Vakëfi në periudhën Osmane në trojet e Maqedonisë së sotme

Autor: Mr. Taxhedin BISLIMI

Pasi që Perandoria osmane dominoi në mënyrë të plotë në trojet ballkanike, dhe filloi Islami të përhapet në mesin e popujve të Ballkanit, perandoria Osmane gradualisht filloi t’i rrënjosë shtyllat e sundimit në këto troje, bëri ndarjen e Ballkanit administrativisht, rregulloi gjykatën dhe ndau vendet në regjimente ushtarake. Prej dukurive të reja që sollën Osmanlinjtë në trojet e Ballkanit, ishte sistemi arsimor dhe institucioni i vakëfit. Para ardhjes së Osmanlinjve në Ballkan, sistemi arsimor fare nuk ishte i njohur,[1] kurse me ardhjen e myslimanëve në këto vende, sistemi arsimor dhe institucioni vakëfit filluan të përhapet me të madhe, dhe në këtë mënyrë  nuk mbeti asnjë vend ku myslimanët ishim prezent, e të mos ketë shkolla dhe vakëfe, të cilat ishin në shërbim të Islamit, dhe në interes të myslimanëve.

Argumentet të cilat vërtetojnë prezencën e vakëfeve të shumta në këto vende janë:

  • Ekzistimi i shumë objekteve të lënura vakëf nga bamirës të ndryshëm, siç janë, xhamitë, teqetë, imaretet, zavijet, medresetë, hanet, urat, dhe shumë pasuri tjera të lëvizshme dhe të palëvizshme, pasuri këto të cilat u lanë vakëf për hir të All-llahut (xhel-le xhelaluhu) që nga ditët e para të depërtimit Osman, e deri në ditët e fundit të tyre, respektivisht deri në fillim të shekullit të njëzetë. Disa nga gjurmët e lëna vakëf gjenden edhe sot e kësaj dite, kurse pjesa më e madhe e tyre për fat të keqë është humbur, e një pjesë të saj e shkatërroi koha, kurse pjesën më të madhe dora e njeriut.
  • Ekzistimi i disa vakëfnameve dhe dokumentacioneve, të cilat edhe pse janë të pakta në krahasim me sasinë e vakëfeve të shumta, qartë vërtetojnë interesin e madh që kishin myslimanët e atëhershëm për të lënë vakëf për hir të All-llahut dhe në dobi të myslimanëve, gjë që në këto troje u formua një vakëf i madh në të gjitha vendet. Në bazë të vakufnameve kuptohen qartë qëllimet, motivet e vakëflënësve, dhe ana e cila la vakëf.

Motivi i vakëflënësve
Vakëflënësit para së gjithash dhe mbi të gjitha me bamirësitë e tyre kishin për qëllim që të arrijnë kënaqësinë e All-llahut xh.sh, dhe shpërblimet e Tij në botën e ardhshme. Që veprimtaria e tyre e mirë të mos ndërpritet edhe pas vdekje së tyre, sepse veprimtaria e njeriut ndërpritet me vdekjen e personit, vetëm nëse ai ka lënë ndonjë vepër të mirë rrjedhëse, e cila vazhdon t’ë japë frytin e mirë edhe pas vdekjes së personit.

Qëllimi tjetër i vakëflënësve ishte, që ata me veprimtarinë e tyre bamirëse, të jenë në shërbim të pasardhësit e tyre musliman, mu për këtë ata ndërtuan xhami, teqe, zavije, që muslimanët ta adhurojnë All-llahun xh.sh, në mënyrë më të lehtë edhe të plotë. Ndërtuan medrese dhe bënë që mësimi dhe edukimi të jetë falas, që mundësitë për mësim të jenë të barabarta mes të gjitha shtresave të popullit, pa dallim përkatësie kombëtare, apo pozitës shoqërore, qofshin fëmijët e të varfërve apo të pasurve. Shtrinë dorën e mirësisë në aspektin material për të gjithë njerëzit pa dallim feje apo vendi, andaj ndërtuan ura, ujëvare, kanale, hane, çeshme, që të gjithë këto të jenë ne shërbimin e njerëzisë.

Në këtë kontekst ata nuk ngurruan që me pasuritë e tyre të lëna vakëf, krahas interesit të përgjithshëm shoqërorë ndihmuan edhe në avancimin dhe prosperimin e shoqërisë njerëzore në përgjithësi, e në veçanti të shtetit Islam duke ndërtuar ura lidhëse me s shoqërive njerëzore dhe prosperuar administratën Islame.

Lënësit e vakëfeve ne periudhën Osmane
Personat të cilët lanë vakëf në periudhën Osmane, në shumicën e rasteve ishin, personalitete të cilët ushtronin poste udhëheqëse të larta në ushtrinë dhe administratën Osmane, ose anëtarë të familjeve të tyre. Po ashtu në mesin e bamirësve kishte edhe disa të pasur të cilët, një pjesë apo të gjithë pasurinë e tyre e lanë vakëf.

Në bazë të vakëfnameve të cilat janë në duart tona, dhe në bazë të gjurmëve që lanë bamirësit, mund të konkludojmë se personalitetet më të njohura në këto vende (Maqedoninë e sotme) që lanë vakëf janë:

1. Sengur Beu i biri i Abdullahut, i njohur si Çaush Bej (v.842 H-1470 M), Valiu i Manastirit[2]. Ky Vali pas veti la shumë vakëfe në interesin e muslimanëve në Manastiri (dhe jashtë Maqedonisë së sotme). Vakëfet i vërtetoi në vakufnamen e tij, të cilën e redaktoi në mesin e muajit të Ramazanit në vitin 838 H, mes 9-19, 4,1435 M, e nga kjo vakufname shihet se në qytetin e Manastirit ai kishte lënë këto vakëfe:[3]
1 xhami, e cila mban emrin e tij.
1 medrese ( e cila nuk ekziston)
1 zavije
1 ha
25 shitor
7 mullinj
2 place (vende për ndërtim)
Një arë e mbjellë me vresht

Fshatin Popolzhani në rrethin e Kërçovës, dha 30.000 dërhem para për mirëmbajtjen e medresesë.[4]

2. Is’hak Beu i biri i Jegit Pashës[5], i cili ndërtoi një xhami në Shkup (e cila quhet Is’hakije apo Allaxha, edhe sot e kësaj dite ekziston), pranë saj ngriti një medrese, një bibliotekë dhe një objekt (konvikt) për nxënësit e medresesë, e që këto objekte të lartpërmendura ta kryejnë misionin e tyre në mënyrë më të plotë, ai la vakëf të mjaftueshëm në Shkup dhe rrethin:
Fshatin Banjane dhe Mirkovce (afër Shkupit) la.
2 Hamame.
102 shitore.
2 Hane, (njëri nga to është Suli Ani në Shkup).
Shtëpi për muderrisin (mësimdhënësin) e medresesë.
7 komplekse  –  toka pjellore.

Të gjithë këto pasuri i vërtetoi në vakufnaken e tij, të cilën e redaktoi në fillim të muajit Dhulkade 848 H (9-18, 11, 1445 M).[6]

3. Isa Beu i biri i Is’hak Beut [7], i cili në jetën e tij ndërtoi një medrese dhe një hanikah (teqe). Medreseja ishte më e njohura jo vetëm në Shkup dhe rrethinë, por në tërë Ballkanin në periudhën  Osmane[8] dhe kishte dhjetë dhoma. Për medresenë e tij, Isa beu la vakëf tërë pasurinë e tij, vakëfin e tij e vërtetoi në vakufnamen e tij të cilën e redaktoi në vitin 1462, e nga vakufnamja e tij kuptohet se ai la vakëf këto pasuri:
Në fshatin Kuçevishte dhe Draçevë (afër Shkupit).
3 çiflige.
2 Bafshe (kopshte) brenda në Shkup.
24 ara në vende të ndryshme.
1 çifte hamam (për burra dhe për gra) në Shkup, dhe një Hamam në Tetovë.
Më shumë se 10 mullinj.
Mbi 100 shitore.
15 dhoma.
1 Karvan saraj.
3 pjace për shitore.
1 arë për mbjelljen e orizit.
1 han ( Kapan An) me të gjithë shitoret që janë për rreth tij (në Shkup i cili ekziston sot e kësaj dite).
1 bibliotekë.

Në bazë të vakëfnames të gjithë këto pasuri ai i ka lënë vakëfe për interes të medresesë dhe hanikas së tij. Nuk përmend xhaminë e tij (Isa Beut) sepse sipas mbishkrimit, i cili gjendet mbi portën e hyrjes së xhamisë, xhamia është ndërtua pas vdekje së tij, me porosinë e Isa beut.[9]

4. Kebir Muhamed Çelebi i biri Isa Beut i biri i Is’hak Beut,[10] Ky bamirës la shumë vakëfe, në Shkup dhe Tetovë, të gjithë pasurinë e tij e la vakëf. Pasuritë që i kishte në Shkup i vërtetoi në vakufnamen që e redaktoi në 1, Ramazan, 874 H (3,2, 1470 M), e në bazë të vakufnames ai në Shkup la këto vakëfe[11]:
1 xhami, e ndërtoi në vitin1469 (ekziston).
1 Imaret (një pjesë e saj ekzistonte deri në vitin 1972, kur u rrënua dhe në vend të saj është ndërtua Universiteti Kiril dhe Metodi).
1 hamam.
5 mullinj.
22 ara pjellore.
7 livadhe.

Sa i përket vakëfeve që i la në Tetovë dhe rrethinë, të cilat i vërtetoi në vakufnamen të cilën e redaktoi në fillim të Ramazanit 876 H (20,7,1463 M), janë si vijojnë[12]:
1 xhami.
1 teqe.
1 imaret.
6 shitore.
Fshatrat, Galata, Pozharan, Kartanica dhe Proshevce.
1 han me 15 dhoma.
24 shtëpi.
Mbi 10 mullinj.
10 ara pjellore.
1 livadh.
11 bahçe brenda në Tetovë.

5. Sinanuddin Jusuf Çelebi, në qytetin e Ohrit [13], i cili ndërtoi një zavije, dhe për të la vakëfe të shumta ndër ta:
Fshatin, Vranisht dhe Lezhani (Strugë).
6 mullinj afër fshatit Meshevishtë (Strugë).
16 shitore (në Ohër).
1 arë e mbjellë me vresht në vendin e quajtur Çakushtini (afër Ohrit).
1 vend për gjuajtjen e peshqve afër Ohrit.
10.000 Akshe (dukat).

Të gjithë këto pasuri i vërtetoi në vakëfnamen, të cilën e redaktoi në fillim të muajit Shaban, 896 H (1491), nga të gjithë këto pasuri nuk ka ngel asgjë përveç Xhamisë (zavijes) së tij.[14]

6. Is’hak Çelebi [15], njëri nga bamirësit më të mëdhenj, jo vetëm të qytetit të Manastirit, por edhe të Maqedonisë. Pas veti la shumë gjurma të mira në Manastir dhe jashtë tij[16]. Ai në Manastir ndërtoi një xhami[17], një medrese, një zavije dhe një bibliotekë, e për mirëmbajtjen e këtyre la këto vakëfe:
105 shitore.
4 depo.
20 mullinj.
1 bahçe.
Një numër të madh librash.
300.000 dërhem në interes të xhamisë dhe medresesë së tij,
Të gjithë këto pasuri i vërtetoi në katër vakëfnamet e tij, tri nga to përfshinë vakëfet të cilat janë në territorin e Maqedonisë (dhe diçka jashtë saj).
Vakëfnamen e parë e redaktoi në 914 H (10-19,7,1508).
Vakëfnamen e dytë e redaktoi kah fundi i Rebiul Ahar 917 H (1827, 7, 1511 m)
Vakëfnamen e tretë e redaktoi kah fundi i mujit Rexheb, 917 H (24, 9 =3,10, 1511.

7. Muslihuddin Abdulgani El Madeni [18], njëri nga më të pasurit e këtyre trevave në kohën e tij (në gjysmë e shekulli të gjashtëmbëdhjetë). Pas veti la shumë vakëfe, disa nga ato në territorin e Maqedonisë, dhe disa tjera në vende tjera [19], ndër bamirësit që i ka lënë në trojet e Maqedonisë janë;
Xhaminë e Duqanxhikut në Shkup, nga e cila kanë mbetur vetëm themelet dhe minarja e saj.
Kurshumli Hanin në Shkup ( sot muze).
1 hamam, Shengyl hamam, afër kurshumli hanit, thuajse tërësisht i shkatërruar.
1 kanal që sillte ujin në Shkup, për xhamin, hanin dhe hamamin e tij.
2 shtëpi.
26 shitore.
1  (depo).
Shumë shitore rreth hanit, por nuk i cek numrin e tyre.

Muslihuddini këto bamirësi i vërtetoi në vakëfnamen e tij të redaktuar në fund të muajit Dhulhixhxhe, 956 h (1550 m).[20]

8. Koxha Sinan Pasha (El Vezirul Ekber)[21], Sinan pasha ishte një ndër komandantët dhe bamirësit më të mëdhenj të Perandorisë Osmane, la shumë vakëfe pas veti, në Ballkan, Anadoll, në Egjipt dhe vende tjera[22]. Pasuritë që i ka lënë vakëf, të cilat janë në territorin e Maqedonisë, i vërtetoi në vakëfnamen e redaktuar në 6, Rexhep, 996 H, (23, 8, 1556 M) në Stamboll, nga kjo vakëfname kuptohet se ai la këto vakëfe:
12 shitore
3 vendbanime me nga disa shtëpi.
12 mullinj.
Disa ara pjellore dhe livadhe.[23]

9. Muhamed Pasha Kaçanikliu,[24] i cili ka lënë shumë vakëfe në territorin e Maqedonisë, vakëfet e tij i vërtetoi në tri vakëfname, një për Shkupin dhe rrethinën, tjetra për Tetovën, Gostivarin dhe Kërçovën, kurse e treta ka të bëjë me Dibrën.

Nga vakëfnameja e cila ka të bëjë me Shkupin dhe Kaçanikun[25], e redaktuar në fillim të muajit Shaban, 1017 H (10-20, 11, 1608 M) kuptohet se ai ka lënë këto vakëfe:
1 xhami, e ndërtoi në vitin 1010 H (1601) u emërua me emrin e tij, u shkatërrua nga sistemi monist më 1955.
Fshatin Zlakuçan (afër Shkupit).
Më shumë se 25 mullinj.
4 Çiflik.
Shumë ara pjellore.
3 furra për pjekjen e bukëve.
4 shitore (në Shkup).
Shumë libra.[26]
Nga vakufnameja e dytë, e redaktuar kah fundi i muajit Shaban,1017 H (1608 M), e Muhamed Kaçanikliut e cila ka të bëjë më vakëfet e Tetovës, Gostivari dhe Kërçovës, kuptohet ai ka lënë këto vakëfe;[27]

Në Tetovë:
1 Sat kulla (u shkatërrua në vitin 1933, vendi ku gjendej Saat Kulla sot njihet me emrin, Mahala e Sahat kullës).
1 mulli.
1 bibliotekë.
200.000 akçe (dërhem).

Në Gostivar:
1 xhami, (u rrënua nga sistemi monist në vitin 1953)
1 karvan saraj me të gjithë shitoret që gjendeshin rreth tij (nuk cakton numrin e tyre).
3 mulli.
1 hamam.

Në Kërçovë:
1 hamam.
Shumë tokë pjellore.

Gjithashtu nga vakfija e tij e tretë që ka të bëjë me vakëfin e tij në qytetin e Dibrës, vakfije kjo e cila është e regjistruar  në Ramazan të  vitit 1017 H,  thuhet se në Dibër kishte ndërtuar një Zavije, e cila qëndroi deri vitin 1912. Ai kishte lënë edhe vakëfe tjera të cilat vërtetohen nga vakëfnameja e tij ku thuhet [28].
Dy çiflike,
Kullosa të shumta
Shumë tokë pjellore
Tre mullinj,
Më shumë se katër ura mbi lumenj të ndryshëm të Dibrës,
Një restorant për të varfëritë i cili ishte ndërtuar dy katesh,
Më shumë se katër mijë kokë dele.

10. Mustaf Pasha biri i Abdulkerimit [29] Në qytetin e Shkupit, Mustaf Pasha kishte ndërtuar një xhami dhe një imaret i cili ekzistoi deri vitin 1912, një restorant për të varfëritë dhe një ahur për kafshët e udhëtarëve. Për mirëmbajtjen e xhamisë së tij kishte lënë vakëfe të shumta të cilat vërtetohen në vakëfnamen e tij e cila ishte regjistruar në muajin Muharrem të vitit 920, ose 26. 11. 1514 në Shkup. Nga vakëfnamja e tij na bëhet e qartë se ai kishte lënë këto prona [30].

Dy karvan saraje me të gjitha lokalet-dyqanet rreth tyre,

Kishte lënë vakëf disa fshatra që janë, fshati Stubl, Kradvica, (në këtë kohë në rrethin e Shkupit nuk ekzistojnë fshatra me këto emra) fshati Bulacan, Creshevë, Hrashko, këto fshatra janë afër Shkupit ku në to tani banojnë serbë. Gjithashtu Mustaf pasha kishte lënë vakëf edhe fshatin Batinc, fshat ky ku sot jetojnë musliman të nacionaliteteve të ndryshme.

Katër blloqe të tokës pjellore afër Shkupit,
Kullosa të shumta nëpër vende të ndryshme,
Në Tetovë kishte lënë këto vakëfe.
Tre mullinj,
Disa shtëpi,
Një hamam

Kurse në Gostivar kishte lënë vakëf fshatin Vrapçisht dhe fshatin Tumçevisht, fshatra të banuara me musliman [31].

11. Jahja pasha biri i Abdulhajit[32]. Jahja pasha në Shkup kishte ndërtuar një xhami, medrese dhe imaret. Në mirëmbajtje të xhamisë medresesë dhe imaretit të tij kishte lënë vakëfe të shumta të cilat vërtetohen nga vakëfnamja e tij e regjistruar me 3 Rexhep 912, ose më 19. 11. 1506  ku duke u mbështetur në këtë vakëfname  konstatohet se ka lënë këto vakëfe,

Fshatin Radishan, afër Shkupit ku sot banojnë jomuslimanët,
Një han në Shkup që njihej me emrin Kapan han, e që sot nuk ekziston dhe nuk dihet saktësisht lokacioni i tij.
Një restorant për të varfëritë afër xhamisë së tij,
Më shumë se njëzetë shtëpi
Një hamam
Më shumë se shtatëdhjetë dyqane,
Dy furra buke,
Pesë mullinj,
Dy blloqe tokë pjellore,
Një kopsht në Shkup,
Një ahur për lidhjen e kafshëve të udhëtarëve[33].

Këto ishin disa nga pasuritë e vakëfit të lëna në kohën e osmanlinjve, që i kishin lënë disa personalitete të njohura në pushtetin osman dhe disa bamirës tjerë të cilat i gjejmë në vakëfnamet e tyre. Ne në këtë hulumtim theksuam 11 vakëflënës që ishin më të njohurit, e kjo nuk nënkupton se nuk kishte edhe vakëflënës tjerë. Nga tërë kjo shihet qartë se prona e vakëfit në Maqedoni ishte e shumtë, e këtë e argumentojmë me ekzistimin e shumë gjurmëve dhe institucioneve të karakterit islam që gjenden në Maqedoni siç janë xhamitë, teqetë, medresetë, zavijet etj.e veçanërisht kur dihet praktika se sa herë që ndërtohej ndonjë institucion si xhami, medrese apo diç tjetër ndërtuesi menjëherë siguronte edhe pronën tjetër për funksionimin e këtij institucioni duke lënë vakëf për te. Andaj lirisht mund të thuhet se nuk ka ekzistuar ndonjë xhami ose ndonjë medrese apo ndonjë institucion tjetër e të mos kishte pasur vakëf për mirëmbajtjen e atij institucioni islam. Mirëpo me kalimin e kohë, dhe me ndikimin e sistemeve të ndryshme sllave dhe atij totalitar komunist vakëfi përjetoi dëmtime të mëdha duke i rrënuar ato, apo siç pretendonin komunistët duke i rikthyer në prona të interesit publik, dhe në këtë formë shkatërruan vakëfin dhe dobësuan institucionet islame.

Referencat
[1]. Rexhepagiç Jashar, Zhvillimet e arsimit.
[2]. Sengur Çaush Beu ishte një nga komandantët e shquar në ushtrinë Osmane në periudhën e Sulltan Muratit të dytë (1421-1451m).
3. Çaush Beu kishte lënë vakëfe edhe jashtë territorit së Maqedonisë. Në qytetin e Edrenesë (Turqi), ai la vakëf, një xhami, 11 shitore, 17 dhoma. Në qytetin e Vidinit (Bullgari) la një xhami, 20 shitore, dhe një mulli.
4. Kaleshi, Hasan, Najstariji vakufski dokumenti u jugoslaviji na arapskom jeziku, Prishtin 1972, fq 72.
5. Is’hak Beu ishte mëkëmbësi (prefekti) i dytë i qytetit të Shkupit pas babait të tij Jegit Pashës, prej 817-842 h (1414-1439 m), nuk duhet shumë për jetën dhe datën e vdekjes, por  ai pa dyshim ka qenë një ndër bamirësit më të mëdhenj në këto vende.
6. Kaleshi, Hasan, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, fq 89.
7. Isa Beu ishte nipi i Jegit pashës çliruesit të Shkupit në vitin 1391, ishte mëkëmbsi i tretë i Shkupit, pas babës dhe gjyshit të tij, prej 834-868 H (1439-1463 M), ishte komandanti më i shquar në tokat e Rumelisë, dha kontribut të madh për lulëzimin e Islamit në këto vende, themeloi disa qytete në Ballkan, ndër ta Sarajevën dhe Novipazarin, të gjithë pasurinë e tij e la vakëf, për datën e lindjes dhe vdekjes së tij nuk dihet, nuk dihet as varri i tij, por Muhamed Muedhinoviç mendon se varri i tij është afër “Careve Xhamia” në Sarajevë. Shiko, Kombarxhieva, Lidija, Osmanski spomenici vo Skopje, Skopje 1998, I.V. Zaednica, bo R.M. fq, 48.
8 Çelebi, Evlija, Putopis, fq 285.
9.Elezoviç, Glisha, Turski spomenici, fq 79-126.
10 Në vakëfijen e tij shkruan, se ndërtuesi i xhamisë është, Kebir Muhamed Çelebi i biri i Isa Beut, kurse në mbishkrimin i cili gjendet mbi derën e hyrjes shkruan se, ndërtuesi i xhamisë është, Kebir Muhamed Çelebi i biri i Is’hak Beut, i cili është babai i Isa Beut, që do të thotë se sipas vakëfijes Isa Beu është babai i Kebir Muhamed Çelebis, kurse sipas mbishkrimit Is’hak Beu është babai i tij.
11. Elezobiç, Glisha, Turski spomenici,fq 127-144.
12. Po aty, 43-63.
13. Sinanuddini ishte një ndër personalitetet më të shquara të Ohrit në fund të shekullit pesëmbëdhjetë, viq në 12, Rexhep, 898 h, (1492), u varros afër xhamisë (zavijes) të cilën e kishte ngritur më parë.
14. Kaleshi, Hasan, Najstari vakufski dokumenti u Jugoslaviji, fq 116.
15. Is’hak Çelebiu ishte gjykatës në qytetin e Selanikut, pasi që u tërhoq nga posti i gjykatësit 914h (1508 m), ai me familjen e tij u transferua që të jetoj në Manastir, vdiq në vitin 918 h (1512 m), u varros afër xhamisë së tij, varri i tij ekzistonte deri në vitin 1958, kur varri i tij dhe të tjerat u rrafshuan prej anës së shtetit.
13. Is’hak Çelebi la vakëfe edhe jashtë Maqedonisë së sotme. Në Selanik la këto vakëfe; 6 shtëpi, njëra nga shtëpitë kishte 54 dhoma. 22 shitore. 1 shtëpi. 15 magazine. Në Tatarxhik (Bulgari), 1 xhami. 1 zavije. 18 shtëpi. 1 ahur. 8 shitore. Në Plovdiv-Filipe (Bulgari), 15 shitore. 1 ahur. 1 pjacë për shtëpi.
17. Xhamia e tij gjendet sot e kësaj dite, është njëra nga më impozantet në Ballkan, është meremetuar herën e fundit, më 1911, pak para se të vizitoj Sulltan Muhamed Reshadi Manastirin , sistemi monist e shndërroi në muze, ku edhe sot e kësaj dite është muze.
18.Muslihuddin Abdulgani, i njohur si Muedhin Hoxha, nuk dihet se ai kishte ushtruar ndonjë postë ushtarak apo administrativ në Perandorinë Osmane, por ajo çka dije për të, është se ai ishte një ndër dijetarët më të shquar në kohën e tij, dhe njëri ndër më të pasurit në atë periudhë, për datën e lindjes dhe vdekjes nuk dihet gjë.
19. Muslihuddini ka lënë vakëfe edhe në, Novi Pazar, 1 xhami, 1 shtëpi për Imamin e xhamisë, 1 han, 8 shitore. dhe 8 mullij. Në Trepç, 1 xhami, 1 han, dhe shumë shitore.
20. Kaleshi, Hasan, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji, fq 224.
21. Goxha Sinan Pasha, lindi në fshatin Topojan, në rrethin e Lumës (Shqipëri). Në kohën e sundimit të Sulltan Sulejman Kanunit, në vitin 1568 u emërua Vali i Egjiptit, ku prej Egjiptit e luftoi Jemenin në vitin 976 H, (1569 H) dhe e detyroi që Jemeni t’i nënshtrohet sundimit Osman, mu për këtë më pas Sinan Pasha u njohi si Çliruesi i Jemenit. Ushtroi pesë herë postin e Sadrul Eadham, për herë të parë u bë Sdadrul Eadham në 14, Rexhep, 988 H (25,8, 1580 M). Të dytën herë në vitin 1589 M. në 1593 për së treti herë. Pas një muaj pas vdekjes së Sulltan Muradit III (16, 2, 1595) u shkarkua ng posti i Sadrul Eadhamit, por pas disa muajve prapë u caktua në postin e më parshëm respektivisht më 07, 07, 1595. Me 19, 11, 1595, prap u shkarkua nga posti i tij, në vend të tij u emërua Lala Pasha, por Lala Pasha vdiq brenda disa ditëve pasi që u caktua në postin Sadrul Eadham, kështu që Koxha Sinan Pasha (Sinani i plak) u emërua për të pestën herë në postin e Sadrul Eadhamit, pasi që i kishte mbushur 80 vjet (në disa të dhëna 90 vjet), por pas disa muajve i erdhi kaderi i All-llahut (xhel-le xhelaluhu) dhe vdiq më 3,3, 1596, u varros në lagjen Sifiler, në Stamboll.
22. Sinani ka lënë vakëfe edhe në, Serbi, Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Egjipt dhe në vende të ndryshme të Turqisë
23. Kaleshi, Hasan, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji, 275.
24. Muhamed Pasha Kaçanikliu, është i biri i Koxha Sinan Pashës (Çliruesit të Jemenit), ushtroi detyra të larta në perandorin Osmane, më 999 h (1590 m) ishte Aga i jeniçerëve, më 1592 u emërua si bejlerbeg i Rumelisë, më 1593 ishte valiu i Sirisë, udhëhoqi në shumë lufta por ishte i pa suksesshëm në lufta, shumë herë kthente i thyer, zgjodhi qytetin e Shkupi që t’i kaloj ditët e fundit të jetës së tij, vdiq pas vitit 1017 H (1608 M). Supozohet se ka vdekur në Stamboll.
25. Në Kaçanik ai la këto vakëfe: 1 xhami. 1 urë. 4 hane. shumë shitore.
26. Kaleshi, Hasan dhe Memedovski, Memed, Tri vakufnami na kaçanikli Mrhmed-Pasha, Institut za nacionalna istorija, Skopje, 1958, fq 24-50.
27. po aty, fq 55-60.
[28] . Kaleshi Hasan, Memedovski Memed, tri vakufnami na Kaçanikli Mehmed pasha, Institut za nacionalna istorija, Skopje 1958,p.72-81.
[29] . Mustaf Pasha ishte një nga personalitetet e njohura në pushtetin Osman. Nga vakëfnamja e tij kuptohet se ishte ministër, porse nuk dihet se ai ka ushtruar poste të larta në pushtetin osman, dhe se nuk dihet se në kohën kur e ndërtoi xhaminë në Shkup në vitin 1492 H – 1518 M, çfarë funksioni ushtronte.
[30] . Glisha Elezoviç, turski spomenici p, 713-813.
[31] . Mustaf pasha kishte lënë edhe shumë vakëfe jashtë Maqedonisë, si në Bosnje, në qytetin e Beratit në Shqipëri dhe në Greqi.[32] . Jahja pasha ishte një nga komandantët e njohur të pushtetit osman, e veçanërisht në kohën e sundimit të Sulltan Pajazitit (1481-1512), ishte bejlerbeg i vilajetit të Rumelisë. Ishte pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Smederevës në Serbi në vitin 1459. Ishte edhe Kajmekam i Stambollit. Gjithashtu bashkë me sulltan Selimin e parë ishte pjesëmarrës edhe në luftën kundër Ismail Safvi në Iran në qytetin Caldiran.
[33] . Jahja pasha kishte lënë vakëfe edhe në vendet tjera jashtë Maqedonisë si në Sofi, Plovdiv, Nikopoli të gjitha në Bullgari. Ai gjithashtu kishte lënë vakëf edhe në Stamboll për mirëmbajtjen e xhamisë së tij në Shkup.

Shkrime të ngjashme