Pyetje:
Esselamu alejkum i nderuari Profesor! A mund të më jepni një sqarim në lidhje me këtë hadith: ”Vërtet kohëzgjatja e namazit të njeriut dhe shkurtimin e fjalimit të tij është çështje e diturisë së tij, andaj zgjateni namazin dhe shkurtoni fjalimin, vërtet disa deklarata janë magjepse.” (Transmeton Muslimi)? Ju faleminderit!
Përgjigje:
Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim!
Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhërishëm, salavatet dhe selamet të Dërgurit të Tij, Familjes së tij dhe gjithë besimtarëve myslimanë!
I nderuar, sa i përket sqarimit që e keni kërkuar rreth këtij hadithi të Pejgamberit s.a.v.s., nëse jemi në një linjë, pra nëse e kemi fjalën për të njëjtin hadith, tërë ajo që unë mund të them rreth këtij hadithi është si vijon:
Hadithi i sipërpërmendur transmetohet nga Amar b. Jasiri i cili thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “Zgjatja e namazit të burrit dhe shkurtimi i fjalimit (ligjëratës) janë simbol i diturisë së tij, andaj zgjatni namazin dhe shkurtoni ligjëratën.”(1)
Ky hadith i Pejgamberit s.a.v.s. ka të bëjë me namazin e xhumasë, andaj na jep të kuptojmë se ligjërata, gjegjësisht hutbja ditën e xhuma duhet të jetë më e shkurtër, por sa më e qartë, kurse falja e namazit mund të zgajtet me lexim të Kur’anit. Nga kjo nënkuptohet se ligjëruesi gjatë fjalimit të hutbes, duhet të jetë i shkurt në fjalim dhe i qartë, e për të qenë i shkurtë dhe i qartë në fjalim, këtë mund ta bëjnë vetëm dijetarët, sepse dijetarët flasin pak, qartë por me shumë kuptimësi…, kurse ata që shtiren si dijetarë, flasin gjatë, jo qartë dhe nuk dinë ku e kanë kufirin e ndalimit, vetëm e vetëm që të ekspozohen se janë dijetarë, por realisht zgjatja e fjalimit nuk është shenjë e dijetarëve.
Pra kjo është porosia e Pejgamberit s.a.v.s. sepse kjo ishte cilësi e tij (s.a.v.s.): fliste pak fjalë me shumë kuptim. Së këndejmi, dijetarët përdorin shprehjen: “Më falë se shkrova shumë sepse nuk pata kohë të shkruaj pak.”
Ve bil-lahi teufik!
(1) Hadithin e regjistron Imam Muslimi, nr. 869; Imam Ahmedi, nr 263/4: Darimiu, nr. 1556.