Falja e drekës së fundit pas namazit të xhumasë

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Kohëve të fundit me daljen në skenë të lëvizjeve të ndryshme, falja e namazit drekës së fundit “ahiri dhuhrit” pas namazit të xhumasë, sikur po merr përmasa shqetësuese aq të mëdha në mesin e popullatës sonë islame e shqipfolëse saqë shpeshherë shkakton jo vetëm neveri te besimtarët islam, por edhe çrregullime dhe përgojime e deri akuza të ndërsjella nga më të ndryshmet. Kjo çështje që dikush me apo pavetëdije po i dhuron konotacione negative, nuk është asgjë tjetër përveç se rezultat i mosnjohjes së argumenteve bazë të sheriatit islam dhe pasojë e mosnjohjes së parimeve të përgjithshme të sheriatit islam, ose si pasojë e fanatizmit vetjak dhe egoist të disa personave.

Kjo huti që po shpaloset kohëve të fundit nuk i bënë nderë as Islamit e as myslimanëve, e aq më pakë atyre që po e zgjojnë fitnen nga gjumi. Askush nga dijetarët eminent islamë brenda katër shkollave juridike islame (medhhebeve) nuk ka potencuar në ndonjë rast, se falja e namazit të drekës pas namazit të xhumasë është veprim i ndaluar që shkakton mëkat, apo hidhërim te Allahu xh.sh.. Të vetmit që shkaktuan këtë huti dhe që konsiderojnë se falja e namazit të drekës pas namazit të xhumasë është veprim i ndaluar, risi (bidat) dhe si i tillë konside-rohet mëkat janë jomedhhebistët, të cilët vetvetiu kanë dalë nga korniza e katër shkollave juridike islame (medhhebeve) që përfaqë-sojnë Ehli Sunnetin.

Në përpjekje për të sqaruar sa më mirë për lexuesin, që në fillim të theksojmë se problematika e faljes së namazit të drekës pas farzit të xhumasë rikthehet në praktikën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe të sahabëve rreth faljes së namazit të xhumasë. Pra për ta kuptuar sa më qartë këtë çështje fillimisht duhet të hulumtojmë dhe sqarojmë se si ishte falur namazi i xhumasë në kohën e Pejgamberit dhe të Hulefai rashidinëve dhe në gjeneratën e parë të myslimanëve.

Në kohën e Pejgamberit a.s. edhe pse kishte edhe xhami tjera në lagjet e Medinës ku faleshin pesë kohë të namazit, dhe atje Pejgamberi a.s. kishte emëruar edhe imam, namazi i xhumasë falej ekskluzivisht vetëm në xhaminë e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Ngjajshëm ishte çështja edhe në kohën e Hulefai rashidinë (katër halifëve Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Aliut radiall-llahu anhum xhemin), të cilët personalisht i prinin namazit të xhumasë dhe nuk lejonin që në Medine të falet namazi i xhumasë në xhamitë tjera përveç në xhaminë e Pejgamberit Alejhis-selam.

Mirëpo me zgjerimin e shtetit islam  në kohën kur Omer b. Hatabi r.a. ishte sundimtar i myslimanëve u paraqiten nevoja të ndryshme në shtetin islam, çështje këto të cilat detyrimisht kërkonin zgjidhje. Për këtë çështje Omer b. Hatabi Radiall-llahu anhu. për mëkëmbësit dhe administratorët e tij që i kishte emëruar nëpër vende të ndryshme lëshoi një dekret, ku përveç tjerash kishte urdhëruar që: ”në çdo xhami apo mesxhid të vendosin imam për faljen e pesë kohëve të namazit, kurse për faljen e namazit të xhumasë të tubohen në një xhami, e ju (si mëkëmbës) t’ua falni të gjithë xhematit namazin e xhumasë, assesi nuk lejohet që të falet xhumaja në më shumë se në një xhami në një vend” përfundon citati i Omerit në këtë letër që ia kishte dërguar udhëheqësve të tij nëpër qytete.[1]

Kjo praktikë kishte vazhduar edhe në kohën e halifatit të emevive, deri në kohën e sundimit të halifit abasit Haruni Rrashidit, apo Vathikut siç tregon Hatib Bagdadi në veprën e tij “Historia e Bagdadit” se rasti i pare në historinë e islamit ka ndodhur që në një qytet namazi i xhumasë të falet në më shumë se në një xhami, e ky rast ishte në vitin 280 h.[2]

Nga kjo që u tha deri më tani nënkuptohet se fukahat islamë janë unik në mendimet e tyre se nga suneti i Pejgamberit Alejhis-selam dhe nga suneti i hulefai rashidinëve si dhe të gjeneratës së pare, është që, namazi i xhumasë duhet të falet në një vend në një vendbanim. Nisur nga ky fakt, konstatohet se të gjithë dijetarët islamë janë unik në mendimet e tyre se, nëse namazi i xhumasë falet vetëm në një vend në një vendbanim, namazi i xhumasë është i vlefshëm dhe nuk kërkohet falja e namazit të drekës pas namazit të xhumasë, sepse kjo ishte praktika e Pejgamberit Alejhis-selam. sahabëve dhe gjeneratës pas tyre. Mirëpo me përhapjen dhe zgjerimin e islamit nëpër vendet të ndryshme, implementimi praktik i këtij suneti, thuajse hasi në vështi-rësi, andaj dijetarët islamë ishin të detyruar që të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

Falja e drekës sipas mendimit të 4 medhhebeve

Duke u bazuar në traditën e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme dhe të hulefai rashidinëve dijetarët islamë janë unik në mendimin e tyre se nuk lejohet falaja e namazit të xhumasë në më shumë se në një xhami në një vendbanim, nëse kjo nuk është nevojë apo domosdo-shmëri për këtë. Mirëpo meqë falja e namazit të xhumasë në një vend është e pa mundur, atëherë të shohim qëndrimet e dijetarëve (fukahave) islam, nga shkollat juridike islame që përfaqësojnë Ehli sunnetin.

Dijetarët e medhhebit hanefij[3] janë të mendimit se falja e namazit të xhumasë, në më shumë se në një vend është veprim i lejuar dhe se ky veprim në esencë nuk e dëmton namazin e xhumasë. Ky mendim mbështetet mbi faktin se falja e namazit të xhumasë në më shumë se në një vend, është çështje që ndonjëherë është e nevojshme e ndonjëherë e patjetërsueshme, kurse për lejimit të faljes së namazit të xhumasë në më shumë vende, bëhet evitimi i vështirësisë dhe lehtësimi i praktimit të faljes së namazit të xhumasë. Në anën tjetër, nuk ekziston ndonjë argument i qartë që ndalon faljen e namazit të xhumasë në më shumë se në një vend në një vend banim.

Dijetarët e këtij medhhebi janë të mendimit se në një vend ku falen namazi i xhumasë në shumë xhami duhet pasur parasysh këto rregulla. Nëse falësi i xhumasë në një xhami, është i sigurtë se në vendin tjetër, respektivisht në xhaminë tjetër namazi i xhumasë është falur para se të falet namazi i xhumasë në xhaminë ku ai është duke u falur, atëherë falja e katër rekateve të drekës me një selam pas namazit të xhumasë ka dispozitën vaxhibit. Nëse falësi thjesht vetëm dyshon se në ndonjë xhami tjetër është falur namazi i xhumasë para se ky të falë namazin e xhumasë, në këtë rast falja e namazit të drekës pas xhumasë ka dispozitën e mendubit. Nga kjo nënkuptohet se nëse ai është i bindur se në xhaminë që ka falur namazin e xhumasë, është xhemati që i pari ka falur namazin e xhumasë, nuk ka nevojë të falë namazin e drekës pas farzit të xhumasë.

Falja e namazit të drekës së fundit e (ahiri dhuhrit) bëhet në mënyrë preventive (ihitijaten), kurse falet pas katër reqateve të sunnetëve të fundit të xhumasë. Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, falja e namazit të drekës së fundit (ahiri dhuhrit) është më e preferuar që të falet në shtëpi, me qëllim që t’i iket syve të njerëzve dhe të mendojnë se ky namaz ka dispozitën e farzit.

Dijetarët e medhhebit Shafij, janë të mendimit se falja e namazit të xhumasë në më shumë se në një vend, mund të jetë:

-ose për shkak të nevojës apo domosdoshmërisë, siç është rasti se xhamia nuk mund ti pranojë të gjithë besimtarët islamë. Në këtë rast sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit Shafij, namazi i xhumasë është i vlefshëm për të gjithë xhamitë, por është mendub që pas farzit të xhumasë të falin namazin e drekës.

-ose falja e xhumasë të bëhet pa ndonjë nevojë apo domosdo-shmërie. Në këtë rast na paraqiten shumë dilema dhe mundësi të ndryshme. Këta dijetarë janë të mendimit se nëse namazi i xhumasë falet në shumë vende në një vendbanim, dhe për këtë nuk ndihet domosdoshmëria, atëherë namazi i vetëm i vlefshëm i xhumasë është ajo xhami që ka falur namazin e xhumasë e para, por kushtëzohet që ky xhematë të jetë i sigurt se këta janë ata që të parët kanë falur namazin e xhumasë. Andaj, nëse nuk vërtetohet se cila xhami e ka falur namazin e xhumasë e para, apo vërtetohet se të gjitha xhamitë e kanë falur namazin e xhumasë në të njëjtën kohë, sikur të kenë marrë tekbirin të gjithë në të njëjtën kohë, atëherë namazi i të gjithëve është i prishur. Në këtë rast duhet që të bashkohen të gjithë bashkë dhe të përsërisin namazin e xhumasë bashkërisht, nëse ekziston mundësi, e nëse jo, atëherë e falin namazin e drekës.

Dijetarët e medhhebit Malikij, janë të mendimit se nëse në një vendbanim falet namazi i xhumasë në shumë xhami, namazi i xhumasë është i vlefshëm vetëm në xhaminë më të vjetër në të cilën është falur namazi i xhumasë për herë të parë në atë vendbanim. Kjo dispozitë sipas fukahave të medhhebit malikij vlen nëse i plotëson këto katër kushte, që janë:

  1. Që njerëzit- xhamti të transmetohet tërësisht nga xhamia e vjetër në ndonjë xhami të re,
  2. Që xhami e vjetër të jetë e vogël dhe nuk i zen xhematin , andaj paraqitet nevoja për xhami të re,
  3. Që udhëheqësi islam të vlerësoj për vlefshmërinë e namazit të xhumasë në xhaminë e re,
  4. Nëse ekziston ndonjë armiqësi mes dy fiseve apo familjeve saqë nëse tubohen në një vend ka mundësi të ketë fitne apo edhe ngatërresa mes tyre.

Në këto raste falet namazi i xhumasë porse edhe namazi i drekës si preventivë.

Dijetarët e medhhbeit Hanbelij, janë të mendimit se, falja e namazit të xhumasë në më shumë xhami në një vend, është ose për shkak të nevojës, ose pa nevojë. Nëse falja e xhumasë bëhet në shumë xhami për shkak të nevojës, atëherë namazi i tyre është i vlefshëm, pavarësisht se për faljen e xhumasë në këto xhami ekziston leje nga udhëheqësi islam apo jo, mirëpo në këtë rast prioritet ka edhe falja e namazit të drekës pas farzit të xhumasë. Në rastin kur namazi i xhumasë falet në shumë xhami, por kjo thjesht bëhet pa ndonjë nevojë, atëherë namazi i vlefshëm i xhumasë është vetëm në xhaminë që udhëheqësi islam ka dhënë leje për faljen e xhumasë, që nënkupton se në xhamitë tjera namazi i xhumasë është i pavlefshëm edhe nëse falet para kësaj xhamie. Mirëpo nëse udhëheqësi islam ka dhënë leje që namazi i xhumasë të falet në shumë xhami, por kjo nuk është nevojë  e xhematit, atëherë namazi i vlefshëm është vetëm në atë xhami që xhumaja është falë e para. Nëse në të gjitha xhamitë namazi i xhumasë është falur përnjëherë, atëherë duhet bashkuar dhe rifalur namazin e xhumasë, nëse ekziston mundësi e nëse nuk ekziston mundësia, atëherë falen namazi i drekës.

Nga tërë kjo që u tha deri më tani qartë kuptojmë se falja e namazit të drekës pas farzit të xhumasë në rastet kur namazi i xhumasë falet në më shumë se një xhami është qëndrim i katër shkollave juridike islame (medhhebeve) që përfaqësojnë Ehli sunne-tin, kurse dispozita e këtij namazi është varësisht nga qëndrimi i shkollave juridike dhe rasteve që paraqiten.

Këtë e ka vërtetuar edhe dijetari i famshëm Jusuf En-Nebhani i cili në veprën e tij “Husnu eshirati fi meshruijjetil salati edhuhri ba’del xhumua” në të cilin ka shpjeguar, se falja e namazit të drekës pas namazit të xhumasë në ato vende ku namazi i xhumasë falet në shumë vende nuk është specifikë e medhhebit Shafij, por të njëjtin mendim e kanë edhe dijetarët e katër medhhbeve në të gjitha këndet e tokës.

Vetvetiu kuptohet se polemikat që i bëhen dijetarëve të katër medhhebeve, për të cilët dijetarët islamë janë unik se, që të katër këto shkolla juridike janë përfaqësues të Ehli sunnetit, vijnë nga jomedhhe-bistët të cilët përmes manipulimeve perfide me ajete dhe haditheve të pejgamberit a.s. tentojnë të bindin besimtarët islamë se falja e namazit të drekës pas farzit të xhumasë është risi (Bidat) që nuk është praktikuar as në kohën e pejgamberit e as të sahabëve, dhe si i tillë domosdo është veprim i ndaluar sepse çdo bidat është edhe dalalet.

Jomedhhebistët në këtë çështje harrojnë se me interpretimet e tyre përdorin standarde të dyfishtë. Fillimisht askush nga dijetarët islam nuk ka thënë se në kohën e Pejgamberit a.s. është falur dreka pas xhumasë, e as të sahabëve, përkundrazi ky është fakt i vërtetuar. Derisa jomedhhebistët po harrojnë edhe faktin tjetër se në kohën e Pejgamberit a.s. dhe të sahabëve namazi i xhumasë nuk është falur në shumë vende në një vendbanim. Atëherë shtrohet pyetja pse jomedhhebistët nuk thonë se edhe falja e namazit të xhumasë në më shumë se në një vend është bidat, sepse një veprim i tillë nuk është praktikuar në kohën e pejgamberit dhe sahabëve. Përderisa kur dëshirojnë të demantojnë faljen e namazit të drekës pas farzit të xhumasë, argumentojnë me faktin se ky veprim nuk ka ndodhur në kohën e Pejgamberit a.s. andaj është edhe bidat që duhet larguar prej tij!.

Është interesant edhe mendimi i jomedhhebistëve kur thonë se falja e namazit të drekës pas farzit të xhumasë është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ajetin kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

فَإِذَا قُضِيَتِ ٱلصَّلاَةُ فَٱنتَشِرُواْ فِي ٱلأَرْضِ

“E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut[4]

Jomedhhebistët në komentimin e këtij ajet kur’anor thonë se Allahu xh.sh. pasi të përfundojë namazi ka urdhëruar që të shpërnda-hemi në faqen e tokës, e nuk ka urdhëruar që të falim namazin e drekës pas farzit të xhumasë!

S’do mend se ky shpjegim është shumë i përciptë dhe tendencioz, sepse imperativi shpërndahuni nuk obligon domosdoshmëri, por kjo nënkupton leje për dalje për të vazhduar punën atje ku e kishim lënë më parë[5]. Jo çdo imperativ në kur’an shpien në detyrim (farz). Ngjashëm sqaron edhe imam Kurtubiu në tefsirin e tij kur thotë, se nga ky imperativ nënkupton mendubi, e jo obligimi.

(Ky tekst është shkëputë nga Libri: FIKHU ISLAM-dispozita nga namazi, qeati, agjerimi dhe haxhi, autor Jusuf Zimeri).


[1] Irfan Abazi, Namazi i xhumasë.

[2] Po aty.

[3] Për mendimet e fukahave të katër shkollave juridike islame, më gjerësisht mund të gjesh material të duhur në librat përkatëse të fikut nga secila shkollë, kui do të gjeshë edhe mendime të shpjeguara dhe të detajuara për këtë çështje.

[4] Suretu el Xhumua : 10

[5] Shih tefsirin e Ibni Kethirit,

Shkrime të ngjashme