Autor:Jusuf ZIMERI
Të gjithë dijetarët islamë duke u mbështetur në argumentet fundamentale të sheriatit islam janë unikë në mendimet e yre për obligueshmërinë e dhënies së zeqatit për bereqetet tokësore që dalin nga ajo. Këtë e vërteton ajeti kur’anor ku thotë:
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنْفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتٍ مَا كَسَبْتُمْ وَ مِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنَ الأَرْضِ
“O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që nxorëm për ju prej tokës”[1] Pastaj ajeti tjetër kur’anor ku All-llahu xh.sh. thotë:
وَآتُوا حَقَّهُ يَوْمَ حَصَادِهِ
“..dhe ditën e korrjes (vjeljes) së fryteve jepni atë pjesë që është obligim.”[2]
Argument nga suneti i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme për obligueshmërinë e zeqatit në bereqetet e tokës kemi hadithin ku ka thënë:
فِيمَا سَقَتِ السَّمَاءُ وَالْعُيُونُ أَوْ كَانَ عَثَرِيًّا الْعُشْرُ وَمَا سُقِيَ بِالنَّضْحِ نِصْفُ الْعُشْرِ
“Në atë që ujitet nga qielli apo burimi ose është afër ujit
jepet 10%, kurse në ato që ujiten me mjete të ujitjes gjysmë Ushri 5%.”[3]
Nga ky hadith i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme nënkuptohet se obligueshmëria e zeqatit në bereqetet që dalin nga toka e që ujiten vetvetiu ose nga qielli pa përdorimin e fuqisë dhe shpenzimeve, jepet 10 %, kurse nëse për to përdoren shpenzime siç është sistemi i ujitjes, motorë të ndryshëm, atëherë jepet 5 %.
Kushtet e zeqatit në bereqetet tokësore
Dijetarët islamë kur diskutuan për kushtet të cilat duhet plotësuar për dhënien e zeqatit në bereqetet tokësore, i ndanë mendimet e tyre. Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, krahas kushteve të përgjisthshme për obligushmërinë e zeqatit, për zeqatin në bereqetet tokësore duhet plotësuar edhe këto tre kushte që janë:
1. Që toka nga e cila përfitohet bereqeti, të jetë tokë Ushrije,[4] e të mos jetë tokë haraxhije[5], sepse sipas dijetarëve të medhhebit hanefij nuk mund të bashkohen ushri dhe haraxhi, kurse sipas medhhebeve tjera mund të bashkohet Ushri me Haraxhin. Argumenti ku dijetarët e medhhebit hanefij mbështesin mendimin e tyre është hadithi i transmetuar nga Ibni Mes’udi, e ky nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme Se ka thënë: “Nuk bashkohen Ushri dhe haraxhi në tokën e muslimanit”.
2. Që bereqeti të jetë i dalë nga toka, do të thotë të ekzistojë bereqeti, sepse nuk mund të ketë zeqatë në bereqetin i cili nuk ekziston.
3. Që ajo që del nga toka, me te të jetë për qëllim shfrytëzimi, kultivimi dhe përpunimi i tokës dhe fryteve të saja, që nënkupton se për bimët e dala vetvetiu nuk jepet zeqatë siç është bari, drunjtë etj.
Nisabi në bereqetet tokësore
Dijetarët islam kur biseduan për nisabin dhe për cilat rendimente duhet të jepet zeqatë, i ndanë mendimet e tyre.
Sipas mendimit të Ebu Hanifes nisabi nuk është kusht për dhënien e zeqatit nga bereqetet tokësore, andaj jepet zeqatë si për shumicën ashtu edhe për pakicën e saj. Ky mendim mbështetet në gjithpërfshieshmërinë e argumenteve që obligojnë dhënien e zeqatit në bereqetet tokësore, që nënkupton se në ato argumente nuk përcaktohet nisabi për dhënien e zeqatit, e kjo vërteton se zeqati në bereqetet tokësore jepet si për shumicën ashtu edhe për pakicën.
Sipas mendimit të Imam Ebu Jusufit dhe Muhammedit dhe shumicës tjetër të fukahave islamë, nisabi është kusht për dhënien e zeqatit në prodhime bujqësore që kanë farë dhe frytë të cilat qëndrojnë një vit pa u prishur dhe atë pa kurrfarë intervenimi për ruajtjen e tyre. Në këtë bëjnë pjesë druri, orizi, misri etj. Sipas tyre nuk jepet zeqatë nëse nuk plotësohet nisabi . Ky mendim mbështetet në ahdithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme ku ka thënë: “Nuk ka zeqat në më pak se pesë evsuk”. Sa i përket nisabit të bimëve dhe fryteve në kohën e sodit, në bazë të elaborimeve që bënë Vehbi Sulejman Gavoxhi është 1092 kgr.[6]
Zeqati i mjaltit
Sipas mendimit të dijetarëve të shkollës juridike hanefij dhe hanbelij,[7] zeqati në mjaltë jepet 10 %. Mirëpo edhe këtë dijetarët e medhhebit hanefij e kushtëzuan që bleta e cila prodhon mjaltin të ketë kullotur në tokën ushrije, e nëse është nga toka haraxhije nuk oblighet me zeqat.
Argument për obligueshmërinë e zeqatit në mjaltë ku mbështetet ky mendim është hadithi i transmetuar nga Ebu Sejare El Muteiju i cili ka thënë: O i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, vërtetë unë posedoj bletë. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: “jepe ushrin e saj (10 zeqat)”[8]
Referencat
[1] El Bekare : 267
[2] El En’am : 141
[3] Buhariu
[4] Tokë ushrije, konsiderohet çdo tokë që banorët e sajë e kanë pranuar islamin dhe kanë ngelë pronar të saj, ose çdo tokë që është çliruar me luftë, e mpas toka e njëjtë u është ndarë muslimanëve. Quhet tokë Ushrije sepse prej bereqeteve të saja jepet zeqat 10 %.
[5] Tokë haraxhije konsiderohet çdo tokë e cila është pliruar me luftë, por toka i është lënë në pronësi pronarve të tyre, duke i obliguar të paguajnë haraxhin.
[6] Kurse sipas mendimit të Malikijve dhe Shafiijve nisabi është kusht për obligueshmërinë e zeqatit nga bereqetet tokësore që është 5 Evsuk (563 kgr.)
[7] Dijetarët e medhhebit malikij dhe shafiij, janë të mendimit se për mjaltin nuk jepet zeqat fare.
[8] Ahmedi, Ibni Maxhe, Ebu Davudi, (Nejlul evtar 4/145.