Kontributi i revistës “Edukata Islame” në shpjegimin e fikhut Islam

Jusuf Zimeri

Drejtor i sektorit Fetaro-Arsimor pran Rijasetit të BFI në RMV

Allahu xh.sh. thotë:

وَلَا تَسْأَمُوا أَن تَكْتُبُوهُ صَغِيرًا أَوْ كَبِيرًا إِلَىٰ أَجَلِهِ  ذَٰلِكُمْ أَقْسَطُ عِندَ اللَّهِ وَأَقْوَمُ لِلشَّهَادَةِ وَأَدْنَىٰ أَلَّا تَرْتَابُوا

Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te All-llahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit

El Bekare 282

Pejgamberi a.s. ka thënë:

عَنْ أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ قَالَ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : ” قَيِّدُوا الْعِلْمَ بِالْكِتَابِ”

Transmetohet nga Enesi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: Lidhne diturinë përmes shkrimit”

Një proverb thotë:
“Pena është ambasadori më i mirë i mendjes, lajmëtari i saj më fisnik, gjuha e saj më e mprehtë dhe interpretuesi më i mirë i saj”.

Hyrje

Të nderuar të pranishëm,

Që në fillim më lejoni që vetëm me një fjali të përshkruaj ndjenjën time për revistën “Edukata Islame”. Revista “Edukata Islame” për mua personalisht, e mendoj se edhe për një numër të konsideruar të neve që jemi këtu (përjashtuar gjeneratat më të reja) më përkujton edhe momentet emocionale të fundviteve të shtatëdhjeta dhe fillimin e tetëdhjetave, kur ne ishim si nxënës të Medresesë Alaud-din, pikërisht në këtë oborr ku po diskutojmë, kur ne me padurim pritnim daljen e numrit të ri të revistës “Edukata Islame”, sepse për ne atëbotë përveç mësimdhënësve të cilët na jepnin shënime dhe disa skripteve që kishin filluar të botohen në Medrese, nuk kishim asnjë burim tjetër islam të shkruar në gjuhën shqipe prej ku do të mund të informoheshim apo të mësonim islamin e vërtetë e shkencor, prandaj ajo ishte dhe ngeli nga revistat më të dashura tek ne.

Prandaj, sot pas pesë dekadash të flasësh me një retorikë të kombinuar për një vepër madhore siç është Revista Fetare “Edukata Islame” e themeluar dhe botuar nga Shoqata e Ulemave shqiptar të asaj kohe, në kohën dhe rrethanat krejtësisht tjera, si ato sociale, kadrovike, ekonomike, politike, nga koha kur është themeluar dhe botuar kjo revistë, nuk është një çështje luksi, por një domosdoshmëri kohore.

Në shoqërinë tonë shqiptare islame, si pjesë e Umetit të përgjithshëm, kishte dijetarë të mirëfilltë dhe oratorë të mirëfilltë, por thënë të drejtën mjeshtrit e lapsit na mungonin, e ata ishin të numëruar me numra. Mirëpo, e vërteta është se dijetarët tanë e kishin të qartë se edhe fjala e folur por edhe fjala e shkruar plotësojnë njëra tjetrën e ajo që favorizon njëra tjetrën dhe ajo që dallon secilën prej njëra tjetrës është vetëm ajo që favorizon përdorimin e njërës mbi tjetrën.

Mirëpo, çështjet jo gjithmonë vlerësohen për nga volumi i tyre, porse ato vlerësohen për nga esenca e tyre, përmbajtja dhe cilësia, ndikimi dhe reflektimi i tyre roli dhe rëndësia e tyre në shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe atë islame në veçanti.

Revista “Edukata Islame” si revistë fillimisht fetare, e  më pas si revistë shkencore kulturore islame, themeluar nga Shoqata e Ulemave të kohës, e projektuar dhe udhëhequr nga doajeni i fjalës së shkruar islame myderrizi dhe mësuesi i jonë H. Sherif ef. Ahmedi, bashkë me shokët e tij, (Allahu i mëshiroftë) përveç se është fillimi i një revolucioni apo një epoke të re, për një veprimtari të mirëfilltë për fjalën e shkruar në gjuhën shqipe për të gjithë myslimanët shqiptarë që jetonin në Jugosllavinë e atëhershme, është edhe një dëshmi e gjallë se, sa të pa thyeshëm dhe rrezatues ishin ata kur morën mbi supet e tyre  këtë barrë të rëndë  dhe me përgjegjësi të madhe. Kjo argumenton edhe faktin se ata vepruan mbi bazën e botëkuptimit optimist se “kur nuk jemi tërësisht të lirë, nuk nënkupton se jemi tërësisht të robëruar, ngase ideali i çiltër shpirtërorë nuk njeh robëri tjetër përveç robërisë ndaj Allahut Fuqiplotë.

Prandaj, Revista “Edukata Islame” për ne sot është edhe një mesazh i qartë për të vazhduar rrugën e tyre pa kurrfarë kompromisi, për të ruajtur amanetin në të gjitha kushtet dhe rrethanat edhe atëherë kur ballafaqohemi me sfidat më të rënda që na paraqiten rrugës para nesh, e veçanërisht kur sot jemi në kushte dhe rrethana më të volitshme. Zëri i arsyes që buron përmes kësaj vepre e që na  e tërheq vëmendjen është se rrezikimi i amanetit në kushte dhe rrethana të volitshme, është më i rrezikuar që të humbet se sa në rrethana të vështira, apo thënë troç, beteja në paq për ta ruajtur amanetin është më e rëndë se sa beteja në luftë.

Të nderuar të pranishëm,

Kam bindje e për këtë dëshmon edhe veprimtaria e tyre, se Ulematë tanë shumë qartë e kishin kuptuar imperativin dhe mesazhin hyjnor i përcjellë përmes shpalljes që na cilëson se ne jemi Umeti i leximit dhe shkrimit. Të shkruarit është mënyra më e mire për të organizuar dhe ruajtur informacionin nga humbja dhe harresa, ngase njeriu kur regjistron një informacion të caktuar në mendjen e tij, rreziku i harresës për shkak të preokupimit të njeriut me çështjet e jetës është në vazhdimësi, e nëse e regjistron dhe e shkruan, atëherë e ka deponuar dhe e ka ruajtur informacionin dhe kjo i jep mundësi të rikuperimit të informacionit në çdo moment që dëshiron ta bëjë njeriu.

Ata  e kishin të qartë se, shkrimi është një mjet shumë efikas i mendimit, mjet i dijes dhe transmetimit të saj, si mjet për përhapjen e dijes dhe thirrjes islame, mjet i cili transmeton besimin dhe shpalon qasjen dhe pikëpamjen ndaj jetës, mjet i cili përshkruan të kaluarën, gjallëron të tanishmen dhe vizionin të ardhmen. E konceptuan në  këtë formë ngase me gjuhën e penës thirrja islame arriti në vendet dhe skajet më të larta të globit, arriti atje para se të arrijë çdo formë e forcës fizike.

Ata ishin të bindur se përderisa pena e myslimanit shkruan në emër të Zotit të tij, injoranca, padituria, verbëria dhe errësira asnjëherë nuk do të ngadhënjejnë mbi diturinë, vigjilencën dhe dritën. Ishin të vetëdijshëm se pena e cila shkruan në emër të Zotit është një armë legjitime në arenën e xhihadit intelektual islam.

Revista “Edukata Islame” dhe shkencat e Fikhut

Të nderuar të pranishëm,

Është fakt i pa kontestuar se Revista “Edukata Islame” u themelua dhe ngeli si revistë interdisiplinare, ku gërshetohen dhe trajtohen tematika nga më të ndryshmet duke filluar nga ato informative, sociale, shkencore, ekonomike, letrare, politike etj. Në mesin e shumë tematikave shkencore islame që trajton kjo revistë, siç janë, akaidi, tefsiri, hadithi, h.Islame, etika dhe shkencave tjera, konsideroj se një hapësirë mjaftë e madhe ju dha edhe shkencave të Fikhut apo jurisprudencës Islame në përgjithësi.

Marrë parasysh faktin se shkenca e fikhut përcakton mënyrën e jetesës dhe rregullon sistem jete, duke u marrë me tërë shoqërinë njerëzore dhe me të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet njeriu, me të diturit dhe të pa diturit, me të gjallët dhe të vdekurit, me të shëndoshët dhe të sëmurët, me të pasurit dhe të varfrit, me pleqtë dhe të rinjtë,  me meshkujt dhe femrat, me besimtarët dhe jobesimtarët, me paqën dhe luftën, si thotë Ebu Hamid El Gazali, atëherë është vështirë të përcaktohet se cilat janë ato tematika në të cilat nuk është inkorporuar shkenca e fikhut islam.

Prandaj, thënë shkurtë, për mua ishte e vështirë të përcaktohen tematikat që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me shkencën e fikhut, respektivisht me sheriatit, sepse kah do që sillesh në shkencat islame do të hasësh në nevojën e përcaktimit të dispozitës islame, që është fushë e shkencës së Fikhut dhe Usuli Fikhut.

Sado pak, për të bërë një dallim në këtë punim, detyrimisht më është dashur të përdori përkufizimin e fikhut sipas shumicës dërmuese të fukahave Islam (xhumhurit), që është “shkenca e cila merret me dispozitat praktike të sheriati islam të përfituar nga argumentet e specifikuara”, sepse po të merreshim me përkufizimin që i bënë Imamul Eadham  Ebu Hanife shkencës së fikhut, do të ngeleshim në telashe dhe do të hapnim shumë polemika, dhe assesi nuk do të dallonim temat e fikhut, sepse sipas tij të gjitha dituritë islame përkufizohen me nocionin Fikh.

Të nderuar të pranishëm,

Në përgatitje të këtij punimi të shkurtë, kam bërë përpjekje që të bëjë një analizë më të detajuar të revistës “Edukata Islame” duke filluar nga numri i parë e deri në nr. 118/2019, pra për bazë janë marrë 118 numra të revistës “Edukata Islame”.

Thënë të vërtetën gjatë analizave që i kam bërë këtyre 118 numrave të revistës “Edukata Islame” kam gjetur se edhe kjo revistë i ka kushtuar një hapësirë mjaft të madhe shkencës së fikhut, apo tërë asaj që përfshihet në shkencat e sheriatit, prandaj në vazhdim po sjell disa të dhëna statistikore, që të mund të vlerësoni edhe ju.

  • Revista “Edukata Islame”, që nga numri i parë e deri në numri 118 , në veten e saj ka ngërthyer rreth 100 faqe shkrim të formatit të saj.
  • Prej këtyre 100 faqeve shkrim sa ka edukata islame, 2.036 faqe shkrim kanë të bëjnë kryesisht me çështjet e fikhut dhe të sheriatit në përgjithësi përfshi këtu edhe shkencën e Usuli Fikhut. Këto faqe shkrimi janë të shpërndara në 151 tituj të ndryshëm që në tërësi shkencat e sheriatit në “Edukatën islame” përfaqësohen  me 10.30 % të hapësirës së saj.
  • Prej këtyre 151 punimeve të ndryshme nga shkencat e jurisprudencës islame, të botuara në revistën “Edukatën islame” vërejmë se 78 punime janë të përgatitura dhe të shkruara nga autorë shqiptar nga trevat gjithëshqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të zi) që në aspektin statistikor paraqet 65 % të shkrimeve nga lëmia e fikhut.
  • Prej këtyre 151 punimeve, vërejmë 73 shkrime nga lëmia e fikhut janë të përkthyera nga gjuhë të huaja, ose përkthyer në numra 34%.
  • Në mesin e përkthimeve të temave nga gjuhët e huaja vërejmë se 37 prej tyre janë përkthime nga gjuha boshnjake, kurse 40 të tjera janë përkthyer nga gjuhë tjera, kryesisht nga arabishtja dhe anglishtja. Nga autorët boshnjak që u janë përkthyer veprat e tyre më shumti i hasim këto emra: Hfz Sinanudin Sokoloviq, Kasim Haxhiq, Husejn Gjozo, Ibrahim Spahija, Fikret Karçiq, Abdullah Dervisheviq etj. kurse nga autorët arab më së shumti sillen këto emra: Prof Jusuf Kardavi, Sejid Kutbi, Abdulkader Muabi, Abdullah Nasih Ulvani, Omer Hashimi, Muhamed Asad, Ebi Iz el Hanefij, Muhamed Hamidullah, etj. Karakteristikë e kësaj është se këtë përqindje të madhe të përkthimeve e rritin dy tre dekadat e para të jetës së kësaj reviste, kurse më pas me shtimin dhe formimin e kuadrit të mirëfilltë shqiptar, vërejmë se kjo dukuri është pakësuar dukshëm.

Nga lëmia që trajtojnë këto tema brenda fikhut do të mund të veçojmë.

  1. Rreth 25 tema flasin për ibadat (adhurimet) që përfshijnë namazin, zeqatin, agjërimin dhe haxhin në shifra janë 16.55%.
  2. Tematika që rregullojnë raportet dhe lidhjet (detyrimet dhe të drejtat) mes fëmijëve dhe prindërve janë diku rreth 15 tema, ose 9.93 %.
  3. Tematika që i kushtohen enkas gjinisë femërore në forma të ndryshme janë 10, ose 6.62 %, (por mos harroni se nuk ka asnjë temë që i kushtohet burrit.
  4. Rreth 100 artikuj të tjerë, janë kryesisht nga lëmia e fikht e cila quhet muamelat ku përfshihet e drejta civile, e drejta penal, të drejtat dhe liritë e njeriut, shitblerja, tregtia, sistemi islam rreth funksionimit të sistemit ekonomik dhe bankarë etj. Ajo që më ka ra anë sy e ndoshta edhe nuk kam mund ta vërejë mirë është në tërë këtë potencial të madh askund nuk kam hasur asnjë punim nga e drejta trashëgimore islame, mangësi kjo edhe sot e kësaj dite që për fat të keq nuk po kushtojmë aspak vëmendje.

Për në fund vetëm të potencoj edhe një fakt  se Revista “Edukata Islame” shpeshherë në ka përfshirë edhe rubrikën “Pyetje Përgjigje”, ku janë dhënë sqarime profesionale dhe dispozita islame  rreth çështjeve që ka parashtruar pyetësi. Në të shumtën e rasteve përgjigjet janë dhënë në emër të redaksisë Edukata Islame.

Shkrime të ngjashme