Autor: Jusuf ZIMERI
3. Zeqati në monedhë (bankënotë)
Meqë përdorimi i bankënotave është i kohës së re, dijetarët islamë-fukahatë bënë hulumtime të thuktë, dhe në fund njëzëri konkluduan për obligueshmërinë e dhënies së zeqatit. Nisabi i bankënotave llogaritet në ari dhe argjend që janë bazë për llogaritjen e nisabit në zeqatin në monedha të hekurta, letrës, apo letrave me vlerë, do të thotë se nëse posedon aq para sa kushton çmimi i nisabit të arit apo argjendit, atëherë duhet të jepet zeqatë. Edhe pse nisabi në ari dhe argjend në kohën e ligjësimit të tyre ishte për afërsisht i barabartë në vlerë, marrë parasysh faktin se këto dy artikuj janë variabël nga koha në kohë, pra në rastet kur ekzistojnë diferencime mes arit dhe argjendit, për nisabin e monedhave merret për bazë çmimi më i ulët,[1] ngase sipas rregullit të sheriatit islam kur është në pyetje interesi i të varfrit dhe të pasurit, i jepet përparësi interesit të të varfrit.
Sa i përket pasurisë që e posedon besimtari islam nga ari, argjendi apo monedhë apo letra me vlerë, nëse njëra nga këto në vete nuk e përmbushë Nisabin, por që të gjitha nga pak e përmbushin nisabin, atëherë obligohet me zeqatë.
Zeqati në stolit e femrës
Juristët islamë janë unikë në mendimet e tyre se stolit e femrës që nuk janë nga ari dhe argjendi, siç janë inxhitë dhe stolit tjera që nxirren nga deti, për to nuk jepet zeqatë.
Sa i përket stolive të femrave që janë nga ari dhe argjendi, dijetarët e medhhebit hanefij[2] janë të mendimit se për to duhet dhënë zeqat nëse plotësohet nisabi i tyre. Ky mendim mbështet në gjithpërfshieshmërinë e shumë haditheve që flasin për obligueshmërinë e zeqatit.
Në një hadith tjetër i regjistruar te Ebu Davudi, transmetohet se kishte ardhur një grua te Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe me vete kishte edhe vajzën e saj. Vajza në dorë kishte dy zinxhirë të trashë dhe të shtrenjtë nga ari, e Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme e pyeti: “A e jep zeqatin e kësaj?” ajo tha: jo. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme tha: Të qoftë lehtë, sepse All-llahu këto dy do ti shndërrojë në zinxhir prej zjarrit të xhehenemit ditën e kiametit. Vajza i hoqi nga dora dhe i lëshoi para Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe tha: Këto dy zinxhirë le të jenë për All-llahun dhe të dërguarin e Tij.
Nga këto hadithe nënkuptohet se femrat që kanë ari apo argjend për stoli, obligohen të japin zeqatin nëse e plotësojnë nisabin.
Dijetari bashkëkohor Dr. Ibrahim Salkini, në veprën e tij Fikhul islamij, sjell edhe mendimet e disa dijetarëve tjerë të cilët thonë se nëse femra ka stoli nga ari dhe argjendi, deri në një masë të rëndomtë, pa e tepruar sasinë, atëherë nuk obligohet me dhënien e zeqatit. Këtu na paraqitet edhe fetvaja e shejh Muhamed Sheltutit, i cili ka thënë: nëse me zbukurim apo stoli është për qëllim nevoja normale e stolisë së femrës, atëherë nuk obligohet me zeqatë, mirëpo nëse ajo ka stolisur trupin e saj me stoli tej mase atëherë duhet dhënë zeqatë.
Si duket, tërë kjo që dijetarët islamë më bashkëkohorë tentojnë të gjejnë zgjedhje, sërish nuk mund të dalin nga korniza e vlerësimit që e kishte bërë Imam Ebu Hanifja, sepse nëse femra ka stoli nga ari dhe argjendi më shumë se nisabi që është 100 gram, atëherë obligohet me zeqatë, e nëse ka më pak, nuk obligohet me zeqatë, sepse nuk e ka plotësuar nisabin, andaj mendoj se sa për stoli të femrës 100 gram ari janë të mjaftueshme.
Gjithashtu nuk duhet harruar se zeqatë jepet edhe në enët e shtëpiake nga ari, edhe pse përdorimi i tyre është i ndaluar sipas së drejtës islame.
[1] Tahtavi, Merakijel fellah f. 391.
[2] Imam Maliku, Ahmed b. Hanbeli dhe një mendim nga Imam Shafiu janë të mendimit se për stolit e femrave nga ari dhe argjendi nuk duhet dhënë zeqat. Këto mbështeten në hadithin e transmetuar nga Aisheja r.a. i regjistruar te Muvatai i Malikut.