Nga: Jusuf ZIMERI
Elhamdulil-lahi rab-bilalemine ves-salatu ves-selamu ala resulil-lah ve ba’d.
Flënderimi dhe lavdrimi i takojnë Allahut xh.sh., salevatet dhe selam Muhamed Mustafas s.a.s.v. familjes së tij, shokëve të tij dhe mbi të gjithë besimtarët islamë të cilët me kujdesa dhe rrrespekt e dashuri përcjellin normat e Kur’anit dhe të sunetit të pastër të Muhamedit a.s.
Të nderuar besimtarë Islamë, sot inshalla do të falim namazin e xhumasë së dytë në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, andaj i lutemi Allahut xh.sh. që të gjitha ibadetet dhe veprimet e tona të hajrit Allahu xh.sh. të na i pranojë.
Të nderuar xhematë, jemi të vetëdijshëm se sado që të flitet për muajin e Ramazanit dhe për agjërimin, asnjëherë nuk ia kemi arritur qëllimit që të vendojmë pikë në shpjegimin e mirësive të këtij muaji, sepse shpjegimet islame nuk pranojnë pikë, por vetëm presje. Ligjëratën e kësaj xhumaje e kam titulluar “Sofra e Ramazanit”, por me këtë titull nuk kam për qëllim sofrat tona që ne i shtrojmë nëpër familjet tona në kohën e iftarit dhe të syfyrit, por kam për qëllim Sofrën e Ramazanit, respektivisht begatitë dhe të mirat që Allahu xh.sh. i ka shtruar në sofrën e Ramazanit që besimtarët islamë t’i shfrytëzojnë për të mirën e tyre.
Allahu xh.sh. thotë:
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْءَانُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“Muaji i ramazanit është ai i cili në të (filloi) të shpallet Kur’ani,që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtrat). e kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjëroj…” 29
Të nderuar agjërues, prej kënaqësive më të këndshme që është e përhershme për ne të cilin besimtarët islam ushqehen dhe freskojnë shpirtin e tyre është Kur’ani Fisnik. Kur’ani përveç se është udhërrëfyes për njerëzinë, sistem jete për implementim për besimtarët islamë, udhërrëfyes për të nxjerrë njerëzinë nga errësirat në dritë, vetë leximi i Kur’anit në vete konsiderohet Ibadet- Adhurim. Ky Kur’an ka zbritur pikërisht në muajin e agjërimit, pra muajin e Ramazanit, është i vlefshëm për çdo kohë dhe vend, por vlerat e leximit të Kur’anit sigurisht se shtohen gjatë muajit të Ramazanit. Këtë praktikë na e ka mësuar mësuesi dhe edukatori i njerëzisë Muhamedi a.s. për të cilin transmeton Ibni Abasi r.a. se “Pejgamberi a.s. gjithherë ishte bujar (shpirtmadh) por, më dhurues, më bujar ishte gjatë muajit të Ramazanit, kur takohej me Xhibrilin a.s. Me të takohej për çdo natë gjatë Ramazanit dhe mësonte Kur’an, e Pejgamberi a.s. ishte më dhurues në mirësia sesa era (fryma ) e dërguar.” 46
Nëse bëjmë një analizë të hollësishme dhe të thukët në hadith e Ibni Abasit, vërejmë se në të përfshihet morali, bujaria, humaniteti dhe solidariteti i pakompromis i Muhamedit a.s..
Shprehja “Exhvede”(më dhurues-më bujari) e cekur në hadith në trajtën e superiores, në sheriatin Islam nënkupton :“T’i dhurosh nevojtarit atë që ai ka nevojë.” Nga kjo shprehje vihet në pah se dhuratat e të dërguarit të Allahut xh.sh. nuk ishin të kufizuara në lloje dhe individë, porse ato ishin universale të përfshira në të gjitha lëmit jetësore dhe për të gjithë. Qëllimi i hadithit me shprehjen “Err-rrih “(Erë-frymë), është era, e cila quhet era e mëshirës që sjell shiun e qetë me begati të shumta e që ngjall tokën dhe bimët. Pra, mirësitë e Muhamedit a.s ishin më të gjithëpërfshirëse dhe më të dobishme se sa shiu i dobishëm që ringjall tokën dhe bimët. Ky është një realitet i pa kontestueshëm, sepse Muhamedi a.s. me humanitetin e tij zgjoi ndjenjen njerëzore që është faktor esencial dhe primar në ekzistencë, duke e liruar nga adhurimet e kota dhe errësirat që kishin kapluar atë.
Hadithi po ashtu sinjalizon se Muhamedi a.s. gjatë Muajit të Ramazanit takohej me Xhibrin, engjëll, ky që ia solli shpalljen të gjithë të dërguarve të Allahut xh,sh., e edhe Muhamedit a.s..Takimi i tyre nuk ishte vetëm takim i thjeshtë, porse ishte takim diturie, sepse Pejgamberi a.s. në këto takime dëgjonte Kur’anin nga Xhibrili, kur ai ia lexonte, dhe anasjelltas, ku Pejgamberi a.s. lexonte Xhibrili e dëgjonte. Krahas asaj që nënkupton hadithi për kujdesin dhe ruajtjen e Kur’anit dhe mësimeve të tija që ia kushtoi Muhamedi a.s., gjithashtu nënkupton se ruajtja e Kur’anit është edhe nën kujdesjen e Allahut xh.sh..
Duke përshkruar shpirtgjerësinë, bujarinë, moralin dhe humanitetin e Muhamedit a.s. gjatë tërë jetës së tij e veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit, një poet arab e përshkruan me këto fjalë :
“Nuk tha JO asnjëherë, përveç në dëshmin e tij,
Sikur t’mos ishte dëshmia,shprehja JO do të ishte PO.”
Me këtë shprehje poeti arab kishte për qëllim bujarinë e Muhamedit a.s. që ishte e pakufizuar për askë dhe askujt nuk i thoshte jo. Shprehja arabe LA, e cekur në poezi, nuk gjendej në gjuhën e Pejgamberit a.s. vetëm atëherë, kur thoshte “LA ILAHE IL-LALL-LLAH.” e po të mos ishte kjo dëshmi, atëherë shprehja LA (jo) te i dërguari i Allahut xh.sh. do të ishte “NEAM ” (po).
Pra, ky hadith të nderuare na mëson se për përkushtimin e leximit dhe mësimit të Kur’anit nga vetë Muhamedi a.s. të cilit iu shpall Kur’ani ngase për çdo natë të ramazanit lexonte Kur’an e Xhibrili a.s. e dëgjonte, e edhe Xhibrili a.s. lexonte e Muhamedi a.s. dëgjonte. Leximi i Kur’anit freskon shpirtin e besimtarit islam dhe përforcon besimin dhe bindjen e tij, si dhe ushqen ndjenjat e humanizmit dhe bujarisë, andaj Ibni Abasi thotë se Muhamedi a.s. ishte bujar , por më bujar ishte athet kur takohej me xhibrinin dhe lexonte dhe dëgjonte nga ai.
Të nderuar besimtarë, kështu e kishin kuptuar Kur’anin edhe shokët e Pejgamberit a.s., edhe gjenerata pas tyre, kështu e kishin kuptuar Kur’anin edhe dijetarët e famshëm nëpër shekuj, e kështu duhet ta kuptojmë edhe ne sot, sepse alternativë tjetër nuk ka për besimtarët islamë. Të nxitur dhe motivuar nga kjo praktikë e Pejgamberit a.s. sahabët dhe dijetarët islamë gjatë kohës së Ramazanit i pakonin aktivitetet tjera gjatë agjërimit për të shtuar aktivitetin e leximit të Kur’’ani Kerimit. Imam Ez-Zuhriju r.a., kur fillonte muaji i ramazanit e ndalonte, e pakësonte leximin e haditheve dhe veprave tjera dhe e shtonte leximin e Kur’anit. Ngjashëm vepronte edhe imam Thevriu i cili kur hynte Ramazani i lente të gjitha llojet tjera të ibadeteve kuptohet nafile dhe tërë kohën e kalonte me lexim të Kur’ani Kerimit. Ngjashëm kanë vepruar edhe dijetarët tjerë si rasti i Imam Shafisë i cili thuhet se gjatë një Ramazani arrinte të lexojë edhe nga 60 herë Kur’anin Fisnik.
Po pra të nderuar sepse Allahu xh.sh. përmes ajetit që e lexuam në fillim lidhi agjërimin e ramazanit me leximin e Kur’anit, kurse Pejgamberi a.s. e shtjelloi edhe më qartë kur tha: Kur’ani dhe agjërimi janë dy ibadete që do të ndërmjetësojnë ditën e gjykimit.
Çështja tjetër që Allahu xh.sh., na ka servuar në sofrën e muajit të Ramazanit është kultivimi i ndjenjës së humanizmit dhe bujarisë. Agjërimi shtypë ndjenjat shtazarake dhe epshet e njeriut dhe e përkujton agjëruesin për bujarin ndaj të tjerëve. Kështu kuptuan sahabët nga pejgamberi a.s. andaj gjithherë ishin të gatshëm ti përgjigjen kërkesës së nevojave që ndërlidheshin me bujarinë dhe humanizmin. Nga ky parim Ibni Omeri r.a. kishte formuar traditë që në Ramazan asnjëherë të mos bëjë ifast pa pasur në sofrën tij ndonjë skamnor, apo nevojtar. Pra ai gjatë tërë ditës hulumtonte për skamnorët dhe të varfrit që ti ftojë në sofrën e iftarit të tij. Kurse ne të nderuar sikur jemi të prirë ti kuptojmë gjërat mbrapsh, ne ftojmë në iftarë por ftojmë ata që janë të pasur ose kanë ndonjë post në shoqërinë e kësaj bote, sepse këtë iftar që e shtrojmë nuk e kemi të pastër për Allah, por për ndonjë interes të thjesht të jetës së kësaj bote.
Transmeton Zejd b. Eslemi nga Omer b. Hataabi r.a. i cili thotë. Një herë na urdhëroi Pejgamberi a.s na urdhëroi të shpërndajmë lëmoshë, e unë kisha pasuri në shtëpi. Shkova në shtëpi, mora gjysmën e pasurisë që kisha dhe e solla te Pejgamberi a.s. për t’ia shpërndarë nevojtarëve, skamnorëve dhe jetimëve. Mendova vet me vete, sot do t’ia kaloj Ebu Bekrit me punë të mira. Kur e dërgova pasurinë te Pejgamberi a.s. ai më pyeti: Sa pasuri ke lënë në shtëpi për fëmijët tu? Unë i thash, edhe një herë sa kjo. Pas meje erdhi Ebu Bekri me pasurinë e tij dhe e solli para pejgamberit , e kur ai e pyeti çka i kishte lënë fëmijëve në shtëpi Ebu Bekri iu përgjigj. Familjes i lashë dashurinë e Allahut xh.sh. dhe të dërguarit të Tij. Pra e kishte sjellë tërë pasurinë. Omeri tha: vallahi o Ebu Bekër, nuk mundesh ti me të mira, s’ka kush që ta kalon.
Neve sot krahas këtyre të mirave që i kemi, që na i ka dhuruar Allahu xh.sh, as që na bie ndërmend të kërkojmë ndonjë të varfër, e edhe nëse ndonjëri prej tyre na e zen rrugën diku në ndonjë skaj dhe kërkon nga ne ndonjë dinar për të shtruar sofrën e iftarit, dhe i japin diç, pastaj menjëherë fillojmë ta përgojojmë. Shih shih pisi, i dhash para, i dhashë këtë e këtë e ai as që më falënderoi!! Bile as që më bëri mall, sepse ne dëshirojmë që me atë ndihmë që ia japim të varfrit, dëshirojmë ta robërojmë që ai gjithherë të thotë, mos të ishe ti unë isha duke vdekur. Jo kështu të nderuar besimtarë, të nderuar agjërues, kështu nuk është humanizmi dhe bujaria islame. Bujaria islame është që nëse e ushqen dikë, thuaj ashtu si thotë Kur’ani Fisnik: ne po u ushqejmë juve për hirë të Allahut, nuk kërkojmë nga ju as shpërblim e as falënderim” Pra ti agjërues kryeje punën tënde për hir të Allahut, e mos kërko robërim nga ai, kurse lutja e tij, është e lejuar dhe inshalla e pranuar.
Poashtu po kthehemi edhe një herë te Abdullah b. Omeri r.a., i cili një natë prej netëve kishte shtruar sofrën e Iftarit, kur pa prit pas troket dikush në derë. Del gruaja e tij për të parë kush është në derë, dhe vërejti se është një skamnor i cili kërkon ushqim, kërkon iftar. Abdullah b. Omeri në këtë rast mori komplet sofrën e tij me të gjitha që kishte në sofër dhe ia dha skamnorit, për vete nuk la asgjë, e kur u kthye brenda filloj të qajë. Ruaja e pyeti, pse po qanë? Ai tha: si të mos qaj, a nuk e pa të varfrin që na kërkoi ushqim! Mirë de tha gruaja, kërkoi dhe ti i dha gjithë çka pate, tash pse po qanë! Abdullahi tha: Po qaj për faktin, pse skamnori të vjen te dera e jonë e të kërkojë nga ne, pse ne e kemi lejuar kë[të gjendje, pse ne nuk e kemi kërkuar të varfrin- skamnorin por ai të në kërkojë neve, obligimi i jonë ka qenë ne ta kërkojmë atë e jo ai neve, për këtë po qajë.
Të nderuar kështu kuptohet islami, kështu zhvillohet islami, kështu krenohen myslimanët, kështu përparojnë myslimanët.
Të nderuar xhematë, në një rast i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu turn,ës së sahabëve duke u thënë: O Ju njerëz, shpërndajeni Selamin, përshëndetuni me selam, shpërndani ushqim (të vrave dhe nevojtarëve) vizitoni familjet tuaja, mos i ndërpritni lidhjet me familjet truaja,, faluni natën atëherë kur njerëzit janë në gjumë, për ti ikur mendjemadhësisë, do të hyni në xhenet të shpëtimtarë. Po vëlla, i nderuar, përshëndetja e myslimanëve është Selami, e selami është paqë dhe siguri, këtë e dëshiron myslimani për veten e dëshiron edhe për tjerët. Përshëndetuni me selam dhe tregoni botës se përshëndetja e jonë është përshëndetje e paqës, e dashurisë dhe bujarisë, sepse vetëm atë që ia duam vetes ia duam edhe tjetrit. Shpërndane selamin e mos u turpëroni sepse kjo është përshëndetja e xhenetit, është përshëndetja e të gjithë myslimanëve të botës pa dallim ngjyre., race e kombi. Përshëndetuni me selam, dhe dëshmoni pa kurrfarë turpi se ne jemi myslimanë, dini i jonë quhet islam, përshëndetja e jonë quhet selam, e krejt kjo rrumbullakësinë paqën dhe dashurin.
Për në fund të nderuar në sofrën e Ramazanit ka edhe begati tjera të shtruara për ne por në mungesë të kohës, sot do të kisha përfunduar vetëm me këto dy begati, andaj i lutemi Allahut xh.sh. që kurrë të mos na largojë nga të mirat e Tij. I lutemi Allahut xh.sh që Imanin kurrë mos ta largojë nga zemrat tona, islamin kurrë të mos na e largojë nga familjet tona. O Zot i madh, na bënë prej atyre që Ti je i kënaqur me ta, e jo prej atyre që Ti je i hidhëruar me ta. Amin
Ve ahiru Da’vana enilhamdulilahi rabilalemine Elfatiha.
Kjo ligjëratë është mbajtur para namazit të Xhumasë më 08 ramazan ose më 28. 07. 2012 në xhaminë e fshatit Llojan, nga hoxhë Jusuf ZIMERI.
29 El Bekare :185
46 Përmbledh Buhariu.