Shkruan: Jusuf Zimeri
Hyrje
Falënderimi i takon vetëm Allahut Fuqiplotë, salavatet dhe selamet mbi shpirtin Muhammed Mustafas s.a.v.s., familjes së tij, shokëve të tij dhe mbarë besimtarëve islam që me kujdes, respekt, dashuri, sinqeritet dhe pedanteri i përcjellin normat e Kur’anit dhe të Sunnetit të pastër të Muhammedit a.s.
Allahu Fuqiplotë thotë: “Sundimi – vendimi nuk i takon kujt përveç Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë, Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë”.
Të flitet për sistemin politik islam është një çështje mjaft komplekse që përfshinë dimensione të shumtë nga organizimi dhe funksionimi i shoqërisë njerëzore. Kjo vërtetohet edhe me vetë faktin se teoricienët islam dhe jo islam për sistemin politik kanë dhënë përkufizime të shumtë, e kjo vetvetiu afirmon kompleksitetin semantik të nocionit sistem politik.
Juristët islam, duke marrë parasysh natyrshmërinë e krijimi të njeriut si qenie sociale që jeton në shoqëri, e në anën tjetër duke pasur parasysh edhe interesin vetanak të individit, unin e tij, dëshirat dhe kotësitë e tij me të cilat mund të dëmtojë shoqërinë për rreth dhe anasjelltas, gjatë studimeve të tyre, gjithnjë bënë përpjekje që të përcaktojnë baraspeshën e cila ekuilibron interesin individual dhe atë kolektive. Pra, derisa e themi këtë me automatizëm nënkuptojmë se për të jetuar në një harmoni të plotë, detyrimisht duhet të respektohen kriteret e ekuilibrit që kultivon dhe ruan parime dhe rregulla të shëndosha, e që duhet respektuar nga të gjithë me qëllim të evitimit të çrregullimeve shoqërore. Prandaj, kur flasim për sistemin islam, detyrimisht duhet përkujtuar edhe një segment tjetër që karakterizon sistemin islam, se ky sistem është i përcaktuar nga Ligjvënësi Suprem, pra është sistem hyjnor nga i cili nuk mund të ketë mangës e as defekte që të dëmtojë qenien njeri, qoftë si individ apo si shoqëri.
Përkufizimi i sistemit politik Islam.
Me nocionin “sistemi politik islam” në kuptimin e përgjithshëm, nënkuptojmë: sistemin që përfshinë një tërësi të dispozitave ligjore, organeve dhe institucioneve formale që kanë një shkallë ndërvarësie reciproke. Gjithashtu me këtë nocion nënkuptohen edhe dispozitat e veçanta të shtetit islam, në drejtim të zhvillimit dhe menaxhimit për të realizuar qëllimin e tij, pavarësisht se ato rregulla ligjore janë të përgjithshme apo të pjesshme e që burojnë drejtpërdrejtë nga Kur’ani Fisnik, sunneti, apo prej teksteve autentike të përfituara përmes metodologjisë shkencore që rregullon këtë fushë shkenca e Usuli Fikhut. (Muhamed Shakir , Tahtim es-sanem el ilmanij, f.45-46.)
Juristët nga e drejta islame (fukahat) janë unik në mendimet e tyre, e këtij uniteti i bashkëngjiten edhe një grup juristësh nga e drejta pozitive se, sistemet politikejanë të shumta: demokratike, monarkike, feudale, totalitare, autoritare, monist, timokrati etj, por sistemi politik islam është sistem i veçantë me karakteristika të ndryshme nga të gjithë sistemet tjera politike. Përderisa ky sistem politik islam bashkohet me disa karakteristika të sistemit demokratik në shumë karakteristika tjera dallohet prej tij, prandaj ngelë sistem i veçantë i quajtur sistemi politik islam. Arsyen e këtyre karakteristikave i gjejmë në faktin se sistemi politik islam i qeverisjes, synon implementimin e plotë të jurisprudencës islame (sheriatit) i cili buron nga i Gjithëdijshmi absolut.
Tendencat për ta kuptuar islamin vetëm si dogmë akaidologjike që përfshinë një grup vlerash morale dhe një grup vlerash adhurimi për ti trajtuar si çështje individuale, duke bërë përpjekje që islamin ta zhveshë nga sistemi janë vetëm tendenca të errëta që kanë për qëllim të paralizojnë funksionimin e shoqërisë islame si tërësi funksionale. Prandaj këtyre pretendimeve të errëta dijetarët islam (juristët) ju përgjigjën me vigjilencë të plotë kur thanë se nëse dëshirojmë që islamit ti japim një përkufizim me tri fjalë atëherë themi se islami është: besim-Akide, Iabdet- adhurim, dhe Nidham-sistem. Andaj, çdo ndarje mes këtyre tri çështjeve konsiderohet rrënim i pjesshëm apo i tërësishëm i islamit.
Burimet e sistemit politik islam
Para se të themi diçka mbi parimet, rregullat dhe principet e përgjithshme mbi të cilat ndërtohet sistemi politik islam, detyrimisht duhet të theksojmë se cilat janë burimet nga të cilat buron sistemi politik islam dhe mbi të cilat mbështetet sistemi i regjimit islam, e që janë:
1. Kur’ani Fisnik. Kur’ani është, fjala e Allahut e zbritur te Muhammedi a.s. në një periudhë prej 23 vjetëve, sures pas sure, në gjuhën arabe, është mrekulli në tërësinë tij.
2. Sunneti. Suneti si burim i dytë i sheriatit islam është: çdo fjalë, vepër, sjellje apo pëlqim i Pejgamberit a.s. që ka të bëjë me sheriatin.
3. Veprat -përvoja e Hulefai rashidinëve
4. Mendimet e muxhtehidëve– juristëve islam, që zhvillohen me kohën.
Synimi dhe ndarja sistemit politik islam
Meqë definuam se sistemi politik islam përfshinë një tërësi të dispozitave ligjore dhe institucioneve formale, që synon formimin e shtetit ligjor islam, brenda së cilit synohet kultivimi, ruajtja dhe harmonizimi i raporteve ndërnjerëzore brenda shtetit, atëherë vlerësojmë se ky sistem veprimtarinë e vet e ushtron kryesisht në dy sfera kryesore që janë:
- Politika e jashtme e shtetit islam. Politika e jashtme e shtetit islam synon fillimisht drejt ruajtjes së integritetit dhe vlerave të përgjithshme të sovranit që përfaqëson. Rregullon raportet ndërkombëtare me shtetet tjera si një gjendje paqeje ashtu edhe në gjendje të jashtëzakonshme apo lufte. Për formimin e institucioneve që ushtrojnë politikën e jashtme të shtetit islam, nuk gjejmë ndonjë tekst të veçantë autentik që përcakton saktësisht llojin e këtyre institucioneve, por këto themelohet varësisht nga nevojat politike që paraqiten me kohën. Prandaj nëse këtë çështje e kundrojmë nga jeta e Pejgamberit a.s. kur udhëhiqte shtetin islamik, gjejmë se në politikën e jashtme përfshiheshin: ambasadorët që i dërgonte Pejgamberi a.s. për biseda diplomatike, emisarët – ambasadorët që i dërgonte me ftesa për islamin, dhe përkthyesit. Juristët islam jo vetëm që trajtuan në detaje çështjen e raporteve ndërkombëtare por Imam ebu Jusufi me sijerin e tij konsiderohet edhe themelues i së drejtës ndërkombëtare.
- Politika e brendshme e shtetit islam. Në politikën e brendshme sistemi politik islam synon në formimin e institucioneve adekuate të cilat janë garanci i funksionimit të shtetit ligjor ku çdo individ dhe shoqëri pavarësisht nga përkatësia nacionale apo fetare, gjinia, gjuha, rasa dhe ngjyra duhet të ushtrojnë të drejtat dhe obligimet e tyre. Gjatë formimit të institucioneve për funksionimin e shtetit ligjor islam, duhet pasur parasysh gjithnjë këto katër parime, që janë:
- Ø Institucioni i formuar nuk guxon të jetë në kundërshtim me ndonjë nga burimet e sheriatit islam.
- Ø Institucioni gjatë funksionimi të tij, të realizoj qëllimin për të cilin është themeluar,
- Ø Institucioni i cili funksionon në bazë të akteve normative të saja, nuk guxon që të kundërshtohet me rregullat, principet, qëllimet dhe dispozitat e përgjithshme të jurisprudencës islame,
- Ø Institucioni nuk guxon të ushtroj veprimtari që cenon vlerat fetare, morale, edukative të shoqërisë islame.
Institucionet nga shteti islam që e formoi Pejgamberi a.s. në Medine
Nuk ka dilemë se shteti i parë islamik u formua nga vetë Pejgamberi a.s. pas migrimit të tij në Medine. Krahas faktit se shpallja e Kur’anit ishte në vazhdimësi e sipër, Pejgamberi a.s. funksionalizimin e shtetit islam e ngriti mbi kushtetutën e cila njihet me emrin “karta e Medinës”. Kjo kushtetutë nëse studiohet në detaje nga aspekti juridik me lehtësi konstatohet se kjo ishte kushtetuta e parë e cila i plotësonte të gjitha kriteret e një kushtetute bashkëkohore.
Struktura e organizimit të institucioneve të shtetit islamik të ngritur nga Pejgamberi a.s. nuk paraqet është modeli më i mirë se si duhet funksionuar politika e shtetit islam, si në aspektin e ngritjes së institucioneve ashtu edhe në aspektin funksionimit të shtetit ligjor. Në drejtim të kësaj çështje, vërejmë se në funksionimin e institucioneve të shtetit islamik i ngritur mbi kartën e Medinës, institucionet më të rëndësishme që funksiononin, janë:
- Pushteti qendror- Imameti. Udhëheqës i këtij shteti ishte vetë Pejgamberi a.s. i cili mbi supet e tij barte përgjegjësinë e funksionimit të këtij shteti, si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin e funksionimit të shtetit ligjor. Postin e udhëheqësit (kryetarit) të shtetit Pejgamberi a.s. e ushtroi deri në vdekjen e tij.
- Ministrat e Pejgamberit a.s.. Marrë parasysh faktin se funksionimi i shtetit ligjor kërkonte angazhime të gjithanshme Pejgamberi a.s. për funksionimin e shtetit ligjor kishte ngritur edhe resorët e ministrive, kurse ministrat e tij të parë ishin ishin Ebu Bekri dhe Omeri. Këtë e vërteton edhe vet Pejgamberi a.s. kur thotë: Ministrat e mi nga banorët e tokës janë Ebu Bekri dhe Omeri”.
- Rojtari i sekreteve që në terminologjinë bashkëkohore quhet sekretar shtetëror. Ky ishte funksioni ku ruheshin sekretet dhe fshehtësitë e shtetit islam, e këtë post Pejgamberi ai kishte besuar Hudhejfe Ibni Jemanit.
- Udhëheqësi i policisë (kryeshefi). Imam Buhariu transmeton nga Enes Ibni Maliki i cili ka thënë: “Vërtetë Kajs Ibni Sa’di në kohën e Pejgamberit ishte në pozitën e kryeshefit të policisë”.
- Udhëheqësi i administratës i cili mbante edhe vulën e Pejgamberit a.s. në të cilën shkruante “Muhamedun resulull-llah”, e që vuloste shkresat zyrtare të Pejgamberit a.s.. Këtë post ia kishte besuar Muajkib Ibni Ebu Fatime Ed-Devsijut.
- Përgjegjësit të cilët përkujdeseshin për zbatimin dhe implementimin e plotë të ligjit siç ishin sanksionet, e këtë post ia kishte besuar Alij Ibni Ebu Talibit, Zubejr Ibni Avamit, Muhamed Ibni Meslemes dhe Bilalit.
- Funksionimi i gjykatave të cilat në të shumtën e rasteve udhëhiqeshin nga vetë Pejgamberi a.s. por herë herë këtë post ia besonte edhe sahabëve me qëllim të perfeksionimit të këtij posti.
- Inspektorati i tregut, të cilin po ashtu edhe krahas njerëzve tjerë që kishte urdhëruar Pejgamberi a.s. të merren me këtë çështje, shpeshherë këtë post e ushtronte vetë Pejgamberi a.s.
- Institucioni i burgjeve dhe udhëheqësit e tyre për ata të cilët kishin nevojë rehabilitimi.
- Institucionet edukativo-arsimore për zhvillimin e shkrimit dhe leximit. Në kuadër të këtij shteti funksiononin edhe shumë institucione tjera, por këto i përmendëm vetëm si shembuj.
Rregullat- parimet e përgjithshme kushtetuese mbi të cilat ndërtohet sistemi politik islam
Marrë parasysh faktin se ndërtimi politik i shtetit islam dhe funksionimi i shtetit ligjor është një temë shumë e gjërë, do të bëjmë përpjekje që të shtjellojmë disa nga parimet më thelbësore të politikës islame mbi të cilat funksionon qeverisja islame. Prandaj, nëse me vëmendje lexojmë Kur’anin Fisnik dhe sunnetin e Pejgamberit a.s. qartë vërejmë një grup vlerash dhe principesh apo rregullash kushtetuese të përgjithshme mbi të cilat detyrimisht duhet të koncentrohet sistemi politik i qeverisjes islame. Në mesin e atyre principeve dhe vlerave më të rëndësishmet janë:
- Ø qeverisja e plotë dhe absolute i takon vetëm Allahut,
- Ø institucioni i konsultimit,
- Ø drejtësia,
- Ø barazia,
- Ø nënshtrimi para ligjit dhe udhëheqësit islam.
1. Qeverisja absolute i takon vetëm Allahut Fuqiplotë.
Ky princip konsiderohet principi më i rëndësishëm në sistemin politik të qeverisjes islame. Vlerësohet kështu nga Sundues dhe Ligjvënës i vërtetë është Allahu dhe se Ai është ndalues dhe lejues i vërtetë. Allahu xh.sh. thotë: “Sundimi- vendimi nuk i takon kujt përveç Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë, Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë”(Jusuf:40).
Allahu Fuqiplotë dispozitat e Tij nuk i ka zbritur që njeriu vetëm ti lexojë ato, apo ti bëjë vetëm pjesë e leximit për të vdekurit, por i ka zbritur që njeriu ti zbatojë dhe implementojë në jetën e përditshme, përmes tyre të rregulloj raportet jetësore dhe të përcaktojë udhëtimin e jetës së tij komfor përcaktimit të dispozitave në lejim dhe ndalim. (Jusuf Kardavi, Fikhu ed-devleti fil islam f.102). Kjo nënkupton se zbatimi i sheriatit duhet të bëhet në besim dhe sistem (akideten ve nidhamen) shtet dhe legjislaturë, kulturë dhe civilizim dhe në të gjitha poret e jetës.
1. Barazia
Barazia mes njerëzve është parim themelor mbi të cilën ndërtohet sistemi i qeverisjes politike islame. Për kultivimin, ndërtimin dhe ruajtjen e këtij parimeve fundamental gjejmë disa ajete në Kur’anin fisnik që në mënyrë imperative obligojnë në këto parime. Islami njerëzit i shikon të gjithë nga një kënd vështrim, të barabartë në të drejta dhe obligime sepse ata janë krijuar një Krijues, nga një baba dhe nga një nënë. Allahu Fuqiplotë thotë: “O ju njerëz! Ne, me të vërtetë u krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe u bëmë juve popuj dhe fise për tu njohur mes vete. Më fisniku mes jush te Allahu është ai që i druan më së shumti Atij. Vërtetë Allahu është i plotëdijshëm dhe asgjë nuk i është e fshehtë Atij” (Huxhurat : 13)
Nga kjo nënkuptohet se në parimin islam, ngjyra, raca, gjinia, gjuha, fisi, nacionaliteti, vendi nga vjen, gjendja e tij sociale dhe ekonomike nuk kanë kurrfarë ndikimi në sistemin juridik dhe politik islam. Sipas islamit të gjithë njerëzit pavarësisht nga pozita dhe statusi i tyre, sundues apo i sunduar, ngjyra gjuha apo nacionaliteti, gjinia mashkull apo femër para Allahut dhe para ligjit janë të barabartë”. (Muhamed Mubarek, Nidhamul islam – el hukmu ved-devle f.44). Në sistemin politik islam nuk ekziston parimi i imunitetit që përmes këtij parimi pushtetarët të fshehin krimet e tyre. Këtë çështje e trajtoi dhe e rregulloi Pejgamberi a.s. në fjalimin e tij historik në haxhin e fundit kur tha: “O ju njerëz, vërtetë Zoti juaj është Një, babai i juaj është një, nuk ka vlerë më shumë arabi nga joarabi e as joarabi nga arabi, as i kuqi (verdhi) nga i ziu e as i ziu nga i verdhi, vetëm se me devotshmëri” (Ahmedi në “el musned 22391)
2. Drejtësia
Drejtësia është parim fundamental mbi të cilin ndërtohet shteti islam dhe mbi të cilën funksionon shoqëria islame. Në ajetin kur’anor Allahu xh.sh. thotë: “Ne dërguam të dërguarit Tonë, me dokumente të qarta dhe Ne e zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që ti përmbahen njerëzit të së drejtës” (el hadid:25)
Ajo që nuk guxon të harrohet për asnjë moment dhe që e dallon sistemin politik islam nga sistemet tjera është fakti se qeveritarët islam principin e drejtësisë e kanë për obligim (farz) që të ndërtojnë , ruaj dhe kultivoj në të gjitha sferat e organizimit jetësor duke filluar nga familja, rrethi, shoqëria e deri te pushteti. Pra këtë princip Ligjdhënësi suprem, nuk e ka lënë në dëshirën dhe vullnetin politik të udhëheqësit apo udhëheqësish islam, porse i përcaktoi si parim bazorë. Allahu xh.sh. thotë: “Me të vërtetë Allahu urdhëron të veprohet me drejtësi dhe mirësi..” (En-Nahl: 90). Pastaj në ajetin tjetër thotë: “Vërtetë Allahu ju urdhëron që detyrat e besueshme (amanetet) t’ua besoni atyre që janë të denjë për to dhe kur të gjykoni në mes njerëzve, gjykoni drejt”(En-Nisa:58)
Drejtësia është parimi që garanton funksionimin e sistemit dhe qeverisjes islame, prandaj disa dijetarë duke u mbështetur mbi këtë parim cituan të kenë thënë: “Allahu e përforcon shtetin dhe pushtetin e drejtë edhe nëse është pabesimtarë, e rrënon shtetin dhe pushtetin e padrejtë, tiran edhe nëse është shtet i myslimanëve”. Sipas islamit drejtësia është parimi më kryesor që vendos stabilitetin e sigurisë, poilitikës, ekonomisë dhe çështjeve tjera në funskionimin e shtetit islam. Idrejtësia detyrimisht duhet të zbatohet për të gjithë anëtarët e shoqërisë pa dallim kombi, race, gjinie, feje, apo funksioni, e këtë e ka dëshmuar edhe praktika historike në momentetet e funksionimit të shtetit islam.
3. Konsultimi
Principi i konsultimit (shura) konsiderohet nga elementet më të rëndësishme të qeverisjes në sistemin politik dhe juridik islam dhe ndër bazat kryesore të përcaktuara nga Kur’ani, praktika e Pejgamberit a.s., dhe konsensusi i dijetarëve islam. Principi i konsultimit është e drejtë e ummetit dhe obligim i udhëheqësit islam. Kjo vërtetohet nga një fakt shumë i thjeshtë, por i rëndësishëm nga i Dërguri i Allahut s.a.v.s. ishte i mbrojtur nga Allah pra kishte imunitet nga Allahu xh.sh. por megjithatë e urdhëroi të konsultohet me ummetin. Vlerësohet kështu ngase përmes konsultimit sistemi politik islam dallohet nga sistemi autoritar-tiran (nidhamul istibdad).
Argumentet për funksionimin e parimit konsultativ si pjesë përbërëse e sistemit qeverisës islam janë nga Kur’ani, sunneti, dhe konsensusi i dijetarëve islam. Argumentet nga kur’ani janë: “falu gabimin atyre dhe kërko falje tek Allahu për ta, e bisedo (konsultohu me ta) për punët e jetesës” (Ali imran 159). Pastaj ajeti tjetër ku thotë:”ata të cilët bëjnë namazin e këshilloher reciprocikisht në punët e tyre”(shura:38)
Me nocionin konsultim (shura) është për qëllim konsultimi i njerëzve eminent, profesional për një çështje të caktuar, me qëllim të arritjes deri te mendimi më i shëndoshë. Për metodologjinë e funksionimit të sistemit konsultativ, islami nuk përcaktoi ndonjë metodë të veçantë, e kjo nënkupton se pushteti islam duhet të vlerësoj mënyrën funksionimit të këtij mekanizmi varësisht nga vendi, koha dhe nevoja se a do të përdoret në mënyrë individuale apo grupor, ngase Pejgamberi a.s. konsultimin (Shuran) e përdori edhe në forma individuale por edhe në forma grupore.
Nënshtrimi para ligjit.
Në sistemin politik të qeverisjes islame ligji është mbi të gjithë dhe të gjithë duhet nënshtruar ligjit si sunduesit ashtu edhe të sunduarit. Në funksionimin ligjor të shtetit islam askush nuk posedon të drejtën e imunitetit para ligjit. Çdokush përgjigjet para ligjit dhe i nënshtrohet procedurës së njëjtë ligjore për veprat e bëra.
(Kjo temë është shtjelluar në tribunën e mbajtur në Sangallë, në xhaminë el Hidaje më 26.12.2015).