Le ta dijë kush të donë!
Tentativat për devijimin e Islamit, për keqtrajtimin e dispozitave juridike islame, për nënçmimin dhe përdhosjen e vlerave të larta etike e njerëzore të islamit, për zhdukjen e thesarit të artë që na e kanë lënë dijetarët gjigant dhe muxhtehidët nëpër shekuj, kanë qenë, janë dhe do të ngelin vetëm orekse të pa ngopura të njerëzve të sëmurë që në të shumtën e rasteve pamëshirshëm gëlltitin veten e tyre. Pretendimet dhe imagjinatat për një modernizimi afetar në emër të një kulture dhe civilizimi shtazarak, në njërën anë dhe, në anën tjetër si reaksion i kësaj rezultohet imagjinata për një fanatizëm të pa skrupull dhe krejtësisht irracional. S’ka dilemë se edhe aksioni i paramenduar, e edhe reaksioni i paparamenduar, pikë takimin e tyre e kanë në dëmtimin e islamit gjegjësisht shoqërisë islame. Ne jemi shumë të vetëdijshëm, se edhe njëra e edhe tjetra në arritjen e majës së qëllimeve të tyre jo vetëm se do rezultojnë sterile, por janë edhe dëshmi të pa kontestuara, sepse bëhet fjalë për një veprimtari të qyqarëve që fshehën pas maskave të çjerra.