshëm të mbrojnë veten e tyre si do të kenë mundësi të mbrojnë dikë tjetër, si do të kenë mundësi të më shpëtojnë ditën kur unë kam nevojë për ndërmjetësim, për shpëtim.
– VAZHDON –