Femra e cila kërkohet për ta fejuar, duhet të jetë e pajisur me tipare të bukura. Tiparet e tilla njëkohësisht konsiderohen edhe bazamente fundamentale të fejesës. Dihet mirë se burri kënaqësinë shpirtërore e gjen te gruaja e tij e pajisur me cilësi të bukura dhe pikërisht për këtë duhet t’i kushtojë kujdes zgjedhjes së partneres së jetës.
Gruaja e virtytshme ndikon pozitivisht në suksesin dhe në jetën e përditshme të burrit. Dhe jo vetëm kaq, por për arsye se në të ardhmen ajo duhet të jetë bashkëshorte e ndershme, e sinqertë, me virtyte të larta, zonjë shtëpie, e mbi të gjitha, nënë dhe edukatore e vyeshme e fëmijëve të tij.
Tiparet e bukura të gruas, Islami i sqaroi gjerësisht, e prioritet është që ajo të jetë muslimane. Është e vërtetë që Islami lejon martesën me femra që janë ithtarë të librave të shpallur, por këtë nuk e lavdëron. Lidhur me këtë All-llahu xh.sh. thotë:
“Sot i lejuam për ju ushqimet e mira, dhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit, janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta. Gratë e ndershme besimtare dhe (gratë) e ndershme të atyre të cilëve u është dhënë libri para jush, kur atyre u jepni pjesën e caktuar të kurorës, por duke pasur për qëllim martesën e jo imoralitetin dhe jo si dashnore ilegale…”. (El Maide, 5)
Sipas dijetareve Islam, martesa me të krishtere dhe hebreje nuk është e preferuar, ngase është mekruh (vepër e urrejtur). Kishte raste prej shokëve të Pejgamberit a.s që ishin të martuar me femra të tilla.
Sa për ilustrim po i përmendim: Othman b. Afani ishte i martuar me Naile binti Ferafida, me një hebreje ishte martuar edhe Hudhejfe el Jemani.
Shkaku i lejimit të martesës së muslimanit me jomuslimanen por me ithtare të librave të shpallur, ishte ngase ato dakordoheshin me disa parime esenciale të besimit Islam, siç ishin : besimi në të Vetmin Zot, në Ditën e gjykimit, etj., por megjithatë, për muslimanin nuk është e preferuar kjo martesë.
Dijetaret të cilët urrejnë martesën e muslimanit me jomuslimanen, qëndrimin e tyre e bazojnë në urdhrin e halifit Omer r.a., kur i urdhëron sahabët që t’i shkurorëzojnë gratë e tyre jomuslimane. Omeri i kishte dërguar një urdhëresë edhe Hudhejfes, me të cilën e urdhëron ta shkurorëzojë Kitabijen (ithtaren e librit). Një gjë të tillë Omeri e bëri që muslimanët tjerë të mos u bashkëngjiten atyre në këtë drejtim, ngase me këtë dëmtoheshin femrat Islame. Një urrejtje e tillë, thjeshtë, vlen për njerëzit e rëndomtë. Muhamed El Gazali, duke e komentuar rastin e qëndrimit të Omerit r.a. thotë: “Omeri ndaloi martesën e muslimanit me jomuslimanen për njerëzit që kanë poste të larta në shoqërinë Islame, siç është posti i kryetarit, komandantit ushtarak, ministrave etj.”
Martesa e muslimanit me jomuslimanen është në përgjithësi mekruh, sepse rrezikohet edukimi i fëmijëve. Fëmija në atë shtëpi nuk mund të ketë qetësi shpirtërore, ngase i ati i tij ka tradita Islame kurse e ëma me fe tjetër, ka principe krejtësisht të tjera. Në këtë mënyrë, fëmija mund të ngelë mes dy edukimeve dhe principeve të ndryshme.
Dinjiteti fetar
Për t’u arritur jetë e lumtur bashkëshortore dhe qëllimi final i martesës, Islami rekomandon që bashkëshorti të zgjedhë bashkëshorten e cila është e paisur me cilësi të larta. Një ndër cilësitë të cilës i duhet dhënë më shumë prioritet në zgjedhjen e bashkëshortes, është feja e saj, ngase ajo luan rol permanent në jetën bashkëshortore dhe familjare.
Sa i përket cilësive të tjera që janë kalimtare te femra, siç është bukuria dhe pasuria, besimtari duhet të heqë dorë prej tyre. Lidhur me këtë Ebu Hurejra r.a. transmeton një hadith nga Pejgamberi a.s. i cili ka thënë:
“Femra martohet për katër cilësitë:
– për shkak të pasurisë,
– për shkak të prejardhjes familjare,
– për shkak të bukurisë, dhe
– për shkak të fesë së saj. (E ti) jepi përparësi fesë, qetësoje vetveten”. (Ebu Davudi, 2/219, nr.2047, Ibni Maxheh, 1/597, nr.1958).
Nëse u bëjmë një vështrim fejesave të kohës së sotshme, vërejmë se prioritet i jepet bukurisë së femrës dhe pasurisë ekonomike, kurse lënë anash cilësinë më të rëndësishme – fenë, me ç‘rast shprehen komplikime dhe kokëçarje të shumta familjare. Problemet vijnë për shkak të mospërfilljes së mësimeve të Pejgamberit a.s.. Sikur të zbatoheshin rrënjësisht urdhrat e të Dërguarit të Allhaut xh.sh., në të gjitha lëmitë jetësore, padyshim edhe pozita jonë do të ishte më e lakmueshme.
Zgjedhja e të fejuarës me cilësi të denja fetare, është baza dhe esenca e jetës së lumtur bashkëshortore. Këtu qëndron edhe urtësia që i Dërguari i All-llahut xh.sh. i këshilloi muslimanët për këtë cilësi në rastin e zgjedhjes së të fejuarës.
Islami i erdhi njerëzisë me të gjitha të mirat dhe begatitë, duke mos lënë pas dore edhe këtë begati. ?shtë e pamundur që të ketë harmoni në jetën bashkëshortore me femrën e cila nuk është e pajisur me cilësitë e lartpërmendura. Në një hadith, Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Mos i martoni femrat për shkak të bukurisë së tyre, se ndoshta bukuria ato i shpie në shkatërrim (mendjemadhësi), as mos i martoni për shkak të pasurisë së tyre, se ndoshta pasuria e tyre do t’i shpie në mëkate, por martoni ato të cilat janë fetare, sepse robëresha hundë këputur dhe e zezë që është fetare është më e vlefshme.” (Përmbledh: Ibni Maxhe, 1/597, nr.1859).
Nga kjo që u tha, nuk duhet kuptuar ajo se Islami nuk e çmon ndjenjën njerëzore, kur dihet se njeriu nga vetë natyra e krijimit të tij është i dhënur pas femrës së bukur dhe pas pasurisë. Mirëpo, këto cilësi të femrës nuk duhet të jenë primare. Në një rast Pejgamberi a.s. është pyetur se “cila është femra më e vlefshme?” dhe ai ka thënë:
“Femra më e vlefshme është ajo e cila kur ta shikosh të kënaq, kur ta urdhërosh i nënshtrohet urdhrit, kur të kërkosh marrëdhënie intime nuk të kundërshton, dhe nuk ta dëmton pasurinë“.(Transmeton Buhariu, Fet’hul Bari, 9/102, Ibni Maxheh, 1/596, nr.1857, Ahmedi në Musned, 2/251, 432, 438.).
Siç shihet nga hadithi i lartpërmendur, pasuria, bukuria, familja dhe pozita e femrës, – që të gjitha kanë vlerën e vet në jetën e përditshme, prandaj edhe Islami nuk i refuzoi, por mbi të gjitha e vlerësoi cilësinë fetare të denjë.
Idhujtarja
Idhujtare, sipas normave Islame, konsiderohet ajo femër e cila në vend se të adhurojë All-llahun e Vetëm, adhuron diç tjetër, p.sh.: yjet, planetët, zjarrin, etj. Ateistja, komunistja, materialistja dhe të ngjashmet konsiderohen si idhujtare. Besimtari Islam me llojin e këtyre femrave e ka të ndaluar rreptësishtë martesën. Lidhur me këtë All-llahu xh.sh. ka thënë:
“Mos u martoni me idhujtare derisa ata të besojnë (Zotin një). Një robëreshë është më e vlefshme se një idhujtare, edhe nëse ajo ju mahnit. Mos u martoni as me idhujtarë derisa ata të besojnë.” (El Bekare: 221).
Besimtari Islam e ka të ndaluar martesën edhe me atë lloj tjetër të femrave të cilat kanë dalë nga feja Islame (murtede).
Bashkëshortët të cilët nuk besojnë në Një Zot, nuk janë ithtarë të një feje, në jetën e tyre bashkëshortore nuk kanë harmoni. Burri beson në Një Zot, kurse gruaja në diçka tjetër. Burri tenton që fëmijët t’i edukojë në frymën Islame, kurse ajo mundohet që fëmijës t’ia mbjellë besimin e saj.
Në këtë kontest, duhet potencuar edhe një dukuri tjetër e cila kohëve të fundit po paraqitet tek popullata jonë Islame.
Disa muslimanë që martohen me femra të feve të tjera, dakordohen me bashkëshortet e tyre që vajzat të jenë të fesë së gruas, kurse djemtë të fesë së burrit. Një vepër e tillë është rreptësishtë e ndaluar (haram) sipas normave Islame. Fëmijët e tyre nuk guxojnë të edukohen në frymë tjetër përveçse sipas normave Islame.
Largësia nga gjaku
Feja Islame preferon që e fejuara të jetë sa më larg me gjak, me qëllim që fëmija të lindë më i shëndoshë dhe pa të meta psikofizike. Martesa me femër sa më të largët me gjak, është imunitet i pasardhësve nga sëmundjet e trashëguara familjare. Në anën tjetër, bëhet zgjerimi i miqësisë dhe i njoftimit të muslimanëve ndërmejt veti. Për këtë Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Mos martoni femrën e afërt (nga gjaku), sepse fëmija lind i dobët”. Po ashtu në një hadith tjetër thotë: “Largohuni, mos u dobësoni”. (Tabijetul Evlad, 1/39).
Familja e ndershme
Sipas mësimeve Islame, e fejuara duhet të zgjedhet nga familja e ndershme, nga familja e njohur për moral të lartë Islam dhe për devotshmëri. Lidhur me këtë Muhamedi a.s. ka thënë:
“Zgjedhni për spermën tuaj se me të vërtetë gjaku është ngatërresë“. (Ibni Maxheh).
Në hadithin tjetër që e transmeton Aishja r.anha., Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Zgjidhni për spermën tuaj se me të vërtetë gratë lindin të ngjashmit e vëllezërve dhe motrave të tyre“.(Ibni Maxheh, 1/632, nr.1968, Ibni Adij dhe Ibni Asakir).
(Shkëputë nga libri “E drejta familjare në Islam” autor: I. Abasi, T.Bislimi, F. Ebibi, J. Zimeri, botuar Mexhlisi Shura i BIM 1996.)